Skandali/ “Frroku”, dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Policisë, fshehu dosjen e Interpolit

0
120

dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i PolicisëArtan Didi kishte dijeni për dosjen që ndodhej në zyrat e Interpolit, por nuk veproi. Mbeten mister veprimet e kryepolicit Didi përballë eprorit të tij, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri

Policia e Shtetit është përfshirë ditët e fundit në një skandal që është pagëzuar me emrin çështja “Frroku”. Ndërsa prej ditësh në shtyp diskutohej prania e një dokumenti në zyrat qendrore të Interpol Tiranës, ardhur nga drejtësia belge, askush nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, ashtu edhe vetë ministri i Brendshëm nuk dhanë mesazhin e duhur. Ata nuk pranuan se dokumenti ekzistonte që prej datës 8 janar. Po kështu, askush nuk foli për faktin se Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por dje ndodhi ndryshe. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, në orët e para të mëngjesit të djeshëm depozitoi në zyrën e Kryeministrit dorëheqjen e parevokueshme. Dhe kjo dorëheqje erdhi disa orë pas arrestimit të dy zyrtarëve të Interpolit, shefit të Interpol Tiranës, Artan Bajraktari, dhe specialistës Loreta Alla, të cilët mesnatën e së hënës, rreth orës 12:00, u ndaluan dhe u shoqëruan në polici për fshehje të së vërtetës. Pas tre muajsh që dokumentet e shtetit belg ndodheshin në zyrat e Ministrisë së Brendshme, nuk dihet arsyeja se përse ato u verifikuan pikërisht pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në arrest me burg Mark Frrokun. Pra, materialet dolën në dritë menjëherë pas vendimit të parë ndaj Frrokut, i cili ishte përfshirë në një tjetër skandal të pagëzuar në këtë rast me emrin “Doshi”.

 

Deklarata e plotë e Didit

“Modelin e punës që u mundova të fusja në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes, kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe të asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që ti drejton. Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi në njëfarë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin. Për këtë arsye, duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke e vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Punonjësit e ndershëm të Policisë të më gjykojnë për këtë vendim!”, – shkruan Didi në kërkesën për dorëheqje drejtuar ministrit Tahiri dhe Kryeministrit Rama. Por në këtë deklaratë duket qartë se drejtori Didi nuk ka pasur rrugë tjetër. Dorëheqja ishte më e pakta që mund të bënte të besueshme deklaratat e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili duket më se i rrezikuar nga ky rast. Ministri i Brendshëm, si eprori direkt i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ka dijeni të plotë për çdo dokument që vjen nga autoritetet e vendeve të ndryshme, aq më shumë kur bëhet fjalë për vende të Bashkimit Evropian si Belgjika.

 

Arrestimi

Mesnatën e së hënës, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme zbatoi urdhrin e Prokurorisë për të ndaluar drejtorin e Interpolit, Artan Bajraktari, dhe specialisten Loreta Alla. Burime të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se ata u prangosën nën akuzën se nuk i kishin përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë apo institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit kërkesën e Interpolit Belg për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku. Burime të besueshme të Policisë bëjnë me dije se arsyeja e shkarkimit është e lidhur pikërisht me këtë çështje. Sipas të njëjtave burime, Bajraktari e ka vënë në dijeni Didin për shkresën e mbërritur më 8 janar të këtij viti nga zyra e Interpolit Belg dhe për materialet shtesë të ardhura po nga kjo zyrë më 23 janar. Ka dyshime se Didi ka ndikuar që këto shkresa të mos u përcillen organeve të drejtësisë dhe të mbeten në sirtarët e Interpol Tiranës. Hetimi i SHKB-së pritet të hedhë dritë mbi këto dyshime. Nuk është ende e qartë nëse Didi është përfshirë në hetimet që po kryhen. Drejtori i Interpolit dhe specialistja pritet të dalin para Gjykatës për të marrë masën e sigurisë, ndërkohë që nuk dihet me saktësi se çfarë shpjegimesh kanë dhënë në ambientet e Policisë së Tiranës, ku mësohet se janë marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Të pranishëm kanë qenë edhe prokurorët, të cilët kanë dërguar materialet drejt Interpolit. Por akuza nga ana e saj është shprehur se nuk ka pasur dijeni se në zyrat e Interpolit ekzistonte një kërkesë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frroku. Ajo shprehet se ka marrë dijeni për këtë fakt vetëm pak ditë më parë dhe menjëherë i është drejtuar Policisë së Shtetit për informacion të detajuar. E ndërsa Didi dha dorëheqjen nuk ka shpjeguar nëse ka pas apo jo dijeni për ekzistencën e kërkesës dhe a e ka njohur apo jo Ministrin e brendshëm me këtë kërkesë.

 

Dorëheqja e Didit, shfajësohet ministri i Brendshëm Saimir Tahiri

 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, nuk doli para medias pas dhënies së dorëheqjes së parevokueshme dhe dorëzimit të saj tek Kryeministri. U lajmërua fillimisht se Didi do të fliste për herë të fundit rreth orës 11:15 minuta të ditës së djeshme, por nuk e bëri këtë. Megjithëse mediat pritën gjatë, kjo nuk ndodhi. Shpëtimtari i tij u bë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që lajmëroi të gjitha mediat se do të jepte një konferencë për shtyp në orën 12:00. Gazetarët pritën gjatë. Tahiri fillimisht u takua me drejtuesi te policisë e më pas doli për të lexuar një deklaratë që i mori rreth 10 minuta. Kaq ishte. Falënderoi Didin për punën që kishte bërë si krahu i tij i djathtë, por nuk pranoi të fliste lirshëm me gazetarët dhe t’u përgjigjej pyetjeve të tyre, prej të cilave do të merrnin përgjigje shumë pikëpyetje të ngritura deri tani. Pas skandaleve që kanë ndodhur në Policinë e Shtetit, ministri Tahiri është shprehur se “djemtë e tij” po punojnë për të shembur piramidën e krimit që, sipas Tahirit, është ngritur para 23 qershorit. Ministri e quajti dorëheqjen e Didit përgjegjësi morale, ndërsa duket hapur se përgjegjësia nuk është vetëm e tij, por edhe e ministrit. Po kështu nuk mund të jetë përgjegjësia e shkëputur në një institucion ku çdo dokument i nivelit të tillë u bëhet e ditur edhe eprorëve. Dorëheqja e Didit nënkupton se është bërë e detyruar për të mos rrezikuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kohët e fundit ka qenë jo në pak raste i shigjetuar për përfshirje në skandale publike. Tahiri u shpreh se sistemi që ai ka nisur të ndërtojë që prej 18 muajsh nuk ka funksionuar këtë radhë. Ai ia vë fajin sistemit, pikërisht atij sistemi që e ka drejtuar vetë dhe e ka kthyer busullën ku dhe si ka dashur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency