Ligji i ri për energjinë/ Ashpërsohen masat për debitorët, sekuestrim prone për ata që s’paguajnë energjinë

0
141

Erneta Shevroja

komisioni i veprimtarise prodhueseKush ka një detyrim prej 150 mijë lekësh ndaj kompanisë së shpërndarjes do t’i sekuestrohet shtëpia, bizneseve do t’u sekuestrohet pasuria, kur fatura energjisë kalon 2 mln lekë

Ndonëse është rralluar fjala “burg” për debitorët e energjisë elektrike, masat e ashpra për ata që nuk paguajnë rregullisht këtë shërbim do të ndryshohen me sekuestrim prone. Kjo masë e re është parashikuar në projektligjin e ri që është hartuar nga qeveria dhe u bë e ditur dje nga vetë ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në Komisionin e Veprimtarisë së Prodhimit. Në ligjin e ri parashikohet që konsumatori familjar, që ka një detyrim mbi 150 000 lekë ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë, do t’i duhet që të lërë peng shtëpinë, ndërsa bizneseve do t’u sekuestrohet pasuria në momentin që detyrimi është mbi kufirin e 2 milionë lekëve. Ministri Gjiknuri e vendosi theksin në liberalizimin e tregut të shpërndarjes së energjisë, liberalizim që në fakt nuk u përshëndet nga deputetët e opozitës në komision. Burgimi si masë për debitorët ishte një pikë tjetër, që shkaktoi debat në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Hipotekimi

Vendosja e barrës hipotekore për debitorët do të jetë një masë e re për ata që nuk paguajnë energjinë elektrike. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, që për herë të parë prezantoi projektligjin e ri për sistemin e energjisë. Ky ligj prek bizneset me fatura të papaguara që arrijnë mbi 20 milionë lekë të vjetra dhe konsumatorët familjarë që nuk kanë paguar energjinë elektrike në shumën e mbi 1 milion e gjysmë lekëve. Ko masë hasi kundërshtimin e deputetëve të opozitës. Sipas tyre, hipotekimi është në një vlerë më të madhe se ç’do ta vendoste vetë banka. “Është gjë e mirë që i jeni larguar burgimit të vazhdueshëm dhe burgut si një instrument për të mbledhur borxhet dhe keni lënë një limit prej 150 mijë lekësh për individët dhe 2 milionë lekësh për bizneset. Ky limit është më i ulët se limiti që aplikojnë bankat për raste të ngjashme. D.m.th., ju keni parashikuar të vini masa sekuestroje më të rënda sesa i vendosin vetë bankat”, – ngriti shqetësimin deputeti demokrat Helidon Bushati. Në kundërpërgjigjen e tij, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, e arsyetoi këtë masë si të domosdoshme, për shkak të borxheve të mëdha që ka sektori. “Këto detyrime që vendosim ne, vijnë si pasojë e borxheve që ka sot ky sektor, pasi gjendja e tij përbën një problem real. Unë të vë një barrë hipotekore, me qëllim që ti, pasi t’i shlyesh këto borxhe që ke, ai që do të vijë ta blejë pronën tënde pa detyrime nga pas”, – arsyetoi Gjiknuri.

Burgu

Një temë debati në Komision ishte edhe masa administrative me burgim për ata që kanë detyrime ndaj furnizuesit me energji elektrike. Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, u shpreh se qeveria ka një borxh shumë të madh ndaj HEC-ve dhe, sipas masave të zbatuara, i bie që edhe drejtuesit e qeverisë të shkojnë në burg, për shkak të borxheve. “Dakord jam me energjinë, nuk jam dakord me burgun, megjithatë ka mënyra të tjera që mund t’i bëni si shtet anëtar i Evropës. Po ju keni HEC-et që s’i keni paguar, a kanë ata të drejtë t’ju fusin ju në burg? Reciproke është. Ai u fut në burg për 30 mijë lekë të vjetra, ju u keni HEC-eve 20 milionë dollarë”, – tha deputeti i PDIU-së. Në këtë rast, ministri Gjiknuri u përgjigj se borxhi është një proces civil dhe nuk dënohet. “Kjo është si të burgos unë qeverinë e mëparshme se nuk pagoi për rrugët. Çmimet e HEC-eve nuk u reflektuan dhe borxhi është një proces civil dhe nuk dënohet”, – u shpreh Gjiknuri.

Liberalizimi i tregut të energjisë

Një prej elementeve më pozitive që përmendi Gjiknuri në Komision, ishte fakti që me ligjin e ri parashikohet liberalizimi i tregut. Gjiknuri u shpreh se qeveria ka parashikuar që shpërndarja e energjisë elektrike, e cila me ligjin e vjetër kryhej vetëm nga një operator, tashmë mund të bëhet nga disa të tillë. “Ky model i përafrohet shumë modelit evropian dhe fillimi i liberalizmit, duke filluar nga klientët e lidhur në 35 kv dhe më vonë duke vazhduar në vitet në vijim me klientë të tjerë industrialë, do të bëjë që deri në vitin 2018, synojmë që një pjesë e madhe e tregut të energjisë elektrike të jetë e liberalizuar”, – tha Gjiknuri. Por deputetët e opozitës nuk janë dhe kaq optimistë për faktin që në treg do të ketë shumë furnitorë. “Pjesa e liberalizimit të tregut, sot me këtë model që parashikon ligji ne nuk kemi një treg të konsoliduar me modelin e ri të këtij ligji. D.m.th., bizneset brenda 2015-2016 dhe 2017, sipas ligjit, duhet të dalin në tregun e lirë. Pastaj vetë furnitorët duhet të shkojnë dhe të gjejnë prodhues dhe jo vetëm në vend, por edhe jashtë. A nuk quhet ky një liberalizim i dhunshëm?”, – u shpreh deputeti demokrat Helidon Bushati. Ndërsa për ish-ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, Shqipëria nuk i ka mundësitë dhe kushtet për të pasur një treg plotësisht të liberalizuar, pa ndërhyrjen e shtetit. “Në fakt, pa dyshim që sektori i energjisë ka nevojë për ta thelluar shumë reformën që është ndërmarrë, ka nevojë të liberalizohet ndonëse deklarime aq optimiste dhe entuziaste në një treg plotësisht të liberalizuar të energjisë ne as nuk mundemi e as nuk kemi takat ta bëjmë, mandej edhe Evropa ka paketën 1, paketën 2, paktën 3, sepse në fakt tregu më pak i liberalizuar në Evropë vazhdon të ngelet ende tregu energjetik. Përjashto disa shtete që janë më të avancuara, Gjermania, vendet skandinave, pjesët e tjera gjithmonë ka një lloj ndrydhjeje të tregut, një lloj prezence të shtetit. Prandaj, kur modelojmë, mirë bëjmë të shohim paketën 2 dhe paketën 3. Po shumë më mirë është ta shohim Shqipërinë dhe kushtet që ka Shqipëria”, – komentoi Ruli, duke vijuar se duhet të merren masa të tilla, që të mbajnë çmimin e energjisë sa më të ulët për konsumatorët.

Masat e reja për debitorët

Në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.

Matës inteligjentë

Në ligjin e ri parashikohet edhe vënia e matësve të rinj, të quajtur ndryshe matës inteligjentë. Në veprimtarinë e matjes do të zbatohen sisteme matëse inteligjente te klientët fundorë, në mënyrë që të ndihmojnë pjesëmarrjen aktive të tyre në tregun e furnizimit me energji elektrike. Implementimi i sistemeve matëse inteligjente është subjekt i një vlerësimi paraprak ekonomik, i cili duhet të marrë në konsideratë të gjitha kostot afatgjata dhe përfitimet që do të ketë tregu dhe klientët, duke përfshirë gjithashtu edhe formën e matjes inteligjente që do të përzgjidhet, e cila duhet të jetë ekonomikisht më efektive dhe me afatin kohor më të përshtatshëm për implementimin e këtij sistemi matjeje. Ministria përgjegjëse për energjinë, brenda 1 (një) viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përgatit vlerësimin ekonomik. Në bazë të këtij vlerësimi, ministria përgatit një kalendar për implementimin brenda një periudhë 10-vjeçare të sistemeve inteligjente të matjes. ERE siguron ndërveprimin e sistemeve të ndryshme matëse, që do të implementohen në gjithë territorin e vendit, duke i kushtuar rëndësinë e duhur përdorimit të standardeve të përshtatshme si dhe zhvillimit të tregut të brendshëm të energjisë elektrike”, – thuhet në projektligjin e ri për sistemin e energjisë eklektike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency