Pasuria, rruga që duhet të ndjekin njerëzit

0
391

Joseph E. Stiglitz

Pasuria,Është e njohur tashmë që pabarazia e të ardhurave dhe pasurisë në shumicën e vendeve të pasur, sidomos në SHBA, ka pësuar rritje në dekadat e fundit, dhe tragjikisht, është përkeqësuar edhe më shumë që prej Recesionit të Madh. Po ç’mund të thuhet për pjesën tjetër të botës? A po ngushtohet hendeku mes shteteve, teksa fuqi ekonomike në ngjitje si Kina dhe India kanë nxjerrë nga varfëria miliona njerëz? Dhe brenda shteteve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, a po përkeqësohet apo përmirësohet pabarazia? A po shkojmë drejt një bote më të drejtë, apo drejt një bote më të padrejtë? Këto janë pyetje komplekse dhe një studim i fundit nga një ekonomist i Bankës Botërore, Branko Milanovic, bashkë me studiues të tjerë, hedh dritë mbi disa përgjigje. Duke filluar nga shekulli 18, revolucioni industrial prodhoi një pasurim gjigant për Evropën dhe Amerikën e Veriut. Sigurisht, pabarazia brenda këtyre vendeve ishte e jashtëzakonshme – mendoni pak uzinat e tekstileve në Liverpul dhe Mançester në Angli në vitet 1820 dhe pallatet shumëkatësh të Anës Lindore të Manhatanit si dhe anën jugore të Çikagos në vitet 1890 – por hendeku mes të pasurive dhe pjesës tjetër, si një fenomen global, u rrit edhe më, deri në Luftën e Dytë Botërore. Edhe sot e kësaj dite, pabarazia mes shteteve është shumë më e madhe se sa pabarazia brenda shteteve. Por që nga koha e rënies së komunizmit në fundin e viteve tetëdhjetë, globalizimi ekonomik u përshpejtua dhe hendeku mes shteteve nisi të ngushtohet. Periudha mes viteve 1988 dhe 2008 “mund të ketë qenë koha kur ka ndodhur rënia e pare globale e pabarazisë mes qytetarëve të botës, që nga koha e revolucionit industrial”, ka shkruar Milanovic në një studim të botuar në nëntor të vitit që kaloi. Ndërkohë që hendeku mes disa rajoneve është ngushtuar dukshëm – sidomos ndërmjet Azisë dhe ekonomive të përparuara të Perëndimit – gjithsesi, diferenca të mëdha ende mbeten. Të ardhurat mesatare globale, sipas shteteve, janë afruar me njëra-tjetrën gjatë dekadave të fundit, sidomos me rritjen ekonomike të Kinës dhe Indisë. Por barazia në tërësi e njerëzimit, e marrë për individë, është përmirësuar shumë pak.

 

Përfitimet

Kështu ndërkohë që shtetet në Azi, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine, në tërësi mund të jenë duke iu afruar perëndimit, të varfrit kudo janë lënë pas, edhe në vende si Kina madje, ku ata kanë përfituar disi nga rritja e standardeve të jetesës. Milanovic ka zbuluar se nga 1988 deri në 2008, njerëzit që përbëjnë 1 përqindëshin në majë kanë parë të ardhurat e tyre të rriten me 60 %, ndërkohë që ata të 5 përqindëshit në fund nuk kanë pasur ndryshim të të ardhurave të tyre. Duke përqafuar rreptësinë, Evropa duket se po ndjek shembullin e Amerikës: rritje e pabarazisë. Dhe ndërkohë që të ardhurat mesatare janë përmirësuar dukshëm gjatë dekadave të fundit, ka ende çekuilibra të mëdhenj: 8 për qind e njerëzimit merr 50 për qind të të ardhurave globale; vetëm 1 përqindëshi në majë merr 15%. Rritja e të ardhurave ka qenë më e madhe tek elita globale – drejtuesit financiarë dhe të kompanive të mëdha në vendet e pasur – si dhe klasa e mesme në zhvillim në Kinë, Indi, Indonezi dhe Brazil. Kush ka mbetur jashtë? Afrikanët, disa amerikano latinë, si dhe njerëzit në Evropën Lindore post komuniste dhe ish-Bashkimin Sovjetik, ka zbuluar Milanovic. Shtetet e Bashkuara ofrojnë një shembull disi të zymtë për botën. Dhe për arsye se, në disa drejtime, Amerika shpesh herë “udhëheq botën”, nëse të tjerët ndjekin shembullin e Amerikës, kjo nuk jep një ogur të mirë për të ardhmen. Nga njëra anë, zgjerimi i pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë në Amerikë është pjesë e një tendence që shihet në të gjithë botën perëndimore. Një studim i vitit 2011 nga OECD nxori që pabarazia e të ardhurave nisi të rritet fillimisht në fundin e viteve 70 dhe fillimin e viteve 80 në Amerikë dhe Britani (gjithashtu edhe në Izrael). Tendenca u bë më e përhapur duke filluar nga fundi i viteve `80. Gjatë dekadës së fundit, pabarazia e të ardhurave u rrit edhe në vende tradicionalisht egalitarë si Gjermania, Suedia dhe Danimarka. Me pak përjashtime – Francë, Japoni, Spanjë – 10 përqindëshi i atyre që fitojnë më shumë nxitoi edhe më tej ndërkohë që 10 përqindëshi në fund, mbeti edhe më prapa në garë. Por tendenca nuk ishte universale, apo e pashmangshme. Gjatë të njëjtëve vite, vende si Kili, Meksika, Greqia, Turqia dhe Hungaria arritën të zvogëlojnë pabarazinë e të ardhurave në mënyrë domethënëse, duke sugjeruar kështu që pabarazia është produkt i forcave politike, dhe jo thjeshtë makroekonomike. Nuk është e vërtetë që pabarazia është një nënprodukt i pashmangshëm i globalizimit, lëvizjes së lirë të forcës punëtore, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve dhe ndryshimeve teknologjikë që favorizojnë më të aftët dhe më të arsimuarit.

 

Ekonomitë

Nga ekonomitë e përparuara, Amerika ka disa prej pabarazive më të mëdha në të ardhura dhe mundësi, me pasoja makroekonomike shkatërrimtare. GDP e SHBA është më shumë se katërfishuar në 40 vitet e fundit dhe pothuajse dyfishuar në 25 vitet e fundit, por siç dihet mirë, përfitimet kanë vajtur tek ata në majë – dhe gjithnjë e më shumë tek ata në majë fare. Vitin që kaloi, 1 për qind e amerikanëve morën në shtëpi 22 për qind të të ardhurave të vendit; 0.1 përqindëshi në krye mori 11 për qind. 95 për qind e të gjithë fitimeve nga të ardhurat që nga viti 2009 i kanë shkuar 1 përqindëshit në majë. Të dhënat e censusit të nxjerra kohët e fundit tregojnë se të ardhurat mesatare në Amerikë nuk kanë ndryshuar aspak në gjysmë shekulli. Një amerikan i zakonshëm fiton më pak se sa 45 vjet më parë (pas përshtatjes me inflacionin); njerëz që janë diplomuar në shkollë të mesme por që nuk kanë diploma kolegji 4-vjeçar janë pothuajse 40 % i atyre që ishin katër dekada më parë. Pabarazia në Amerikë e nisi rritjen 30 vjet më parë, bashkë me uljen e taksave për të pasurit dhe lehtësimin e rregullave për sektorin financiar. Kjo nuk është koincidencë. Është përkeqësuar për shkak të investimeve të mangët në infrastrukturë, arsim dhe kujdes shëndetësor, si dhe në rrjetet e sigurimeve shoqërore. Rritja e pabarazisë e përforcon vetveten duke gërryer sistemin politik dhe qeverisjen demokratike. Dhe Evropa duket shumë e prirë të ndjekë shembullin e keq të Amerikës. Përqafimi i masave shtrënguese, nga Britania në Gjermani, po çon në papunësi të lartë, rënie të pagave dhe rritje të pabarazisë. Zyrtarë si Angela Merkel, kancelarja e saporizgjedhur e Gjermanisë, dhe Mario Draghi, president i Bankës Qendrore Evropiane, argumentojnë se problemet e Evropës janë rezultat i shpenzimeve të tepruar në mirëqenien sociale. Por kjo vijë mendimi vetëm e ka zhytur Evropën në recesion (madje edhe depresion). Që gjërat janë shtruar – që recesioni mund të ketë marrë fund “zyrtarisht” – kjo shumë pak rehati u sjell 27 milion të papunëve në BE. Në të dy anët e Atlantikut, fanatikët e masave të shtrëngimit thonë, marshoni: këto janë pilulat e hidhura që na duhen për të arritur prosperitetin. Por, prosperitet për kë? Financializimi i tepruar – që ndihmon për të shpjeguar statusin e dyshimtë të Britanisë si shteti i dytë me më shumë pabarazi, pas SHBA, mes ekonomive të përparuara të botës – shpjegon gjithashtu pabarazinë në rritje. Në shumë vende, drejtimi i dobët i kompanive dhe gërryerja që pëson kohezioni social kanë sjellë rritje të hendeqeve mes pagave të drejtuesve dhe atyre të punëtorëve të zakonshëm – që ende nuk i afrohen nivelit 500-1 të kompanive të mëdha në Amerikë, por gjithsesi më të mëdhenj se sa nivelet e para recesionit. Risitë alla amerikane – pasurimi jo duke e rritur përmasën e copës “kekut” ekonomik, por duke manipuluar sistemin për të marrë një copë më të madhe – janë bërë globale. Globalizimi asimetrik ka pasur pasojat e tij në gjithë globin. Kapitali i lëvizshëm ka kërkuar që punëtorët të bëjnë lëshime sa u përket pagave dhe qeveritë të bëjnë lëshime sa u përket taksave. Rezultati është një garë drejt fundit. Po rrezikohen pagat dhe kushtet e punës. Kompani si Apple, puna e të cilave mbështetet në përparime të mëdhenj në shkencë dhe teknologji, shumë prej tyre të financuara nga qeveria, kanë shfaqur gjithashtu prirje të madhe në shmangien e taksave. Janë të gatshme të marrin, por jo të japin mbrapsht. Pabarazia dhe varfëria mes fëmijëve janë një turp moral. Ato kundërshtojnë sugjerimet e krahut të djathtë se varfëria është rezultat i dembellëkut dhe zgjedhjeve të gabuara; fëmijët nuk mund të zgjedhin prindërit e tyre. Në Amerikë, pothuajse një në katër fëmijë jeton në varfëri; në Spanjë dhe Greqi, afro një në gjashtë; në Australi, Britani dhe Kanada, më shumë se një në dhjetë. Asgjë prej këtyre nuk është e pashmangshme. Disa shtete kanë bërë zgjedhjen për të krijuar ekonomi më të barabarta: Koreja e Jugut, ku gjysmë shekulli më parë vetëm një në dhjetë vetë siguronte një diplomë kolegji, sot ka një prej normave më të larta të diplomimeve në universitete. Për këto arsye, unë shoh që po hyjmë në një botë të ndarë jo thjeshtë mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, por edhe mes vendeve që nuk bëjnë asgjë për këtë, dhe atyre që bëjnë. Disa shtete do të jenë të suksesshëm në krijimi e një prosperiteti që ndahet – i vetmi lloj prosperiteti që besoj që është vërtetë i qëndrueshëm. Të tjerë do të lënë pabarazinë të rendë e pafre. Në këto shoqëri të ndara, të pasurit do të mblidhen në komunitete me porta dhe gardhe, pothuajse tërësisht të ndarë prej të varfërve, jetët e të cilëve do të jenë krejt të pakuptueshme për ta, dhe e anasjella. Kam vizituar shoqëri që duket se e kanë zgjedhur këtë rrugë. Nuk janë vende ku shumica prej nesh do të donin të jetonim, qoftë në enklavat e tyre si manastire, qoftë në qytezat me baraka.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency