Përplasja për emërimet / PD: Kreu i CEZ-it, i dënuar për shpërdorim detyre. Reagimi: Çështja, administrative

0
128

Vorpsi: Buzi, i dënuar në 2009-ën, pasi nuk vilte detyrimet tatimore. CEZ: Mos hidhni baltë

 

Laura-Cez-415x260Partia Demokratike denoncon emërimin në krye të task-forcës të CEZ-it në Tiranë, të një personi të dënuar nga Gjykata për shpërdorim detyre, me vendim të formës së prerë. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha dje se Idajet Buzi është dënuar në vitin 2009, për shkak se kur ishte përgjegjës turni në Doganën e Durrësit, nuk u vilte subjekteve detyrimet tatimore. “Me Edi Ramën, energjia elektrike do t’u kushtojë vërtet shumë shqiptarëve. Jo vetëm plani që ai ka për të rritur çmimin, por edhe mënyra se si po e administron CEZ-in. Në një prej posteve më të rëndësishme të kësaj ndërmarrjeje në Tiranë është vendosur Idajet Buzi, një ish-i dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Durrësit për shpërdorim detyre. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është lënë në fuqi dhe ka marrë formë të prerë dy vite më vonë nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Buzi i dënuar për shkak se, kur ishte përgjegjës turni në doganën e Durrësit, nuk i vilte subjekteve detyrimet tatimore, tanimë është emëruar nga Rama në krye të task-forcës së CEZ-it në kryeqytet”, – tha ajo. Më tej, zëdhënësja e PD-së theksoi se ky emërim tregon sipas saj se angazhimet e kryeministrit për etikë, transparencë e përgjegjshmëri në qeverisje janë vetëm fjalë. “Në të vërtetë, kriteri që ai ka dhe standardi që aplikon është që t’u shërbejë me besnikëri miqve dhe klaneve të tij të pushtetit, edhe kur janë të dënuar nga drejtësia, dhe aspak qytetarëve shqiptarë”, – theksoi Vorpsi.

Reagimi

Ndaj akuzave të Partisë Demokratike ka reaguar dje punonjësi i kompanisë CEZ Shpërndarje, Idajet Buzi, i cili pohoi se është i padënuar dhe disponon dosje të pastër penaliteti. Sipas tij, çështja që i referohet PD është thjesht administrative. “Në vitin 2005 jam liruar nga detyra në Doganën e Durrësit, për arsye politike dhe Gjykata e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë, duke urdhëruar rikthimin tim në detyrë. Edhe pse me një vendim të prerë të Gjykatës, administrata e qeverisë “Berisha” ka refuzuar ta respektojë këtë vendim. Unë jam i padënuar dhe disponoj dëshmi të pastër penaliteti. Çështja së cilës i referohet zëdhënësja e Partisë Demokratike është një çështje administrative, e cila është ende në gjykim”, – tha Buzi, duke i cilësuar akuzat e PD-së si trillime që kërkojnë anashkalimin e vendimit të Gjykatës për rikthimin e tij në detyrë. “Unë do të respektoj çdo vendim të gjykatës, por i bëj thirrje opozitës të respektojë parimin themeltar të prezumimit të pafajësisë, përderisa ndaj personit tim nuk ka asnjë vendim të formës së prerë, pasi çështja administrative është në gjykim”. Po ashtu lidhur me këtë denoncim të PD-së ka reaguar dje edhe CEZ Shpërndarje duke hedhur poshtë akuzat në lidhje me punonjësin e kompanisë Idajet Buzi. “CEZ i bën thirrje opozitës të mos hedhë baltë mbi punonjësit e kompanisë, e cila edhe pse ka trashëguar borxhe dhe humbje të jashtëzakonshme për vite me radhë, në këto gjashte muaj po punon me një impenjim maksimal për të rikthyer sigurinë në furnizimin me energji në vend dhe për të ulur humbjet në rrjet. CEZ Shpërndarje i bën thirrje opozitës të mbështesë aksionin e nisur për të ndalur vjedhjen e energjisë elektrike dhe për të rritur arkëtimet nga përdoruesit e energjisë”, – thuhej në deklaratën e CEZ-it.

 

 Ceremonia

Nderohet Ermonela Jaho. Rama: Divë e operas botërore, krenar që ka atdhe Shqipërinë

Në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Kryeministrisë u nderua dje me medalje sopranoja shqiptare Ermonela Jaho. Kreu i qeverisë, Rama, e quajti atë një artiste të kategorisë superiore, e cila është ambasadorja më e mirë e artit shqiptar në botë. Kryeministri është shprehur se nuk gjente medalje më të lartë për të nderuar sopranon, veçse atë që u jep kryeministrave të botës. “Në përpjekje për të bërë atë që mund të bëjmë e që mund të bëj për të shprehur gjithë kënaqësinë, krenarinë dhe respektin, nuk gjeta gjë më të madhe sesa medaljen ekskluzive që Kryeministri ua jep vetëm kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të shteteve të tjera. Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën si rrallë do na e kishte zili çdo vend me fuqi dhe nam shumë më të mirë sesa i yni. Ambasadore që na bën krenar dhe na jep besim dhe kurajë, për të bërë të pamundurën që edhe zëri i Shqipërisë të tingëllojë bukur, një ditë, në skenën e Evropës, në rolin modest të një vendi të vogël si yni, por, sidoqoftë, të respektuar për zërin e vet”, – tha ai. Nga ana e saj, sopranoja Ermonela Jaho mes emocioneve të nderimit, theksoi se artistët shqiptarë bëjnë mrekullira kur gjejnë çelësin e zemrës. “Kjo ishte një surprizë që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Ndihem shumë e nderuar. Nuk ka emocion më të madh sesa kur rrethohesh me dashuri dhe vlerësim. Vlerësimi është çelësi i suksesit në çdo ndërmarrjeje. E kemi shumë të vështirë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, ne shqiptarët bëjmë mrekullira. Me ‘Maddem Butterfly’ njerëzit erdhën të shihnin diçka të vërtetë që vinte nga ky bashkim. Faleminderit! Pa ju nuk do të mund ta kisha bërë këtë gjë”, – u shpreh Jaho.

 

Fondi i punësimit

Konkursi zhvillohet në maj: Ja sistemi i pikësimit

 

Biznesi që do të përfitojë më shumë pikë nga konkursi që do të zhvillohet në muajin maj për fondin e punësimit, do ta ketë më të lehtë për të përfituar edhe paratë që do të vihen në dispozicion. Autoritetet e Shërbimit Kombëtar të Punësimit kanë ngritur një sistem pikëzimi nga zero në 100 pikë, në bazë të së cilit do të vlerësojnë edhe bizneset që do të marrin pjesë në konkurs. “Kemi ngritur një sistem pikëzimi, i cili pasi të gjithë bizneset janë futur në garë pra kanë mbushur kriteret minimale që përcakton ligji sistemi i pikëzimit i vlerëson bizneset në bazë të inovacionit dhe planit të biznesit që ata kanë sjellë, numrit të njerëzve që duhet të punësojnë, qëndrueshmërisë së atyre punonjësve në tregun e punës, target-grupin e përcaktuar që punësojnë të rinj, që punësojnë individë nga shtresa të cenuara si: gra të ve, romë, të papunë apo persona me aftësi të kufizuar do të vlerësohen nga 0 deri në 100 pikë”, – u shpreh dje për “AS” Genci Kojdheli, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Nga ana tjetër ai bëri të ditur se shumica e atyre që kërkojnë një vend pune janë me arsim 9-vjeçar apo të mesëm. ”Shumica e aplikantëve në zyrat e punës në sistemin online janë njerëz të pakualifikuar ose të kualifikuar në nivelin e mesëm. Trendi në rritje është i personave të cilët kanë një rend akademik universitar”, – tha Kojdheli. Fondi i nxitjes së punësimit nga ana e qeveria ka shkuar në 2.7 milionë dollarë, ku prioritet pritet ti jepet biznese të fasonëve, por edhe atyre të teknologjisë dhe informacionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency