“Shqiponjat” përballë “gjelave”, me synimin për të fituar

0
116

Ekipi i De Biazit do të përballet me atë të Deshampit për të bërë një ndeshje sa më dinjitoze, e cila shërben si përgatitore për Evropianin 2016

1415282497_400872_1415282629_noticia_grandeSfida Francë-Shqipëri do të luhet mbrëmjen e sotme dhe premton që do të dhurojë spektakël. Kjo, pasi të dyja ekipet janë në formë të mirë dhe do të provojnë me gjithë potencialin e tyre të bëjnë një ndeshje të bukur. Nga njëra anë gjenden “gjelat”, që kanë arritur të kenë një ekip të konsoliduar, të ri dhe që premton shumë për të ardhmen. Kurse në krahun tjetër edhe skuadra jonë është në të njëjtin format, por pas ndeshjes me Serbinë duket sikur lojtarët kanë një motivim më shumë. Përballjet miqësore kundër Francës dhe Italisë do t’i shërbejnë kombëtares kuqezi për të fituar sa më shumë përvojë. Një grup, i cili ka në përbërje lojtarët e formacionit bazë, por edhe disa elementë të rinj që pritet të provohen nëse janë të aftë për të qenë në ndeshjet eliminatore ose jo. Italiani De Biazi u shpreh se është mjaft i bindur që këto ndeshje do t’i shërbejnë shumë skuadrës, pasi përfitojnë përvojë shtesë. Deshamp deklaroi para disa ditësh që ekipi jonë është një skuadër me potencial dhe mund të përgatisë shumë mirë surpriza dhe kjo e bën një ekip të vështirë për t’u mundur. Ndërsa De Biazi, nga krahu tjetër, u shpreh se kjo ndeshje është ndaj një rivali, i cili është më i madh, por që shërben shumë për aftësimin e mëtejshëm të skuadrës sonë.

 

Statistikat anojnë nga Franca

Ndeshja e Renes mes Shqipërisë dhe Francës do të jetë e pesta mes këtyre dy kombëtareve, me bilancin që flet dukshëm në favor të një herë kampionëve të botës, të cilët kanë fituar katër përballjet e mëparshme. Interesant është fakti se francezët për ne janë projektuar gjithmonë si kundërshtarë në eliminatoret e një Evropiani dhe pse këtë herë në grupin I, Franca gjendet si një skuadër, pikët ndaj së cilës nuk kanë vlerë për renditjen përfundimtare. Ndeshja e parë mes dy ekipeve është luajtur më 17 nëntor 1990, në “Qemal Stafa”, ku kuqezinjtë mundeshin me rezultatin 1-0 pas një goli të Boli, ndërkohë që me një kombëtare pothuajse të shpërbërë në mars të vitit 1991, kuqezinjtë luanin në “Parc des Prince”, ku mundeshin me rezultatin e thellë 5-0. Soze dhe Papen realizonin nga dy herë për ekipin që drejtohet nga Michel Platini, ndërsa goli i pestë ishte në fakt një autogol i Zmijanit. 20 vjet më pas, dy përfaqësueset përballeshin sërish në eliminatore, këtë herë për Euro 2012, në “Qemal Stafa” fitonin francezët 1-2 me gola të Benzemasë e Mvilasë, ndërsa Erion Bogdani shënonte për Shqipërinë. Ndeshja e kthimit në “Stade de France” ishte sërish një humbje e thellë me rezultatin 3-0, pas finalizimeve të Maludasë, Remi dhe Reveje. Në total golavarazhi është dukshëm në favor të francezëve 11-1, por ndoshta ndeshja e radhës mund të jetë ajo e duhura për të ndryshuar disi balancën negative kundrejt Gjelave.

 

Italia, me rezerva

Ndërkohë që italianët do të luajnë ndaj kuqezinjve vetëm me rezerva. Kjo, pasi të dielën luajnë ndaj Kroacisë dhe nuk lejohet që lojtarët të kenë ndeshje çdo tri ditë. FIFA u dërgoi një kërkesë të kaltërve, ku u kërkoi që të mos aktivizojnë asnjë nga lojtarët që do jenë në ndeshjen ndaj Kroacisë, fakt ky i cili do të zbatohet në sfidën e 18 nëntorit dhe kuqezinjtë do të kenë përballë lojtarët e stolit të drejtuar nga Antonio Konte.

 

 Romela Begaj, kampione bote në shkëputje

Peshëngritja shqiptare arrin kulmin. Pas triumfit të pardjeshëm të Daniel Godellit me ngritje prej 171 kg në stilin e shkëputjes, dje është shënuar edhe një sukses tjetër nga shqiptarët në këtë sport. Është peshëngritësja Romela Begaj, e cila ka triumfuar në kampionatin që po mbahet në Kazakistan. Begaj ka fituar pasi ngriti 113 kg në shkëputje, duke i mposhtur kështu konkurrentet e saj. Ajo është uruar nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili përmes një postimi në “Facebook” e ka cilësuar atë si një “kampione bote për të gjithë vajzat shqiptare”.

 

 Federata ruse nuk i jep rrogën Kapelos që në maj

Federata Ruse Futbollit ka pranuar se nuk ka mundësi të përballojë pagën e seleksionuesit Fabio Kapelo prej nëntë milionë eurosh në vit. Italiani Kapelo nuk ka marrë pagë prej muajit maj dhe ditë më parë kishte deklaruar se po e humb durimin për këtë. Kapelo aktualisht është trajneri më i paguar në botë, pasi merr dyfish më shumë para sesa shumë të tjerë, përfshirë këtu Roi Hoxhsonin e përfaqësueses së Anglisë. “Nuk kemi para për të paguar Kapelon, – ka thënë Sergei Stepashin, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ruse. – Ky është gabim, por kur e kanë firmosur kontratën është dashur të parashikohet se si do të vijë deri te financimi i pagës së Kapelos. Duhet të shikojmë për burime financimi”. Kapelo në janar të këtij viti kishte rinovuar kontratën me Federatën e Rusisë për të qëndruar në krye të ekipit deri pas përfundimit të Kampionatit Botëror të vitit 2018 që do të mbahet pikërisht në Rusi. Prej asaj kohe, Rusia nuk ka regjistruar rezultate të mira. Kapelo po përgatit ekipin pa dy ndihmësit e tij, Kristian Panuçi e Masimo Neri, që kanë refuzuar të udhëtojnë në Vjenë, po për shkak të vonesave të pagave.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency