Vendimet/ Vendimet njësuese, Llalla: Duam të drejtën të vëmë në lëvizje Gjykatën e Lartë

0
142

Alma Çuka

adriatik llalla- xhezair zaganjori bashkim dede gjykata e larte foto2Shqetësim subjektivizmi në dhënien e vendimeve gjyqësore nga gjykatat e niveleve më të ulëta

I kërkohet ligjvënësit dhënia e të drejtës për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë.

Standardet e dyfishta, të cilat shpesh vihen re në dhënien e vendimeve gjyqësore nga gjykatat e nivelit të parë dhe të dytë, pritet të marrin një tjetër dimension. Për herë të parë, drejtues të Gjykatës së Lartë kanë prezantuar botimin “Standardet e gjykimit përmes vendimeve unifikuese”. Ky botim pritet t’u vijë në ndihmë të gjitha trupave gjyqësore, të cilat deri tani kanë pasur shumë probleme në argumentimin e çështjeve me të njëjtin kazus. Jo në pak raste gjyqtarët janë bërë shkak për debate kur për të njëjtin objekt gjykimi, pra kur provat kanë qenë të njëjta, arsyetimi ka qenë i ndryshëm. Të gjitha këto procese kanë përfunduar në Gjykatën e Lartë për të marrë një përgjigje. Por vendimet njësuese nga kjo Gjykatë nuk kanë qenë të shumta dhe për pasojë janë bërë shkak për debate nga të gjitha palët e interesit. Kështu, gjatë takimit të djeshëm, ashtu si dhe më herët kryeprokurori Adriatik Llalla ka qenë zëri kritik në këtë drejtim. Në fjalën e tij, shefi i akuzës ishte i mendimit se Gjykata e Lartë duhet të shtojë aktivitetin e saj në nxjerrjen e vendimeve njësuese, për të standardizuar praktikën e gjykatave më të ulëta, “vendimet e të cilave, në shumë raste, karakterizohen nga subjektivizmi dhe pse jo, edhe nga abuzivizmi”.

Kërkesa

Duke përfituar nga momentet ku në qendër të diskutimeve është reforma në drejtësi, kryeprokurori tha: “Shpresojmë dhe besojmë se ligjvënësi do të marrë parasysh kërkesën që prokurorit të Përgjithshëm t’i njihet e drejta për të vënë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë për të nxjerrë vendime unifikuese për çështje të ndryshme penale”. Më pas ai argumentoi se duke i dhënë këtë të drejtë ligjërisht prokurorit të Përgjithshëm, “institucioni i Prokurorisë do të jetë më aktiv në standardizimin e praktikës gjyqësore që ndihmojnë në respektimin e garantimin e të drejtave themelore të njeriut, si edhe në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”. Për shefin e akuzës vendimet njësuese kanë një vlerë themelore në procesin e gjykimit, pasi shmangin standardet e dyfishta, të cilat krijojnë hapësira për subjektivizëm dhe, pse jo, edhe për abuzivizëm në vendimmarrjet e ndryshme të gjyqësorit. Subjektivizmi dëmton më së pari të drejtat e personave dhe shoqërohet me zbehjen e forcës së shtetit ligjor. “Gjykatat, – shtoi ai, – në jo pak raste, marrin vendime të ndryshme për çështje të njëjta. Kjo sjellje godet në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e ligjshme të personave, por nga ana tjetër cenon besimin e qytetarëve tek institucionet”. Për kryeprokurorin më i prekshëm dhe i rëndësishëm standardizimi është në pjesën penale, duke mos lënë mënjane, edhe vendimet njësuese në pjesën civile apo administrative të cilat gjithashtu janë shumë të rëndësishme. “Ka raste kur problemet sociale, sidomos ato të natyrës civile, kanë shërbyer si premisa për vepra penale, ku natyrisht konfliktet për pronat kanë qenë element bazë për kryerjen e veprave penale. Në shumë hetime të Prokurorisë ndër vite, ka rezultuar se në rastet e pronave, konfliktet kanë prejardhur prej faktit se e drejta pronësore nuk është zgjidhur drejt në gjykatë. Po ashtu, edhe vendimet e gjykatave të ndryshme në fushën administrative mund të sjellin pasoja kriminale. Për këto arsye, në vlerësimin e Prokurorisë, Gjykata e Lartë duhet të vijojë gjithnjë e më shumë të operojë në të drejtën e saj ligjore për nxjerrjen e vendimeve unifikuese, me qëllim parandalimin e pasojave që shoqërojnë vendimet e paqarta ose të padrejta të gjykatave të nivelit më të ulët”, – tha kryeprokurori Adriatik Llalla.

Hetimi/ Kërcënoi shefin e opozitës, Shullazi nuk paraqitet në Prokurori

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk arriti të merrte dje në pyetje shtetasin Emiljano Shullazi, i cili dyshohet se pas datës 5 janar kur ndaj tij u organizua një atentat në Qafë-Kashar, kërcënoi kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, përmes një mesazhi të dhënë deputetes Voltana Ademi. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë me dije se seanca për të pyetur Shullazin si personi i akuzuar për këtë ngjarje nuk u arrit të bëhej, për shkak të mosparaqitjes së tij. Të njëjtat burime saktësuan se Shullazi ishte njoftuar ditë më parë për seancën e pyetjeve që ishte përcaktuar të mbahej dje rreth orës 10:00. Burimet pohuan se i kallëzuari pranë këtij institucioni nga deputetja e djathtë Voltana Ademi ka dërguar një shkresë përmes së cilës kërkon shtyrjen e seancës në një datë tjetër. Shullazi argumenton se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për të qenë pjesë e marrjes në pyetje. Pas paraqitjes së kërkesës ishte prokurori i çështjes ai që caktoi një datë tjetër për marrjen në pyetje të Emiljano Shullazit. Ky i fundit u kallëzua në fillim të janarit nga deputetja Voltana Ademi pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për kërcënim ndaj shefit të opozitës. Vetëm 30 minuta pasi deputetja bëri kallëzimin, drejtuesit e Prokurorisë kërkuan nga Policia e Shtetit marrjen në mbrojtje të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. Ndërkohë, e njëjta Prokurori po heton dy ngjarjet e ndodhura në datë 5 janar, atë të Rrugës së Kavajës, ku në tentativë për të vrarë shënjestrën e tij Pajtim Serjani, atentatori mbeti i vrarë nga një efektiv i policisë.

Korçë/ Ishte në kërkim ndërkombëtar, kapet në Qafë-Thanë

Ishte dënuar me tetë vite burg nga autoritetet e drejtësisë italiane, por lëvizte i lirë. Pas disa vitesh një 25-vjeçar, i cili i ishte fshehur drejtësisë për të vuajtur dënimin për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit, kapet në përpjekje për tu futur në territorin e vendit të tij. Burime të policisë kufitare bëjnë me dije se ai u kap teksa po futej në kufi në Qafë-Thanë. Kapja u bë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. H. T., me banim në Tiranë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore italiane të Monzës e kanë dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”. Mësohet se arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi në Itali.

Kavajë/ Rreh gruan dhe kunatën, arrestohet nga policia

Një 28-vjeçar nga Kavaja është arrestuar nga policia nën akuzën e dhunës në familje. F. T., 28 vjeç, me banim në fshatin Luz i Vogël, në fshatin Kryevidh ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes B. T., 25 vjeçe, dhe kunatës së tij B. G., 44 vjeçe. Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre, dy të dëmtuarat ndodhen në spital në kujdesin e mjekëve me dëmtime të shumta. Mësohet se 25-vjeçarja pas konfliktit që kishte pasur me të shoqin ishte strehuar tek motra e saj, ku dhe është gjetur nga i riu dhe është dhunuar, e krahas saj 28-vjeçari ka ngritur dorë edhe ndaj kunatës. Pas denoncimit të bërë në polici, ndaj tyre u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency