Reforma në drejtësi/ Kërkesat e PD-së, ende pa përgjigje. Bylykbashi: Ekspertët e përzgjedhur, klientë të mazhorancës

0
124

Ish-presidenti Meidani: Nëse preket Kushtetuta, ndryshimet duhen miratuar me referendum

Oerd_BylykbashiOpozita shprehet kundër 20 ekspertëve të drejtësisë të angazhuar nga mazhoranca në komisionin e posaçëm për këtë reformë. Ligjvënësi demokrat Oerd Bylykbashi shprehu dje kritika ndaj përzgjedhjes së mazhorancës për emrat që do të ndihmojnë në punën e komisionit për reformën në drejtësi, duke i cilësuar ata si klientë të së majtës. “Shqipëria sigurisht që ka ekspertë, po të flasësh për ekspertë që dje kanë mbaruar fakultetin e tyre dhe të vijnë të japin ekspertizën e tyre është thjesht një tentativë për të hedh hi syve dhe për të përzgjedhur klientët e mazhorancës brenda këtij grupi personash në mënyrë që të jenë ata që thjesht vënë një firmë eksperti mbi një draft që tashmë mazhoranca e ka ndarë në kokë”, – tha për “AS” Oerd Bylykbashi. Ndërkaq, mazhoranca nga ana e saj ende nuk ka kthyer përgjigje për amendimet e demokratëve lidhur me reformën në drejtësi, kërkesa që kishin të bënim me bashkëkryesimin e komisionit, numrin e barabartë të anëtarëve dhe të drejtën e vetos. “Një vonesë e tillë nuk është inkurajuese, ne kemi formalisht një propozim për krijimin e një komisioni bipartizan në traditën më të mirë të Parlamentit Shqiptar”, – u shpreh Bylykbashi. Ndërkohë, ditën e sotme pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku në rast se kushtet e PD-së për pjesëmarrjen në të plotësohen, pritet që opozita të depozitojë emrat që do të bëhen pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.

Ish-presidenti

Për ish-presidentin Rexhep Meidani, rëndësi parësore tek reforma në drejtësi ka konsensusi mes palëve si edhe ekspertiza vendase dhe e huaj. Duke theksuar se pak rëndësi ka formati i kompozimit të komisionit, Mejdani pohoi nga ana tjetër se nëse kjo reformë do të prek kushtetutën e vendit, ndryshimet e saj duhet të miratohen sipas tij përmes referendumit popullor. “Në gjykimin tim nuk ka shumë rëndësi kush do të jetë kryetari apo bashkëkryetari i një komisioni. I rëndësishëm është që çdo ndryshim që do të synohet të realizohet do të jetë me konsensusin e forcave politike dhe në mënyrë të veçantë me specialistë të shquar të fushës së të drejtës kushtetuese. Do të ishte e këshillueshme dhe një miratim i këtyre ndryshimeve, meqenëse prekin një nga dokumentet kryesore të shtetit, miratimi i tyre në referendum”, – u shpreh ish-kreu i shtetit.

Lista me 20 ekspertët

Ardian Dvorani, Gjykata e Lartë
Ardian Nuni, Gjykata e Lartë
Sokol Sadushi, Shkolla e Magjistraturës
Marjana Semini, Shkolla e Magjistraturës
Arben Rakipi, Shkolla e Magjistraturës
Artur Selmani, Prokuroria e Përgjithshme
Henrik Ligori, Prokuroria e Përgjithshme
Maksim Haxhia, Dhoma Kombëtare e Avokatisë
Ardian Vishaj, Dhoma Kombëtare e Avokatisë
Altin Shegani, Universiteti i Tiranës
Aurela Anastasi, Universiteti i Tiranës
Artan Hoxha, Universiteti i Tiranës dhe Ministria e Arsimit
Genti Ibrahimi, Ministria e Drejtësisë
Ilir Panda, Ministria e Drejtësisë
Artan Hajdari, Ministria e Drejtësisë
Kristaq Traja “SORROS”
Rainer Deville, “EURALIUS”
Jon Smibert, “OPDAT”
John Carver, “USAID”
Arthur Graham, “OSBE”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency