Debati në Parlament/Berisha: Seancë funebër e qeverisjes 27-mujore. Balla: Jeni pa kauzë, zgjedhjet e parakohshme, nonsens

0
114

 

 

berisha-ballaBerisha, mesazh Kryeministrit: Lexoji mirë flakët e bunkerit, përndryshe nuk është e largët dita kur do largohen poturet e lagura të tua dhe të njerëzve si ti

 

Gëzim Saliu

 

Mes debateve dhe akuzave u mbyll edhe seanca e fundit parlamentare për vitin 2015, ku mazhoranca nga njëra anë mbrojti vendimet dhe masat e ndërmarra dhe opozita nga ana tjetër theksoi varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve. Ish-kryeministri Berisha i cilësoi si seancë funebër të qeverisjes 27-mujore punimet e djeshme të Kuvendit, duke radhitur dështimet që, sipas tij, ka shënuar qeveria në këtë 2-vjeçar në pushtet, duke nisur nga papunësia, largimi i shqiptarëve nga vendi, legalizimet apo edhe mbushja e Kuvendit me vrasës. “Seancë funebër e qeverisjes 27-mujore. Sot kjo seancë mblidhet si në zi pasi zinxhiri i ligësirave që Edvin Kristaq Rama, njeriu që ka trashëguar urrejtjen atërore nda qytetarëve të thjeshtë, u bëri shqiptarëve gjatë një viti të ligat që s’ia ka bërë kush kurrë nga koha e diktatorit Hoxha deri më sot. Ai ka përçmim ndaj fëmijëve tuaj, intelektit tuaj, familjeve tuaja. Lexoji mirë flakët e bunkerit, përndryshe nuk është e largët dita kur do largohen poturet e lagura të tua dhe të njerëzve si ti. Gjatë këtij viti ju i keni bërë shqiptarët të shohin zi, keni mbjellë dëshpërim, varfëri”, – tha Berisha. Më tej ish-kreu i qeverisë foli edhe për personat me precedentë penalë që janë në Parlament. “Rama futi me vendosmëri në Parlament vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët. Në asnjë vend tjetër nuk ndodh kjo. Nxori vrasësin në krye të PS-së në Shkodër. Edhe në diktaturë të largonin po të kishe vrarë, me dashje apo pa dashje. Ky nuk pyet fare sepse vrasja për atë është vlerë”.

 

Replika e Ballës

Ndërkohë që Kryeministri Rama nuk ndodhej në sallën e Parlamentit, për shkak të vizitës në Izrael, në emër të mazhorancës replikoi me ish-kryeministrin Berisha deputeti socialist Taulant Balla. Sipas tij, protesta është taktikë e Berishës për të tërhequr vëmendjen nga Basha të cilin nuk e duan as në parti dhe as në publik. “Protestë më funebër se kjo e juaja nuk kishte. Kishit ftuar rininë, por dolën ca xhaje. Kërkoni të thërrisni qytetarët në protesta pa kauzë, ndërsa doni të riktheni në pushtet atë kastë që 1 milionë shqiptarë e larguan me votë 2 vjet më pare. Në protestën e 8 dhjetorit, plani paraprak ishte të bllokojnë të gjithë hyrjet që këta të mos votojnë buxhetin. Nuk mund të mbahen zgjedhje sa herë që Basha ka frikë se po humb zyrën e tij. Janë të pakuptimtë zgjedhjet e parakohshme kur shqiptarët konfirmuan në zgjedhjen vendore fitoren e mazhorancës. Bashën nuk ta do më askush, as brenda partisë as në publik. Berisha e kupton se ka dështuar me Bashën dhe përpiqet të spostojë vëmendjen nga paaftësia e Bashës me protesta, por ai e di që Basha nuk do të bëhet kurrë lider”. Nga ana tjetër socialisti akuzoi opozitën se po bën çmos që të pengojë reformën në drejtësi por sipas tij PD nuk do t’ia arrijë. “PD po bën çmos që reforma në drejtësi të pengohet dhe thirrja hajde të bëjmë qeveri teknike se ne nuk bëjmë dot reforma, do ta nxjerrë kokën në janar. Skenari juaj është bllokimi i reformës në drejtësi. Kjo do bëhet dhe deputetët dhe ish ministra të pandëshkuar do shkojnë atje ku e kanë vendin”, – deklaroi Balla.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency