Punësimet në administratë/ KE: Zhvillimi i konkurseve reale, thelbësore. Qeveria: Administrata lë për të dëshiruar

0
132

Gëzim Saliu

Zbardhet strategjia për administratën 2015-2020, Harito: Shlyejmë vendimet e formës së prerë për largimet nga puna, shumica janë të vitit 2013

zyre pune2
Komisioni Evropian vlerëson se reforma në administratën publike është kyçe për integrimin e vendit. Në një tryezë të organizuar nga ministrja e Administratës Publike Milena Harito, përgjegjësi i Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Evropian, Vassilis Maragos, pasi vlerësoi progresin e bërë, nuk ngurroi të theksonte domosdoshmërinë e kryerjes së konkurseve reale në administratë. Kjo deklaratë ishte edhe një formë thirrjeje nga ana e KE-së ndaj qeverisë për të vendosur në qendër të punësimit në administratë meritokracinë. “Ne besojmë se Shqipëria ka bërë progres në zbatimin e ligjit të nëpunësit civil. Por, për të vazhduar rrugën drejt BE-së është e nevojshme që Shqipëria të këtë një administratë profesionale dhe kapacitete njerëzore të kualifikuara. Zhvillimi i konkurseve reale është diçka thelbësore. Ne do të vazhdojmë të japim ndihmën tonë në zhvillimin e reformës në gjashtë fusha kryesore: kuadri strategjik i reformës, zhvillimi dhe koordinimi i politikave, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe resurseve publike, aftësitë, ofrimi i shërbimeve dhe menaxhimi i financave publike”, – tha ai. Nga ana e saj, ministrja Harito i cilësoi si sukses rekrutimet e bëra përmes konkurseve, duke theksuar: “Suksesi ynë u duk që në konkurset e para, ku kishte një pjesëmarrje prej rreth 5200 kandidatësh. Në përfundim u paraqitën 850 kandidatë, të cilët rezultuan fitues për 113 vende pune. Kjo tregon se procedura ishte totalisht transparente. Më pas, ne vazhduam me raundin e dytë, ku sipas ligjit të ri të nëpunësit civil u shtuan vende të reja pune. Në përfundim të procedurës, edhe këtë herë rezultuan 114 fitues. Gjithashtu, në tetor u shpallën 60 vende vakante për kategorinë e mesme dhe të ulët, për të cilat rekrutimi ishte vetëm brenda përbrenda shërbimit civil”, – u shpreh Harito.

Strategjia

Në prezantimin e strategjisë për administratën publike 2015-2020, ministrja Harito theksoi se synimet kryesore janë depolitizimi i administratës si edhe rekrutimi i punonjësve të aftë që do të shërbejnë për çeljen e negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Synimi i parë është rritja e performancës së administratës publike, sepse jemi të detyruar që të konstatojmë kjo performancë lë ende shumë për të dëshiruar”, – theksoi ministrja. Ndërkaq, në fjalën e saj, Harito nuk la pa përmendur zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë për largimet nga puna në mënyrë të padrejtë. “Synimi tjetër është angazhimi i detyrës ligjore të shtetit të së drejtës, që është një nga çështjet e tjera që kemi hasur dhe trashëguar nga e kaluara në zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Kemi një numër të madh vendimesh gjyqësore të formës së prerë, të cilat duhet të aplikoheshin drejtpërdrejtë nga institucionet, pra për largim të punonjësve nga puna jo sipas procedurave, pa të drejtë, dhe këto vendime gjyqësore nuk janë zbatuar nga institucionet përgjegjëse. 95% e këtyre vendimeve i përkasin periudhës përpara vitit 2013”, – deklaroi ministrja e Administratës Publike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency