Përmbytjet/ Basha: Rama të mos japë shfaqje, t’u vijë në ndihmë banorëve të përmbytur

0
138

Qeveria nuk shpall gjendje të jashtëzakonshme.
Zv.kryeministri: Gjithë rrjeti i ngritur është 24 orë në punë për të përballuar këtë emergjencë pa dëme të mëdha

LULAIm BaSHA proteste
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri dje thirrje Kryeministrit Edi Rama të lërë “shfaqjet” para kamerave dhe të përkushtohet ndaj situatës së përmbytjeve në vend. Ai tha se Rama duhet të vihet në krye të Shtabit të Emergjencës për t’i ardhur në ndihmë banorëve, shtëpitë e të cilëve po përmbyten nga reshjet e dendura të shiut. Ndërkohë, dje në orët e mesditës, Kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Fierit dhe Vlorës, që janë dy zonat më të përmbytura nga reshjet e dendura të shiut tri ditëve të fundit. Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama gjatë orëve të mbrëmjes, në orën 20:00 mblodhi kabinetin qeverisës, jo për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, siç ishte e pritur, por për të folur mbi masat dhe hartën e përmbytjeve.

Përmbytjet

Lideri i demokratëve Lulzim Basha ironizoi dje prezantimin që kabineti i qeverisë “Rama” bëri para një publiku të gjerë në lidhje me platformën antikorrupsion. Në një kohë që njerëzit ndodhen në rrezik për jetën dhe pronën, Basha nuk e ka parë të vendit që të bëhen prezantime në sallë për çështje korrupsioni. “Shqipëria nën ujë, qeveria paradë në salla. Në vend që të vihet në krye të Shtabit të Emergjencës për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, Kryeministri bën llogje para kamerave. Në vend që të verë të gjitha resurset e shtetit në funksion të përballimit të emergjencës i mbledh zyrtarët si spektatorë guakë për recitalin e radhës”, – tha kryeopozitari Basha. Basha nuk ka kursyer edhe një koment për platformën antikorrupsion që prezantoi dje shefi i qeverisë. Ai e cilësoi prezantimin si një “shfaqje e shpifur” ku ministra të akuzuar për korrupsion bëjnë thirrje që të luftohet korrupsioni. “Parada antikorrupsion është një shfaqje e shpifur, ku ministrat e akuzuar për korrupsion, klientelizëm, për emërime të zyrtarëve me precedentë penalë, për favorizime të firmave të vëllezërve, fisit dhe klientëve ironikisht kërkojnë që të denoncohet korrupsioni tek ata”, – komentoi Basha. Sipas Bashës, asnjë zyrtar i lartë nuk ka marrë dënimin për raste të denoncuara pasi këta të fundit mbrohen nga vetë Kryeministri. “Asnjë zyrtar i lartë nuk ka shkuar para përgjegjësisë penale, çdo rast i denoncuar publikisht është marrë në mbrojtje, sepse vete dyshja Rama-Meta është simboli, mburoja dhe garancia e korrupsionit politik”, – tha Basha.

Situata kritike

Edhe pse pritej që të shpallej gjendja e jashtëzakonshme nga përmbytjet në 5 qarqe të vendit, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë jashtë radhe, mbrëmjen e djeshme zëvendëskryeministri Niko Peleshi foli për masat që tashmë janë marrë për të përballuar gjendjen e përmbytjeve. Peleshi tha se shtabet e emergjencës civile janë ngritur dhe situata po monitorohet nga qeveria. “të gjithë janë në gatishmëri, emergjenca civile është ngritur, të shpresojmë që më e keqja ka kaluar, por nuk ka garanci. Ju sigurojmë që gjithë rrjeti i ngritur është 24 orë në punë për të përballuar këtë emergjencë pa dëme të mëdha”, – deklaroi Peleshi. Ndërsa ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se situata në vijim mund të përkeqësohet dhe kërkoi bashkëpunim të banorëve me shtabet e ngritura të emergjencave civile. Ndërkohë, dje në mesditë Kryeministri Rama inspektori zonat e përmbytura në Vlorë dhe fier nga ku ai deklaroi se ka kërkuar ndihmë nga Brukseli për dëmet e shkaktuara. “Të gjithë strukturat janë në këmbë. Nuk kemi humbje njerëzish. Do bëhet raport i hollësishëm për dëmet. Kemi diskutuar me partnerët për mbështetje”, deklaroi Rama. Në Novoselë të Vlorës Rama tha se përmbytjet janë shkaktuar edhe nga bllokimi i kanaleve si pasojë e ndërtimeve buzë lumenjve. “Paguajmë edhe çka i kemi bërë vetë mjedisit. Ka shumë punë për të bërë. Problemet do t’i adresojmë”, – u shpreh Kryeministri. Pas Novoselës, Kryeministri Edi Rama mbërriti në Levan të Fierit, për t’u njohur më nga afër me situatën e përmbytjeve në këtë zonë, në të cilën janë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kryeministri Rama premtoi dëmshpërblim për fermerët dhe banorët e dëmtuar nga përmbytjet nga Vjosa.


Topalli ironizon Ramën: Njerëzit po mbyten, ky ha peshk në Vlorë

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ironizoi dje Kryeministrin Rama, pasi ky i fundit është parë në një restorant në Vlorë për të parë nga afër përmbytjet. Nëpërmjet një fotografie të bërë publike nga deputetja e PD-së, shihet Kryeministri në një restorant që sipas Jozefinës, po drekonte peshk. “Vlorë. Njerëzit po mbyten, ky han peshk! Në krye të detyrës dmth”, – shkroi Topalli bashkëshoqëruar me fotografinë, ku Rama shikohet duke biseduar me një kuzhinier. Ndërsa në një reagim të dytë, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i bëri thirrje qeverisë të vendosë gjendjen e emergjencës kombëtare pasi gjendja e vështirë në ujë vazhdon prej 3 ditësh. Qeveria duhet të vendosë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Të paktën gjysma e vendit është në situatë emergjence! Fshatra të izoluar, pa dritë, pa mundësi komunikimi, lumenj të tërbuar, që kanë përmbytur banesa, toke; rrugë të bllokuara, ura të mbuluara nga uji… një situatë e dhimbshme dhe e frikshme… Kjo është dita e tretë e kësaj gjendje të rrezikshme. Qeveria duhej të kishte shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore”, – tha Topalli.

Vlora nën ujë, në rrugë mbillen palma

Ndërsa Vlora ndodhet nënë ujë për shkak të reshjeve të dendura të 3 ditëve të fundit, disa punonjës vazhdojnë të mbjellin palma anës rrugëve. Këtë fakt e bëri të ditur sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ARben Ristani, i cili dje ishte në Vlorë për të parë nga afër situatën e vështirë që po kalojnë banorët. “Në këtë moment, në mes të zonës më të përmbytur në Mifol, rilindasit vazhdojnë mbjelljen e palmave. Ndërkohë njerëzit luftojnë me natyrën duke rrezikuar jetët”, – tha Ristani bashkëngjitur fotografisë ku shikohet mbjellja e palmës.
Ndërkaq, dje Ristani pa nga afër përmbytjet në Novoselë, nga ku u bëri thirrje të zgjedhurve vendor të PD-së të jenë në gatishmëri për të ndihmuar banorët e rrezikuar nga përmbytjet. Ai u kërkoi të zgjedhurve vendorë të PD-së që të ofrojnë bashkëpunim e plotë me autoritetet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që janë në vështirësi këto ditë.

Berisha: Fatos Nano çon Ramën në Novoselë

Ndaj situatës së rëndë të përmbytjeve reagoi edhe ish-kryeministri Berisha. Ai akuzoi kreun e qeverisë së po mban qëndrim indiferent, ndërsa, sipas tij, është dashur ndërhyrje ish-kreut të PS, Fatos Nano që Rama të shkojë në një nga zonat më të përmbytura, në Novoselë. “Forcat e emergjences civile, policitë e këtyre qarqeve, janë lënë thuaj të braktisura. U desh reagimi i Fatos Nanos për qendrimin indiferent dhe absurd te Edi Rames, që ky i fundit të niset për të vizituar vetem pas 72 orëve njeren nga zonat më të kërcënuara nga lumi Vjosa, Novoselën. Kësaj i thonë Shqiperia përmbytet Rama dhe qeveria e tij krifet!”, – reagoi dje ish-kryeministri Sali Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency