Myslimanë në malin Arafat

0
154

 

 

Qindra-mijëra myslimanë janë mbledhur në malin Arafat pranë qytetit të shenjtë të Mekës, për të shënuar kulmin e pelegrinazhit vjetor të Haxhit. Mali është vendi ku Profeti Muhamed ka bërë predikimin e fundit, rreth 1400 vjet më parë. Besimtarët veshin rroba të bardha dhe lusin Zotin që t’ua falë mëkatet. Të enjten, besimtarët do të hedhin gurë të vegjël drejt një djalli simbolik në luginën Mina dhe do të kremtojnë fillimin e Festës së Bajramit.

Zyrtarët thonë se rreth 1.3 milionë myslimanë nga 164 shtete ndodhen në Arabinë Saudite për të kryer Haxhin pesëditor, i cili ka nisur më 22 shtator.

 

Pelegrinazhi i ndarjes dhe vdekja e Muhamedit

Viti i nëntë pas “hixhra”-s (630-631) quhet në biografinë profetike të Muhamedit “viti i delegacioneve arabe” tek Profeti në Medinë, të atyre që kishin marrë fenë islame. Nga fundi i janarit 632 Muhamedi nisi pelegrinazhin (haxhin) e madh për në Mekë, i cili do të hynte në histori si “pelegrinazhi i ndarjes”. Nga fillimi i marsit 632 ai mbërriti në Mekë duke kryer atje me ndjekësit e tij pelegrinazhin, gjatë të cilit u përcaktuan të gjitha hollësitë e ceremonisë së pelegrinazhit dhe detyrimeve rituale duke përfshirë këtu edhe integrimin (përfshirjen) e riteve para-islamike. Siç thuhet në trashëgiminë islamike, sure 5, vargu 3 ka qenë pjesë e fjalës së famshme të Muhamedit në malin Arafat, një lloj testamenti për ndjekësit e tij:

Sot jua kam plotësuar fenë (kështu që aty s’mungon më asgjë) dhe e kam përkryer zemërgjerësinë time për ju, jam i kënaqur që keni si fe fenë islame (5:3)

Me origjinë jokuranike, por megjithatë të pajisura me një forcë të madhe shprehëse janë edhe fjalët e mëposhtme të këtij fjalimi, të cilat janë cituar në botën islamike deri në kohët moderne:

Po ju lë trashëgim diçka të pastër dhe të qartë; në qoftë se do t’i përmbaheni kësaj, nuk do të merrni kurrë rrugën e gabuar: librin e Zotit dhe sunetin e Profetit të tij. Njerëz, dëgjoni fjalët e mia dhe kuptojini ato! Ta dini se çdo mysliman është vëlla i myslimanit dhe se myslimanët janë vëllezër (mes njëri-tjetrit)…

Pelegrinazhi i ndarjes, i quajtur edhe “pelegrinazhi islamik”, ishte pika e kulminuese e veprimtarisë së Muhamedit. Pas kthimit të tij në Medinë ai nuk morri më vetë përsipër kryesimin e ekspeditave të armatosura kundra fiseve arabe në gadishull, por ia ngarkoi këtë shokëve të tij (sahabëve). Sëmurja e shpejtë e tij çoi në vdekjen e papritur në shtëpinë e gruas së tij Aishesë më 8 qershor 632 (13. 3. 11 AH). Lajmi i vdekjes shkaktoi në Medinë hutim të madh saqë kufoma e tij, siç shkruajnë shumë historiografi, mbeti pa përkujdesje një ditë të tërë deri sa ai pastaj u varros nën shtëpinë e Aishesë. Varri i tij (bashkë me atë të Ebu Bekrit dhe Umar ibn al-Hattab-it) gjendet sot brenda „xhamisë së profetit” (al-masxhid al-nabavi), xhamisë kryesore në Medinë.

Se sa e papërfytyrueshme duhet të ketë qenë për besimtarët myslimanë vdekja e tij, e përshkruan Ibn Isḥak-u në biografinë e tij të profetit në mënyrë shumë përshtypëse; kalifi i mëvonshëm Umar ibn al-Ḫaṭṭab-i thuhet madje, sipas trashëgimisë islamike, fillimet e të cilës e kanë origjinën që në shekullin e parë islamik, se ka shfrytëzuar elemente nga historitë profetike çifute duke e vënë kështu në dyshim vdekjen e profetit:

Disa nga hipokritët (gënjeshtarët) pretendojnë se i dërguari i zotit ka vdekur. I dërguari i zotit nuk ka vdekur por ka shkuar tek zoti i tij, si dikur Moisiu i biri i Imrānit kur u largua për dyzetë ditë nga populli i vet por pastaj u kthye kur u fol se paskësh vdekur. Për zotin! I dërguari i zotit do të kthehet po ashtu siç është kthyer Moisiu e do t’u presë duart dhe këmbët e atyre që thonë se i dërguari i zotit paska vdekur!

Sipas biografisë së profetit, Ebu Bekr, i cili do ta pasonte së shpejti si kalif Muhametin, njoftoi për lajmin e vdekjes me këto fjalë (sipas rrëfimit të Ibn Ishak-ut):

Njerëz! Kush e ka adhuruar Muhamedin (unë i them): Muhamedi ka vdekur. Kush e ka adhuruar Zotin e vetëm (unë i them): Zoti jeton dhe nuk vdes.

Dhe aty ai recitoi këtë varg nga Kurani: Ndërsa Muhamedi është vetëm një i dërguar. Para tij ka pasur të dërguar (të tjerë). A do të ktheheni (vallë) mbrapsht në qoftë se ai do të vdiste (natyrshëm) ose do të vritej (në betejë)? Kush do të kthehet, nuk do të bëjë dëm (Zotit). Por Zoti do t’ua shpërblejë atyre që ia dinë (atij) për nder. (3:144)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here