Neritan Liçaj /Nëse shembin Teatrin, Ramën do ta çoj në burg për politikë antikombëtare

0
122

 

 

neritani

 

Bisedoi: Violeta Murati

Krahas shqetësimit se aty duhet të mbyllë dyert e të “zhveshë” veten nga çdo zhurmë që vjen nga jashtë për rolin më të ri, atë të gazetarit që mbijeton me fuqitë e tij, aktori i Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj, është gati të shpërthejë në zemërim të menjëhershëm për çfarë po dëgjon e ndien mbi teatrin çdo ditë. Ende nga Ministria e Kulturës nuk ka shkuar asnjë përfaqësues t’u tregojë se ç’do të bëhet me ta, edhe pse ndërtesa është e amortizuar dhe sakaq aktorët i ka zënë frika se mund t’i zërë brenda. Liçaj e thotë, edhe pse kjo ngjan me historinë e vjetër të vitit 2000, të flakës e shembjes kur ministër ishte Rama. Atëherë qëllimi ishte shembja e ndërtimi i një shumëkatësheje, ndërsa deri tani aktori thotë se nuk kanë marrë informacion, për çfarë do të shërbejë zhvendosja e tyre në magazinat e rrugës nga Liqeni Artificial. Aktori merr përsipër të tregojë edhe letrat pafund të drejtorit të TK, Hervin Çulit, në adresë të Kumbaros për të kuptuar situatën, por s’kanë marrë përgjigje. Atëherë aktori thotë se nëse mbi Teatrin do të vendoset politikisht pa marrë parasysh vullnetin e tyre, do të akuzojë drejtpërdrejt Kryeministrin se po ndjek politikë antikombëtare. Është nga fjalët më të rënduara deri sot, ndonëse greva e artistëve në 2000 nuk la ish-ministrin e atëhershëm të arrinte qëllimin. Neritan Liçaj e mbyll intervistën e mëposhtme duke thënë: “Nëse shembin Teatrin, Kryeministrin do ta çoj në burg për politikë antikombëtare”.

 

Si është atmosfera në teatër, çfarë ka ndryshuar aty? Ju jeni nga aktorët më aktivë, pavarësisht ndërrimit të pushteteve, ndaj mund të jetë një moment për të reflektuar mbi situatën aty.

 

Nëse do marrim sezonin e parë nën administrimin e Hervin Çulit, mund të them se pati lëvizje. U krijuan disa kushte që nga ana formale janë pozitive, si për shembull salla u ngroh. Për mua kjo është risi. Ai u përpoq të ndërtojë një repertor dhe, si në çdo vend, ka gjëra të mira, por edhe pjesë që nuk funksionuan. Mendoj se kjo është normale. Tani jemi në pritje të repertorit të dytë, të këtij sezoni. Kjo mendoj do t’i japë vulën administrimit të Çulit. Nuk flasim dot, se është herët, por mendoj se ka gjëra për t’u riparë si në formulën e administrimit dhe nivelit artistik. Është sezoni ku ato defekte që u vunë re të rregullohen e riparohen.

 

Konkretisht, çfarë nuk funksionoi mirë?

Pati shfaqje që nuk funksionuan, nuk lanë mbresë të mirë te spektatori. Kjo duhet riparë, që do të thotë politika artistike. Nuk mund të parashikosh asgjë, por duhet më kujdes. E dyta, duhet parë edhe shpërblimi i atyre që janë vërtet vlera të mira, aktorë të mirë që sjellin cilësi artistike – këta duhen shpërblyer dhe jo aktorë e regjisorë, që bëjnë volum pune pa cilësi e risi. Pra, duhet bërë klasifikimi i vlerave profesionale, sepse kjo ka qenë e parashikuar në platformën e z. Çuli.

 

Në fakt, përveç këtyre që ndatë, pyetja lidhej me një ditë pune tuajën në teatër, sepse sapo shkel ka akoma ndërtime; është folur gjatë gjithë vitit për një projekt që lidhet me ndryshimin e vendit të teatrit, në këtë atmosferë si ndiheni?

 

Bëtë mirë që e prekët këtë temë. Unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i zemëruar me institucionet tona të kulturës, që është Ministria e Kulturës. Është turp që një nga institucionet kryesore të kulturës, që është në varësi të Ministrisë, siç është Teatri Kombëtar, ta marrë informacionin përmes mediave. Kjo kodosh Ministrie bën të pabërën. Në vend që të dërgojë një përfaqësues të saj të sqarojë trupën e Teatrit Kombëtar, për të na vënë në dijeni se çfarë do të bëhet, pra të dërgojë një inspektor a dikë tjetër, të na sqarojë. Kjo, sepse Teatri do të na shembet, do të na bjerë në kokë… ndërsa këta rrinë, flenë, janë rehat. Pastaj kur t’u vdesin njerëzit, do të kërcasin gjyqet, por do të jetë shumë vonë. E dimë se në çdo rast asnjë s’do të dalë fajtor, s’do të marrë përgjegjësi.

Kjo dreq Ministrie duhet të mendojë se këta njerëz që punojnë aty kanë nevojë të sqarohen nga dikush. Është turp që gjërat mbi Teatrin t’i marrim vesh vetëm nëpërmjet medias. Është turp që media të dijë më shumë se ne, sa i takon institucionit tonë.

 

Në fakt, nuk është hera e parë, ka vite që flitet rreth kësaj historie për shembjen e rënien e tavanit në Teatër, por siç e shihni akoma nuk ka rënë. Nga ana tjetër, për problemet tuaja ju e keni një përfaqësues të institucionit tuaj, siç është drejtori i Teatrit, z. Çuli. A i keni bërë këtë kërkesë drejtorit tuaj për të ndërmjetësuar për situatën?

 

Sigurisht kemi folur me z. Çuli. Unë vetë ia kam kërkuar këtë dhe ai nga ana e tij i është drejtuar Ministrisë së Kulturës, por kjo e fundit nuk e ka çarë kokën. Ai më ka treguar dokumentet e dorëzuara në Ministri. Ne kemi kërkuar gjithmonë një takim për t’u sqaruar, por Ministria nuk ka dashur t’ia dijë. Ka pasur indiferencë totale dhe mungesë totale të informacionit. Këtu punojmë ne, ndërsa krahu i djathtë i skenës ka rrëshqitur dhe mund të vritemi aty. Imagjinoni sikur të ndodhë në mes të shfaqjes kjo, çfarë kostoje është?! Kjo që po ndodh nuk është e denjë për një rilindas.

 

Kur erdhi Çuli, projekti i parë ishin kontratat. Në një moment pati zëra, qysh në fillim, që nuhatën këtë situatë, duke thënë se nuk lidhej me reformat sesa të dobësonte komunitetin e Teatrit, duke i shpërbërë ata në aktorë me kontrata, për të përballuar konsekuencat e mëpasme. A nuk jeni këtu, tani në këtë moment, të pafuqishëm për të kundërshtuar vendime kundër vullnetit tuaj për teatrin? Kumbaro ende nuk ju ka dhënë përgjigje.

 

Unë nuk e besoj këtë se qëllimi ishte dobësimi i komunitetit. Ndoshta mund të jetë, por nuk besoj. Reforma u bë me qëllimin për të afruar forcat artistike më të mira.

 

Dakord, është argument, por aktualisht a keni fuqi, potencial për të kundërshtuar vendime politike që shkojnë kundër vullnetit tuaj, pra të Teatrit?

 

Unë për vete po, e kam thënë mendimin tim kritik ndaj Ministrisë, asnjë nuk ka të drejtë të më kërcënojë mua nëpërmjet kontratës. Unë jam një aktor që e bëj punën shumë mirë. Është e drejta ime si qytetar, si artist, si intelektual, të jem kritik ndaj gjërave që më duken të drejta. Unë personalisht nuk ndihem fare i kërcënuar nga kjo. Z. Çuli nuk ka të drejtë të më ndërpresë mua kontratën, përderisa i përgjigjem punës. Për aq sa jam kritik ndaj Ministrisë, asnjeri nuk ka drejtë të më gjykojë dhe paragjykojë për këtë gjë. As të më kërcënojë. Në të kundërt përndryshe, protesta shkon më lart. Askush nuk mund të më mbyllë gojën, nuk jemi në kohën e Enverit, ku tjetrit pakësoji bukën dhe mbylli gojën.

Unë jam një nga studentët e Dhjetorit dhe kur dolëm atje, nuk dolëm që të vijë kjo kohë, se po na u mërzit ministri të mbyllim gojën. Ministri këtu duhet të punojë dhe unë kam të drejtë, si njeri që punoj këtu, t’i kërkoj llogari; të vijë t’i japë drejtim problemit të madh që është godina e Teatrit. Është turp që Shqipëria e shekullit 21 të ketë një teatër të tillë. Këtë duhet të mendojë ministri, jo si të kërcënojë Neritanin.

 

Pak nga pjesa artistike, në këtë moment ju keni pasur një vit të ngarkuar, aktiv, me shfaqje impenjative sa edhe sfida personale, protagonizmi siç qe “Kloun”. Në këto role, Neritani është parë ndryshe, por edhe i njëjtë. Çfarë ka tërhequr më shumë tek ju në këtë kurbë, që e mendojmë si kulm në karrierën tuaj?

 

Mua më pëlqejnë sfidat. Në fakt, profesioni ynë është sfidë. Aktori është gjithmonë në prodhim dhe nuk mund të thuash mbas disa rolesh, se u bëra aktor. Sepse, nesër mund të bësh një rol të dobët. Është vërtet fat, pasi kam pasur role të bukura këtë vit, të cilat i kam realizuar me shumë dëshirë, si: Vanja, Lulëzimi te “Shtëpia pa dritare”, një trafikant i veçantë etj. Por, “Klouni” ishte një mrekulli; me një autor të mrekullueshëm dhe një regjisore jashtëzakonisht të fortë si Ema Andrea. Pra, kam pasur fatin që më janë ofruar role të bukura, me të cilat jam dashuruar, duke u përpjekur të bëj më të mirën e mundshme, t’u gjej atyre të veçantën. Mendoj se çdo krijues i mirë për të bërë një vepër duhet të niset nga vetja, kështu aktori, piktori, balerini, çdo artist, shkrimtari… nxiten nga ngacmimi i brendshëm dhe kërkesa brenda vetes për ta kërkuar atë për ta veprën sa më domethënës.

 

“Kloun” ju ka diferencuar nga të gjitha rolet e tjera, që zbulon, kërkon, por njëkohësisht për publikun ka qenë një afrimitet me aktorin, ndoshta duke mos kuptuar edhe plagën e tij. Çfarë është ndier në këtë marrëdhënie?

 

“Kloun” ka një specifikë, se komunikon me publikun, krijon një raport të drejtpërdrejtë. Ata e shembin murin e katërt të teatrit. Të gjithë ne aktorët jemi pak kloun. Ti mund të jesh i mërzitur, sëmurë… por ti ikën, heq rrobat dhe luan komedi. Profesioni ynë e ka diçka prej klouni në këtë raport. Ndërsa e kam thënë se dalja jashtë, në trotuar, në dimër, në shi, ka qenë një mrekulli. Ka qenë një gjetje jashtëzakonshme me Emën. Ishte rrjedha e logjikshme e natyrshme që të dilnim në rrugë. Mund të themi se ajo shfaqje ishte një lloj proteste ndaj realitet të rëndë që Shqipëria ka.

 

Ndërkohë, nesër është premiera e shfaqjes “Dikush që do të kujdeset për mua”, me një regjisore të re dhe me dy kolegë me përvojë, Romir Zalla dhe Marin Orhanasi në krah. Aty flitet me vetëdijen e pavetëdijen, një lloj koncepti frojdian. A mund të na thoni si u përgjigjet kjo vepër shqetësimeve tuaja?

 

Dua të them qysh në fillim se nuk është një vepër që merret me çështjet fetare. Ky është një projekt i Ministrisë së Kulturës, jo pjesë e repertorit. Autori irlandez Franc McGuinnes merret me problemet njerëzore, mënyra se si ata jetojnë. Është një përgjigje për realitetin tonë, për mënyrën se si na mbajnë peng zgjedhjet tona të gabuara, kompromiset, marrëdhëniet jo të duhura.

 

Ju kush jeni në shfaqje?

Jam një gazetar, që luftoj për mbijetesë, për të qenët i fortë.

 

Ju keni bashkëpunuar me mjaft regjisorë. Nisur nga përvoja juaj personale, si e shikoni situatën e regjisurës, ndoshta duke na dhënë emra konkretë të punës së tyre, cilët mendoni se kanë zhvilluar e transformuar tek ju si aktorë?

 

Sigurisht nuk ka asgjë personale, unë i kam të gjithë miq, dhe kam punuar e bashkëpunuar, me kënaqësi, me shumë regjisorë shqiptarë. Por, ka një problem, që vihet re në përgjithësi: regjisorët tanë dinë të punojnë mirë me aktorë, por sa i përket imazhit, vështrimit dhe të lëvizurit nga pikëpamja regjisoriale mbeten pak të frikësuar. Ata kanë frikë të trajtojnë, kanë frikë të bëjnë “çmenduri” dhe “kapërcime” regjisoriale… jo të gjithë, një pjesë, sepse ka regjisorë të tjerë shumë të mirë, si Arben Kumbaro, Hervin Çuli, Ema Andrea apo Altin Basha, të cilët kanë kurajon, guximin të trajtojnë, të dalin përtej dramaturgjisë për të bërë regjisurë. Ndërsa një pjesë tjetër, të cilët bëjnë një punë shumë të mirë me aktorin, por janë thjesht vënës në skenë, ata vënë një shfaqje korrekte, por nuk shikoj dalje apo në kuptimin e mirë të fjalës, “çmenduri regjisoriale”, që ta kthejnë veprën mbrapsht ose ta trajtojnë atë. Unë për vete si aktor do të preferoja regjisorët e parë, sepse dua që të lëvizet, të jepen ide pafund përmes regjisurës, duke mbështetur edhe aktorin.

Kjo neve na mungon. Nuk harroj Ilir Bokshin, i cili bën regjisurë, ky nuk mbetet i nënshtruar i vënies korrekte në skenë, ka kapriçio artistike në skenë, të cilat të ngopin.

 

Po i jepni pak rifiniturë pjesës që disa regjisorë, megjithëse kanë marrë miliona nga Ministria, akoma s’kanë dalë nga tradita socrealiste, tekst vënie?

 

Po, kjo është e vërtetë. Këtë nuk e them unë, por vetë vepra e tyre. Ose mund të kenë dëshirë, por u mungon kuraja. Kanë frikë se ndoshta publiku nuk do t’i kuptojë… dhe mbeten në kuadrin e vënieve në skenë klishe.

 

Megjithatë do ta pranonit rolin nga këta regjisorë-klishe?

 

Po, do ta pranoja, sepse unë i kam miq, madje edhe kam pranuar. Nuk kam asgjë personale me ta, por do të doja prej tyre vënie ndryshe.

 

Ky është kompromis?

Në njëfarë mënyrë po, e kam pranuar: është kompromis teatral. I pranueshëm.

 

E fundit: Nëse teatri, kjo ndërtesë ku është sot, shembet, propozimi juaj për një teatër të ri, si do të ishte? Shpesh është folur për një ndërtesë shumëkatëshe ku të përfshihet brenda.

 

Ky do të ishte turp për komb. Teatri nuk është pub, Teatri Kombëtar ka fytyrën e tij dhe nuk mund të jetë brenda shumëkatësheve, sepse nuk mund të vijë spektatori nga jashtë e t’i bjerë në fytyrë “qepa e teto Sanies” nga kati i dhjetë, që hedh plehrat. Ky do ishte turp më i madh. Nëse zotërinjtë që janë lart do të vendosnin një gjë të tillë, unë do t’i çoja në burg për politikë antikombëtare dhe këta zotërinjtë janë betuar për të mbrojtur interesat kombëtare. Të gjitha vendet përreth dhe ato evropiane i kanë teatrot mes qytetit, në vendin që u takon. Do të ishte turp kjo për Kryeministrin. Nuk mund të tallet asnjë me Teatrin, në të kundërtën, atëherë po, do të bëhen protesta të fuqishme.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here