Vendimi/ Basha: Nuk kandidoj për Tiranën, përballjen e kam me Ramën. Drejtoj opozitën për fitore

0
114

Gëzim Saliu

Nuk kandidoj për Tiranën “4 vjet më parë, kur u përballa me Ramën për Tiranën, kam shprehur bindjen se kryetari i opozitës nuk duhet të rikandidojë për kryebashkiak. E kam thënë, i qëndroj kësaj bindjeje”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se nuk do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Duke bërë të ditur se do të drejtojë opozitën me synim largimin e qeverisë, kryedemokrati theksoi se ai mbajti fjalën që kishte shprehur katër vite më parë në garën me Ramën. “Katër vjet më parë, kur unë u përballa me Edi Ramën për Bashkinë e Tiranës, kam shprehur një bindje se kryetari i opozitës nuk duhet të rikandidojë për kryebashkiak. E kam thënë, i qëndroj kësaj bindjeje, është fjala ime dhe nuk i dal fjalës sime, i kam pasur për kundërshtarin dhe i kam edhe sot për vete. Nuk ka asnjë kundërthënie me ato çfarë unë kam thënë e kam bërë. Sot ndodhem unë në të njëjtën pozitë, u zgjodha në mes të mandatit të kryebashkiakut si kryetar i PD, ndaj ndodhem si kundërshtari im para katër viteve. Kam vendosur të mos kandidoj për kryebashkiak për të drejtoj opozitën. Misioni im tani është të drejtoj opozitën në largimin e qeverisë së lakut në fyt”, – deklaroi Basha.

 

Qëndrimi

Sipas kreut të PD-së, Bashkisë së Tiranës i duhet një kryetar me kohë dhe përkushtim të plotë, ndërkohë që misioni i tij tashmë është në krye të opozitës, për largimin e qeverisë. “Përballjen unë e kam me Kryeministrin. E kam mundur për garën e Bashkisë, do ta mundim në garën për të gjitha bashkitë dhe për qeverinë”, – tha ai. Më tej, kreu i demokratëve tha se kandidati i PD-së do të jetë një personalitet dhe se do të ketë mundësinë të punojë në krye të një Bashkie që ka planin e vet. “Në nderim të bashkëqytetarëve të mi, të qytetit të Tiranës, në nderim të banorëve të ish-komunave që i janë bashkëngjitur këtij qyteti, dua që kandidati i Partisë Demokratike të jetë një personalitet që t’i përkushtohet me kohë të plotë drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Partia Demokratike ka disa personalitete të tilla, që meritojnë votën e qytetarëve të Tiranës. Kandidati i ri fitues për Bashkinë e Tiranës ka avantazhin e madh që do të punojë në një qytet i cili sot ka kushtetutën e vet urbane, planin e vet urban, ka master-planin në zbatim të Tiranës së shekullit XXI, Tiranës moderne dhe evropiane, me projekte të mëdha, projeksionet e të cilave kanë hedhur themelet, po marrin formë dhe po hedhin shtat pavarësisht prej përpjekjeve për t’i vonuar, por që nuk i ndalojnë dot, të një Kryeministri xheloz”, – u shpreh Basha. Më tej, ai theksoi se ishte i bindur se në zgjedhjet e 21 qershorit garën për Bashkinë e kryeqytetit do ta fitojë kandidati i së djathtës. “Qytetarët e Tiranës meritojnë vëmendjen e plotë dhe të pandarë të kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, do ta kenë këtë vëmendje të plotë e të pandarë dhe bashkë me kryetarin e ri demokrat të Bashkisë së Tiranës, do të dimë të finalizojmë projektin e Tiranës së shekullit XXI, projektin e Tiranës moderne dhe evropiane. Kam bindjen dhe besimin se fashën e kryebashkiakut dhe stafetën do ia dorëzoj kryebashkiakut demokrat që do të çojë drejt finalizimit këto projekt”.

 

Kandidatët e propozuar nga PD-ja për garën e Tiranës, ja cilët janë favoritët

Vendimi i kryedemokratit Basha për të mos kandiduar për Bashkinë e Tiranës u hapi rrugë kandidaturave të tjera brenda partisë për të garuar brenda tyre për të zgjedhur në fund emrin e përbashkët. Deri më tani, baza e PD-së ka propozuar disa emra, mbi bazën e të cilëve do të zgjidhet në fund nga kryesia dhe konsultimi me aleatët emri përfundimtar. Ndër emrat e propozuar janë ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PD-së Halim Kosova, deputetet Jorida Tabaku dhe Majlinda Bregu, ligjvënësi demokrat Gert Bogdani, si edhe koordinatorja për marrëdhëniet me publikun Grida Duma. Të pestë këta emra pritet të shqyrtohen nga kryesia e PD-së së Tiranës, e cila më pas, në bazë të sondazheve brenda partisë dhe vendimit të kryedemokratit Basha në konsultim me grupin, do të përzgjedhë kandidatin e përbashkët të opozitës në garën për Bashkinë e kryeqytetit.

 

Reagimi/ PS: Basha nuk ishte asnjë ditë kryebashkiak

Partia Socialiste reagoi dje pas vendimit të shpallur dje nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, për të mos rikandiduar në garën për Bashkinë e Tiranës. Deputetja Blerina Gjylameti tha nga selia e PS-së se Basha e kishte marrë me kohë vendimin e moskandidimit, pasi, sipas saj, nuk mbajti asnjë premtim nga ato që dha në vitin 2011. “Lulzim Basha nuk ka qenë asnjë ditë kryebashkiak i Tiranës, por thjesht një individ që mbajti për 4 vjet karrigen e kryetarit të Bashkisë dhe do të lërë gjurmë në kryeqytet si njeriu që s’bëri asgjë. Thjesht asgjë! Natyrisht, të gjithë ne do të donim ta dëgjonim Lulin që krahas vendimit për mosrikandidim të bënte edhe një bilanc të punës së tij. Por bilancin ia kanë bërë tashmë qytetarët. Pas 21 qershorit Bashkia e Tiranës do të ketë një kryetar të ri dhe ky makth i quajtur Lulzim Basha do të mbarojë duke i hapur rrugë mirëqeverisjes, zhvillimit, por edhe normalitetit që kaq shumë ka munguar në këta 4 vjet”, – tha Gjylameti

 

Kundërpërgjigjja/ Bashkia e Tiranës: Bashën nuk e lidh asgjë me standardin e Ramës

Pas deklaratës së djeshme të deputetes socialiste, reagoi Bashkia e Tiranës, e cila theksoi se Rama ishte njeriu që betonizoi kryeqytetin. “Lulzim Bashën nuk e lidh asgjë me standardin e Edi Ramës, si kryebashkiaku që betonizoi Tiranën dhe Kryeministri që kriminalizoi shtetin, thelloi varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë për çdo familje shqiptare. Në 2 vjet, Bashkia Tiranë përfundoi planin urbanistik, realizoi më shumë punë publike se Edi Rama në 8 vjet, ndërtoi rrugë atje ku s’ka pasur investime për 20 vjet, mbylli plagë që dergjeshin prej dekadash pak metra larg zyrës së Edi Ramës, ndërtoi dhe rindërtoi shkolla, kopshte dhe çerdhe që rrezikonin të shembeshin, sepse kryetari i partisë nuk e kishte mendjen tek qytetarët”, – thuhej në reagimin e Bashkisë, duke i kujtuar Ramës zgjedhjet e 21 qershorit ku, sipas saj, qytetarët e Tiranës do ta ndëshkojnë me votë politikën bllokuese.

 

 PR i jep 10 ditë kohë PD-së: Ndryshe do dalim me kandidatë në 61 bashki

Partia Republikane i dha dje 10 ditë kohë Partisë Demokratike për të firmosur një marrëveshje me shkrim për zgjedhjet e 21 qershorit. Në qoftë se kjo nuk do të ndodh, asambleja kombëtare e kësaj partie është ë gatshme të zgjedh 61 kandidatët për 61 bashkitë e vendit. “PR prej kohësh i ka kërkuar PD-së më se një herë marrëveshje me shkrim pa pasur një përgjigje konkrete. Asambleja brenda 10 ditëve bazuar mbi propozimin e kryesisë do të përcaktojë kandidatët që do të garojnë për 61 bashki” tha nënkryetari Arjan Madhi. Më tej ai bëri të ditur se  nuk ka ende një ftesë nga selia blu, duke i cilësuar tejet të vonuara përgatitjet për zgjedhjet.  “PR ende nuk ka asnjë ftesë sa i takon prezencën e saj në një takim të mundshëm. Nëse PD ka gjykuar që këtë tryezë ta thërrasë me partner të tjerë të koalicionit kjo është çështje e PD-së. Por PR shpreh gadishmërinë dhe të përfshihet në diskutim me PD-në”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency