Berisha: Shqipëria, objektiv vendi i dytë

0
138

Shqipëria, objektiv vendi i dytëGardiani i kuqezinjve është shprehur se skuadra synon vendin e dytë në eliminatoret e Francës 2016

Dy nga lojtarët kryesorë të kombëtares kuqezi në këto eliminatore, Etrit Berisha dhe Bekim Bala, kanë dalë në deklaratë për shtyp për të shprehur dhe qëllimet që ka kombëtarja për ndeshjen me Francën, por edhe në të ardhmen. Me gjysmën e rrugës të përfunduar dhe vendimin e KAS-it të Lozanës të shtyrë për më datën 10 korrik, shtatlarti 26-vjeçar evidenton dhe rivalin për t’u thyer në këto eliminatore. “Ne nuk mendojmë për vendimin e KAS-it. Ua kemi lënë kompetentëve të merren me këtë çështje. Sigurisht që duhet të mësojmë këtë vendim por e rëndësishme është të fokusohemi tek ndeshja me Francën pastaj për ndeshjet e Shtatorit. Me apo pa tre pikë do të vijojmë garën. Më e rëndësishme është ndeshja me Danimarkën pasi i kemi rivalë direkt për vendin e dytë, që është edhe objektivi ynë”. Për Etrit Berishën siguria për objektivin e vendosur ka një pikënisje dhe një bazë nga ku buron i gjithë ky besim. “Për lojën dhe mundësitë që kemi është një objektiv real për ne. Është e rëndësishme të kualifikohemi për në Evropian”. Një ndeshje të rëndësishme me Francën e konsideron edhe sulmuesi Bekim Balaj, që tregon karikimin brenda grupit kuqezi për këtë 90-minutësh duke evidentuar frymën e grupit që ekziston. “Është një ndeshje e rëndësishme për ne duke parë emrin e kundërshtarit. Opinioni mendon se është një miqësore por ne nuk e shohim si të tillë. Çdo lojtar kërkon të shënojë. Cikalleshi ka luajtur mirë dhe i uroj të vijojë në këtë mënyrë”. Në një periudhë të tillë nuk mund të mungojnë ngacmimet edhe për merkaton. Berisha prej kohësh është në qendër të merkatos, ndërsa Balaj shpreson të ndjekë shembullin e Cikalleshit edhe pse tashmë tek Rijeka i bashkohet edhe Odise Roshi. “Tek Lazio kemi arritur objektivat e sezonit ndërsa unë kam luajtur mbi 20 ndeshje. Këto ditë do të vendosim të ardhmen time por shpresoj të arrij gjëra më të rëndësishme sezonin e ardhshëm”. Ndërsa Balaj është i lumtur me eksperiencën e tij në Kroaci. “Kampionati kroat është gjithnjë në rritje dhe mendoj se është një zgjedhje e mirë për të kaluar në një nivel më lart. Për momentin jam i përqendruar tek Rijeka dhe aventura në Europa League”.

 

Gjelat mbërrijnë në Shqipëri

Rreth orës 14:00, yjet francezë u shfaqën në portën e daljes në Aeroportin e Rinasit, ku shmangën prononcimet për shtyp, duke u mjaftuar me përshëndetje të thjeshta apo me ndonjë autograf të kërkuar nga disa tifozë që shfrytëzuan rastin për t’u takuar me idhujt e tyre, veçanërisht me Paul Pogba, Patrice Evra dhe Didier Deschamps. Trajneri i “gjelave” refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, duke kujtuar se do të ishte në dispozicion të shtypit në konferencën e zakonshme për shtyp që do të organizohet një ditë para ndeshjes. Autobusi me kombëtaren franceze u nis menjëherë drejt hotelit “Sheraton”, ku “blutë” do të jenë të akomoduar deri të shtunën në mbrëmje, pas sfidës së “Elbasan Arenës”. Në mbrëmje është parashikuar zhvillimi i një seance stërvitore në “Qemal Stafa”, ndërsa të premten “gjelat” do të shkelin tapetin e “Elbasan Arenës” për t’u ambientuar me terrenin e këtij impianti, ku do të luhet edhe miqësorja me kuqezinjtë.

 

Messi në gjyq për akuzat për evazion

Lionel Messi, pasi triumfoi në të gjitha trofetë e mundshëm gjatë këtij edicioni duke qenë protagonisti kryesor i Barcelonës, duket se tashmë do të përballet me ditë të vështira. Ylli argjentinas do të paraqitet në sallën e gjyqit pikërisht në qytetin e Barcelonës në lidhje me akuzat për evazion fiskal, pasi pikërisht kjo gjykatë vendosi të hidhte poshtë apelimin e 4 herë lojtarit më të mirë në botë. 27-vjeçari së bashku me të atin Jorge Messi akuzohen për evazion fiskal, që kap shifrën e 4 milionë eurove. Sipas prokurorisë, Messi dhe babai i tij kanë falsifikuar faturat e taksave nga viti 2006 deri në vitin 2009, megjithëse në fakt i akuzuari kryesor mbetet Jorge Messi, pasi edhe sipas prokurorit, përgjegjës për financat e familjes është i ati i futbollistit. Në vitin 2013, Lionel Messi e pagoi shifrën për të cilën akuzohet se ka kryer evazion fiskal, por kjo nuk mjaftoi që akuzat mbi të, të rrëzoheshin. Ndërkohë që liga spanjolle e futbollit ka vendosur të hetojë rreth takimit përmbyllës të kampionatit mes Barcelonës dhe Deportivo la Korunjës, përballje që përfundoi në barazim 2-2 dhe i siguroi qëndrimin në ‘La Liga’, galicianëve. Shkak është bërë një moment i fokusuar nga kamerat e “Canal +”, kur lojtari i Deportivos Albert Lopo i afrohet Xavit duke i kërkuar të ulin ritmin. Në fakt Barca kryesonte në pjesën e parë pas dygolëshit të Messit, ndërsa në fund La Korunja arriti të baraspeshonte shifrat duke qëndruar mes më të mirëve.

 

Vendimi për Serbi-Shqipëri shtyhet për 10 korrik

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv shtyn edhe një herë vendimin në lidhje me ngjarjet në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Nëpërmjet një shkrese të dërguar në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, KAS lajmëron se vendimi do të jepet më 10 korrik. Seanca e parë dëgjimore u krye më 18 prill e më pas u lajmërua se do të kishte një verdikt më 29 maj, por as në këtë datë Gjykata e Lozanës nuk përcaktoi asgjë duke informuar se gjithçka do të vendosej më 12 qershor, ndërkohë që tashmë e ka shtyrë edhe më një muaj, këtë vendim të shumëpritur. Ka qenë vetë institucioni drejtues i futbollit në vend, i cili ka bërë me dije se gjykata e Lozanës ka vendosur të mos i jap zgjidhje një situate të stërzgjatur, duke i shtuar edhe më shumë hije dyshimi, një verdikti që duhet të kish ardhur të paktën që më 29 Maj. Kujtojmë që pas ngjarjeve të paprecedent të 14 tetorit të shkuar në stadiumin e Beogradit, ku lojtarët e kombëtares sonë u dhunuan si fizikisht ashtu edhe verbalisht, Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s në mënyrë absurde vendosi ti jepte pikët në tavolinë Serbisë, por duke ia revokuar më pas nga klasifikimi, ndërsa komisioni i Apelit nuk i ndryshoi asnjë presje vendimit të Disiplinës, dhe shpresa e fundit për drejtësi mbetet Arbitrazhi Sportiv, por këta të fundit po marrin të gjithë kohën e mundshme, madje edhe më shumë për t’i dhënë zgjidhje një çështjeje jo vetëm sportive, por edhe politike.

 

Nis Kupa e Amerikës, Neymar dhe Messi kundërshtarë

Do të nisë sot turneu më i rëndësishëm i futbollit në Amerikën Latine. Brazili, Argjentina, Uruguai apo edhe Kolumbia do të luftojnë për kurorën e Amerikës së Jugut. Edicioni i 44-t i këtij kompeticioni do të zhvillohet në Kili. Në fakt, vendi organizator ishte caktuar Brazili, por Lojërat Olimpike që do të mbahen në vendin e Sambës vitin e ardhshëm, bënë që Kili dhe Brazili të ndryshonin vendet. Sigurisht “Copa America” nuk ka prestigjin apo marketingun e një kampionati botëror apo edhe të një europiani, por gjithsesi kur në të marrin pjesë yje të kalibrit të Lionel Messit, Neymarit, Falcaos apo Arturo Vidalit, atëherë interesi pritet të jetë i madh. mSfida hapëse do të luhet në orët e para të mëngjesit të së premtes ose më saktë në 1:30 dhe përballë do të jetë vendi organizator Kili dhe Ekuadori. Për sa u përket favoriteve, Argjentina niset më e avantazhuar për shkak të lojtarëve që ka në dispozicion, duke filluar nga Di Maria, Tevez, Aguero, për të ardhur tek gjeniu i futbollit botëror Lionel Messi, ndërkohë që shanse të mëdha ka edhe Brazili me elementë si Neymar, Thiago Silva, David Luiz apo Willian. Pa diskutim nuk mund të përjashtohen Kolumbia e Falcaos dhe Rodriguezit apo Kili që do të ketë mbështetjen e madhe të publikut vendas. Uruguai duket disi më i tërhequr për faktin e thjeshtë se nuk do të ketë yllin e saj Luis Suarez, duke qenë se sulmuesi po vuan ende pezullimin prej 9 ndeshjesh ndërkombëtare pas kafshimit që i bëri Chiellinit në botërorin e vitit 2014. Kombëtarja me më shumë tituj të fituar në “Copa America” është Uruguai me 15 trofe e ndjekur nga Argjentina me 14.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here