Po hap derën brenda teje

0
154

 

 

 

Henri Michaux

 

Ndërhyrja

 

Në të shkuarën, kam pasur shumë respekt për natyrën. Qëndroja para gjërave dhe peizazheve dhe i lija të bënin ç’të donin.

Kjo ka marrë fund njëherë e mirë. Tani do të ndërhyj.

Kështu pra, isha në Honfleur dhe po mërzitesha pa masë. Pastaj, me një të rënë të dorës, vura aty ca deve. Kjo nuk dukej dhe aq e përshtatshme. Punë e madhe, ishte ideja ime. Përveç kësaj, këtë gjë e bëra me kujdesin më të madh. Fillimisht, i sillja devetë në ditët më të zhurmshme, të shtunave, në pazar. Një bllokim trafiku i tmerrshëm ndodhte pas kësaj, dhe turistët thoshin: “Oh, çfarë ere e keqe! Sa të qelbur janë njerëzit këtu!”. Era e keqe pushtoi portin dhe maskoi edhe erën e karkalecave të detit. Njerëzit dilnin nga turma të mbuluar kokë e këmbë me pluhur dhe me qime të një zot e di se çfarë.

Kur vinte nata, duhej të ishit aty të dëgjonit trokamat e këmbeve të deveve teksa përpiqeshin të kalonin urat mbi kanal, ding! ding! ding! mbi çimento dhe hekur!

Pushtimi i deveve u realizua me rregull dhe në siguri të plotë.

Banorët e Honfleur-it mund ti shihje tashmë tek shikonin vëngër me atë vështrimin tipik të njerëzve që merren me devetë, kur inspektojnë karvanin për t’u siguruar që asgjë s’mungon dhe kështu të mund të vazhdojnë udhëtimin të sigurt; por mua m’u desh të largohesha nga Honfleur ditën e katërt.

Nisa gjithashtu një tren pasagjerësh. Treni u largua me shpejtësi nga Grand Place dhe u drejtua si shigjetë përpara pa e çarë kokën për ngarkesën; u lëshua drejt para, shpëtuar nga besimi.

Është për të ardhur keq që më duhet të largohem, por kam dyshimet e mia se qetësia nuk do të kthehet dhe aq shpejt në qytetin e vogël të peshkatarëve të midhjeve dhe karkalecave të detit.

 

 

Thjeshtësi

Ajo që i ka munguar jetës time deri tani është thjeshtësia. Pak nga pak unë po filloj të ndryshoj.

Për shembull, së fundmi dal gjithmonë me shtratin tim me vete dhe kur një grua më pëlqen, e marr dhe bëj dashuri me të menjëherë.

Nëse ajo i ka veshët të mëdhenj dhe të shëmtuar, ose hundën, unë ia heq bashkë me rrobat dhe i vë poshtë shtratit, që ti marrë prapë kur të ikë; mbaj vetëm çfarë më pëlqen.

Nëse të përbrendshmet e saj do ishin më mirë po ti ndërroje, unë i ndërroj menjëherë. Kjo është dhurata ime. Por nëse shoh një grua më të hijshme që kalon aty pari, unë i kërkoj ndjesë të parës dhe e bëj të zhduket sa hap e mbyll sytë.

 

Ata që më njohin thonë që unë jam i paaftë për të bërë çka përshkrova më sipër, thonë që s’kam këllqe. Edhe unë kështu e mendoja dikur, po kjo ishte vetëm sepse atëherë nuk i bëja gjërat ashtu si më pëlqente. Tani unë kaloj pasdite të mrekullueshme. (Në mëngjes punoj.)

 

 

Zbavitjet e një të sëmuri

 

Ndonjëherë, kur ndjehem ashtu kot fare, dhe jam vetëm në shtratin tim, e bëj dorën time të majtë të më bëjë temena. Dora ngrihet vetë mbi bërryl, kthehet nga unë dhe më përshëndet. Dora ime e majtë është shumë e dobësuar, dhe mban goxha distancë nga unë. Është dhe dembele, pale. Që ta bej të lëvizë, më duhet të sforcohem pak. Por sapo ka nisur të lëvizë, vazhdon pa ndalur, me një dëshirë të sinqertë për të më kënaqur. E përkul kyçin e saj kaq mirë dhe është kaq e sjellshme, sa dhe një i tretë po të ishte aty ta shihte, do të prekej.

 

Një shenjt

Kur po vërdallisesha nëpër trupin tim të mallkuar, mbërrita në një zonë ku pjesët e vetvetes ishin të pakta në numër dhe goxha larg nga njëra-tjetra, të jetoje atje, duhej të ishe një shenjt. Shumë kohë më parë, unë kisha dashur vërtet të isha një shenjt, por tani që sëmundja po më detyronte drejt shenjtërimit, unë e luftova dhe vazhdoj ta luftoj, dhe është e qartë qe nuk do të mbijetoj dot kështu.

Nëse do më ishte dhënë mundësia, mirë! Por të më detyrojnë me forcë-jo, këtë nuk e duroj dot.

 

 

 

Ulërima

Një thua i infektuar shkakton vuajtje të tmerrshme. Por, ajo që më bënte të vuaja më shumë ishte fakti që nuk mund të ulërija. Sepse isha në një hotel. Sapo kishte rënë nata dhe dhoma ime ishte midis dy te tjerave ku kishte njerëz që flinin.

Kështu që, mora një daulle të madhe nga kafka ime, një tunxh, dhe një instrument më me shumë rezonancë se një organo. Tani, duke përdorur fuqinë e jashtëzakonshme që më vinte nga temperatura e lartë, krijova një orkestër shurdhuese me instrumentet. Gjithçka dridhej nga vibrimet.

Pastaj, i sigurt më në fund që zëri im nuk do të degjohej në gjithë këtë zallamahi, fillova të ulërij, të ulërij për orë të tëra, dhe pak nga pak, arrita të ndjehem pak më mirë.

Përktheu: Mirela Kapaj

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here