Përmbytjet/ Emergjenca ende nuk ka kaluar, mbi 17 mijë ha tokë nën ujë

0
98

Alma Çuka

bagetite e mbytura permbytje e madhe qeni makina600 familje janë evakuuar, nis evidentimi i dëmeve. Banorët, frikë nga e ardhmja. Paralajmërohet situatë edhe më e rëndë në ditët në vazhdim

Vendi vazhdon të jetë nën pushtetin e pamëshirshëm të natyrës. Situata emergjente duket se ende nuk ka kaluar, pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë për ta shitur atë si më të qetë. Qindra familje ndodhen në qiell të hapur. Kanë humbur gjithçka kanë pasur. Prej së shtunës janë detyruar të braktisin banesat, ndërsa kthimi në to edhe sot duket se është i pamundur. Autoritetet vendore dhe ato qendrore përpiqen me çdo kusht të jenë pranë tyre. Mijëra hektarë tokë janë tashmë të pushtuar nga uji. Më e përkeqësuar situata vazhdon të mbetet në zonën e Vlorës dhe të Fierit. Përmirësimi i situatës dy ditë më parë ishte vetëm një “gënjeshtër”, për të gjitha ato familje, të cilat tashmë sytë i kanë kthyer nga marrja e ndihmave. Ministria e Brendshme raporton për situatën në Jug e Veri, ndërsa bën me dije se po bëhen përpjekje të shumta për t’u lehtësuar plagën banorëve të këtyre zonave. Në terren thuhet se ka nisur përllogaritja e dëmeve, të cilat në pamje të parë do të jenë të shumta. Ndërkohë, një sinjal jo i mirë vjen nga qeveria, e cila po përpiqet të mbajë situatën nën kontroll, duke mos e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, me qëllim justifikimin e dhënies së një dëmshpërblimi jo të plotë për familjet e dëmtuara.

Situata në Jug

Situata në ditën e pestë të shirave në Jug të vendit vazhdon të jetë problematike. Rifillimi i reshjeve ka bërë që niveli i lumenjve të rritet sërish, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, pjesa më e madhe e të cilëve gjenden nën pushtetin e ujit. Në qytetin e Vlorës bëhet me dije se është në rrezik argjinatura që lidh Nartën me Kripën, për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Autoritetet janë të përqendruara në këtë zonë, ku rrezikohet seriozisht çarja e argjinaturës. Ndërkohë, situata mbetet problematike dhe tepër e vështirë edhe në fshatin Fitore, ku 80 banesa mbeten të izoluara nga uji.


Forcat e Armatosura

Forcat e Armatosura vijojnë të japin kontributin e tyre me forca dhe mjete të shumta në zonat e prekura nga përmbytjet, kryesisht në Jug të vendit, ku dhe situata paraqitet më e rënduar. Gjatë ditës së djeshme, 17 efektivë dhe 4 mjete të Komandës së Mbështetjes punuan për largimin e ujërave që rrezikojnë rezervuarin e Maskurës në Golem, Kavajë. Gjithashtu po nga efektivët e kësaj komande u angazhuan 19 vetë dhe 6 mjete në Novoselë, Vlorë, për transport ndihmash ushqimore. Gjithashtu, dy mjete të tjera janë vënë në dispozicion të Prefekturës së Fierit për të qenë të gatshme për operacionin e shpëtimit dhe të evakuimit në rast se paraqitet nevoja. Ndërsa Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes gjatë ditës së djeshme ka angazhuar për transport ndihmash në Komunën e Novoselës 15 efektivë dhe 4 mjete. Në Qarkun e Beratit 20 forca dhe 2 mjete janë në gjendje gatishmërie për çdo situatë dhe nevojë që do të ketë Shtabi i Emergjencave në këtë qark. Në total gjatë ditës së djeshme në aksionin e emergjencave për përballimin e situatës së rënduar nga përmbytjet janë angazhuar 83 trupa, 18 mjete, 4 motopompa, 2 motobarka dhe 4 gomone.

Komuna e Novoselës, ja bilanci i dëmeve nga përmbytjet

Komuna e Novoselës në Vlorë, sipas përllogaritjeve të deritanishme, është më e dëmtuara nga përmbytjet që shkaktoi moti i keq në vend. Mbi 600 banesa u prekën nga dalja nga shtrati e Vjosës, ndërsa 80 familje u përmbysën totalisht, duke u vënë nën pushtetin e ujit. Edhe pse llogaritja zyrtare e dëmeve në toka bujqësore dhe blegtori ende nuk është përcaktuar, sipas dëshmive të vetë banorëve të dëmtuar, llogaritet që në Novoselë të jenë 5600 hektarë tokë të përmbytura, 3500 hektarë prej të cilave ende nën ujë. Në total në komunën e Novoselës janë evakuuar 110 familje, ndërsa 602 të tjera janë të evidentuara me dëme të shumta. Rreth 70 % e bizneseve të zonës janë dëmtuar.

Hapet njëra nga portat e rezervuarit të Manskurisë

Niveli i ujit në rezervuarin e Manskurisë është rritur ndjeshëm, ndaj për këtë arsye njëra portë shkarkuese është hapur. Bëhet fjalë për rezervuarin, i cili shërben për furnizimin me ujë të Kavajës, Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës. Nga shkarkimi i ujit nuk ka pasur problem përmbytjesh, ndërkohë që specialistë të ndërmarrjes së ujësjellësit dhe pjesëtarë të shtabit të emergjencës janë duke monitoruar situatën. Sipas specialistëve, nuk ka rrezik për çarjen e digës së këtij rezervuari, por nga ana tjetër krijimi i një grope afër këtij rezervuari shton frikën se ajo mund të ndikojë në lëvizje të mundshme të digës.

Përkeqësohet situata në Veri të vendit, bora bllokon rrugët

Gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të djeshëm moti në të gjithë territorin e vendit ka qenë me reshje të pakta, kryesisht në zonën veriore, në Qarkun e Shkodrës dhe të Kukësit. Në zonat malore mbi 800 m në rrethin e Malësisë së Madhe dhe në rrethin e Kukësit ka pasur reshje dëbore, të cilat shkuan deri në 40-50 cm. Gjatë orëve të kaluara në qarkun e Shkodrës ka pasur reshje të dobëta shiu dhe në lartësinë mbi 800 m reshjet kanë qenë në formë dëbore. Më të theksuara reshjet e dëborës kanë qenë në Komunën e Shalës deri në 40 cm dhe veçanërisht në Vermosh ku lartësia arriti deri në 60 cm. Gjatë orëve të kaluara në të gjithë Qarkun e Kukësit ka pasur reshje normale shiu dhe dëbore. Në lartësitë mbi 600 m sasia e dëborës së rënë ka qenë 30-40 cm, kurse në lartësinë mbi 800 m dëbora e rënë është 50-60 cm. Të gjitha akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë. Autostrada e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë edhe pse vazhdojnë të bien reshje e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë në autostradë, për të larguar dëborën që bie vazhdimisht dhe pa ndërprerje. Gjatë orëve në vazhdim në të gjithë qarkun kanë rënë reshje mesatare shiu, kurse në lartësinë mbi 800 m reshjet kanë qenë në formë dëbore. Në të gjithë qarkun nuk ka probleme për bllokimin e rrugëve sepse sasia e reshjeve në zonat malore nuk i kalon 20 cm. E bllokuar është vetëm rruga Lurë – Peshkopi, deri në Fushë-Çivën, por qarkullimi i mjeteve bëhet nga rruga për në Rrëshen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency