Katastrofa/ Vjosa përmbyt jugun, situatë emergjente në mbarë vendin

0
138

Alma Çuka

situata ne jud 43Rreth 300 persona të evakuuar në Fier e Vlorë. Reshjet në vazhdim kanë përkeqësuar situatën. Operacione të shumta shpëtimi në terren. Qytetarët humbin pasurinë

Jugu i vendit që nga dita e shtunë gjendet nën pushtetin e ujit. Qindra banorë të Vlorës, Fierit janë detyruar të “braktisin” banesat për të shpëtuar nga katastrofa. Mundohen të largojnë nga banesat e tyre të mbushura me ujë çfarë të mundin. Përpiqen me shpirt të shpëtojnë bagëtinë dhe shpendët. Statistikat e humbjeve janë të mëdha. Banorët e zonave të përmbytura me lot në sy kërkojnë ndihmë nga shteti. Shprehen se në këto momente, kur natyra po tregohet e pamëshirshme, e vetmja mundësi për ta mbetet dora e njeriut, mbështetja maksimale që duhet të japë shteti me fonde. Fshatra të tërë në Vlorë dhe Fier janë tashmë të shkatërruar. Qindra hektarë tokë do të jetë shumë e vështirë të kthehen në gjendje pune. Bujqësia. në prag katastrofe.

Shifrat e policisë

Pranë banorëve të këtyre zonave prej ditës së shtunë ndodhet policia dhe forcat e ushtrisë. Minutë pas minute jepen informacione dhe raportohen të dhëna për bagëtitë e humbura, personat e evakuuar dhe tokën e përmbytur. Sipas të dhënave që policia ka dhënë deri në orët e mbrëmjes së djeshme, bëhet me dije se në dy ditë, jugu është përmbytur, 311 persona janë evakuuar nga të gjitha zonat e rrezikuara nga vërshimi i ujit. Policia e Shtetit konfirmon se numri më i madh i të shpëtuarve është në qarkun e Fierit, 112 persona. Në Vlorë janë evakuuar 98 persona, në Berat 90 persona, në Gjirokastër 7 persona, ndërsa në Elbasan 4 persona. Situata, sipas policisë, vazhdon të mbetet e njëjtë, ndërkohë që operacionet në terren kanë vazhduar gjatë ditës së djeshme dhe në orët e vona të mbrëmjes. Policia e Shtetit njofton qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të largohen nga zonat e përmbytura. Sipas saj, në ditët në vazhdim pritet që reshjet të jenë të vazhdueshme dhe për këtë qëllim situata mund të bëhet më emergjente. Mbi 3 mijë hektarë tokë janë të mbuluara nga uji.


Situata dramatike

Policia, ushtria dhe emergjencat civile nuk janë shkëputur nga operacionet e shpëtimit në jug të vendit. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila i përpunon çdo orë, situata deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është paraqitur problematike në fshatin Darëzezë në Fier, por edhe në Novoselë. Në të gjitha daljet për median, policia shprehet se kanë bërë të pamundurën të shpëtojnë jetë njerëzish, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pasurinë e vetme të tyre, bagëtinë e imët, shpendët, për të cilët banorët e zonave të përmbytura janë shprehur se i kanë humbur tashmë. Dëmet në bujqësi, blegtori e banesa janë të pallogaritshme. Duket se situata e jashtëzakonshme do të vazhdojë. Qytetarët e evakuuar janë strehuar tek të afërmit e tyre në qytetet më të afërta, ndërkohë që uji vazhdon të pushtojë takat dhe gjithçka të tyren.

Prefektja e Vlorës

Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha, u shpreh se dëmet materiale janë tepër të mëdha, por gjatë fjalës së saj ajo nuk dha asnjë shifër zyrtare. Duke folur për median në zonat e prekura, prefektja tha se në këto momente e rëndësishme është jeta e njeriut, që, sipas saj, është mbrojtur me çdo kusht. Vëmendja, sipas saj, duhet të përqendrohet edhe tek mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit të pijshëm. Prefektja sqaroi se gjendja e emergjencës është në të gjithë qarkun dhe të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë për të përballuar situatën. Gjatë mesditës së djeshme, reshjet pushuan për pak kohë, por gjendja në Darëzezë ishte tepër problematike, pasi prurjet e ujit vazhdonin të sillnin dëme në të gjithë zonën.


Fier, uji izolon fshatrat, mbyten qindra shpendë e bagëti të imta

Vërshimi i ujërave në zonën e Novoselës ka krijuar një situatë alarmante. Në gjithë hapësirën ka vetëm ujë dhe rruga e tjetër nacionale është përmbytur tërësisht. Në Ferras të Fierit, çdo gjë është nën pushtetin e ujit. Rrugët gjatë ditës së djeshme kanë qenë të mbuluara tërësisht nga uji. Për të eliminuar pasojat që mund të sjellë moti, policia ka bërë të mundur gjatë ditës së djeshme pengimin e lëvizjes së automjeteve në drejtim të jugut. Më të prekurit nga këto përmbytje janë fermerët, për shkak se të gjitha tokat janë nën ujë, të mbjellat dhe bimët janë shkatërruar tashmë. Por edhe dëmet në bagëti dhe në shpendë janë shumë të mëdha. Barinjtë e zonës kanë treguar gjatë ditës së djeshme për një numër shumë të madh kafshësh të mbytura, por edhe shpendë. Argjinatura në lumin Vjosë u ça, duke sjellë ndryshimin e rrjedhës së lumit dhe përmbytjen e një hapësire shumë të madhe.

Panariti: Ndërtimet pa kriter bllokuan kanalet e kullimit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, deklaroi për mediat se shkak për situatën kritike të përmbytjeve në jug të vendit janë bërë ndërtimet me leje dhe pa leje që janë dhënë për banesat e bizneset pranë lumenjve. Sipas tij, ndërtimet pa kriter kanë bërë që të bllokohen kanalet e treta të kullimit, të cilat pavarësisht funksionimit të kanaleve të para dhe të dyta, e vështirësojnë tej mase tërheqjen e ujërave. Ministri informoi se 3000 hektarë janë përmbytur në qarkun e Fierit, Vlorës dhe në Gjirokastër. Duke cituar stacionet meteorologjike ndërkombëtare, ai tha se situata do të përkeqësohet të mërkurën, ndaj deklaroi se duhen shfrytëzuar periudhat e pushimit të reshjeve për të marrë masat. “Ne duhet të bllokojmë daljen e ujit mbi rezervuarët, që mund të na shembin argjinaturat dhe të biem dakord me specialistët për derdhjen graduale të ujit nga HEC-et. Duhen një kompleks masash, që të përmbajmë me të gjitha mjetet, furinë e ujërave për të ndalur masën e dëmit”, – u shpreh ai.


Policia e Vlorës, operacion për shpëtimin e disa personave

Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, strukturat e policisë, FNSH-së dhe Delta Forcë kanë qenë në zonën e Novoselës dhe kanë evakuuar disa punonjës të pularisë në Novoselë. Gjithashtu, u bë i mundur edhe evakuimi nga ajri i pesë personave të tjerë në fshatrat Akerni, Bishan, Fitore dhe Hidrovor. Operacioni vazhdoi deri në orët e mesditës. Policia e Vlorës njofton se ka qenë në mbështetje të FNSH-së, Delta Forcë dhe Forcat e Armatosura. Së bashku kanë arritur të evakuojnë me mjete lundruese dhe kanë shpëtuar 5 anëtarët e familjes Avdul Aliaj në fshatin Bishan, mes të cilëve edhe një fëmijë 3 vjeç. Gjithashtu, janë evakuuar edhe 3 persona të tjerë nga një zdrukthëtari në Novoselë. Është ndërhyrë në stanin e shtetasit Vullnet Alliaj (bari) për të evakuuar këtë shtetas dhe bagëtitë e tij. Operacioni i evakuimit vijoi hap pas hapi dhe po mbahet kontakt me personat që rrezikohen. Ndërkohë, kur kishte arritur mesdita, policia e Vlorës bëri me dije dhe shifrat e para. Ajo bën me dije se gjatë 48 orëve të fundit nga policia, FNSH, Delta Forcë dhe Forcat e Armatosura janë evakuuar 98 persona. Është ndërhyrë për të shpëtuar shtetasin Rrapo Tiko, bari, në vendin e quajtur Bishti i Malit, në Selenicë, i cili ndodhej i izoluar në stan.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency