Mbledhja e qeverisë/ Përmbytjet, Diskutimet mes Ramës dhe ministrave. Pse s’shpallet gjendja e emergjencës,ligji e parashikon

0
124

Katër rastet kur mund të shpallet gjendja e emergjencës, si veprohet në rastet ekstreme

mbledhje qeverieSituata e përmbytjeve në Jug të vendit ishte në qendër të diskutimit në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Burime pranë Kryeministrisë bënë të ditur për gazetën se në këtë mbledhje kreu i qeverisë, Rama, ka përqendruar fjalën e tij tek moti i keq dhe vështirësitë e qytetarëve që janë prekur, duke nënvizuar rëndësinë e gatishmërisë ndaj situatës. Pastaj me radhë, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ai i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli raportuan para anëtarëve të tjerë të qeveris dhe kryeministrit mbi masat e marra. Ndërkohë, Rama ka kërkuar që gjendje e gatishmërisë të jetë maksimale, duke nënvizuar rëndësinë e gjendjes së strukturave shtetërore në terren. Por edhe në këtë mbledhje pas situatës së vështirë u vu re se qeveria nuk mori vendim për shpalljen e gjendjes së emergjencës, edhe pse situata në Jug të vendit duket katastrofale. Nga ana tjetër në këtë mbledhje, Kryeministri kërkoi nga ministrat që të raportojnë çdo javë lidhur me rastet e korrupsionit që do raportohen tek portali i ri online.

Ligji

Në kushtet kur qeveria nuk ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke u mjaftuar vetëm me ngritjen e shtabeve të emergjencave lokale, opozita nga ana e saj ka ngritur zërin fort për këtë çështje. Duke shmangur në këtë rast qëndrimet politike, gazeta u përqendrua tek ligji i emergjencave civile dhe parashikimet e tij. Kështu ky ligj thekson se në rastin e përmbytjeve gjendja e emergjencave civile mund të shpallen kur: “Niveli i ujërave arrin pika kritike, në disa zona të matshme; Një ose më shumë lumenj, që përshkojnë vendin, kanë dalë jashtë shtratit, në përmasa të rrezikshme; Prita rezervuarësh dhe diga liqenesh janë dëmtuar rëndë; Jeta e popullsisë civile, e gjësë së gjallë dhe prona janë rrezikuar seriozisht”. Mbështetur mbi këto pika, duket se situata në Jug përmbush disa prej tyre, gjë e cila detyron qeverinë të shpallë gjendjen e emergjencës. Ndërkohë po ky ligj parashikon që në rastin e përmbytjeve të mëdha të shpallet rasti ekstrem i emergjencës. Më pas sipas ligjit marren të dhënat nga Instituti Hidro-Meteorologjik apo njësitë e qeverisjes vendore rast pas rasti, çdo 4 orë nga nisja e reshjeve. Këshilli i Ministrave pas mbledhjes së të dhënave të nevojshme, shpall gjendjen e emergjencës civile në një zonë të caktuar ose në të gjithë vendin, kur shtrirja e kësaj emergjence i kalon mundësitë për t’u përballuar nga qarku dhe kërkohet të vihen në punë burimet e qarqeve fqinjë ose të niveleve qendrore”, – thuhet në ligj. Nga përmbytjet që kanë prekur qarqet e Vlorës, Fierit, Beratit e Elbasanit janë shkatërruar rreth 5.000 hektarë tokë bujqësore, dhjetëra shtëpi dhe biznese private. Po ashtu përmbytjet kanë prishur ferma dhe produkte bujqësore si dhe kanë ngordhur qindra kokë bagëti. Vetëm ditën e djeshme, ku u rikthyen reshjet, mbi 600 familje u evakuan e ndërsa mijëra hektarë tokë bujqësore dhe zona të banuara mbetën nën ujë.
Por edhe pse dëmet janë të mëdha, gjendja e emergjencës civile nuk është shpallur akoma nga qeveria.

Reagimi për përmbytjet/ Rama: Ja pse qeveria nuk del në televizion, strukturat e shtetit në krye të detyrës

Kryeministri Rama reagoi dje lidhur me situatën e përmbytjeve në vend duke iu përgjigjur edhe deklaratave të opozitës drejtuar qeverisë. “Nuk dua të merrem me trupën e vjetër të cirkut mediatik, dje në pushtet sot në opozitë. Të njëjtat numra me shpifje, fyerje dhe akuza histerike si gjithnjë. Le të shpresojmë që parashikimet për një stuhi të dyte deri në fundjavë të mos vërtetohen. Sidoqoftë, deri tani, edhe nëse ndodh çka parashikohet, strukturat shtetërore kanë qenë e do të jenë gati në krye të detyrës. Ashtu sikundër kanë bërë dhe po bëjnë punën e tyre pa pushim, qoftë ministrat që janë në krye të këtyre strukturave e qoftë ministri i jashtëm dhe i integrimit, të cilët kanë ngritur të gjitha urat e komunikimit me partnerët ndërkombëtarë për të marrë ndihmë në përballimin e dëmeve të shkaktuara”, – theksoi Rama. Më tej, kreu i qeverisë tha se i gjithë volumi i punës është përballuar dhe do të përballohet me organizim, koordinim e përkushtim dinjitoz. “E tregojnë këtë operacionet e shpejta dhe të suksesshme në shpëtimin e jo pak njerëzve të rrezikuar; evakuimet e njerëzve dhe kujdesi për çdo të sëmurë; shpërndarja e ushqimeve dhe ndihma e drejtpërdrejtë e shumë forcave për të lehtësuar gjendjen në shumë shtëpi të përmbytura. E tregon këtë edhe puna e bërë për të mbrojtur digat e argjinaturat e degraduara në vite të tëra rrumpallë qeverisëse”, – u shpreh ai. Në fund të reagimit të tij, kreu i qeveris këmbënguli të shpjegonte se pse qeveria nuk ka qenë prezente në media lidhur me situatën e përmbytjeve. “Dalja e kursyer para kamerave dhe shmangia e çdo shfaqjeje të tepërt “heroizmi” mediatik të qeveritarëve, siç u mësuam t’i shohim me neveri vitet e shkuara, është vendosur që ditën e parë të përballjes me këtë emergjencë. Sepse ne nuk mund ta përdorim këtë hall të madh që u ka rënë në kokë njerëzve të prekur nga përmbytjet, për të shtuar praninë tonë në ekrane dhe bërë garën e shëmtuar të dhembshurisë për popullin”.

Postimi në FB i denoncimit

Nëndrejtoresha e shkarkuar i shkruan Ramës: Çdokush do marrë atë që meriton!
Nëndrejtoresha e shkollës “Dhora Leka” e cila u shkarkuar pas denoncimit në portalin online ka reaguar direkt në faqen zyrtare të kryeministrit Rama në FB, ku ai kishte postuar rastin duke vlerësuar masën e marrë. Në reagimin e saj, Gentiana Hoxhallari i ka thënë kryeministrit se nuk do ta lejojë që ti përbaltet figura. “Do na ndiqni në media me prova konkrete dhe çdo kush do marrë atë që meriton. Nuk do lejojmë askënd të përbaltë figurën tonë, Gentiana Hoxhallari, ZV drejtore e kësaj shkolle. Për çdo gjë që ka ndodhur në këtë shkollë, ka qenë në dijeni DART dhe Zamira Gjini, Drejtore e Arsimit për gjithë Shqipërinë”, përfundoi ajo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency