Pas huasë së FMN-së / Negociata të reja, qeveria, dy marrveshje borxhi me Bankën Botërore. Detajet për 100 mln USD

0
117

 Gëzim Saliu

Rama: Diskutimi me FMN-në për tavanet e të ardhurave. Çdo 6-mujor, 150 mln USD më shumë

 Mbledhja e KEK-ut, Ahmetaj prezanton marrëveshjet me BB-në: Reforma në sektorin financiar

Pas marrëveshjes së arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria është duke negociuar dy marrëveshje të tjera më Bankën Botërore, nga e cila do të merren huatë e radhës, me synim, sipas mazhorancës, reformimin e sektorit financiar. Në takimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, u bë e ditur dje huaja e parë prej rreth 100 milionë dollarësh, e cila, sipas qeverisë, do të ketë synim kryesor modernizimin e sistemit financiar. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, marrëveshja mbështet edhe realizimin e një sërë reformash strukturore në sistemin e pensioneve dhe në sektorin energjetik. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe ndaj sektorit energjetik si dhe monitorimi i ecurisë së investimeve publike janë gjithashtu ndër objektivat e qeverisë, të cilat do të garantohen sipas saj edhe në kuadër të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare. Në takim, krahas anëtarëve të përhershëm të KEK-ut, ishin pjesëmarrës edhe ekspertë të ndryshëm në fushën e ekonomisë si kryeekonomisti i BERZH-it Erik Berglof, profesorja e Universitetit të Kolumbias Stephany Griffith-Jone, si edhe drejtoja e Bankës Botërore për Shqipërinë Tahseen Sayed, të cilët diskutuan gjithashtu edhe lidhur me marrëveshjen e arritur më parë mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Takimi

Në fjalën e tij në mbledhjen e KEK-ut, Kryeministri Rama foli lidhur me marrëveshjen e qeverisë me FMN-në, duke bërë të ditur edhe pikat më të nxehta të debatit rreth saj. Sipas kreut të qeverisë, performanca e administratës ka ardhur në rritje, gjë që ka shënuar, siç theksoi Rama, në 6 muaj rreth 150 milionë dollarë më shumë arkëtime. “Marrëveshja që ne arritëm me Fondin Monetar pas një negocimi të vështirë është rezultat, pa asnjë dyshim edhe i ndihmës suaj, i konsultimeve që kemi bërë. Kemi një performancë pozitive të administratës doganore dhe tatimore dhe praktikisht pjesa më problematike, që ne kemi pasur në diskutimin me Fondin ka qenë vendosja e tavaneve të të ardhurave, planit të të ardhurave që na është dukur mbase më ambicioz seç duhet. Por deri tani dhe posaçërisht me realizimin e muajit mars, kemi arsye që të jemi të kënaqur me performancën e administratës sepse tavani ka qenë i vendosur realisht lart dhe muajt nuk kanë qenë të lehtë. Kemi 6 mujor me 6 mujor, 150 milionë dollarë më shumë”, – deklaroi ai. Ndërkohë ministri i Financave Shkëlqim Cani prezantoi marrëveshjen e arritur me FMN dhe axhendën e reformave ekonomike të qeverisë, ku sipas tij synimi kryesor mbetet fuqizimi i rritjes ekonomike dhe korrigjimi i disbalancave makroekonomike. Ndërkohë në diskutimet e tyre të pranishmit e vlerësuan si një hap pozitiv arritjen e marrëveshjes me FMN, ku sipas Stephany Griffith-Jone përmes saj do garantohet rritja ekonomike e qëndrueshme. Nga ana e tij, kryeekonomisti i BERZH-it theksoi se një ndër pikat më të mira të marrëveshjes është ajo që ka të bëjë me përmirësimin e klimës së investimeve. “Duke arritur që të japim një zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me klimën e investimeve, për çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin, po ashtu edhe me pengesa të ndryshme, qoftë hyrëse apo dalëse, për kompanitë”, – tha Berglof.

 

 

Marrëveshja me Fondin

Biznesi i huaj: Të mbahen premtimet. Jo gjithmonë këshillat e FMN-së duhen ndjekur

Fondi Monetar Ndërkombëtar është një institucion i vlefshëm për ekonominë, por jo gjithmonë këshillat e tyre duhen ndjekur. Kështu bënë të ditur dje mendimin e tyre investitorët e huaj, të cilët pas nënshkrimit të marrëveshjes me FMN-në, kërkojnë mbajtjen e premtimeve për shlyerjen e detyrimeve. Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Croford, theksoi se qëllimi kryesor është që qeveria të kryeje rimbursimet. “Teorikisht është mirë të kesh miq nga FMN-ja, por jo gjithmonë mund të përdorësh këshillat e tyre. Por kur ia ke nevojën do të thotë se je në vështirësi, dhe realiteti është ky që është. Fokusi ynë se duhen përdorur paratë nga FMN-ja, kemi 9 muaj që dialogojmë me qeverinë dhe nëse kjo marrëveshje miratohet ne donim të shihnim biznesin privat të merret atë që i takon, detyrimin si edhe rimbursimin e TVSH-së, për të cilat qeveria është zotuar se do ti kryejë”, – tha ai. Ndërkohë investitorët e huaj theksojnë se me rëndësi parësore është dialogu mes qeverisë dhe biznesin. “E rëndësishme është që qeveria të zhvillojë një dialog të hapur dhe të rëndësishëm me investitorët e huaj për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është gjithmonë e rëndësishme që mes palëve të ketë një dialog. Në çdo situatë ajo që do të sugjeroja është që në varësi të kushteve të ketë një balancë mes avantazheve dhe disavantazheve për të ardhmen afatgjatë të vendit”, – tha Julia Janecko, një prej investitoreve të huaja në Shqipëri.

 

Takimi i kristian-demokratëve

Merkel flet për takimin me Ramën: Perspektiva evropiane e Ballkanit, zhvillim pozitiv

Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, gjatë takimit të Partisë Kristian-Demokrate, për programin elektoral të zgjedhjeve parlamentare evropiane në 25 maj, foli edhe lidhur me bisedën që ajo zhvilloi pak ditë më parë me Kryeministrin Rama. Duke e cilësuar një arritje faktin se kryeministrat e shumë shteteve në Ballkanin Perëndimor ishin së bashku në raportin e BERZH-it në Londër, Merkel theksoi se kjo përbën një perspektivë thelbësore në kuadër të situatës së re. “Këtë javë ishte në takim me mua Kryeministri i ri i Shqipërisë. Ai më tregoi për një takim të të gjithë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor tek BERZH-i në Londër, ku ata për herë të parë, mund të qëndronin me njëri-tjetrin si kryeministra, me gjithë diferencat e shumta që nga Kosova, Serbia, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, çdo gjë është e drejtë. Ai më tha se për herë të parë mund të bisedonin me njëri-tjetrin për të ardhmen e tyre dhe nuk mendonin në mënyrë armiqësore për njëri-tjetrin”, – u shpreh Kancelarja. Më tej, ajo theksoi se pa perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor, kjo do të ishte e pamundur. “Kjo është çka ne kemi arritur të krijojmë në vitet e fundit, të dashur miq, dhe kjo është e mrekullueshme”. Nga ana tjetër, Merkel pohoi se arritjet që janë bërë në 100 vjet janë një arsye e fortë për të votuar në 25 maj. “Çfarë është realizuar në këta 100 vjet, na jep ne arsyen për të votuar më 25 maj. Ne drejtohemi nga motoja themeluese e Unionit Kristian-Demokrat ‘Me besim të plotë te Zoti, ne dëshirojmë të ndërtojmë për fëmijët dhe nipërit tanë, një të ardhme të lumtur’. Çfarë guximi, të dashur miq, çfarë vizioni! Ne u jemi mirënjohës atyre që ndërtuan këtë kohë të ndritshme për ne. Ata tejkaluan varret e Evropës, mirënjohje për Konrad Adenauerin deri te Helmut Kohl. Shumë faleminderit për këtë vizion dhe guxim! Çdo brez ka sfidat e tij. Para 25 vjetësh, kur ra Muri, dikush mendoi se ne nuk kemi nevojë të flasim më për paqen dhe lirinë në Evropë. Pastaj përjetuam në vitet ‘90, luftërat e tmerrshme në Ballkan”, – nënvizoi në fjalën e saj Kancelarja gjermane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency