Alarmi/ Situata pas shirave të rrëmbyeshëm në gjithë vendin gjatë ditës së djeshme

0
130

Jepen detaje për zonat e bllokuara, për dëmet e shkaktuara dhe për ndërhyrjet e policisë dhe forcave të ushtrisë për të shpëtuar banorë të izoluar

Permbytjet-ne-Ane-te-Malit-djetor-2010.2Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha strukturat në varësi të saj kanë vijuar gjatë gjithë natës së të dielës dhe ditës së djeshme të ndjekin hap pas hapi situatën e krijuar nga reshjet e shumta në të gjithë vendin. Bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim-Komandimit të Emergjencave Civile, situata sipas qarqeve paraqitet jo e mirë.
Reshjet në territorin e qarkut të Gjirokastrës kanë pasur intensitet të ulët e për pasojë niveli i ujërave të lumit Vjosë ka filluar të ulet gjatë mesditës së djeshme. Rruga nacionale Tepelenë – Gjirokastër nuk ka pasur probleme nga rënia e inerteve. Në segmentin e kësaj rruge në vendin Shkalla e Zezë, me ndërhyrjen e Autoritetit Shtetëror të Rrugëve Nacionale, subjekti kontraktues i mirëmbajtjes ka lënë në gatishmëri dy mjete tip fadromë për pastrimin e rrugës nga inertet. Ujërat e shumta sipërfaqësore që kishin mbuluar periferinë e qytetit të Memaliajt, janë larguar dhe disa mjete po pastrojnë rrugët së bashku me qytetarët.


Fier

Lumi Seman ka pasur ulje të nivelit të tij, por prurjet vazhdojnë ende të jenë intensive.
Në Komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente kanë evakuuar 110 familje. Operacionet më të vështira kanë qenë në vendin e quajtur Kthesa e Qarrit, ku vetëm pas mesnate janë evakuuar 30 familje, 3 prej të cilave ishin vetëm gra me fëmijë, të cilat kishin disa orë të mbetur mbi çatitë e banesave të tyre. Operacionet për evakuimin e banorëve kanë qenë të përbashkëta nga forcat e ushtrisë dhe Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile. Në Komunën Frakull janë evakuuar 30 familje nga fshatrat Kashishtë, Kaftarë dhe Sheqmusalala. Stacioni i pompimit të ujit të pijshëm në Kaftarë, i cili furnizon qytetin e Fierit dhe Komunën Frakull, është rivënë në punë. Po punohet për largimin e masivit të inerteve që kanë bllokuar shtratin e lumit, si në pjesën e shtratit që i përket qarkut të Fierit edhe në atë Vlorës.
Me kërkesën e bërë nga prefekti i qarkut të Fierit për dhënie ndihme qytetarëve që kanë mbetur të izoluar nga ujërat në fshatin Poro të Komunës Frakull dhe fshatin Darëzezë e Re, Komuna Dërmenas në rrethin e Fierit u nisën 2 helikopterë nga Forcat Ushtarake. Helikopteri i parë do të evakuonte 5 qytetarë, kurse helikopteri i dytë 7 qytetarë.

Vlorë

Gjatë ditës së djeshme dhe në orët e natës nga Komuna Novoselë janë evakuuar 70 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytja. Familjet ishin kryesisht nga fshatrat Mifol, Fitore, Bishan, Dëllëngë, Delishisht dhe Poro. Në Komunën Novoselë, fshati Mifol dhe Bishan ka rrezik të shtuar për përmbytje. Drejtuesit e Komunës, për shkak të mundësisë për dalje nga shtrati i lumit Vjosë, për arsye sigurie kanë evakuuar 40 familje nga banesa e tyre. Për evakuimin e familjeve nga Komuna Novoselë janë angazhuar njësitë e Delta Forcës të Forcave të Armatosura.
Policia Rrugore ka bllokuar rrugën e vjetër Levan – Novoselë për shkak të ujërave sipërfaqësore që kanë arritur nivele të larta mbi rrugë. Rruga funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re Fier – Vlorë.

Elbasan

Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar. Për shkak të reshjeve të ditëve të fundit në digën e liqenit të Banjës ka prurje intensive të ujërave, të cilat në qoftë se do të vazhdojnë me këtë ritëm, do të rrezikojnë digën e liqenit. Në këto kushte emergjente do të hapen portat e liqenit, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të tokave bujqësore dhe rrezikimin e familjeve, banesat e të cilëve ndodhen përgjatë kanalit të shkarkimeve të liqenit.


Berat

Gjatë 24 orëve të kaluara reshjet në këtë qark kanë qenë me ndërprerje dhe me intensitet mesatar. Lumenjtë e Semanit, Devollit dhe Osumit nuk kanë ndryshime të niveleve të tyre. Pritet që niveli i ujit të rritet në shtratin e lumit të Devollit për shkak të mundësisë së hapjes së portave të liqenit të Banjës. Hapja e portave do të kërkojë marrjen e masave për përballimin e situatës që mund të shkaktohet nga përmbytjet.

Korçë

Në qarkun e Korçës gjatë 24 orëve të kaluara ka pasur reshje dëbore në rrethin e Korçës dhe të Kolonjës, kurse në rrethin e Devollit dhe Pogradecit reshjet kanë qenë të dobëta. Rrugët janë ta hapura dhe qarkullohet pa zinxhirë, kurse në Qafën e Qarrit dhe në Kthesën e Leskovikut qarkullimi bëhet me vështirësi se lartësia e dëborës është rreth 15-20 cm. Nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike dhe gjithashtu as probleme shëndetësore.

Kukës

Autostrada e Kombit, e qarkullueshme pa zinxhirë. Të gjitha segmentet kombëtare qarkullohen pa zinxhirë. Mjetet borëpastruese janë në gatishmëri për të ndërhyrë në akset rrugore sipas drejtimeve të përcaktuara e problematike, me qëllim mbajtjen e kalueshmërisë së qarkullimit të automjeteve, hedhjen e kripës si dhe pastrimin e gurëve të rënë në rrugë. Aksi nacional Dushaj – Lekbibaj mbetet i bllokuar si pasoje e rrëshqitjes së skarpateve në disa segmente të këtij aksi.
Vazhdojnë të jenë vetëm 2 komuna të bllokuara, Komuna Grykë-Çajë dhe Arrën. Në të gjithë qarkun ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, por në 7 komuna nuk kanë totalisht energji elektrike për shkak të rrëzimit të shtyllave që mbajnë kabllot e transmetimit të energjisë elektrike. Në qarqet e tjera nuk problemet nuk janë shqetësuese sepse edhe sasia e reshjeve ka qenë përgjithësisht e ulët. Ministria e Punëve të Brendshme këshillon të gjithë qytetarët që t’u përgjigjen njoftimeve të autoriteteve për evakuim të banesave të tyre në rastet kur paraqitet nevoja si dhe të evitojnë lëvizjet në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Gjithashtu u kërkohet qytetarëve që për të gjitha rastet e emergjencave të telefonojnë në numrin 129 të policisë së Shtetit apo në numrin 128 të Shërbimit zjarrfikës.

OSHEE, forcat e emergjencës në terren, ngrihen grupe të posaçme pune

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, deklaroi gjatë mbrëmjes së djeshme se është duke ndjekur me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike në disa rajone në jug të Shqipërisë e krijuar nga përmbytjet për shkak të shirave të dendur në këto rajone. Për këtë u ngritën shtabet e emergjencës së kompanisë OSHEE sh.a me qendër në qytetin e Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit nën drejtimin e drejtorit të departamentit të Shpërndarjes. Shtabi i emergjencës pranë Drejtorisë Rajonale Fier, Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës dhe Drejtoria Rajonale e Beratit kanë angazhuar 117 punonjës të ndarë në 28 grupe të cilët po operojnë me efikasitet në terren sipas rajoneve përkatëse. Për mbarëvajtjen e punës, fillimisht u evidentuan të gjithë problematikat e ditës së diel dhe po u përditësuan ato të ditës së djeshme, rrjedhojë e pasojave të motit të keq në linjat e shpërndarjes së energjisë elektrike deri tek abonenti fundor.
Nga raportimet e shtabeve rajonale thuhet se është hartuar me shpejtësi lista e bazës materiale të nevojshme për eliminimin e defekteve dhe u morën masa për shpërndarjen e saj. Raportohet për mbulimin e pothuajse të gjithë defekteve dhe janë marrë masa për furnizimin e hidrovorëve me energji elektrike, ndërsa janë pa energji ato zona ku vënia me tension e fiderave (gjithsej 3 copë; 2 në Vlorë dhe 1 në Kallm Jagodinë) të furnizimit, është e pamundur për shkak të sigurisë së jetës së banorëve: fidera me kabina elektrike të përmbytura nga uji dhe fidera me përcjellës të këputur në zona të përmbytura.


Situata hidrike në vend, KESH: Është nën kontroll, do të ketë prodhim maksimal

Duke marrë shkas nga intensifikimi i reshjeve në ditët e fundit, në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare është zhvilluar dje mbledhja e Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave në Kaskadën e Drinit. Në këtë takim u raportua për situatën aktuale hidrike dhe u diskutua për regjimin optimal të shfrytëzimit të HEC-eve të kaskadës së lumit Drin për tri-katër javët e ardhshme, në kushtet e shtimit të prurjeve. Në orën 17:00, niveli në HEC Fierzë ishte 290.24 m, prurjet 800 m3/s; në HEC Koman niveli ishte 171.23 m dhe prurjet 230 m3/s; në HEC Vau Dejës niveli kishte arritur në 74.38 m dhe prurjet 70 m3/s. Prurjet dhe nivelet në të tre liqenet thuhet se po monitorohen dhe mbahen nën kontroll të plotë dhe në përputhje me Rregulloren e Shkarkimit të Plotave. Sekretariati u dakordësua për ruajtjen e kuotës në HEC-in e Fierzës në nivelin 290-291 m, duke tentuar të arrihet nëpërmjet ngarkimit të plotë të agregateve disponibël; ruajtjen e kuotës në HEC-in e Komanit në nivelin rreth 171 m; ruajtjen e kuotës në HEC-in e Vau i Dejës në nivelin 73.5-74 m. Në funksion të menaxhimit të situatës dhe shfrytëzimit maksimalisht të çdo prurjeje, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke finalizuar një procedurë shitjeje në tregun e parregulluar për tepricat e energjisë.


Shirat, mbahet nën monitorim liqeni i Banjës

Ministria e Brendshme, në një njoftim gjatë ditës së djeshme, bëri të ditur se për shkak të prurjeve shumë të mëdha mund të shikohet edhe mundësia e hapjes së portave të liqenit të Banjës. Ndërkohë nga kompania “Devolli Hydropower” me anë të një deklarate bëhet e ditur se diga është e sigurt. Monitorimi i vazhdueshëm i situatës përmes stacioneve hidrologjike është duke treguar një rritje prej 24 cm në orë ne nivelin e ujit. Niveli i ujit, i matur mëngjesin e 2 shkurtit 2015 ishte në 140 metra mbi nivelin e detit, një kuotë e arsyeshme duke konsideruar reshjet e shumta. Ekipi i emergjencës në “Devoll Hydropower” dhe kontraktori kryesor i saj janë në kontakt të vazhdueshëm me Ekipin e Emergjencave Civile në Elbasan, duke informuar ata rregullisht mbi nivelin e ujit në rezervuarin e Banjës. Vazhdon operacioni për evakuimin e qytetarëve në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet.


Tiranë, hapen portat e Bovillës, situata raportohet nën kontroll

Shirat e vazhdueshme dhe rritja e nivelit mbi pikën maksimale kanë detyruar autoritetet e ujësjellësit në Tiranë të vendosin për hapjen e portave të Bovillës. Ujëmbledhësi i Bovillës që furnizon me ujë kryeqytetin ka arritur kuotat maksimale dhe diga nuk mund të mbante më, prandaj Ndërmarrja e Ujësjellësit Tiranë hapi portat e shkarkimit. Kjo pritet të sjellë një përmbytje edhe për zonat që janë pranë këtij ujëmbledhësi. Sipas një njoftimi publik të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Bovilla ka arritur kuotën 318.5 metra dhe shkarkimi i ujit është i pashmangshëm. Në ujëmbledhësin e Bovillës derdhet lumi Tërkuzë, prurjet e të cilit janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency