Guvernatori i ri/ Presidenti e dekreton javën e ardhshme, nga 42 kandidatë mbesin 10 potencialë

0
112

Gëzim Saliu

 Pas konsultimeve me krerët e shtetit, të cilat u cilësuan si mirëkuptuese, Nishani gati të bëjë përzgjedhjen

 bsh 2Mbyllja pozitive e konsultimeve me krerët e shtetit duket se përbën fazën e parafundit të procesit pas të cilit, Presidenti i Republikës do të dekretojë emrin e ri të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Mësohet se nga 42 kandidatura të paraqitura në Presidencë, vetëm 10 prej tyre janë marrë seriozisht për shqyrtim nga kreu i shtetit, duke plotësuar kushtet e duhura për pozicionin, për të cilin po aplikonin. Nisur nga ngushtimi i rrethit të përzgjedhjes, mbi bazën e kritereve, për të cilat Nishani ka bërë të ditur se janë mbështetur në Kushtetutë e ligj, pritet që Presidenti ta bëjë publik emrin e guvernatorit javën e ardhshme.

 

Kandidaturat

Megjithëse emrat mbeten ende konfidencialë, mësohet se dhjetë kandidatët finalë që janë në garë për postin e guvernatorit plotësojnë kushtet dhe kriteret për të cilat Presidenti ka folur që në nisje të procesit. Në radhë të parë të gjithë kandidatët janë me shtetësi shqiptare, ashtu siç ka bërë të ditur Nishani, e njëkohësisht janë njerëz të njohur në profesionin e tyre, me përvojë të gjatë në fushën e ekonomi-financës. Nisur nga fakti se nga 42 kandidatura, janë mbetur vetëm 10 vërtetohet se këta të fundit plotësojnë të gjitha kushtet për të marrë postin e guvernatorit, gjë kjo që do të vendoset nga kreu i shtetit javën e ardhshme.

 

Konsultimet

Ndërkaq, dy ditë më parë kreu i shtetit, Bujar Nishani, priti zyrtarët më të lartë të politikës shqiptare, Kryeministrin Edi Rama, kreun e Kuvendit, Ilir Meta, dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, për çështjen e zgjedhjes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Secili prej tyre qëndroi në Presidencë për rreth 30 minuta, ku konsultoi me kreun e shtetit kriteret dhe procesin e zgjedhjes. Në këto takime, u mësua se Nishani kishte bërë të ditur rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës, duke theksuar se emri i përzgjedhur do të jetë tërësisht nën germën dhe frymën e ligjit. “Përgjatë takimeve, Presidenti Nishani kërkoi nga ana e bashkëbiseduesve që procesi i konsultimit dhe përzgjedhjes së Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë të shoqërohet me transparencë dhe mirëkuptim”, – thuhej në njoftimin zyrtar të Presidencës. Ndërkohë, i vetmi që foli pas takimit, ishte Kryeparlamentari Meta, i cili pohoi se në takim nuk ishte folur për emra, por lidhur me procesin. Në këtë kontekst, kreu i Kuvendit bëri të ditur se do të ofrohet bashkëpunim që emri të jetë një garant i drejtimit profesional të Bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni. Nga ana e saj, PD ka shprehur me kohë qëndrimin e saj për këtë çështje, sipas të cilit rëndësi në procesin e përzgjedhjes së guvernatorit ka Kushtetuta dhe ligji. Ndërsa Kryeministri Rama, i cili kërkoi një kandidaturë të huaj për guvernator, duket se është tërhequr nga qëndrimet e tij, duke bërë të ditur se konsultat me kreun e shtetit kanë ecur mirë se edhe shumë shpejt do të ketë një emër që do të zëvendësojë Ardian Fullanin.

 

 Mbledhja e Këshillit të Rregullores/ Pranohet kërkesa e PD-së: Paloka komenton pas fjalës së Ramës. Deputetët, vetëm në një komision

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve vendosi dje të pranonte propozimet për ndryshime në rregullore duke pranuar propozimin e Partisë Demokratike, sipas së cilës, kryetari i grupit parlamentar më të madh të opozitës ka të drejtë të bëjë komente menjëherë pas fjalës së Kryeministrit. Mbledhja e drejtuar nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u thirr me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe në të u diskutua gjithashtu edhe kërkesa e forcës kryesore të së majtës, sipas së cilës, deputetët e Kuvendit duhet të jenë anëtarë vetëm në një komision të përhershëm parlamentar. Pas diskutimeve nga anëtarët e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, ata dhanë dakordësinë për ndryshimet siç ato janë paraqitur nga propozuesit, dhe në frymën e kërkesave të propozuara më parë për këto çështje në rregullore. Në përfundim anëtarët e Këshillit u shprehën për vijimin e procedurave për miratimin e tyre në seance plenare.

 

 Mediat serbe/ Rama në Beograd, mijëra policë angazhohen për sigurinë, masat, të njëjta me vizitën e Putinit

Autoritetet serbe po përgatiten për vizitën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, e parashikuar për në datën 10 nëntor. Gazeta serbe “Kurir” shkruante dje se policia serbe do të marrë masat maksimale të sigurisë dhe mijëra efektivë do të angazhohen për sigurinë e kryeministrit shqiptar. Duke ju referuar burimeve nga policia serbe, “Kurir” theksoi se masat e sigurisë do të jenë të njëjta me masat e marra gjatë vizitës së Presidentit rus Vladimir Putin, Joe Biden apo Hillary Clinton. Por sipas gazetës, nuk dihet ende nëse kryeministri shqiptar do të ecë në këmbë në Beograd, pasi në këtë rast do të nevojiteshin masa shtesë. Mësohet se shefi i qeverisë shqiptare dhe delegacioni që do ta shoqërojë do të qëndrojnë në Beograd në hotelin me 5 yje “Hyatt”.

 

Kritika nga mazhoranca për buxhetin/ Fino: Ulen fondet e vendorëve, rrezik për autonominë. Pse i merr qendrori 1.2 miliardë grante?

Kritika e parë për projektbuxhetin e vitit 2015 erdhën dje nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve, teksa deputeti socialist Bashkim Fino u shpreh se fondet për pushtetin vendor parashikohen të ulen kudo, duke vënë në rrezik autonominë e pushtetit vendor. “Si ishte autonomia financiare, pra për çfarë shume pushteti vendor vendos për destinacionin kam një pyetje, përjashto që jeni treguar në një farë mënyre edhe servil me kryetarin e opozitës edhe mirë keni bërë që e keni lënë të iktë në shumë. Më lejoni të them që Durrësi për shembull në 2014 e ka pasur 437.906 sot ju propozoni 428. Elbasani për shembull e ka 370.370 ju propozoni të marri 340 nga 370, prapë me ulje. Pushteti lokal duhet të marrë pavarësi të plotë, në të gjitha drejtimet dhe natyrisht që pavarësia financiare është një nga elementët më thelbësorë por të gjitha gjërat janë në një programim afatmesëm që gjykojmë ta realizojmë”, – tha Fino. Më tej, ai shtoi se projektbuxheti 2015 heq shuma të mëdha parash që vinin në formën e granteve për vendorët, duke ja lënë në dorë pushtetit qendror zgjedhjen se ku këto të fundit do të rialokohen, pas zbatimit të reformës territoriale. “Të heqësh 1. 2 miliardë lekë nga granti i kushtëzuar, kuptohet që po e hoqe duhet t’ia japësh një sektori tjetër, por ju keni menduar dhe keni thënë që jo nuk e jap, do ta ruaj këtë për reformën administrativo territoriale, mua më duket një artificë e gjetur kjo, është fare e kotë sepse të jap në dorë unë ty 1.2 mld për ndarjen e bashkive dhe ti nesër, më fal nuk dua të të paragjykoj, po e quaj unë veten ministër i Financave, të bëj ndere se kujt duhet t’i jap 1.2 mld lekë. Mua më duket jokorrekte”, – tha Fino. Një tjetër pikë e nxehtë e diskutimit ishte edhe ajo e shtimit të vendeve të punës, kryesisht në ministri e qeveri vitin tjetër, ndërsa në pushtetin vendor parashikohen shkurtime. Fino ka kërkuar nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani që të rishikohen mirë mundësitë e shtimit të numrit të punonjësve. “Sot më ka ardhur një evidencë nga ju ku më thuhet që numri i punonjësve për vitin 2015 do të jetë 88 mijë e 772, i bie rreth 2 mijë e 672 punonjës që shtohen sivjet në buxhetin e shtetit”, – tha Fino.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency