Statusi, Beja: PS u rrëzua nga KE, në 2013-ën do të ndëshkohet nga shqiptarët

0
155

Intervistoi: Ina Jano

Pretekstet e PS-së, si “moszbatimi i ligjit në Shqipëri”, “korrupsioni i lartë”, “qeveria e keqe”, “zgjedhjet e 2009-ës”, “kundërshtimi i dhënies së statusit Shqipërisë nga Franca, Holanda apo Gjermania”, ranë poshtë nga KE

Deputeti demokrat: Nga mosvotimi i ligjeve u zhgënjye Evropa, por edhe shqiptarët

 

Kreu i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Fatos Beja, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Standard”, deklaroi se Partia Socialiste në zgjedhjet e ardhshme, ato të 2013-ës, do të ndëshkohet nga votuesit shqiptarë. Deputeti demokrat shprehet se të gjitha pretendimet e zotit Rama u rrëzuan nga organet vendimmarrëse evropiane, duke theksuar njëkohësisht edhe domosdoshmërinë e miratimit të tri ligjeve. Gjithashtu, zoti Beja në intervistë shprehet edhe për synimet e Ramës për të marrë pushtetin, por që taktikat e përdorura nga kreu i opozitës, sipas tij, janë tejet të gabuara. Sipas tij, injorimi i interesit kombëtar nuk e favorizon në objektivin e tij për të ardhur në krye të ekzekutivit.

 

 

Zoti Beja, dje PE miratoi rezolutën për Shqipërinë, ku përgjigjja për statusin ishte negative edhe këtë herë. Politika shqiptare sërish zhgënjeu Evropën. Si do ta komentonit qëndrimin e opozitës gjatë këtij procesi?

 

Në fakt, Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian në rezolutën e tij vlerësuan “përparimin e mirë të bërë nga Shqipëria gjatë vitit 2012” dhe u shprehën për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë sapo ajo të miratojë të tre ligjet e kërkuara që në tetor nga Brukseli. Opozita socialiste e Shqipërisë e bllokoi marrjen e këtij statusi duke refuzuar të votojë të tre ligjet e kërkuara. Sigurisht kjo zhgënjen Evropën po edhe shqiptarët. Unë gjykoj se ky qëndrim dëmprurës për të gjithë shqiptarët do të dëmtojë edhe vetë PS-ën dhe kryetarin e saj që imponon këtë qëndrim. Unë kam shpresuar deri në fund se deputetët socialistë do të votonin tre ligjet e kërkuara përpara mbledhjes së dhjetorit të Këshillit dhe kalimit të Rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Evropian. Njeriu normal nuk e kupton dot, as në Shqipëri as në Evropë, pse shqiptarët vetë i kundërvihen marrjes së statusit nga Shqipëria, prandaj gjykoj se kjo taktikë politike e PS-së do ta dëmtojë atë vetë si në Evropë ashtu dhe në Shqipëri.

 

Si e shpjegoni sjelljen e zotit Rama për të kushtëzuar integrimin me një çështje lokale si problematika e qarkut të Fierit?

Shqipëria ka shumë probleme për të zgjidhur, në Fier dhe në të gjithë vendin. Ecja përpara në procesin e integrimit evropian do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve tona, do të fusë gjithnjë e më tepër standarde të Bashkimit Evropian në vendin tonë, edhe në fushën politike, edhe në marrëdhëniet mazhorancë-opozitë. Historitë e Fierit u përdorën si pretekst për të mos votuar tri ligjet, ashtu siç u përdorën edhe pretekste të tjera nga PS-ja si “moszbatimi i ligjit në Shqipëri”, “korrupsioni i lartë”, “qeveria e keqe”, “zgjedhjet e 2009-ës”, “kundërshtimi i dhënies së statusit Shqipërisë nga Franca, Holanda apo Gjermania” (çka u vërtetua e pavërtetë sepse këto vende mbështetën dhënien e statusit pasi të miratoheshin tri ligjet) etj. Asnjë nga këto pretendime nuk është shkaku i vërtetë i bllokimit nga PS-ja të marrjes së statusit. Institucionet e BE-së, Komisioni, Parlamenti apo Këshilli i Ministrave kërkuan votimin e tri ligjeve për të marrë statusin dhe zgjedhjet e 2013-ës pa probleme për të hapur negociatat. Rama e sabotoi marrjen e statusit duke mos votuar tri ligjet dhe duke e lënë Shqipërinë të vetmen në Ballkan, bashkë me Kosovën, pa marrjen e statusit të kandidatit. Ju kujtoj se një nga të tre ligjet që duhet të votojmë amendon ligjin për Gjykatën e Lartë në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi që në janar i ligjit të Gjykatës Administrative që është i dobishëm në luftën kundër korrupsionit. Duket se Rama beson se me qëndrime të tilla do të mund të marrë pushtetin, çka për mua është e gabuar. Kam frikë se Rama do të bëjë të njëjtën gjë edhe për sabotimin e hapjes së negociatave pas zgjedhjeve të ardhshme. Bllokimi dhe bllokadat nuk mund të prodhojnë rezultate pozitive.

 

A ka mundësi që lideri i një partie të madhe të mos dojë që qytetarët e vendit të tij të bëhen sa më shpejt pjesë e Evropës së Bashkuar?

Për fat të keq, u pa se ka mundësi. Nuk ka dyshim se nuk do të jetë favorizuese për të as tek shqiptarët, as tek të huajt që e mbështesin Shqipërinë. Le të shpresojmë se ai do ta kuptojë këtë dhe deputetët socialistë do të votojnë tre ligjet në janar apo shkurt për të përfituar nga dashamirësia e Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave të BE-së që e lanë prapë derën hapur për ta dhënë statusin po u votuan tre ligjet e përmendura.

 

Kryeministri Berisha deklaroi se Rama nuk do t’i votojë ligjet për t’i shtyrë ato pas zgjedhjeve. Kjo do të thotë që edhe nga shansi i marsit, vendi nuk do të përfitojë?

Tanimë nuk kam më shpresë te ky hap që kërkon arsyeja. Duket se për Ramën nuk ka asgjë tjetër që të vlejë më shumë se të fitojë ai zgjedhjet dhe luan për t’i fituar apo për t’i humbur të gjitha. Por ky injorim i interesit kombëtar nuk e favorizon në objektivin e tij, përkundrazi.

 

Mazhoranca është treguar e gatshme dhe ka lëshuar pe, në mënyrë që opozita të japë votën e saj në Parlament, por a ka mbetur edhe ndonjë gjë e fundit, për të cilën mazhoranca mund ta tolerojë opozitën në emër të integrimit?

Tolerimet e bëra deri tani nuk kanë dhënë rezultat, pra nuk ka si të presim rezultat nga tolerime të tjera në të ardhmen. Rama synon pushtetin, por kjo arrihet vetëm nëpërmjet votave në zgjedhje, jo nëpërmjet lëshimeve.

 

Përveç miratimit të ligjeve, cilat janë reformat që duhet të ndërmarrë qeveria për të avancuar në këtë drejtim pavarësisht bllokimit nga opozita?

Integrimi apo anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një proces që do të marrë vite të tëra, një proces që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë të vendit. Është punuar shumë për këtë, ka rezultate pozitive ashtu siç ka nevojë edhe për shumë përmirësime të tjera. Pikë referencë për të kuptuar këtë janë ndryshimet e arritura sot në raport me para 4 vitesh, krahasimi i gjendjes se vendit tonë me vendet e tjera të rajonit dhe sigurisht standardet më të mira të arritura nga vendet anëtare të BE-së.

 

Çfarë përfitonte vendi dhe qytetarët shqiptarë nëse statusi do të ishte marrë?

Marrja e statusit është ngjitja e një shkalle në rrugën drejt anëtarësimit dhe i domosdoshëm për hapjen e negociatave. Gjatë procesit rritet bashkëpunimi i Shqipërisë me institucionet e BE-së, rriten financimet që përfiton Shqipëria dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në projekte zhvillimore rajonale. Por, nuk janë vetëm përfitimet financiare ato që vijnë nga përparimi i integrimit evropian të Shqipërisë. Rritet futja e standardeve evropiane në të gjitha fushat e jetës në vendin tonë, që do të thotë përmirësohet cilësia e jetës të çdo qytetari, si të atij që ka një gjendje shoqërore të mirë ashtu dhe të atij që është pjesë e shtresës më të varfër të shoqërisë. Ne nuk kemi kohë për të humbur, dhe marrja e statusit do t’i ndihmonte shumë qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, pra nuk është diçka që i shërben mazhorancës së sotme, por diçka që u intereson të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Evropa.

 

Të hënën në Parlament u dorëzua nga PDIU-ja një rezolutë për të drejtat e çamëve. A ka PD-ja një qëndrim për këtë çështje, duke marrë parasysh se përfaqësues të kësaj partie kanë shprehur daljen nga koalicioni nëse rezoluta nuk do të marrë votën e partisë suaj?

Nisma për çdo rezolutë në Kuvend ndjek rrugën e saj procedurale dhe publiku do të informohet për ecurinë e saj. Ende jemi në pikënisje të kësaj procedure. Sigurisht ajo që peshon nuk janë taktikat politike apo kërcënimet, por të drejtat e çamëve dhe interesi i shqiptarëve në tërësi, të cilat sigurisht nuk do të mund të injorohen nga parlamenti i Shqipërisë.

 

Javën e kaluar u miratua edhe vendimi për shtetësinë, si do ta cilësonit këtë nismë të marrë nga qeveria?

Asnjëherë ne shqiptarët nuk kemi qenë më afër njëri-tjetrit sesa sot. Më bashkë do të jemi në të ardhmen dhe në harmoni me fqinjët. Integrimi evropian na krijon mundësi të reja. Detyra e çdo qeverie shqiptare është që të mbrojë liritë, të drejtat dhe standardin e jetesës të të gjithë bashkëkombësve tanë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency