BE ndan 2.9 milionë euro për bashkëpunim tejkufitar mes Maqedonisë e Shqipërisë

0
196

Bashkimi Evropian (BE) ka ndarë 2,9 milionë euro nga programi i Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA 2) për projekte të përbashkëta tejkufitare të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Këto fonde mund të shfrytëzohen nga komunat, ndërmarrjet publike, ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe organizatat jopqeveritare për projekte me të cilat do të stimulohet zhvillim më i balancuar dhe i qëndrueshëm ekonomik e social në sferat tejkufitare të të dy vendeve.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, në konferencën e shtypit të organizuar me këtë rast, ka thënë se programi përfshin tri fusha prioritare: turizmin e kulturën, krijimin e mundësive për konkurrencë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

“Dua të shohim propozime të cilat kanë të bëjnë me nevojat e vërteta të popullatës dhe kanë për qëllim përmirësimin e lidhjeve mes komunave”, ka thënë Zhbogar.

Ai ka theksuar se delegacioni i BE-së do të ketë rol në organin e vetëm kontraktues dhe do t’i nënshkruajë marrëveshjet me përfaqësuesit e organizatave, projektet e të cilëve do të përzgjidhen për financim.

Ministrja e Pushtetit Lokal, Shiret Elezi, ka thënë se Maqedonia ka përvojë të mirë me shfrytëzimin e mjeteve për bashkëpunim tejkufitar mes Maqedonisë e Shqipërisë, gjatë fazës së parë të IPA. Ajo ka thënë se në kuadër të këtij programi janë realizuar 51 projekte, me vlerë prej 7,2 milionë eurosh ose 85 për qind e mjetet të vëna në dispozicion.

“Të inkurajuar nga kjo përvojë ne shpresojmë se shfrytëzimi i programit IPA 2 për bashkëpunim tejkufitar do të arrijë mbi 90 për qind. Presim projekte cilësore dhe implementim të tyre të mirë”, ka thënë ministrja Elezi.

Sipas zëvendëskryeministrit për eurointegrimet Arbër Ademi, ka thënë në thirrjen e parë mund të paraqiten subjekte nga rajonet jugperëndimore të Maqedonisë.

“Do të doja t’i ftoj dhe inkurajoj të gjithë shfrytëzuesit potencialë siç janë komunat, ndërmarrjet publike, organizatat nga fusha e kulturës, turizmit, arsimit, nga ekonomia dhe të gjithë që mund të aplikojnë… të kenë pjesëmarrje aktive në këtë thirrje për propozime. Republika e Maqedonisë ka interes për thellim të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe sinqerisht besoj se në favor të kësaj do të jetë edhe suksesi i këtij programi”, ka thënë Ademi.

Thirrja e parë për mjetet nga IPA 2 për bashkëpunim tejkufitar mes Maqedonisë e Shqipërisë është shpallur më 16 shtator. Subjektet e interesuara mund të aplikojnë deri më 1 nëntor të këtij viti./illyria

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency