Urdhër arresti ndërkombëtar/ Këshilli pranon kërkesën e Prokurorisë, Frroku: S’kam vrarë asnjë, babai ecën sipas zakoneve

0
113

Gëzim Saliu

keshilli i mandateve, Frroku Debatet në Këshill mes Metës dhe opozitës, Ristani dhe Halimi: S’duhet ta drejtosh ti mbledhjen. Kryeparlamentari: Po deshët, largohuni ju. Në seancën e nesërme do të ketë dy raporte

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranon kërkesën e Prokurorisë për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Në mbledhjen e djeshme, ku nuk munguan debatet mes deputetëve demokratë dhe Kryeparlamentarit Meta, të gjitha palët u shprehën dakord për kërkesën e Prokurorisë, por si herën e parë në Kuvend do të paraqiten dy raporte, njëri i mazhorancës dhe tjetri i opozitës. Në mbledhjen e cila zgjati thuajse 90 minuta anëtarët e Këshillit dëgjuan palën mbrojtëse të deputetit Frroku dhe përfaqësuesit e Prokurorisë lidhur me kërkesën e organit të akuzës, që kërkon lejen e Parlamentit për arrestimin e tij. Avokatët e Mark Frrokut kërkuan rrëzimin e kërkesës e Prokurorisë, pasi, sipas tyre, ajo nuk shoqërohet me prova, por edhe me argumentin se është shkelur procedura, duke u anashkaluar tërësisht Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë që Prokuroria u tregua e rezervuar lidhur me sekretin hetimor, gjë e cila solli edhe një debat me deputetin e PD-së Arben Ristani. Ky i fundit kërkoi nga organi i akuzës që krahas relacionit të paraqisnin një dokument, i cili vërtetonte urdhër-arrestin e palës belge, gjë e cila nuk u pranua nga përfaqësuesja e Prokurorisë në mbledhje. “Si na e provoni që ju ka ardhur shkresa për arrestin ndërkombëtar? Shkresat çfarë përbajnë, çfarë lidhjeje kanë me deputetin Frroku? A ka mundësi të shohim se ajo që thoni ju këtu është e njëjta me ato që ju kanë ardhur në shkresë?”, – pyeti sekretari i përgjithshëm i PD-së. Në përgjigje përfaqësuesja e Prokurorisë, tha: “Interpol Tirana na solli urdhër-arrestin ndërkombëtar më 27 mars pasdite. Informacioni që fshihet është konfidencial dhe nuk mund ta bëj publik. Bëhet fjalë për urdhër-arrest ndërkombëtar. Dokumentet që kemi janë të institucioneve ndërkombëtare dhe nuk besoj që institucionet ndërkombëtare të lëshojnë dokumente, vërtetësinë e të cilave mund ta vëmë në dyshim”.

 

Deklarata e Frrokut

Ndërkaq, deputeti Mark Frroku duke folur para Këshillit të Mandateve deklaroi se se nuk ka kryer asnjë vrasje, duke theksuar se në kohën kur ka ndodhur krimi ka qenë në Shqipëri, dhe jo në Belgjikë. “Nuk kam vrarë asnjë njeri dhe nuk kam bashkëpunuar me askënd për vrasjen e askujt. Sa i përket dëshmitarit kyç, unë nuk kam lidhje me atë çështje. Çështja e sotme më përket mua dhe për këtë do të jap përgjigje para jush. Është e vërtetë se familjarët tanë kanë pasur një takim, shumë i vonshëm, jo më shumë se një vit e ca, se babai im është 85 vjeç dhe ecën me të drejtën zakonore, unë do të eci me të drejtën e ligjit. Jam i gatshëm të përgjigjem për çdo gjë që mund të pyesni. Sa i takon Interpolit, unë jam kthyer në 22 shkurt nga Amerika e Veriut, kam udhëtuar nëpërmjet vendeve Shengen dhe nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë as këtu as në vendet Shengen”, – tha ai.

 

Përplasja

Në mbledhjen e djeshme nuk munguan debatet mes Kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të opozitës, ku këta të fundit kërkuan që të mos ishte ai drejtuesi i mbledhjes, pasi, sipas Halimit dhe Ristanit, Meta ka konflikt të hapur interesi me çështjen. “Kërkesa e dytë ka të bëjë me kërkesën e papajtueshmërisë për drejtimin nga ana juaj të kësaj mbledhjeje. Frroku rol kyç në akuzat që janë bërë ndaj jush nga deputeti Doshi. Kemi bërë kërkesë zyrtare”, – u shpreh Halimi. Në të njëjtën linjë kolegu i tij Ristani pohoi në mbledhje: “Çështja ka qenë nën dijeninë tuaj që para gjashtë muajsh, u mbajt e fshehur nga ju, jeni përpjekur t’i devijoni hetimet me veprime konkrete. Keni qenë në dijeni të procesit që në fillim të janarit. Ju ka akuzuar Doshi se keni porositur vrasjen, Frroku ka qenë në dijeni dhe ju jeni përpjekur për t’i devijuar hetimet te Berisha”. Në përgjigje të deklaratave të deputetëve demokratë, Kryeparlamentari tha se kërkesa e tyre nuk kishte lidhje me rendin e ditës. “Unë nuk kam ndërmend të largohem, ju po të doni të largoheni, largohuni. Konfliktin e interesit le ta gjykojnë ata që na ndjekin. Do të bësh konferencë shtypi, shko te SHQUP-i”, – u shpreh Meta.

 

Çfarë do të ndodhë me Frrokun pas vendimit në Parlament

Mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi me Belgjikën ka detyruar Prokurorinë Shqiptare të bëjë regjistrim të procedimit penal për deputetin Mark Frroku në Shqipëri. Për Frrokun ka nisur hetimi dhe në rast se Kuvendi jep autorizimin, do të vendosë vetë Prokuroria Shqiptare se çfarë do të bëjë me të, pasi në Belgjikë nuk ka një vendim të masës së prerë. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, prokurorët sqaruan se çfarë do të ndodhë me Frrokun për çështjen e vrasjes. “Në momentin që institucionet na kanë njoftuar, është e detyruar të bëhej regjistrimi i procedimit penal kur subjekti është i paekstradueshëm, si në rastin konkret. Në dëm të deputetit dhe njërit të bashkëpunëtorëve të tij. Pavarësisht se çështja atje është në proces ne jemi të detyruar ta regjistrojmë. E lejon vazhdimin e procesit deri në momentin kur në shtetin tjetër nuk është dhënë një vendim i formës së prerë”, – shpjegoi prokurorja para deputetëve të Këshillit dhe vetë Mark Frrokut.

 

Avokatët e Frrokut: Mos miratoni autorizimin, praktikë antiligjore

Avokatët e deputetit Marko Frroku, Gjokutaj dhe Visha, u kërkuan deputetëve dje në mbledhjen e Këshillit të mos miratonin autorizimin për arrestimin klientit të tyre. “Kërkesës nuk i është bashkangjitur asnjë dokument shoqërues apo prova. Nuk mund të rrimë indiferentë dhe të regjistrojmë një procedim penal thjesht nga një opinion. Nuk mundemi që në kuadër të dekriminalizimit të aprovohet çdo kërkesë”, – tha Visha. Në të njëjtën linjë, avokati tjetër Gjokutaj theksoi në fjalën e tij para deputetëve se për të dhënë një autorizim duhet që minimalisht të kesh fakte. “Prokuroria mund të vijë sërish nesër me një akuzë tjetër. Përse kërkohet ky autorizim? Kështu siç po veprohet, do vijë momenti që t’i lihet në dorë Prokurorisë të procedojë deputetët”, – u shpreh ai.

 

Debatet me Prokurorinë, përplasja e Metës me dyshen Ristani-Halimi

 Ristani: Ju ka akuzuar Doshi se keni porositur vrasjen, Frroku ka qenë në dijeni dhe ju jeni përpjekur për t’i devijuar hetimet te Berisha. Kërkesa belge për Frrokun ka qenë e njohur në janar, ju e keni fshehur për të manipuluar hetimet. Prandaj ju keni konflikt interesi duhet të largoheni.

Meta: Unë nuk kam ndërmend të largohem, ju po të doni të largoheni, largohuni. Do të bësh konferencë shtypi, shko te SHQUP-i, nuk kemi ardhur të dëgjojmë ty, fut kasetën ti…

Halimi: Ka konflikt interesi, se këta zotërinj të kanë akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Derisa vazhdojnë hetimet për këtë çështje, ju duhet të largoheni. Ne nuk largohemi, këtu do vazhdojmë.

Ristani, Prokurorisë: Si na e provoni që ju ka ardhur shkresa për arrestin ndërkombëtar? Shkresat çfarë përmbajnë, çfarë lidhjeje kanë me deputetin Frroku? A ka mundësi të shohim se ajo që thoni ju këtu është e njëjta me ato që ju kanë ardhur në shkresë?

Prokuroria: Kërkesat tona dhe materialet shoqëruese janë përmendur në relacion, unë nuk mund t’i vë në dispozicionin tuaj, por në dispozicion të Prokurorisë. Dokumentet që ne kemi janë të institucioneve ndërkombëtare. Nuk besoj që vërtetësia e tyre të vihet në dyshim nga askush prej nesh.

Ristani: Dua të shikoj nëse ju jeni korrekt në kërkesën tuaj apo jo, se s’kam si ju besoj apriori.

Meta: Ata janë institucion i pavarur. Nuk mund të detyroj Prokurorinë të japë përgjigjet që duam ne, ne do të gjykojmë.

Ristani: Unë e di që doni ta prishni këtë mbledhje dhe ndaj të kërkuam dorëheqjen, se ke konflikt interesi dhe do të mundohesh t’i mbrosh.

Islami: Ju e keni marrë në datë 27 nga Interpol Tirana dhe në 28 nga Ministria e Drejtësisë. Ka mjaftuar kaq pak kohë për të studiuar dosjen?

Prokuroria: Materiali që vjen nga Interpoli, është urdhër i kërkimit ndërkombëtar, nuk është material jo shumë voluminoz.

Islami: Ka një datë kur është lëshuar ky urdhër?

Prokuroria: Edhe data është sekrete, është pjesë e urdhrit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency