Gunar Nordahl, nordiku që “ndezi” Milanon

0
126

Gunar NordahlIbrahimoviçi dhe treshja e formuar nga Gulit, Rijkard dhe Van Basten janë një pjesë e mirë e historisë së Milanit. Edhe pse kanë kontribuar shumë për këtë ekip, ata nuk mund të konsiderohen si “origjinalë”. Në fakt, për disa tifozë të Milanit ata janë një “deja vu” e së kaluarës. Në fund të viteve ’40, në Milano mbizotëronte një tjetër suedez. Flasim për Gunar Nordahlin, i cili me golat që ka shënuar, ka shkruar historinë e “djallit” kuqezi. Falë tij, kjo skuadër formoi edhe një tjetër treshe. Së bashku me Nils Lied’holmin dhe Gunar Grenin dërguan dy herë “scudetto”-n në Milano.

 

Marrë nga FIFA.com

Zllatan Ibrahimoviçi nuk është i vetmi suedez që ka bërë për vete Italinë. Vite më parë Serinë A edhe një tjetër suedez ia ka dalë që të mahnitë sportdashësit në vendin fqinj… Në moshën 27-vjeçare, një zjarrfikësi iu desh që të zbriste për herë të fundit nga shtylla e emergjencës. I riu i dha lamtumirën kolegëve të tij, pasi kishte gjetur punë diku tjetër. Ai la shtëpinë e vogël në Suedi (ku jetonte me prindërit dhe nëntë vëllezërit) për t’u transferuar në kryeqytetin e modës. Pasi u transferua në Milano, atij iu ofrua një apartament luksoz në njërën prej lagjeve më me famë. Por skandinavi nuk kishte harruar origjinën dhe preferoi që të banonte në një pallat në periferi. Edhe në ditën e parë të punës ai ra në sy, pasi ndryshe nga tërë kolegët e tjerë (vishnin xhaketa “Brioni”, mbanin orë “të kripura” si dhe këpucët i kishin bërë të porositura në dyqanet më të shtrenjta) shkoi në punë i veshur me një fanellë me mëngë të shkurtra dhe një palë pantallona shumë të lira. Djali i lindur në pjesën lindore të Suedisë, në Hornefors, nuk kishte shumë pretendime. Mes tërë atyre futbollistëve ai binte shumë shpejt në sy. Në një ditë “gri” të janarit 1949, ai filloi të mendonte se si do të ishte e ardhmja në Lombardi. “Gjeta një tjetër botë, – tregoi skandinavi pak më vonë. – Nuk e dija nëse do të përshtatesha me atë mënyrë jetese”. Përballë shokëve të ekipit, suedezi vuante shumë. Jashtë vendit të punës ai ndihej si jashtë “kontekstit”. Por në “zyrë” ishin ata që e rrethonin që ndiheshin inferiorë. Pikërisht në “zyrën” që ndodhej në zonat e rreptësisë së kundërshtarëve, Gunar Nordahl ishte kthyer në një “djall” të pashpirt. Qendërsulmuesi shënoi 210 gola në 257 ndeshje të luajtura në Serinë A. Gjatë kohës që luajti në Itali, ai u shpall për pesë herë si “topçiu” i vitit. Edhe tani asnjë bomber nuk mundur që të marrë kaq shumë herë këtë çmim. Skandinavi me golat e tij dërgoi dy herë “scudetto”-n në Milano. I pari kampionat theu një tabu të vërtetë. Milani kishte plot 44 vite që nuk festonte… por pa atë që luftonte me flakët çdo ditë nuk ishte një sipërmarrje e madhe. Një të tillë ai bëri pak muaj para se të kalonte tek Milani. Themi kështu pasi skandinavit për t’u bërë “një djall” iu desh që të “thyente” një sërë rregullash të vendit të vet. Me kalimin në Itali ai u bë edhe lojtari i parë suedez që mori statusin e profesionistit.

 

Si filloi gjithçka

“Përralla” filloi më 19 tetor të 1921. Dita kur familja e varfër Nordahl priti Gunarin. I ati i tij për të rritur dhjetë fëmijët punonte pa pushim në një fabrikë druri ndërkohë që e ëma u detyrua të edukonte vogëlushët në një ambient të papërshtatshëm. Skamja në atë familje ishte aq e madhe sa që pesë djemtë, që më vonë gati të tërë u bënë të tërë futbollistë, luajtën me topa lecke. Gunari ishte vetëm tetë vjeç kur filloi që të godiste një top të vërtetë futbolli. Në shkollë ai spikati pasi me fizikun e fortë dhe teknikën e lartë që kishte kalonte mjaft lehtë bashkëmoshatarët e tij. Ndërkohë që vitet e adoleshencës, Gunari i kaloi në një fabrikë birre. Por me kalimin e kohës të tërë e kuptuan se vendi i tij ishte në fushat ë lojës aty ku i “dehte” tifozët me golat që bënte. Shtatlartë dhe shumë i fuqishëm, Gunari që në moshën 16-vjeçare debutoi me skuadrën lokale të Horneforsit. Aty ai luajti tri sezone: në 41 ndeshje që luajti ai shënoi 68 gola. Më pas ai iu bë një lojtarë i Degerfors. Me këtë skuadër Gunari vazhdoi që të shënonte me lehtësi në ligën e parë të Suedisë.

 

Shtatë në një

Në 1944-n Gunari krahasohej në Suedi me një krijesë jashtëtokësore për “faj” të zhvillimit që kishte marrë (ishte i gjatë 1.81 metra dhe peshonte 95 kilogramë). Tanimë ai ishte kthyer në makthin e tërë kundërshtarëve, pasi në zonat e rreptësisë me goditjet që bënte nuk i linte asnjë rrugë dalje ekipeve që kishte përballë. Ai ishte i fortë si në luftën në ajër ashtu edhe në atë që bëhej në zonat e vogla. Po atë vit Gunari, në një ndeshje përballë Malmoes, goditi aq fort topin sa që ku i fundit çau rrjetën dhe u përplas fuqishëm tek tifozët. Pas këtij episodi, skuadra kampione e Suedisë në atë kohë bëri gjithçka për të marrë shërbimet e Gunarit. Firma e tij ne kontratën e re brenda një kohë mjaft të shkurtër u regjistruara në Federatën Suedeze të Futbollit. Kështu ekipi IFK Norkoping (skuadra e re e gjigantit) mundi konkurrencën, pasi i ofroi Nordahlit një vend pune si zjarrfikës në qytet.

Me ekipin e ri, IFK-në, Gunari shënoi 87 gola në 85 ndeshje që luajti në kampionat. Qendërsulmuesi ishte lojtari që udhëhoqi këtë ekip drejt katërt titujve kampionë. Në tërë katër vitet që luajti me këtë skuadër, Gunari fitoi në fund edhe titullin si golashënuesi më i mirë. Asnjë nuk ia ka dalë të fitojë kaq shumë herë “Këpucën e Artë”. Askush nuk ja ka dalë që të shënojë më shumë se shtatë gola në një takim të vetëm. Një sipërmarrje të tillë Gunari e arriti në 1945-n kur me performancën e tij “verboi” Djugardenin në një takim që u fitua nga skuadra e tij me rezultatin e thellë 11-1.

 

Aventura në Olimpiadë

Përveç golave që ka shënuar me klubet, Nordahli ia ka dalë që të lërë shenjë edhe në kombëtare. Me fanellën e Suedisë veshur ai debutoi në 1942. Ai ka shënuar plot 43 gola në 33 ndeshje. Pikën më të lartë ai e arriti gjatë Olimpiadës që u mbajt në Londër më 1948-ën. Para se të fillonte turneu të gjithë njihnin lojtarë si Ernst Okvirk (ishte njëri prej magjistarëve të Austrisë), Xhon Hansen dhe Fas Uilkes (respektivisht udhëhiqnin Danimarkën dhe Holandën). Ata ishin favoritët për të mahnitur skenën. Ndërkohë që për Suedinë askush nuk dinte asgjë. Kështu Nordahlit iu deshën vetëm dhjetë minuta për të habitur tërë botën. Ai Brenda këtij afati të shkurtër kohorë i shënoi dy gola Austrisë në një ndeshje që u fituat 3-0 nga Suedia. Pas këtij takimi skandinavët shkatërruan, 12-0, në çerekfinale skuadrën e Republikës së Koresë. Më tej në gjysmëfinale radhën e pati Danimarka që nuk bëri shumë rezistencë pasi u mposht nga Suedia 4-2. Në atë turne finalja e madhe u mbajt në “Ëmebley”-n mitik (ishin të pranishëm 60.000 fansa). Rivalja e fundit për Suedinë ishte Jugosllavia që ashtu si të tjerat kapitulloi pa kushte pasi u mund 3-1. Njëri prej tre golave të verdhebluve mbajti firmën e Nordahlit që në atë kompeticion u shpall golashënuesi më i mirë pasi shënoi plot 7 rrjeta.

“Nordahli ka lindur për të shënuar gola”, – tregoi në atë kohë zëvendëstrajneri i ekipit që fitoi medaljen e artë, Xhorxh Rajnor. Ai nuk ishte shumë atlet. Ai ishte shumë inteligjent. Ai e gjente menjëherë një të çarë ku të fuste topin në rrjetë. Madje mund të shënonte lehtësisht edhe më sy mbyllur. Nëse do ta kishim atë edhe në 1950, jam shumë i sigurt se do të merrnim më shumë se sa ai vend i tretë (Suedia mori medalje bronzi pasi u rendit pas Uruguait dhe Brazilit në Kupën e Botës që u mbajt pikërisht në Uruguai). Për fat të keq vendimi që mori Nordahli në 1949 për të lënë Suedinë rezultoi fatal për të pasi nuk do të kishte më mundësi që të përfaqësonte shtetin e tij në arenën ndërkombëtare. Kjo masë u mor nga bashkatdhetarët e tij që në atë kohë u penduan pasi përfituan shumë. Në fakt shuma që i pagoi Milani për të ishte e lartë, si dhe numri i lojtarëve suedezë që kaluan në Itali.

 

Në Itali

Aventura në Itali ka qenë mjaft e suksesshme për suedezin që ka lënë gjurmë të thella në Serinë A. Ai debutoi në vendin fqinj në një ndeshje mes Milanit dhe Pro Patrias (3-2) dhe natyrisht shënoi një gol. Ai shënoi 16 të tillë në 15 takime e para të edicionit 1948- 1949. Kjo “shfaqe” bindi Milanin që vetëm pas gjashtë muajsh “bashkëjetesë” t’i ofrojë një tjetër kontratë suedezit që nga ana e tij pranoi pasi iu plotësuan të gjitha kushtet. Njëri prej tyre ishte edhe ai që parashikonte afrimin e dy lojtarëve të tjerë nga Suedia.

 

Treshja suedeze

Kështu në vitin 1951 dhe ‘54 në Itali mbizotëroi treshja e quajtur Gre-No-Li. Tek kuqezinjtë përpos Nordahlit kaluan edhe Nils Lied’holm dhe Gunar Gren. në ato dy vite skuadra kuqezi fitoi edhe “scudetto”-n e famshme. “Gren, Lied’holm dhe unë merreshim vesh me telepati. Mendoj se kjo gjë lindi pasi ne jemi stërvitur shumë vite bashkë“, tregoi pak vite më vonë “Il Bisonte” (Bizoni). “Unë kur shkova në Itali kuptova se manovra e skuadrave ishte më pak e avancuar në krahasim me ekipet në Suedi. Kështu u mundova që të përfitoja nga hapësirat që linin bosh mbrojtësit Italian. Lied’holm dhe Gren gjithmonë më kanë dhënë krose të mrekullueshme kështu për mua ishte shumë e lehtë që të shënoja”.

 

Shuhet zjarri

Gjatë sezonit më të vështirë që kaloi në Itali, 1949/50, Nordahl arriti që të shënonte 11 nga 35 golat (rekord i pasluftës që ende nuk është thyer nga askush) me roveshatë. Pak vite më pas, Gren (së bashku me dy suedezët e tjerë kaloi tek Roma) do të thoshte: “Ai e godet topin me aq fuqi saqë edhe pot ë gjuante me këmbën më të dobët (të majtën) do të shënonte me lehtësi. Ai ka shënuar në të gjithë mënyrat. Ai përpos golave spektakolarë shënonte edhe ato më të lehtë. Ai bënte disa lëvizje që në atë kohë sulmues të tjerë as që i mendonin. Ai ka qenë një nga golashënuesit më të mirë të tërë kohërave”. Në fakt, bashkëkombësi i tij nuk ka e ka shumë gabim pasi më mirë se Nordhali (225) në Serinë A ka bërë vetëm Silvio Piola (ka shënuar në 15 sezone 274 gola). Në fakt italiani i qëndron pak prapa pasi Nordahli ka pasur më pak ndeshje në dispozicion. Suedezi ka një mesatare të admirueshme pasi kë shënuar 0.77 gola për takim. Ndërsa për Suedinë këto statistika janë edhe më të rëndësishme, pasi shkojnë tek 1.3 gola për ndeshje. Në shtator të 1995-s u shua edhe zjarri i jetës së Nordahlit. Gjithsesi, legjenda e tij do të vazhdojë që të jetojë në Suedi dhe Milano. Bashkë me të do të qëndrojnë edhe rekordet që ka lënë “zjarrfikësi” më në modë i Milanos.

 

Skeda

Ditëlindja: 19 tetor 1921

Vendlindja: Hornefors, Suedi

Roli: Sulmues

 

Klubet

Hornefors (1937-40), Degerfors (1940-44), IFK Norrkoping (1944-49), AC Milan (1949-56), Roma (1956-58)

 

Kombëtarja

33 prezenca, 43 gola të shënuar

 

Çmimet e fituara

1 Medalje Ari në Lojërat Olimpike Londër 1948

4 tituj kampion në Suedi (1945, 1946, 1947, 1948)

2 Tituj kampion në Itali (1951, 1954)

4 tituj si Swedish Championship top scorer awards (1943, 1945, 1946, 1948)

5 Italian Championship top scorer awards (1950, 1951, 1953, 1954, 1955)

 

A e dini se?

  • Gjatë kohës që drejtoi skuadrën e Degerforsit, për të cilën edhe ka luajtur, Gunar Nordahl “lançoi” edhe djalin e tij Tomas në 1964-ën. Mesfushori veshi fanellën e Suedisë në botërorin që u mbajt në Meksikë 1970
  • Në 1950, një mbrojtës i Juventusit u rrëzua teksa po përpiqej që të ndiqte Nordahlin. Ky i fundit në atë moment, edhe pse ishte i vetëm përballë portierit, nuk vazhdoi aksionin. Ai goditi topin jashtë dhe u kthyer prapa për të parë si ishte kundërshtari
  • Katër nga pesë djemtë e familjes Nordahl u bënë futbollistë, ndërkohë që tre prej tyre kanë veshur edhe fanellën e Suedisë
  • Në Lojërat Olimpike të 1948-ës, ai bëri një lëvizje që për kohën nuk ishte parë ndonjëherë. Duke parë se ishte shumë vonë për t’u kthyer në pozicion të rregullt, Gunar Nordahl u strehua pas rrjetës së Danimarkës. Me këtë lëvizje ai nuk ndali aksionin që finalizoi me gol Henri Karlson.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here