Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se cilado parti që siguron shumicën në Kuvend merr mandatin për formimin e Qeverisë.
Në takimin që ai ka pasur me krerët e partive politike, të gjitha partitë, përpos Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur pro formimit të qeverisë së re pa shkuarje në zgjedhje.
“Si rrjedhojë e diskutimeve, si dhe duke marrë parasysh që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës, janë për formimin e Qeverisë së re, ndodhemi para pyetjes: Si rrjedhojë e vullnetit tuaj që vendi të ketë qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi dhe përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, do t’i jap mandatarin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re”, ka thënë ai.
Krerët e AAK-së, Nismës, AKR-së e përfaqësues të partive nga minoritetet janë shprehur pro formimit të qeverisë së re, pa zgjedhje. Të gjithë kanë përmendur pandeminë e koronavirusit si ndër arsyet për shmangie të zgjedhjeve të reja.