“Në vendin e avionit të drogës”/ Sërish lëndë narkotike në Ishmin e “kanabisit”. Sekuestrohen 1200 bimë kanabis, arratiset roja

0
137

Droga u zbulua në afërsi të pistës ku u rrëzua avioni me pilotin italian. Lënda narkotike u zbulua në dy baraka të cilat ishin përshtatur për tharjen e bimëve

Besar Bajraktaraj

Në Ishëm, vendi që u bë më i njohur për publikun pas rrëzimit të avionit me pilotin italian, i cili dyshohet të ketë ardhur për transport droge drejt Italisë, dhe zbulimit të laboratorit të drogës pak ditë më parë, një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike në këtë zonë, është zbuluar ditën e djeshme. Kështu bëhet me dije se në Ishëm janë gjetur rreth 1200 bimë narkotike në proces tharje. Droga në fjalë u sekuestrua dhe u zbulua nga policia e Durrësit dje. Sipas burimeve të policisë së Durrësit bëhet me dije se operacioni ku u zbuluan bimët narkotike u zhvillua në zonën malore Ishëm-Krujë. Në këtë zonë janë zbuluar dy baraka të cilat shërbenin për procesin e tharjes së bimës narkotike. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Efektivat e Stacionit të Policisë Ishëm, në bazë të informacione të marra më rrugë operative kanë ndërmarrë një aksion në fshatin Bizë, Ishëm, me qëllim parandalimin dhe goditjen e prodhimit të lëndëve narkotike. Deri më tani nga ky operacion janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1 200 bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sattiva në proces tharje”, thuhet në njoftimin e policisë. Sipas burimeve të policisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të këtyre bimëve narkotike. I vetmi person që ndodhej në zonën e parcelës i dyshuar si roje i drogës ka mundur të arratiset duke lënë pas shumë prova material që sipas burimeve do të çojnë në zbardhjen e grupit kriminal që qëndron pas këtij aktiviteti kriminal. Vetëm pak ditë më parë në zonën e Ishmit u zbulua një punishte, ku kanabisi pasi thahej, përpunohej dhe bëhej gati për transport. Në këtë punishte u gjetën 300 kg kanabis, si dhe pajisje që ndihmonin në tharjen e kanabisit. Droga është zbuluar në një parcelë shumë pranë zonës ku u rrëzua avioni i drejtuar nga italiane dhe po ashtu pranë pistës së improvizuar në Ishëm tashmë e sekuestrua si provë material e vlefshme për hetimet. Ishmi duket se është kthyer në një zonë ku hashashi kultivohet gjerësisht duke konfirmuar se edhe kapja e avionit pak ditë më parë pikërisht në këtë zonë nuk ishte rastësi.

Operacionet në këtë zonë të cilat po zhvillohen dita ditës zbulojnë tonelata të mëdha të drogës, të cilat ishin mbjellë dhe shiteshin nga aty. Situata lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike në këtë zonë është kthyer në një fenomen shqetësues pasi pak ditë më parë u rrëzua avioni i drejtuar nga piloti italian Guido Guidi, i cili dyshohet se është rrëzuar pasi ka tentuar të ngrihet për të fluturuar drejt Italisë, por nuk ka mundur për shkak të ngarkesës së rëndë, ku dyshohet se ishte 200 kilogramë. Trafikimi i lëndëve narkotike në këtë zonë u bë i njohur edhe pas zbulimit të laboratorit të drogës pak ditë pas rrëzimit të avionit, ku sekuestruan rreth 300 kilogramë drogë. Lënda narkotike u zbulua në afërsi të pistës ku u rrëzua avioni.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here