Sevilja… një histori suksesi

0
156

 

stadio ramon sancez pizjuanNë Spanjë, qyteti i Seviljes është njëri prej atyre që frekuentohet më shumë prej turistëve. Në qendrën më të madhe të Andaluzisë organizohen evente për të mos u humbur, si Feria de Abril (Panairi i Prillit) dhe Semana Santa (Java e Shenjtë). Gjithashtu, mjaft interesante janë edhe katedralja me këmbanën e vet, Torra e Artë dhe “Plaza de Espana”. Ndërsa për sportdashësit janë edhe dy vende të tjera që duhen të vizitohen… flasim për dy stadiume me histori si “Sanchez Pizjuan” dhe “Benito Villamarin”. Tek i pari luan edhe skuadra që ka një nga historitë më të veçanta të skuadrave spanjolle. Sevilja, që njihet si ekipi i shatë më i mirë i La Ligës në të gjitha kohërat.

 

Marrë nga “FIFA.com”

Futbolli mbërriti në Spanjë nëpërmjet anijeve britanike. Me po të njëjtin “mjet” kjo lojë mbërriti edhe në Sevilje. Saktësisht ishte ana veriore e këtij qyteti që “u prezantua” për herë të parë me futbollin. Në atë zonë kalon lumi Guadalquivir që ishte i lundrueshëm. Kjo shpjegon faktin përse rrënjët e këtij klubi kanë “mbirë” në ato pjesë. Punëtorë vendas e të huaj të kompanisë lundruese “MacAndrews” formuan një skuadër në 1890. Ky hap i ndërmarrë nga këta njerëz “u finalizua” më 14 tetor të 1905-ës. Gjithsesi, skuadra në fjalë fitoi një numër të konsiderueshëm kampionatesh në Andaluzi. Bardhekuqtë e Seviljes, edhe pse ekzistonin si skuadër, nuk u bënë pjesë e kampionatit spanjoll kur ky i fundit u formua. Ata arritën që të fitonin të drejtën për të dalë në elitën e futbollit spanjoll vetëm në edicionin 1934/35. Pra shtatë vite pasi La Liga e famshme ishte krijuar. Ndërsa në po këtë edicion “rivalët” e urryer të Betisit, që kishin dy vite që merrnin pjesë në elitën e futbollit iberik, u shpallën kampion. Ky triumf i bardhejeshilëve “u kapërdi” nga Sevilja vetëm pasi arriti që triumfonte në Kupën e Spanjës.

 

Për herë të parë

Sevilja arriti tek fitoret vetëm pas Luftës Civile. Pas kësaj ngjarjeje bardhekuqtë fituan një herë kampionatin dhe dy herë Kupën e Spanjës. Forma e tyre e mirë zgjati deri në vitet ‘50, ku për herë të parë u kualifikuan në Kupën Evropiane. Për fat të keq, presidenti më i dashur i këtij ekipi, Ramon Sançez Pizhuan, nuk jetoi aq gjatë sa të shihte ekipin e vet të performonte në kupat e Evropës. Ai ndërroi jetë në 1956-ën. Vetëm dy vite më vonë, në nder të tij, stadiumi i lagjes se Nervionit mori emrin “Sanchez Pizjuan”. “Ekskursioni” i parë në Evropë përfundoi në çerekfinale për Seviljen që iu desh të dorëzohej përballë Realit të Alfredo di Stefanos që në atë edicion u shpall edhe kampion. Sa i përket ecurisë në kampionat edhe ajo nuk qe shumë e mirë. Seviljes pas një periudhe të artë iu desh që të mësohej me zonat e ulëta të La Ligës.

 

Dëshpërimi

Vitet ‘60 ishin të trazuara për Seviljen që pati probleme të rënda ekonomike që më së shumti i erdhën pasi ndërtimit të stadiumit. Në atë kohë drejtuesit e klubit andaluzian, për të rikuperuar deficitin financiar, vendosën që të hiqnin dorë nga disa lojtarë kyçë. Ky vendim do të rezultonte fatal, pasi Sevilja ndryshoi fytyrë në fushë. Kështu, pas plot 31 vitesh u detyrua t’i thoshte lamtumirë Kategorisë së Parë Spanjolle. Gjithsesi, ky nuk ishte fundi për këtë skuadër të madhe që diti të rikthehej fuqishëm në elitën e futbollit iberik, duke festuar edhe vendin e tretë në edicionin 1969-1970.

 

Miti i “Biri Birit”

Tri vite më pas skuadra e Seviljes do të afronte edhe të parin lojtar me ngjyrë. Flasim për Alhaxhi Momodo Njie që do të kthehej në një figurë të famshme e këtij klubi. Lojtari nga Gambia shënoi një sërë golash spektakolar. Ai kishte dhunti që të kthente në “ar” çdo aksion. Shumë shpejt do të bëhej njëri prej beniaminëve të tifozerisë që për shkak të prejardhjes i vunë nofkën “Biri Biri”.

 

Dashuri dhe hidhërime

Fansat e këtij klubi kanë një lidhje speciale me ekipin e zemrës. Ata njihen si nga më të “zjarrtit” në Spanjë, edhe pse shpesh herë kjo “dashuri” i ka lënduar. Vdekjet e parakohshme të lojtarëve të Seviljes kanë qenë të shumta ndër vite. Rasti i parë ka qenë ai i Enrike Gomez Munjozit që nga të gjithë njihej si Spencer. 28-vjeçari pasi bëri operacion apendicitin humbi jetën për shkak të disa komplikacioneve. Vite më vonë do të ishte Pedro Berruezo ai që u largua nga jeta para kohe. Ataku kardiak gjatë një ndeshjeje përballë Pontevedras në 1973 ishte fatal për të. Së fundmi po i njëjti problem hoqi nga gjithi i këtij klubi një nga lojtarët më premtues. Flasim për Antonio Puertën që humbi jetën në 2007. Kësaj here tifozët që shkuan për të ndjekur një ndeshje në “Sanchez Pizjuan” panë teksa 23-vjeçari u shtri përdhe. Puerta humbi jetën pak ditë më vonë në spital, ndërkohë që tifozët çdo minutë të 16-të kujtojnë më mënyrën e vet Puertën që mbante pikërisht atë numër në fanellë.

 

Ditët e sotme

Me hyrjen e mijëvjeçarit të ri, Sevilja arriti një numër të madh suksesesh. Me Huande Ramos si teknik dhe bombera si Luis Fabiano dhe Frederik Kanute fitoret u kthyen në një “ves” për andaluzët. Këta të fundit fituan Kupën dhe Superkupën e Spanjës gjithashtu në arenën evropiane ata triumfuan dy herë në Kupën UEFA dhe një herë në Superkupën e Evropës. Ndërkohë që vjet u shpallën dhe njëherë fitues të Europa Ligë.

 

Mentaliteti fitues

Meritë të veçantë kishte edhe drejtori sportiv i këtij klubi, Monki. Ish-portieri i Seviljes, pasi mori këtë detyrë, përmirësoi ekonomikisht klubin. Premtimi i tij ishte i thjeshtë: “Të blejmë lojtarë të lirë ose t’u japim besim të rinjve më pas t’i zhvillojmë e t’i shesim shtrenjtë”. Falë këtij lloj menaxhimi janë shitur lojtarë si Serxho Ramos, Adriano, Hulio Baptista dhe Dani Alves., apo duke vazhduar së fundmi me Ivan Rakitiç.

 

Stadiumi

Stadiumi ku luan takimet e veta Sevilja quhet “Sanchez Pizjuan” dhe ka një kapacitet prej 45.000 spektatorësh. Ky impiant u bë i famshëm në 1982 pasi në të u luajt sfida e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Gjermanisë Perëndimore dhe Francës. Një tjetër takim kyç i luajtur aty është edhe finalja e Kupës së Kampioneve (në 1986) mes Barcelonës dhe Steauas së Bukureshtit. Këta të fundit fituan atë sfidë me penallti duke u dhënë një “grusht” të fortë pretendimeve të katalanasve.

 

Skeda

Qyteti: Sevilja

Data e lindjes: 14 tetor 1905

Titujt:

1 Kampionat Spanjoll: 1944/45

6 Kupa Spanje: 1935, 1939, 1948, 2007, 2010

1 Superkupë Spanje: 2007

3 Kupa UEFA: 2006, 2007, 2014

1 Superkupë Evrope: 2006

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here