Përmbytjet në Jug/ Basha, thirrje Ramës: Shpall gjendjen e emergjencës, mos u ik përgjegjësive

0
119

Erneta Shevroja

lulzim basha permbytjet“Kjo është qeveria e demagogjisë, rrenave dhe mashtrimeve. Kjo është qeveria që ka lënë punën”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi qeverisë që të shpallë gjendjen emergjente në vend, për shkak të përmbytjeve në zonat e Jugut, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut pesë ditët e fundit. Basha akuzoi qeverinë se nuk po merr asnjë masë që të lehtësojë banorët që jetojnë në zonat e përmbytura. “LKëto zona janë në fakt në gjendjen e emergjencës kritike, pavarësisht se Kryeministri, për t’u ikur përgjegjësive, nuk e ka njohur dhe nuk e ka shpallur gjendjen e emergjencës deri në këtë moment”, – tha Basha.

Përmbytjet

Pas takimit që pati paraditen e djeshme në disa zona në Vlorë dhe Fier, mbrëmjen e djeshme Basha mblodhi grupin parlamentar për t’u komunikuar gjendjen kritike në të cilën ndodhen banorët në Jug të vendit. “Atyre u mungon ushqimi, strehimi dhe kanë ngelur në qiell të hapur”, – u komunikoi kryedemokrati deputetëve. Nga reagimet që mori nga banorët, Basha u shpreh se Kryeministri Rama duhet t’u qëndrojë më afër banorëve të zonave të përmbytura, gjë që, sipas tij, kreu i qeverisë nuk e bën. “Nesër (sot) është seanca e radhës, por nuk ka asgjë rutinë apo të zakonshme në Shqipëri për momentin. Vlora dhe Fieri, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, Berati, Elbasani dhe shumë bashki dhe komuna janë prej katër ditësh dhe vazhdojnë të jenë në një situatë dramatike, të jashtëzakonshme, për shkak të reshjeve masive që kanë goditur këto zona dhe kanë përmbytur shtëpitë, pasuritë, bagëtitë, pronat, tokat dhe të mbjellat e mijëra e mijëra familjeve shqiptare, duke u shkaktuar dëme të jashtëzakonshme”, – tha Basha para deputetëve demokratë duke vijuar se Kryeministri duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. “Këto zona janë në fakt në gjendjen e emergjencës kritike, pavarësisht se Kryeministri për t’u ikur përgjegjësive nuk e ka njohur dhe nuk e ka shpallur gjendjen e emergjencës deri në këtë moment. Banorët e këtyre zonave janë në alarm të madh, në një të keqe të madhe që i ka zënë. Po vajtojnë humbjet e jashtëzakonshme”, – nënvizoi lideri i demokratëve. “Ndërsa banorët, – tha Basha, – ndodhen në mëshirë të fatit, Rama vijon demagogjinë dhe nuk bën asnjë punë. Më thanë sot drejt, disa banorë të zonave të përmbytura: qeveria krihet, ndërkohë që fshati digjet. Kryeministri gjen kohë të dredhë zinxhirin. Janë fjalë pak të zbukuruara, sepse aty ku isha, ma thanë më vendçe. E kanë marrë vesh të gjithë se në këtë kohë përparësia e Kryeministrit mbeten eglendisjet, qejfet. E kanë marrë vesh të gjithë se kur Gjirokastra dhe Vlora po përmbyteshin, ai bënte qejf në Korçë. E vërteta e përmbytjeve në Jug nuk është ajo që thotë qeveria propagandistike dhe veglat e saj”, – deklaroi kreu i opozitës.

Akuza ndaj qeverisë

Basha akuzoi qeverinë se nuk po merr përgjegjësitë që i takojnë për t’u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura. “Kjo është qeveria e shpërfilljes arrogante të halleve, fatkeqësive, brengave dhe nevojave më jetike të njerëzve – këtë e dimë. Në kulmin e fatkeqësive natyrore të reshjeve dhe përmbytjeve në gjithë vendin, deputeti dhe kreu i ekzekutivit lajmëron se do të vijoje me prishjet e shtëpive të hallexhinjve në Vlorë pa i kompensuar fare me vlerë tregu. Ky është një qëndrim i pashoq, tipik i dyshes Rama-Meta që në vend se të çojnë të gjitha mjetet, resurset, mjetet e rënda për të zhbllokuar rrugët, për të vendosur prita, për të riparuar apo ndërtuar argjinaturat, për të parandaluar dëmet e mëtejshme, tani po mendojnë si të bëjnë garë me natyrën për të dëmtuar më shumë njerëzit. Kjo është qeveria e demagogjisë, rrenave dhe mashtrimeve – edhe këtë e dimë. Kjo është qeveria që ka lënë punën”, – tha Basha. Në vijim Basha tha se deputetët dhe ai vetë do të qëndrojnë pranë zonave të përmbytura për të ndihmuar dhe për të ngritur zërin e tyre në Kuvend.

Basha në zonat e përmbytura

Ndërkohë, dje paradite kreu i opozitës, Lulzim Basha, ishte në disa zona që konsiderohen më të mbytura në Vlorë dhe në Fier. Ai u takua me banorët e zonave më të rënduara në Vlorë, si në fshatin Fitore e Bishan të Novoselës nga ku konstatoi se gjendja për banorët ishte mjaftë e rëndë, ndërsa Kryeministri Rama reagon vetëm nëpërmjet ekraneve. “Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë. Këtu në këtë fshat niveli i ujit vazhdon të rritet. Në një pjesë të fshatit ka kaluar mbi dy metra dhe ka përmbytur tërësisht banesat e fshatarëve, të banorëve, shpeshherë të kryefamiljarëve apo dhe të moshuarve që janë të vetëm në shtëpi. Banorët thonë që askush nuk është interesuar deri më sot. Gjendja është shumë e rëndë. Prioriteti numër një, i çdokujt sot, duhet të jetë jeta e njerëzve, prona e tyre dhe normalizimi sa më shpejt i furnizimit me ujë me ushqime dhe me çdo masë që mos t’u ngordhë bagëtia që është dhe mjeti kryesor dhe i vetmi i jetës së tyre. Ndaj, së pari, u bëj thirrje autoriteteve të zhvendosen me shpejtësi aty ku ka ndodhur katastrofa. Nuk bën fajde të bësh thirrje vetëm nga ekranet. Resurset e shtetit duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve të përmbytur, kudo ku kjo ka ndodhur. Këtu nuk ka ardhur akoma askush”, – tha Basha, teksa vizitoi fshatin Darzezë.

Kërkesat e kryetarit të PD-së drejtuar qeverisë

-Të shpallë gjendjen e emergjencës.
-T’i futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin e gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre të domosdoshme.
-Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës, për gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.
-Të përllogariten në vijimësi humbjet dhe të vendoset kompensimi i tyre konform ligjeve të vendit.
-Të marrin masa pa humbur kohë për të evituar përmbytjet dhe fatkeqësitë e evitueshme në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.
-Të rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e fondeve për bujqësinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.

Detyrimet për përmbytjet/ Berisha: Rama sillet si beu i Surrelit, s’shpall gjendjen e emergjencës për të mos zhdëmtuar të përmbyturit

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë se po i shmanget përgjegjësisë së shlyerjes për shlyerjen e dëmtimeve, për shkak të përmbytjeve. Në një status në “Facebook”, Berisha shprehet se Rama nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme me qëllimin e vetëm që të mos kompensojë njerëzit që cilëve u është dëmtuar prona dhe gjënë e gjallë. “Rama sillet si beu i Surrelit për të shmangur detyrimet ndaj të përmbyturve. Nuk shpall gjendjen e emergjencës. Qeveria nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, në një kohë kur prej pesë ditësh gjendja në komunën Novoselë të Vlorës dhe Darzezë të Fierit mbetet shume e rëndë. Mendoj se mosshpallja e gjendjes se jashtëzakonshme, së paku në qarqet Vlorë dhe Fier, është një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme e qeverisë. Për gjendjet e fatkeqësive natyrore shteti ka një ligj që detyron Kryeministrin të caktojë fondet dhe të mobilizojë të gjitha burimet si dhe të ngrejë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e shpëtim-kërkimit, evakuimit, sistemimit, sanifikimit, vlerësimit të demit dhe zhdëmtimit të tij. Gjendja e emergjencës nuk u shpall sepse duhej kaluar pa shqetësim weekendi dhe se zhdëmtimi i të përmbyturve nuk duhet të bëhet sipas ligjit”, – reagoi dje Berisha ndaj situatës së rëndë të përmbytjeve të shkaktuara nga shiu këto pesë ditët e fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency