Debati në kuvend/ Mos shpresoni te Glover! Do t’i rrëzojmë këto zgjedhje

0
126

Gëzim Saliu

berish akuvendBerisha: I bëtë funeralin votës, si protestë për zgjedhjet mendova edhe të djeg mandatin

Revolucion demokratik, mendova të djeg mandatin si protestë ndaj funeralit të votës

Ish-kryeministri: Sot mendoni se Gloveri po ju mbron, por ne do bëjmë sërish punën tonë siç jua përmbysëm në 2001-shin

Berisha: E përdorët Frrokun për blerje votash në Pukë dhe në këmbim e arratisët në Kubë

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cilësoi dje nga salla e Parlamentit si jo demokratike dhe të udhëhequra nga bota e krimit zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Përmes një fjale që zgjati për thuajse 40 minuta, Berisha theksoi se qeveria zhvilloi një farsë zgjedhore, duke e përmbytur procesin me presione ndaj administratës, blerje votash si edhe përfshirjen e të inkriminuarve si në garën elektorale ashtu edhe pranë procesit zgjedhor. Për këto e shumë fakte të tjera për të cilat ish-kreu i qeverisë tha se opozita i ka mbledhur në një dosje të plotë që ja ka referuar edhe ODIHR-it, Berisha pohoi se kishte menduar edhe të digjte mandatin si formë proteste ndaj zgjedhjeve të prekura në themel të tyre. “Po mendoja para se të vija se cili gjest do të shprehte më mirë protestën për zgjedhjet. Mendova se ky gjest do të ishte djegia e këtij mandati. Po hyjmë në këtë sallë si në një funeral, në funeralin e votës së lirë, në funeralin e zgjedhjeve, që një klikë i shkatërroi ato. Preku dhe rrënoi me të gjithë mekanizmat e shtetit mafioz, e mafies shtetërore, e krimit shtetëror, çdo parim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jam i vetëdijshëm se krenarëve që i dhanë edhe goditjen e fundit demokracisë, kjo nuk u pëlqen”, – pohoi Berisha.

 

Zgjedhjet pa standarde

Për ish-kryeministrin në këto zgjedhje u prekën dy parimet kryesore, të lirisë dhe barazisë. Sipas tij, “flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit”. “Çfarë spikati në këtë zgjedhje? Këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në 23 vjet u udhëhoqën nga bota e krimit. Edi Rama kreu i meduzës së krimit shtetëror emëroi në Kavajë, në Krujë dhe bashki të tjera me dhjetëra kriminelë të damkosur për drogë, prostitucion, për vrasje, si këshilltarë bashkie si kryetarë bashkie. Flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit. Të dashur qytetarë dhe qytetare kurrë ndonjëherë në ndonjë vend nuk ka ndodhur të përballet bota qytetare e vlerave me botën e zezë të krimit”, – theksoi Berisha. Më tej ai theksoi se në këto zgjedhje u shtuan presionet e shumanshme si edhe kërcënimet apo blerjet e votave. “Në këto zgjedhje kreu i qeverisë urdhëroi që atë drejtues të administratës të sillini në kuti votën. Historia e mediave kjo është, ku ‘godfather’ është Sejdini. Ai është padrinua. Mikele Korleone, që për fat të keq thuhet se është shqiptar, mund të jetë kushëriri i Qazimit. Kjo ishte historia më e shëmtuar ndaj fjalës së lirë. Reagoi duke thënë se liria e fjalës është në atë nivel ku duhet të jetë. Kjo ishte varrimi i zgjedhjeve të lira”, – tha Berisha. Po ashtu ai pohoi se ishte qeveria e majtë ajo që e mbrojti Arben Frrokun, i cili vetëm pak ditë më parë u dënua me burgim nga gjykata e apelit. “Kreu i meduzës së krimit në Shqipëri, Edi Rama që ndan psikologjinë e etërve për sa i përket krimit, u thoshte partnerëve tanë s’më duheni ju se më duhet Bushi, se më duhet ky i Kavajës, Roshi. Se më duhen paratë e pista të drogës dhe prostitucionit të tyre. Se më duhet Frroku që ka vrarë komisarin dhe ju akuzoni se u kalua në pritë. E nisët në Kubë sepse mbaroi misionin, por shpirti i Komisarit të vrarë do u ndjekë mbrapa gjithë jetën. Ja ku u vra Komisari tjetër në hyrje të Lazaratit, asnjë nuk u akuzoi se e vratë në pritë, ndonëse e vranë në pritë njerëz të lidhur me qeverinë”, – deklaroi Berisha.

 

Thirrja për revolucion demokratik

Ndërkaq, në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit Berisha bëri thirrje për ngritjen e qytetarëve në revolucion demokratik kundër asaj që e cilësoi si klikë mafioze. “Ndaj dhe thirrja ime për qytetarët shqiptar, ngrihuni se pa revolucion demokratik nuk ka kurrë zgjidhje. Vetëm ky revolucion mund ti drejtojë vendin kësaj klike. Mos prisni kurrë kush ta zgjidh këtë punë, asnjëri”. Në këtë kontekst, Berisha tha se nuk kishte asnjë ambasador që kishte thënë se këto ishin zgjedhjet më të mira porse, sipas tij, edhe pse palët tashmë kanë mbështetjen e kryesueses së ODIHR-it, nuk do të mund të shtypin opozitën. “Nuk kam dëgjuar asnjë ambasador se këto ishin zgjedhjet më të mira, cilido që ka thënë ka folur në erë. Por prapë se prapë asnjë prej tyre nuk i vë faj nuk janë ata që prishën zgjedhjet. Kemi eksperiencë ne se kështu bëtë me zgjedhjet e 2001-it por ju a përmbysëm. Sot mendoni se Glover po ju mbron, por unë them se ne përsëri do bëjmë punën tonë”, – u shpreh ai.

 

Përplasja/ Berisha, Stërkajt: Qëllove me revole, do përfundosh atje ku e meriton. Deputeti: Qesharak

Ish-kreu i qeverisë, Berisha, pati një përplasje të fortë dje në sallën e Parlamentit me deputetin socialist, Paulin Stërkaj. Ndërkohë që Berisha po fliste lidhur me shkeljen e standardeve dhe inkriminimin e zgjedhjeve, deputeti socialist iu drejtuar Idrizit lidhur me zgjatjen e fjalës nga ish-kryeministri. Kjo nuk u prit aspak mirë nga Berisha, e cila duke rikujtuar denoncimet sipas së cilave në garën e Malësisë së Madhe Stërkaj kishte përdorur qytën e pistoletës kundër demokratëve, i kujtoi këtij të fundit se cili do jetë rezultati i kësaj sjelljeje. “Mbylle gojë, dëgjon! Mbylle gojën po të them! Me ty e kam. Shko qëllo me pistoletë ti në qendër votimi, ka pas ky Parlament shumë si ti po të gjithë kanë përfunduar atje ku e meritojnë”, – theksoi Berisha. Ndërsa Idrizi ndërhyri për të qetësuar situatën, do të ishte deputeti socialist Stërkaj që do ta merrte fjalën në Parlament pas ikjes së Berishës nga salla për të folur lidhur me akuzat e ish-kryeministrit. “40 minuta në tribunë është bërë qesharak. E besojnë ata njerëzit e lidhur me krimin, ata të Malësia e Madhe e njohin. Nuk kam përdor pistoletë kur kam qenë në polici jo më tani që jam deputeti më i votuar”, – theksoi ai. Po ashtu një tjetër debat i Berishës ishte edhe me deputetin Sadri Abazi, i cili thuajse gjatë gjithë fjalës së ish-kryeministrit ndërhynte nga vendi duke kujtuar rezultatin e zgjedhjeve. “Ti mbylle, vetëm ti mos fol se të njoh mirë”, – i tha Berisha, Abazit. Ndërkaq ky i fundit si në të rrallët herë që mori fjalën në foltoren e parlamentit theksoi: “Si deputet i Tiranës zoti Berisha deklaroj se qeveria Rama pas 25 vitesh realizoi zgjedhje të lira e të ndershme”.

 

Majko: Nëse PD do të kishte fakte për zgjedhje me probleme, do ta kishte hedhë në erë Parlamentin

Deputeti socialist Pandeli Majko tha dje në Kuvend se zgjedhjet e 21 qershorit ishin të arrira dhe e kundërta, sipas tij, nuk është e faktuar nga ana e opozitës pasi nëse do ishte kështu theksoi ai, PD do e kishte “hedhur në erë”, sallën e Parlamentit. “Nëse do të ishin të gjitha të vërteta pretendimet tuaja, atëherë ju sot do ta kishit hedhur në erë Kuvendin. Kjo ka të bëjë me një reflektim për rezultatin. Unë mendoj se katër vjet kalojnë shpejt. Me pak durim, gjërat do të ecin mirë”, – tha Majko. “Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë mjaft të mirë. Ju kujtoj se kur mbaroi procesi i numërimit në Njësinë nr. 5 në Tiranë, të gjithë së bashku, edhe me komisionerët e PD-së, bëmë një fotografi të përbashkët. Megjithatë unë them se ka pasur disa probleme”, – tha më tej Majko. Ai iu përgjigj edhe Berishës për kryebashkiakun Qazim Sejdini, duke thënë se nëse ka ndonjë Don Korleone në Shqipëri, ai është pikërisht Berisha. “Unë nuk e besoj se kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, miku im Sejdini, të jetë Korleone. Korleone mund të jetë dikush tjetër këtu, por jo ai”, – u shpreh deputeti socialist.

 

Topalli: Nuk kam qenë asnjëherë politikane e konsensusit, s’bëj asnjë hap prapa

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi dje në sallën e Kuvendit se asnjëherë nuk ka qenë një politikane e konsensusit, por e bindjeve të saj. Në fjalën e saj në foltoren e Parlamentit, deputetja demokrate tha se vendi është në rrezik dhe se po vuan nga një rrënim i madh. “Unë nuk jam politikane e konsensusit, s’kam qenë kurrë. Jam politikane e bindjeve të mia. Kjo zonja që keni përballë nuk bën asnjë hap mbrapa. Më pëlqen të debatoj dhe nuk më pëlqen që njerëzit që rrinë pas meje të jenë dakord me mua sepse kjo është e vërteta. Të dashur miq, kuvendi po rrëshqet. Po vuan një rrënim të madh. Është i pasigurt, ky vend është në rrezik. Unë besoj dhe uroj që shqiptarët të reagojnë, vendi është në emergjencë. Dy vetë, tre vetë, nuk mund të mbaj në peng këtë vend”, – tha Topalli. Më tej ish-kryetarja e Kuvendit tha se mazhorancës nuk i mjaftoi vota e shqiptarëve më 23 qershor 2013­të, por vijoi me blerje të mandateve të deputetëve, me qëllim përqendrimin e sa më shumë pushteteve në duart e tyre. “83 deputetë nuk ju mjaftuan dhe bletë edhe deputetin tjetër, pastaj gjatë muajve morët edhe shumë deputetë dhe grupe parlamentare dhe prape nuk ju mjaftuan. Edhe me zgjedhjet në Korçë që e dinit që do fitonit, prape nuk ju mjaftuan… nuk ju mjaftoi pushteti me KLD, nuk ju mjaftoi as kur morët AMA­n, as shumicën në institucione të tjera”, – pohoi Topalli.

 

Dekriminalizimi shtyhet deri më dhjetor

Shtyhet deri në 31 dhjetor afati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për dekriminalizimin. Vendimi i marrë në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit për këtë shtyrje u bë pas kërkesës së Partisë Demokratike. Komisioni për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit mes palëve politike u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 19 shkurt të këtij viti. Ai u miratua 102 vota pro me konsensus nga të gjitha forcat politike dhe drejtohet nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

 

Debati në Parlament/ Batutat nga Sejdini i “Godfatherit” tek ditari i Berishës dhe Michele Korleone shqiptar

Berisha: Ja ku u vra komisari tjetër në hyrje të Lazaratit, asnjeri nuk e akuzoi se e nxorët në pritë, ndonëse e nxorët në prite, ndonëse u vra nga njerëz të lidhur me qeverinë. Është e faktuar.

Stërkaj i drejtohet Idrizit nga vendi.

Berisha: Pusho aty ti, mos fol, mbylle gojën.

Stërkaj nga vendi- Me cilin e ke me mua.

Berisha: Po po me ty e kam, mbylle gojën.

Stërkaj ngrihet nga karrigia: Kryetar po iki unë pra….kam respekt për ty… vazhdo kështu.

Berisha: Shko qëllo me revole në qendër të votimi ti.

Stërkaj– Filllove ti, je mbreti i mashtrimeve.

Berisha: Ka pas ky parlament shumë si ti po të gjithë kanë përfunduar atje ku e meritojnë.

Stërkaj flet nga vendi, Idrizi: Paulin jo fjalë nga vendi të lutem

Berisha flet për zgjedhjet: Kreu i meduzës së krimit Edi Rama i thoshte partnerëve s’më duheni ju se më duhet Bushi.

Abazi: O gënjeshtar.

Sh. Idrizi: Ju lutem tani z. Berisha.

  1. Deda nga vendi: Po ce ju lutem ai po thotë gënjeshtar ti i thu pusho.

Berisha, Abazit: Do pushosh, vetëm ti mos fol se ti di të gjitha.

Berisha: Historia e medieve kjo është, ku “godfather” është Sejdini. Ai është padrinua. Mikele Korleone, që për fat të keq thuhet se është shqiptar, mund të jetë kushëriri i Qazimit.

Në sallë qeshin deputetët e opozitës

Berisha: Këto janë fotot e përdorjes së administratës, shikoni se si…

Abazi: Mos janë fotot e Lulit ato. Kta këtej nga krahu tjetër i zuni gjumi.

Berisha: E nisët Frrokun në Kubë sepse mbaroi misionin, por shpirti i Komisarit të vrarë do u ndjekë mbrapa gjithë jetën.

Abazi merr fjalën në foltore: Këtij stomatologu i them se këto ishin zgjedhjet me te mira.

Sterkaj: Është ba qesharak, ka fillu me mashtru këto kohe. S’kam përdor pistolete kur kam qene ne polici, jo me te zona ku jam me i votuari.

Balla- Në 2 korrik të 25 viteve më parë në sallën e fakultetit mjekësisë u zhvillua mbledhja e parti se dhe anëtari i saj më i devotshmë Sali Berisha kërkoi masa ndaj atyre qe ikën te ambasadat. Ka më ironike se kjo…. Këto nuk i shohin as zgjedhje del Lulzim Balla…. me falni… (qesh).

Brace nga vendi: Sa shume e do mor aman, edhe mbiemrin i dhe.

Balla qesh: Se po na ngatërron, Lulzim Basha tha se u rritëm në zgjedhje… jam kurioz te di ç’shkruan Berisha ne ditarin e tij për mua dhe Erjon Braçen.

Ndërhyn Braçja pa mikrofon: Po ç’punë ke me mua mor vlla….. ti merr pyet se çfarë do ketë shkruar për Gridën.

Idrizi: Ju lutem jo emra qe s’kanë te drejte replike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here