Qëndrimi i PD-së / Bregu: Pse s’po firmoset deklarata e Strasburgut, çfarë fsheh mazhoranca pas Administratives

0
124

Gëzim Saliu

Deputetja e PD: Statusi kandidat në rrezik nga antikushtetutshmëria e mazhorancës

“Qeveria ta ndajë mendjen: i interesojnë reformat apo vendosja e regjimit autokratik”

 

majlinda-bregu-okPartia Demokratike kërkon që mazhoranca të lë mënjanë politikën e konfliktit dhe antikushtetutshmërisë, duke nisur bashkëpunimin me opozitën në kuadër të reformave të rëndësishme për procesin e integrimit evropian të vendit. Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, si ish-ministre e Integrimit, bën të ditur angazhimin e opozitës për reformat integruese por thekson nga ana tjetër se më parë mazhoranca e majtë duhet të heqë dorë nga shkelja e ligjit. Duke marrë për bazë faktin se deklarata e përbashkët Shqipëri-PE nuk u firmos në Strasburg nga delegacioni shqiptare të përbërë nga anëtarë të majtë e të djathtë, Bregu deklaroi se e vetmja kërkesë e opozitës mbetet konsensusi. “Qeveria të qeverisë, do votonim çdo ligj që do ishte detyrim për integrimin. Sikur mazhoranca sot të sjellë në seancën e të enjtes të ishin 20 të tillë, detyrime për procesin e integrimit, të cilat Shqipëria do të duhet të ti përmbushë për këtë proces, opozita do ti votonim pa më të voglin dyshim. Qeveria duhet të ngrihet në lartësinë e rolit që ka dhe të stabilizojë konsensusin me opozitën”, – tha Bregu për “ABC News”.

Statusi dhe reformat

Sipas kryetares së Komisionit të Integrimit, qeveria nuk është e fokusuar tek detyrimet që Shqipëria ka për të marrë statusin e vendit kandidat në qershor, por tek kryerja e një reforme, që në thelb është elektorale. Në këtë kontekst, Bregu theksoi se arsyeja e ngutjes së mazhorancës për reformën administrative si edhe deklaratat për kryerjen e saj edhe pa opozitën, ka të bëjë me synimin e vendosjes së një pushtetit autokratik. “Kjo reformë bëhet për të stabilizuar një pushtet autokratik në të gjithë vendin. Reforma administrative është kryekëput elektorale. Qeveria duhet ta ndajë mendjen: i interesojnë reformat e integrimit, apo vendosja e regjimit autokratik. Nuk po e them unë këtë, por po e thonë zyrtarët evropiane”, – theksoi deputetja demokrate. Nga ana tjetër, ish-ministrja e Integrimit komenton edhe mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, ku pohon domosdoshmërinë e rezultateve konkrete nga ana e qeverisë. Sipas Bregut, deri më tani qeveria nuk po bën punën e saj por po zhbën standardet, duke shkelur konsensusin dhe vendimet e institucioneve. “Jam e bindur se të gjitha vendet anëtare para se të marrin vendimin e qershorit, kanë nevojë për qartësi. Nuk besoj se teoria konspirative apo e fshehjes së pisllëqeve poshtë qilimit të shtëpisë, e bënë shtëpinë më të pastër. Është më mirë sot që shqiptarët të dinë rrezikun që u kanoset nga një qeveri që ka vendosur që mos lejojë ligjet e vendit që ti bëhen pengesë për ato që dalin, nga një kryeministër që nuk thotë kurrë që do të qeveris, por ne do të udhëheqim, i fundit që e ka thënë këtë në Evropë në mos gabohem ka qenë Musolini. Një qeveri që nuk zbaton vendimet e gjykatave, por që e merr vendimin e gjykatave me një nënqeshje dhe mund ta flakë diku dhe vazhdon me mosrespektimin e tij”, nënvizoi deputetja e PD-së Majlinda Bregu.

 

 

 

Zv.ndihmëssekretari i NATO-s

Debati për SHISH-in, Shea: Hyrja në Aleancë 5 vjet më parë nënkupton se e ka arritur standardin

Zëvendësndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jamie Shea, deklaron se Shqipëria është tashmë një vend i sigurt dhe se është nga anëtarët e dobishëm të Aleancës Veriatlantike. “Shqipëria nuk është më një vend i pasigurt dhe të gjithë e dimë këtë. Është një vend i dobishëm për mbrojtjen kolektive e solidaritetin dhe na kujton, sidomos tani që shohim situatën në Rusi e Krime, se detyra themelore e NATO-s qëndron së pari tek vlerat dhe siguria. Së dyti, na mban të përqendruar në Ballkan”, tha ai për “Top Channel”. Ndërkohë, i pyetur lidhur me debatin politik në vend për kreun e Shërbimit Informativ, ai theksoi: “Shërbimi sekret është në përgjithësi i rëndësishëm për Aleancën, pasi ne duhet të shkëmbejmë shumë informacione të klasifikuara. Sigurisht që reformimi i Shërbimit Sekret, sjellja e tij në një nivel dhe standard të besueshëm, ishte parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë 5 vite më parë. Por, ju tashmë jeni në NATO, çfarë nënkupton se duhet ta keni arritur atë standard. Sërish, edhe në këtë fushë, reforma është në vijimësi si për çdo demokraci. Ajo që NATO ofron është një forum ekspertize për t’u njohur me praktikën më të mirë dhe ndarjen e përvojave nacionale”.

 

 

 

Ish-kryeministri

 Berisha: Sindikatat në protestë, mbështetje popullore kundër rritjes së 21 taksave

Ish-kryeministri Sali Berisha shprehu dje mbështetjen ndaj sindikatave të vendit për vendimin e ngritjes në protestë kundër rritjes së taksave nga marrëveshja e qeverisë me FMN-në, të cilat do të vihen në zbatim, nëse varianti aktual i skemës nuk sjell rezultat. “Sindikatat morën dje një vendim historik për të protestuar kundër rritjes se 11 taksave dhe rritjes se çmimit të energjisë dhe ujit, rritjes në 67 vjeç të moshës së pensionit, ngrirjes për tre vjet të rrogave, pra në tërësi kundër 21 kushteve të marrëveshjes së qeverisë me FMN që u votua në Parlament. Ky është një vendim i drejte sepse qeveria që premtoi të lehtësojë buxhetin e familjeve shqiptare, duke garantuar shëndetësi falas, heqje te TVSH-së për energjinë, ushqimet bazë, legalizime falas, rrogë të 13-të për punonjësit etj., vendosi në pabesi të rrisë 11 taksa si dhe çmimin e energjisë dhe ujit, moshën e pensionit me dy vjet dhe të ngrijë për tre vjet rrogat etj. Këto 21 kushte të qeverisë rrënojnë deri në palcë buxhetin e qindra mijëra familjeve shqiptare”, – shkruante Berisha në rrjetin social “Facebook”. Në këtë kontekst, ish-kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin vendimin e sindikatave pasi, sipas tij, kushtet e rënda dhe marrëveshja në tërësi me FMN-në, u negociua bazuar mbi kodin e heshtjes. “Njëlloj si armët kimike, në fshehtësi të plotë, si në asnjë vend tjetër, pa asnjë konsultë paraprake me sindikatat, biznesin, shoqërinë civile apo opozitën. Vendimi duhet mbështetur se këto kushte janë rezultat i dështimit të qeverisë këto 6 muaj në mbledhjen e të ardhurave. Vendimi i sindikatave duhet mbështetur sepse qeveria, me cinizëm ekstrem, refuzoi të shqyrtonte në Parlament 19 amendamentet e opozitës, me të cilat do mbroheshin qytetarët në tërësi dhe shtresat e varfra në veçanti nga pasojat shumë të rënda të këtyre taksave mbi supet e tyre”, theksoi Berisha, duke kërkuar mbështetje pavarësisht nga bindjet politike. “Le të mbështesim ne, pavarësisht nga bindjet tona, sindikatat që po mbrojnë interesat jetike të punonjësve, nxënësve, studenteve, pensionisteve, te papunëve dhe qytetarëve në nevojë! Të protestojmë të gjithë së bashku!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency