Balkanika 2014, rrëzohet Mira Meksi, fiton shkrimtari grek

0
151

MIra-Meksi

 

Balkanika 2015 ka shpallur një ditë më parë fituesit për vitin 2014, kur përballë, në finale ishin vënë dy shkrimtarë, Mira Meksi me romanin e saj “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe esetë e shkrimtarit grek Christos Chryssopoulos, “Une lampe entre les dents”. Në gjykimin e jurisë, në këtë përballje fitoi shkrimtari grek, duke fituar çmimin letrar për librin më të mirë të Ballkanit.

Mira Meksi dhe romani i saj “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” ishte deri ne momentin e fundit pretendentja kryesore, aq sa shtyu vendimmarrjen e jurisë deri në momentet e fundit para fillimit të ceremonisë – ka deklaruar botuesja e “Toenës”, Irena Toçi.

Por me sa duket dhe sipas prononcimit publik të kryetarit të jurisë, sensibiliteti ndaj krizës greke të pasqyruar në këto ese i dha fitoren shkrimtarit grek.

Sipas Toçit, Meksi ishte një nga përfaqësimet më me dinjitet të letërsisë shqipe në këtë kompeticion ndërballkanik.

“Shumë nga të pranishmit që ndoqën punimet e jurisë gjatë këtyre dy ditëve ngelën të habitur që nuk fitoi romani i shkrimtares Mira Meksi”, – është shprehur Toçi, duke mos fshehur “zhgënjimin” nga ky vlerësim i Balkanika 2015.

Libri i Chryssopoulos-it është botuar në “Acte Sud” në Francë me titullin “Une lampe entre les dents”. Kryetari i jurisë, profesori amerikan Andrew Wachtel, në fjalën e tij, e interpretoi fitoren e librit me ese të shkrimtarit grek si ndjeshmëri ndaj krizës greke.

Më 2013-ën shkrimtari grek është nderuar me çmimin “Bataillon” në Francë, për librin më të mirë të huaj. Christos Chryssopoulos, romancier përkthyes, eseist dhe fotograf, autor i librit “Në rrugët e Athinës” – kronikë athinase. Ai është endur në rrugët e Athinës për disa vite rresht, në një përpjekje për të kuptuar ndikimin e krizës greke mbi qytetin e Athinës.

Christos Chryssopoulos është shkrimtar dhe fotograf. Ai ka lindur në Athinë dhe ka punuar shumë mbi temën e shkatërrimit të Parthenonit (Actes Sud, 2012), ai imagjinon që dikush rrënon Akropolin dhe pyet se çfarë efekti do të ketë kjo në qytet. Por vepra e tij në Athinë nuk është fiction. Prej shumë vitesh, Christos Chryssopoulos udhëton në rrugët e Athinës, shkruan dhe fotografon se si po ndryshon qyteti. “Balkanika” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të rajonit të Ballkanit, që vitet e fundit po evidentohet si një lloj çmimi “Nobel” në letërsinë ballkanike. Shkrimtari që e fiton këtë çmim letrar bëhet i njohur menjëherë në Ballkan në bazë të një marrëveshjeje, sipas së cilës, ai duhet të përkthehet brenda një viti në të gjitha gjuhët ballkanike. Këtë vit në konkurrim ishin shtatë shkrimtarë, ndër ta Mira Meksi nga Shqipëria; Svetla Georgieva nga Bullgaria; Christos Chryssopoulos nga Greqia; Stefan Agopian nga Rumania; Dimitrie Duracovski nga Maqedonia; Yigit Bener nga Turqia; Filip Devan nga Serbia.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here