Debatet në Komisionin e Sigurisë/ Policia Ushtarake merr kompetencat e Policisë së Shtetit. Noka: Shndërrohet në Gestapo

0
109

Gëzim Saliu

PD: Pse ligji nuk shoqërohet me dokumentet e konsulencës me NATO-n? PS: S’mund ta vini në dyshim
komisioni i sigurise

Projektligji i ri për Policinë Ushtarake ka sjellë debate mes mazhorancës dhe opozitës në diskutimin e djeshëm në parim në Komisionin e Sigurisë. Sipas demokratëve, me këtë projektligj, Policia Ushtarake merr kompetencat e Policisë së Shtetit, duke u shndërruar, siç theksoi deputeti Flamur Noka, në një Gestapo. Në këtë kontekst, ai theksoi se Policia Ushtarake me këtë projektligj i merr kompetenca Policisë së Shtetit, pasi sanksionohet me ligj se ajo mund të arrestojë dhe civilë. “Ky është një ligj i hartuar thjesht se u është mbushur mendja për të ndryshuar për t’i dhënë ca kompetenca më tepër Policisë Ushtarake, për ta shndërruar në një Gestapo për ushtrinë, se kështu e keni hartuar. I kini dhënë dhe kompetenca të Policisë së Shtetit në nja dy nene, sepse paska të drejtë të arrestojë dhe civilë”, – tha ai. Kjo deklaratë e Nokës solli reagimin e deputetëve të mazhorancës dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët e cilësuan etiketimet për ligjin dhe Policinë Ushtarake si të papërshtatshme dhe të gabuar. “Është e papranueshme të përdoren terma të cilat u përmendën tek parafolësi. Mendoj se për sa i përket procesit të konsultimit, sigurisht që ligji nuk i referohet një modeli të caktuar, por u referohet standardeve në përgjithësi që kanë struktura homologe në FA të vendeve aleate. Janë bërë konsultime me shumë vende aleate”, – u shpreh zv.ministri Petro Koçi.

Diskutimet

Në nisje të diskutimeve për projektligjin, deputetja demokrate Mesila Doda kërkoi të dinte nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes se pse projektligji nuk është shoqëruar me dokumentet që vërtetojnë konsultimin me partnerët e NATO-s, aty ku Shqipëria aderon. “Me kë model e keni sjellë këtë projektligj dhe a ka një model të tillë, një tabelë përputhshmërie në bazë të ligjit. Një tabelë që unë sot nuk e shoh”, – u shpreh Mesila Doda. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i PD-së, Ardian Turku, i cili parashtroi nevojën e njohjes nëse ekziston një gjë e tillë, të konsulencës së ligjit me ekspertët e NATO-s. “Konsulencat që janë bërë për këtë ligj,me përfaqësuesit e NATO-s, pranë ushtrisë apo dhe institucione të tjera le të na paraqiten në mbledhjen e ardhshme të komisionit”, – tha ai. Në përgjigje të deklaratave të përfaqësuesve të Ministrisë, të cilët folën edhe për konsulencë të drejtpërdrejtë me ekspertët, deputeti demokrat Noka theksoi: “Konsulenca nuk është konsulencë gojore me aleatët apo përfaqësuesit e tyre në MM. Konsulenca bëhet me shkrim. Ky është një ligj mjaft i rëndësishëm për Policinë Ushtarake, ky duhej të kishte një rekomandim dhe dhënien e një mendimi ose të ekspertit të NATO-s për Policinë Ushtarake ose t’i referohej një shembulli të vendi anëtarë të NATO-s. Këtu jemi në shtet, nuk ke konsultim, as referencë”. Zëvendësministri Koçi pohoi se Policia Ushtarake bashkëpunon me agjencitë e tjera të inteligjencës, por pa përjashtuar dhe institucionet e tjera. Në mbyllje të diskutimeve projektligji u votua në parim me vetëm votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër duke argumentuar se mungesa e dokumentacionit shoqërues për konsulencën me NATO-n sjell dyshime nëse një gjë e tillë ka ndodhur apo ajo.

Debati

Flamur Noka: Ky është një ligj i hartuar për t’i dhënë ca kompetenca më tepër policisë ushtarake, për ta shndërruar në një Gestapo për ushtrinë.
Petro Koçi: Është e papranueshme të përdoren terma, të cilët u përmendën tek parafolësi… Janë bërë konsultime me shumë vende aleate.
Mesila Doda: Me cilin model e keni sjellë këtë projektligj dhe a ka një model të tillë, një tabelë përputhshmërie në bazë të ligji, unë sot nuk e shoh.
Ardian Turku: Konsulencat që janë bërë për këtë ligj,me përfaqësuesit e NATO-s, pranë ushtrisë, apo dhe institucione të tjera.
Spartak Braho: Është jashtë çdo logjike në kushtet e pranisë të gjithë atyre struktura të huaja që janë në policinë ushtarke të ketë kaluar kjo gjë pa konsultime është e papranueshme dhe kjo mazhorancë nuk vë vetveten në dyshim.
Pirro Lutaj: Nevoja për të paraqitur këtë ligj është ndryshimi gjeopolitik i vendit, vakumi ligjor.
Noka: Pse kujton se si dimë ne këtë…
Braho: Flamur do të nxjerr përjashta Flamur.
Paulin Stërkaj: Tani unë doja me i ba nji pyetje kolegëve të opozitës. Jena anëtarë me të drejtë të barabarta në NATO apo jemi vasalë?
Arben Çuko debaton me Flamur Nokën
P.Stërkaj: O Beni a ka mundësi me ma lan ta bëj unë pyetjen. Unë ju dëgjova më vëmendje, këtu kur nuk nihet Flamuri, del ti me më prish diskutimin.


Transballkanikja / Banorët e lagjes “Kushtrimi”, zbardhen trajtimet financiare për dy grupet

Qeveria bëri të ditur dje përmes ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, trajtimin financiar për banorët e lagjes “Kushtrimi”, të cilët preken nga ndërtimi i Transballkanikes me superstradën Fier – Vlorë. “Grupi i parë, janë qytetarët pronarë të objekteve dhe të truallit, të cilët do të dëmshpërblehen, duke ndjekur procedurat e shpronësimit për interes publik, në bazë të dokumenteve të pronësisë për objekt dhe truall. Ky grup qytetarësh, do të trajtohet, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 54, datë 21.1.2015 “Për shpronësimin për interes publik të pasurive pronë private nga realizimi i projektit lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë”, – tha ajo. Ndërkaq, grupi i dytë do të jenë familjet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, të cilat preken nga zbatimi i projektit. “Ky grup qytetarësh, do të trajtohen, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 58, datë 21.1.2015 “Për trajtimin e disa familjeve që preken nga zbatimi i projektit ‘Lidhja e Rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë me programe sociale të strehimit”. Këta qytetarë, do të përfitojnë, pagesat e qirasë për dy vjet, ndërkohë për vitin 2015, do të marrin menjëherë pagesën e plotë, të qirasë për 11 muaj shkurt – dhjetor 2015”, – theksoi Gjermeni.

Reforma në drejtësi/ Ngrihet grupi i posaçëm i ekspertëve, mungon opozita, pritet përgjigjja për amendamentet

Ngrihet grupi i posaçëm i ekspertëve, të cilët do të merren me reformën në drejtësi. Komisioni për reformën në drejtësi vendosi dje për ngritjen e këtij komisioni në mbledhjen e pasdites, e cila u zhvillua pa praninë e opozitës. PD ka dorëzuar disa amendamente që shërbejnë si kushte për pjesëmarrjen e saj në komision. Këto amendamente që kërkojnë numër të barabartë anëtarësh në Komision, nuk janë shqyrtuar ende nga Kuvendi. Ndërkaq në mbledhje kryetari Fatmir Xhafaj tha se ekspertët e komisionit të posaçëm janë propozuar nga institucionet vendase si Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturës dhe nga institucionet e huaja si OPDAT, Komisioni i Venecias dhe OSBE.

Zgjedhjet e 21 qershorit/ KQZ miraton modelet e zarfeve të sigurisë dhe vulave në KZAZ dhe KQV

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi dje me vota unanime disa projektvendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve vendore në 21 qershor. “Projektvendimin “Për miratimin e modeleve të procesverbaleve të administrimit të materialeve zgjedhore, që do të përdoren për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015. Projektvendimin “Për miratimin e modeleve të zarfeve të sigurisë që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015. Projektvendimin “Për miratimin e modeleve të shenjave dalluese që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor 2015”. Projektvendimin “Për miratimin e modelit të vulave për KZAZ-të, KQV-të, kryetarët e KQV-ve dhe të vulës rezervë për KQV-në, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor 2015”. Projektvendimin, “Për miratimin e modelit të dhomës së fshehtësisë, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor 2015”, – theksohej në vendimet e KQZ-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency