Stopkorrupsionit.al/ Qeveria hap faqe për denoncimet e qytetarëve, Rama: Frika ruan vreshtin

0
378

Gëzim Saliu

faqa e stop korrupsionitBrenda 30 ditëve merret përgjigjja, nëse denoncimet janë të hapura, zgjidhja e menjëhershme

Qeveria hap portal unik kundër korrupsionit, përmes të cilit synohet të lehtësohet raportimi nga ana e qytetarëve. Stopkorrupsionit.al është faqja më e re, ku, sipas ekzekutivit, çdo qytetar do të mund të denoncojë çdo aferë korruptive që ndesh në marrjen e shërbimeve. Për të prezantuar këtë nismë, Kryeministri Rama dhe ministra të qeverisë ishin mbledhur së bashku në një takim të përbashkët, ku çelja e faqes u cilësua si një sfidë e përbashkët. Sipas kreut të qeverisë, vendi duhet të çlirohet nga imazhi i rëndë me luftën ndaj korrupsionit, duke synuar zgjidhjen e problemit, dhe jo me makijazh. Në këtë kontekst, Rama tha se portal i mundëson çdo qytetari denoncimin e rasteve kur gjendet përballë korrupsionit në cilindo formë dhe nivel. “Nëse ju nuk do ta përdorni këtë armë dhe nëse do mjaftoheni duke u ankuar në mënyrë të përgjithshme apo duke ushqyer perceptimin e korrupsionit, nuk kemi shanse që të marrim rezultate të shpejta. Qytetarë, na vini në provë vullnetin dhe efikasitetin tonë për të luftuar përkrah jush dhe individualisht dhe për të mos qenë vetëm as ju e as ne në betejë. Korrupsioni nuk është një mallkim nga Zoti. Mjafton që të na tregoni fytyrën, emrin dhe vendin e korrupsionit dhe pjesën tjetër na e lini neve që t’ia zbardhim fytyrën Shqipërisë”, – ishte thirrja që Kryeministri u bëri qytetarëve. Më tej, Rama bëri të ditur se denoncimet do të marrin reagim brenda 30 ditëve ose nëse denoncimet janë të hapura, zgjidhja do të jetë e menjëhershme. Nga ana tjetër, ai premtoi ruajtjen e anonimatit për ato raste ku qytetarët nuk duan të identifikohen. “Ne u sigurojmë qytetarëve anonimatin në rastet e denoncimeve. Së bashku duhet të krijojmë një trysni sociale ndaj korrupsionit, e cila mund të krijohet vetëm nëse qeveria dhe qytetarët bëhen një në këtë betejë. Kjo është një rrugë e re dhe e sigurt për të luftuar korrupsionin”, – theksoi kreu i qeverisë, duke shtuar: “Për sa kohë reformat do vijojnë me pjesën më të vështirë të operacionit dhe dhimbjes na duhet që frika të ruajë vreshtin dhe frika që prodhon vetëdija e krijuar tek çdo nëpunës se qytetari që ka përballë nuk është i çarmatosur, por ka në xhep këtë armën këtu, të jeni të sigurtë se shumë shpejt do ta ruajë të gjithë vreshtin”.

Faqja online

Në takim, ministrat e qeverisë në krye me koordinatorin kombëtar për antikorrupsionin, Bledi Çuçi, bënë të ditur se ankesa apo denoncimi shkon në të njëjtën kohë në katër drejtime të ndryshme. Të katërta këto drejtime janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përgjegjësia për të trajtuar denoncimin shkon tek zyra e Kryeministrit, tek ministri përgjegjës, tek departamenti Antikorrupsion dhe tek salla operacionale e portalit online. Ndërkaq, ministri Çuçi theksoi se momentalisht janë 22 faqe denoncimesh nëpër ministri, por ky portal njëson, sipas tij, mbledhjen e informacionit dhe synon brenda 30 ditësh dhënien përgjigje çdo ankese. “Kjo faqe është për 922 mijë e 508 persona që kanë aplikacione online në celular, për 135 mijë me USB e modem dhe 324 mijë e 524 lidhje ADSL. Në total, në Shqipëri janë 22 faqe për denoncimin e korrupsionit, një numër shumë i madh që çon në dilemë qytetarin për të denoncuar. Por kemi pasur burokraci, sepse denoncimet humbasin nëpër zyrat qeveritare pa dhënë asnjë përgjigje, duke shkuar nga një siglim në një siglim tjetër”, – tha ai. Ndërkaq, në fjalën e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, theksoi se dikasteri që ai drejton, ka bërë procedime penale dhe reforma ligjore, duke arritur, sipas tij, në 300 punonjës policie dhe 840 punonjës të tjerë me masa më të rëndë deri në largim nga detyra. Ndërkohë, ministri i Financave vuri theksin tek rëndësia e forcimit të bashkëpunimit mes qytetarëve dhe qeverisë e ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se mazhoranca është e vendosur për të luftuar korrupsionin.


Detajet e faqes

Portali online stopkorupsionit.al është një faqe unike, ku gjithsecili prej qytetarëve mund të dërgojë ankesën e tij për shërbimet, e cila mund të kryhet edhe në formë anonime. Menytë orientuese të faqes janë vendosur brenda një dritareje burgu, fjalë e cila është hasur dendur që prej ardhjes së mazhorancës së majtë në pushtet. Faqja i ka të ndara menytë e denoncimit sipas fushave specifike, si: drejtësia, shëndetësia, legalizimet, policia, dogana, tatimet, hipoteka, automjetet etj.

Rastet/ Historia e dështimit të portaleve. A mund të luftohet korrupsioni përmes faqeve online

Lufta ndaj korrupsionit ka qenë dhe është një ndër kushtet kryesore dhe të përsëritshme çdo vit nga ana e Brukselit për Shqipërinë. Duke ditur nivelin galopant të tij në vend, qeveritë kanë zgjedhur metodat e tyre për t’i vënë fre dukurisë. Ndërkohë që prej ardhjes së mazhorancës së majtë, një ndër metodat më të përdorura është ajo që lidhet me faqet online, ku presupozohet që qytetarët të denoncojnë korrupsionin. Fillimisht ishte vetë Kryeministri Rama, i cili bëri të ditur hapjen e dy faqeve online: atë për denoncimet e ndërtimeve pa leje dhe më pas atë për ankesat online tek Ministria e Drejtësisë. Në rast se për denoncimet online të ndërtimeve pa leje nuk munguan rastet e qytetarëve, edhe pse masat ishin shumë të pakta krahasimisht me numrin e denoncimeve, ankesat online tek drejtësia duket se nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Që prej hapjes së faqes nuk është marrë asnjë masë si pasojë e ankesave online, gjë e cila ka sjellë si pasojë edhe dështimin e nismës. Ndërkohë, dje, Kryeministri bëri të ditur hapjen e portalit unik për denoncimet për korrupsionin, sërish një faqe online, ku në pritje të rezultateve, dyshimet e dështimit janë sërish të mëdha si në rastet e mësipërme. Vetëm pak kohë më parë, organizma të lartë ndërkombëtarë kërkuan rezultate konkrete sa i përket korrupsionit, duke theksuar se asnjë zyrtar i lartë nuk është ndëshkuar. Ndërkaq, raportet ndërkombëtare vazhdojnë ta listojnë Shqipërinë si në vend me nivel të lartë korrupsioni. Nisur nga kjo, duket se masat e marra deri më tani nga qeveria nuk kanë qenë efikase. Nëse kjo gjë do të ndryshojë me hapjen e një faqeje online, mbetet për t’u parë, po gjasat duket se janë për një dështim të radhës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency