Rrëzohen amendamentet e PD-së/ Buxheti votohet me 81 vota e 3 kundër. Rama: Ulëm 97% taksat, vazhdojmë reformat drastike

0
128

Gëzim Saliu

 Negociatat e Ballës me grupin e PDIU-së për ligjet me shumicë, si Braçe argumentoi amendamentet e PD-së

votimi ne kuvend tabela elektronike parlamentMe 81 vota pro dhe 3 kundër deputetët votuan dje në seancën parlamentare buxhetin e shtetit për vitin 2015. Përveç buxhetit, Parlamenti miratoi edhe ndryshimet në paketën fiskale, që rrisin taksat mbi naftën, cigaret, por edhe të ardhurat dytësore për një total prej 16 miliardë lekësh ose 160 milionë dollarë. Lidhur me akcizën e debatueshme për pijet energjike, ndryshe nga ç’kishte sugjeruar qeveria, u vendos të mos hiqej, por të ulej nga 50 në 30 leke për litër. Ndërkaq, shumica nuk pranoi asnjë nga amendamentet e PD-së, pasi, sipas të majtëve, me taksimin e sheshtë nuk zgjidhen problematikat që ka vendi. “Nëse marrim në konsideratë propozimet e PD-së i bie që policët, mjekët e mësuesit të paguajnë nga 100-300 mijë lekë më shumë ndërsa ne deputetët të paguajmë nga 100-300 lekë më pak” tha Braçe. E ndërsa të pranishëm në seancë ishte edhe grupi parlamentar i PDIU-së, i cili vazhdon të mendojë ndryshe nga opozita e PD për bojkotin parlamentar. Këta të fundit krahas votave kundër për paketën fiskale e buxhetin se votën pro për projektligjet me shumicë të cilësuar si ai për Kontrollin e Lartë të Shtetit, për projektligjin disa shtesa e ndryshime në ligjin e Avokatit të Popullit si edhe atë për rregulloren e Kuvendit, duke bërë që ligjet të merrnin nga 89 vota. Një detaj u vu re edhe në momentin e votimit të ligjeve që kërkonin 84 vota, ku nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla negocioi me anëtarët e grupit të PDIU-së për të siguruar shumicën absolute. Mungesa e zëvendësueses së deputetes së dorëhequr Luiza Xhuvani si edhe mundësia e një gabimi në votimin elektronik të ndonjë deputeti të majtë do të bënte të pamundur votimin e këtyre ligjeve. Në këtë formë, Balla mori “masat” paraprake për të shmangur çdo surprizë, duke negociuar me PDIU-në, e cila në fund votoi pro këtyre ligjeve, duke i dhënë “ndihmën” e kërkuar mazhorancës. Ndërkaq, edhe vendosja e grupit parlamentar të drejtuar nga Idrizi tregoi njëfarë ndasie, pasi në rreshtin ku ata qëndrojnë në Parlament ishin vetëm katër anëtarë të kësaj force. Deputeti Tahir Muhedini preferoi të zinte vend në rreshtin më pas së bashku me deputetin e LSI-së Gjovalin Kadeli.

 

Rama

Ndërkaq, në diskutimin e tij për buxhetin dhe paketën fiskale, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi dje në Kuvend se nga ulja e taksave vitin e fundit përfitua 97 për qind e shqiptarëve. “Ka një ngulmim propagandistik se në Shqipëri po rriten taksat, por në Shqipëri është viti i parë, që 97 për qind e shqiptarëve kanë përfituar nga ulja e taksave, krahasuar me shumë vite të shkuara që kur hyri në fuqi taksa famëkeqe e sheshtë, mbi të ardhurat personale”, – tha Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri pohoi se reformat e ndërmarra nga qeveria nuk do të zbehen, por do të jenë rrënjësore dhe masat që do të merren do të jenë drastike. “Kemi rritje të ndjeshme të konsumit dhe kjo është rritje e fuqisë blerëse. Askush nuk mund të na thotë që me votën e 23 qershorit janë rritur taksat. Taksat janë ulur për 97% të shqiptarëve. Është fakt që çmimet janë ulur. Askush nuk mund të na thotë që me votën e 23 qershorit janë rritur shpenzimet për ilaçet. Çështja e punësimit. 81 e një mijë e disa qindra punonjës të regjistruar. Jemi ne të parët në historinë e qeverisjes së këtij vendi që i kemi njohur sipërmarrjes barazinë me shtetin. Ne jo vetëm që nuk do kthehemi nuk do zbusim apo do lakojmë ndonjë nga reformat por do i thellojmë, masat do jenë drastike”, – u shpreh Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë komentoi edhe reformën në sistemin energjetik duke vlerësuar rezultatet e saj. “Kjo rrugë është intensive. Një arritje e parë konkrete e operacionit për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët e energjisë. Kemi futur në vijë një bashkërendim forcash me bankat e nivelit të dytë për të shlyer një borxh dramatik që nuk është përfshirë në listën e borxheve të cituara më lart. Është borxhi ndaj sipërmarrësve dhe prodhuesve privat të energjisë. 60 milionë euro”, – deklaroi kryeministri.

 

Votimi në Kuvend

Projektligjin “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” – 89 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim

Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Avokatin e Popullit” – 89 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim

Për krijimin e komisionit të posaçëm “Për reformën në sistemin e drejtësisë” – 84 vota pro dhe 4 kundër

Për ndryshime dhe shtesa “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë” – 88 vota pro

Projektligji “Për buxhetin e vitit 2015” – 81 vota pro dhe 3 kundër

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” – 83 vota pro dhe 5 kundër

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” të ndryshuar – 83 vota pro dhe 5 kundër

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar – 82 vota pro dhe 5 kundër

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar – 83 vota pro dhe 5 kundër

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency