Kukësi i jashtëzakonshëm, Laçi barazon me Bakun

0
124

 

Kukësi i jashtëzakonshëm, Laçi barazon me BakunBlutë verilindorë kanë mundur me rezultatin 2-0 Torpedo Zhodinon, duke hedhur një hap më tej për në fazën e dytë

Laçianët kanë barazuar në fushën e tyre ndaj Bakut, edhe pse rastet për fitore nuk kanë munguar

Eliminatoret e Europa Ligës kanë nisur mirë për skuadrat shqiptare. Kuksianët fituan 2-0 takimin e parë të paraeliminatoreve të Europa Ligës me bjellorusët e Torpedo Zhodinos. Ndoshta është e teprruar të thuhet që me golat e Pejicit dhe brazilianit Karioka, Kukësi është me një këmbë në turin e dytë, por gjithçka në takimin e parë foli në favor të nënkampionëve të Shqipërisë që u shfaqën më lart se rivalët nga Lindja dhe me një avantazh prej 2 golash përballja e kthimit nuk mund të jetë një sfidë që kërkon sforco titanike. Trajneri i ri për një nisje të re me Marcello Troisin në stol ndërsa risitë nuk mungonin edhe në fushë me plot 5 futbollistë të ndryshëm nga formacioni titullar i sezonit të shkuar, duke nisur që nga porta ku moldavi Stazhilla kishte zënë vendin e Halilajt, Muça i huazuar nga Tirana vetëm për Evropën si brazilianët Biringueta, Karioka, Felipe Moreira si dhe Erick Flores sulmuesi i dytë në mbështetje të të pazëvendësueshmit Pero Pejic. Një numër relativisht i vogël tifozësh në “Qemal Stafa” dhe ishte vërtet mëkat pasi brohorimat e gëzimit ishin destinuar pas vetëm 9 minutash për një festë Karioka… Kukësi në avantazh me Kariokën, feston bashkatdhetari i tij Marcello Troisi, Muça e ftoi për një goditje në hyrje të zonës dhe braziliani dhuroi një gjuajtje perfekte për golin e 1-0. Avantazhi i dha krahë Kukësit që ishte pranë dyfishimit vetëm 2 minuta më vonë me një tjetër brazilian Felipe Morieron, por nuk mungoi dhe reagimi i bjellorusëve me Stazhillën që nuk e la veten të kapej pa mendje në një goditje nga distanca në minutën e 17. Falë një Kukësi më të qetë në sajë të avantazhit bjellorusët fituan terren por për fat idetë ju mungonin dhe goditje të tilla si ajo e minutës së 36 nuk përbënin problem për nënkampionët e Shqipërisë. Rast i artë i shpërdoruar nga Kukësi në të 39 kur Gledi Mici avancoi në zonë nga e djathta fillimisht nuk ngriti sa duhet asistin për Pejic para portë ndërsa kroati menjëherë më pas edhe pse ishte në pozicion të rregullt nuk devijoi dot një top të lehtë drejt rrjetës. Fati i i munguar në këtë rast lau menjëherë borxhet me Kukësin duke e ndihmuar pa u mbushur as një minutë kur Dimitri Platonov u shkëput në fillin e pozicionit jashtë loje hyri në zonë dhe goditi por ishte traversa që shpëtoi Stazhillën. Kukësi shkoi në avantazh në dhomat e zhveshjes dhe fillimi i pjesës së dytë i dhuroi një tjetër brohorimë çlirimi ashtu si në pjesën e parë. Minuta e 54 dhe Pero Pejic vuri fitoren në kasafortë me një supergol, nuk mund të mungonte sigla e kroatit në një sfidë të tillë. 2-0 për Kukësin që e kishte tanimë më të lehtë për të menaxhuar gjithçka. Sinjale pozitive nga brazilianët që lanë shije të mirë si në aspektin teknik ashtu edhe për atë të kondicionit fizik, edhe pse Moreiro i la vendin Hysës në të 58. Për sa i përket bjellorusëve evidente pamundësia e Torpedos për t’iu afruar portës duke kërcënuar vetëm me goditjet nga distanca, me Serdjuk që çoi topin lart në të 61-ën. Rrezikun e vërtetë për Kukësin e ofruan me një kundërsulm në minutën e 79 me Matsvenka që u prezantua në zonë pas një pasimi filtrues por për fat diagonalja e tij ishte jashtë. Pjesa e mbetur ishte e lehtë për t’u administruar madje Kukësi i kurseu dhe golin e tretë me Vilfor Hysën që u tregua egoist në të 90 duke preferuar goditjen e dobët në vend të një asisti për Musollin e Lirë dhe vërshëllima finale vulosi fitoren 2-0 të Kukësit që shkon i fortë me avantazhin e 2 golave në transfertën e një jave më pas. Një misioni si ai i dy viteve më parë është ende larg, por nëse fillimi i mbarë është gjysma e punës, asgjë nuk është e pamundur.

 

Laçi barazon ndaj Bakut

Laçi fiton me lojë, por jo në shifra ndaj Inter Bakut. Formacioni kurbinas barazoi 1-1 në fushën e tij ndaj skuadrës azere, që pati edhe fatin në anës në këtë rezultat, që e bën ndoshta favorite për sa i përket kualifikimit. Rastet e pastra në fundin e ndeshjes i kanë komplikuar llogaritë e Laçit, që tashmë duhet patjetër të shënojë transfertë për të shpresuar te kualifikimi. Trajneri i Lacit Armando Cungu, në rreshtimin 4-4-1-1, hodhi në fushë Teqen dhe Sefgjinin në krahët e mbrojtjen, ndërsa Sheta dhe Cela formonin dyshen e qendrës. Në mesfushë Mustafa dhe Veliaj u aktivizuan në qendër, ndërsa nga krahët Doku dhe Meto. James i avancuar mbështetej nga Vucaj. Laci e dha shkëndijën e parë që në minutën e tretë me një vertikalizim të Vucajt për Meton, por mesfushori fierak u gjend në pozicion jashtë loje. Në minutat në vijim të dyja skuadrat studiuan lojën e njëra-tjetrës, për të ardhur më pas te minuta e tetë, kur James, pasi mori një top nga Vucaj, gaboi shënjestër.Pa u mbushur 20 minuta lojë, erdhi dhe goli i shumëpritur i Lacit. Vucaj, i cili kuptohej me sy mbyllur me shokët e tij, kombinoi saktë me Meton e James, me sulmuesin nigerian që godi me të parën prirët me portën, por topi u kthye nga shtylla, duke përfunduar në këmbët e Meto, që e kishte të lehtë për ta dërguar topin në rrjetë. Pas këtij momenti, Laçi u bë zot i fushës. Në të 25 një tjetër kombinim i bukur i laçianëve solli një rast të pastër në portën e Inter Baku. Doku avancoi nga e djathta dhe asistoi James në qendër, por devijimi i zgjuar i nigerianit u neutralizua nga portieri Agayev. Pas gjysmë ore lojë, gjyqtari ndërpreu ndeshjes për pak çaste për shkak të temperaturave të larta, duke u dhënë mundësi futbollistëve që të rikuperonin disi forcat. Në minutat e fundit të pjesës së parë Inter Baku ushtroi më shumë presion në gjysmëfushën e Laçit, madje një goditje me kokë e Huseinov kaloi ngjitur me shtyllën e majtë të portës së Laçit. Në minutat shtesë kurbinasit krijuan një situatë shumë të rrezikshme në zonën e skuadrës mike, por pa mundur ta dërgonin sërish topin në rrjetë. Pjesa e dytë nisi me gol për skuadrën mike. Kvekveskiri ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi në një pozicion të volitshëm, duke vënë baraspeshën në këtë sfidë. Në të 56 Cungu bëri ndërhyrjen e parë në formacionin, duke hedhur në fushës Valdano Nimanin në vend të Dokut. Ekuilibri i sfidës përveç se në shifra u ndje edhe në lojë, me azerët fituan më shumë besim duke e qarkulluar saktësisht topin, ndërsa kurbinasit për pak u ndëshkuan me golin e dytë pas një pasigurie të portierit Vujainovic. James, për shkak të probleme fizike e humbi shkëlqimin e pjesës së parë, ndërsa Meto e Vucaj nuk u treguan të saktë në pasin e fundit, të ndikuar nga lodhja. Në minutat e fundit me futjen e Mitrajt në fushë në vend të Metos, kurbinasit e rritën presionin e për rrjedhojë iu afruan golit me Valdano Nimanin, që fillimisht u ndal nga Agayev, ndërsa na aksionin pasardhës futbollistit i Laçit ishte thjesht i pafat, pasi goditja e tij u ndal nga shtylla. Në të 87 James nuk arrin të shtyjë topin në rrjetën thuajse ne vijën fatale pas ngulmimit të Nimanit. Tre minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt nuk i mjaftuan Laçit për të shënuar golin e fitores, që do të ishte krejtësisht e merituar për atë që dhanë skuadrat në fushë.

 

 

Adriano pranon akordin me Milanin

Mediat italiane raportojnë se Luiz Adriano është pajtuar që t’i bashkohet Milanit gjatë afatit kalimtar të janarit, pikërisht kur edhe i skadon kontrata aktuale me Shakhtar Donetskun. Kontrata e sulmuesit brazilian skadon në dhjetor të këtij viti, kështu që ai mund të transferohet pastaj kudo si agjent i lirë në afatin kalimtar të janarit. “Sky Sports” raporton se braziliani është pajtuar që të transferohet te Milani kur t’i skadojë kontrata me Shakhtarin, dhe kjo e ka vënë në pozitë të mirë skuadrën italiane që të negociojë më lehtë me drejtuesit e Shakhtarit. Besohej se skuadra ukrainase kërkonte 8 milionë euro për Luiz Adrianon, mirëpo tani mund të pranojnë ofertë më të ulët, sepse nuk kanë llogari që ta humbin atë si agjent i lirë në janar.

 

Turan përgënjeshtron marrëveshjen me Barcelonën

Anësori i Atletiko Madridit, Arda Turan, i ka hedhur poshtë raportimet se ka arritur marrëveshje për t’iu bashkuar Barcelonës gjatë këtij afati kalimtar. Ishte agjenti i 28-vjeçarit që konfirmoi ditë më parë se Turan do të largohet nga Atletiko këtë verë, teksa edhe vetë lojtari ka postuar një letër lamtumire për tifozët e këtij klubi. Mediat në Spanjë raportuan dje se Arda ka arritur marrëveshje për t’iu bashkuar Barcelonës për 35 milionë euro, mirëpo lojtari i ka mohuar këto lajme. “Disa raportime të cilat janë shfaqur në lajme janë të pasakta. Unë thjesht jam në pushime këtu”, – ka shkruar Arda në profilin e tij në “Twitter”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here