“Vuçiç ka fuqi më të madhe se Millosheviçi”, eksperti: Gjithçka është kthyer në autoritarizëm!

0
106

Pas tetë vjetësh erozioni demokratik, regjimi i Aleksandar Vuçiç në Serbi është rikthyer në autoritarizëm total. Sot, ai ka më shumë fuqi politike sesa kishte Sllobodan Millosheviçi në kulmin e tij në vitet e 90’-a, shkruan Filip Ejdus, president i Bordit të Qendrës për Politikë të Sigurisë në Beograd.

Në një shkrim për “Euroactiv”, duke renditur qëndrimet e fundit të serbëve dhe besimin e tyre te Vuçiç, Ejdus ka thënë se është vetëm mëshira e presidentit ajo që po mban “gjallë” raportet me Evropën.

“Kosova është zemra e Serbisë”… “Fashistët e NATO-s”… “Rusia dhe Kina janë vëllezërit tanë”… “Amerikanët, kroatët dhe shqiptarët janë armiqtë tanë”.

Në vitet e ’90-a, qëndrimet e tilla politike sikur këto përbënin themelin e propagandës nacionaliste të shtyrë nga regjimi autoritar i Sllobodan Milosheviç.

Në tetor të 2000-s, ai u rrëzua dhe Serbia nisi të përmirësonte raportet me miqtë dhe Perëndimin, por këto ide të tij lidhur me regjimin mbijetuan.

20 vjet pas tranzicionit demokratik, Serbia ka kompletuar një cikël të plotë, shprehet Ejdus. Sipas tij, gjithçka është kthyer në autoritarizëm.

Ai thotë se Qeveria, Parlamenti dhe mediat janë të gjitha nën kontroll të Vuçiç.

“Kjo u konfirmua edhe nga raporti i ‘Freedom House’ që uli pozicionin e Serbisë, për herë të parë në 17 vjet, në një kategori të shteteve pjesërisht të lira, në raportin e vitit 2020”.

Në shkrimin autorial, Ejdus ka vazhduar duke komentuar një hulumtim të kryer nga kjo qendër në tetor të këtij viti. Aty shumica e serbëve dolën kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe 57 për qind e tyre donin lidhjen me Rusinë dhe Kinën. 68 për qind e pjesëmarrësve në hulumtim kishin thënë se ndikimi i BE-së në Serbi ka qenë negativ, ndërsa ndikimi i Kinës (87 për qind), Rusisë (72 për qind) dhe Hungarisë (70 për qind) ishte parë si pozitiv.

Edhe pse përkrahja për anëtarësim në NATO s’ka qenë kurrë e lartë në Serbi, ajo tash ka arritur shifrën më të ulët historike – 3 për qind.

Kroacia (20 për qind) dhe Shqipëria (30 për qind) udhëhiqnin listën e armiqve. 72.7 për qind e pjesëmarrësve s’pritnin se do të ketë paqe mes serbëve e shqiptarëve.

54 për qind e tyre i frikësohen krijimit të “Shqipërisë së madhe”, ndërsa 58 për qind e tyre përkrahin Serbinë e madhe. Kur bëhej fjalë për Kosovën dhe dialogun e normalizuar nga BE-ja, 71 për qind e serbëve konsiderojnë se dialogu s’ka ndryshuar asgjë, dhe 73.2 për qind s’presin marrëdhënie normale e paqeje së shpejti.

Derisa 7.8 për qind e tyre e njohin Kosovën shtet në kufijtë aktualë, 53.2 për qind e pjesëmarrësve nuk presin që të arrihet ndonjëherë marrëveshje finale mes dy vendeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here