Paketa e re fiskale/ Çfarë parashikohet, PD: Shqiptarët, 7 muaj do të punojnë për qeverinë

0
124

Erneta Shevroja

 Mima:160 milionë dollarë më shumë taksë për qytetarët. Ndikon në varfërim të mëtejshëm

komisioni i ekekonomise se pd paraleleDeputetët demokratë paralajmërojnë përkeqësim të situatës ekonomike për vitin e ardhëm, referuar paketës së re fiskale të hartuar nga qeveria që tashmë është hedhur në diskutime në Komisionin e Ekonomisë për të kaluar më pas në Kuvend. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, thekson se me paketën e re fiskale, që parashikon rritje tërësore të taksave, do të duhet që çdo shqiptar të punojë 7 muaj për qeverinë dhe 5 muaj për të ardhura në familje.

 

Parashikimet

Deputetët e Partisë Demokratike në komisionet parlamentare të Ekonomisë, Financave dhe Veprimtarisë Prodhuese, diskutuan dje në lidhje me paketën fiskale 2015, duke nënvizuar se rritja e taksave për vitin e ardhshëm do të jetë rrënuese për shqiptarët e do t’i varfërojë akoma edhe më shumë. Deputeti Florion Mima analizoi të gjitha taksat e reja, duke përmendur faktin se rritja e tyre me më shumë se 160 milionë dollarë do të thellojë varfërinë dhe do të ndalë rritjen ekonomike. Deputeti Ridvan Bode u shpreh se për vitin e ardhshëm, 7 muaj qytetarët do të duhet të punojnë për qeverinë dhe 5 muaj për vete, për shkak të rritjes së taksave. “Qytetarët dhe biznesi gjatë vitit 2015 duhet të punojnë 7 muaj me produktin shtesë që do të krijojnë për qeverinë dhe vetëm 5 muaj për kompaninë dhe për vetëtëpunësuarit në ekonominë e vendit. Kjo do të thotë që në këta muaj 7 muaj do të punojnë për qeverinë”, – tha Bode.

Referuar krizës financiare që përfshiu vendet e Evropës Perëndimore dhe politikave ekonomike që ndoqën, Bode tha se në asnjë prej tyre nuk u zbatua politika e rritjes progresive të taksave, siç parashikohet në paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Ai thekson se kjo politikë do të ndikojë në uljen e mëtejshme të vendeve të punës dhe në humbje të investimeve. “Është kjo politikë që gjatë vitit 2014 çoi në rritje të papunësisë dhe humbjen e vendeve të punës, në humbjen e kapaciteteve investuese tek bizneset dhe rënien e atyre që punësohen për herë të parë në ekonominë e vendit”, – theksoi Bode.

 

Taksa e sheshtë

Bode u ndal edhe në premtimin që bëri Kryeministri Rama gjatë fushatës zgjedhore. Rama premtoi taksim progresiv ose ndryshe, kush merr më shumë, taksohet më shumë, kush merr më pak taksohet më pak. Por sipas ish-ministrit të Financave, ky premtim është një mashtrim, pasi qeveria aktuale aplikon taksën e sheshtë, por me një rritje prej 5% të taksimit, më e larta krahasuar me vendet e rajonit. Këtë taksë, sipas Bodes, e paguan 90 për qind e shqiptarëve dhe jo biznesi i madh, siç u premtua gjatë fushatës. “Ajo që mund të themi është se kemi të bëjmë me atë taksë që Rama e mallkoi vitin e kaluar për të justifikuar rritjen e taksave, me një taksë të sheshtë e cila nuk është më 10%, në nivelin më të ulët e konkurrues në rajon, por është 15%. Në të vërtetë taksat nuk i paguan ata, biznesi apo të pasurit, por i pagoi, sipas të dhënave të vetë qeverisë, 90% të shtesës së taksave të vitit 2014, i pagoi qytetari”, – tha Bode.

 

Taksa mbi fermerët

Ndërsa deputeti Gjergji Papa u ndal tek një tjetër premtim i pambajtur i qeverisë, ai i mbështetjes së fermerëve. Ai tha se taksa mbi qarkullimin dhe rritja e taksës së karburanteve për bujqësinë do të rezultojë katastrofale. Deputeti demokrat kërkoi që hiqet taksa për mjetet e mekanikës bujqësore, pasi, sipas tij, kjo taksë do t’i rrënojë fermerët. “Kosto më e madhe e prodhimit dhe çmimet e ulëta të prodhimeve bujqësore, do të thotë që të ardhurat e fermerëve do të jenë shumë të ulëta duke i rrënuar edhe ata krahas shtresave të tjera të popullsisë”, – u shpreh Papa. Deputeti, ekspert në fushën e ekonomisë, Florion Mima, i analizon të gjitha taksat.

 

160 milionë dollarë taksa më shumë për qytetarët

 

  • Kjo paketë fiskale mund të quhet e re vetëm sepse i përket një viti të ri buxhetor por ajo nuk sjell asgjë të re në financat publike shqiptare, në ekonominë shqiptare dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptare. Madje pa frikë ajo mund të quhet një ‘paketë e lindur e plakur’ pasi ecën në gjurmët e paketës famëkeqe të 2014, paketës që çmontoi çdo gjë të mirë që ishte arritur në sistemin fiskal shqiptar në vite.
  • Në asnjë prej projektligjeve që ndryshojnë ligjet fiskale nuk vihet re një përkujdesje për ekonominë e vendit, për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, për të rritur komponentë që ndikojnë pozitivisht në rritjen e PBB-se së vendit, pra për të rritur eksportet, investimet apo konsumin apo edhe për të ulur importin e produkteve të gatshme çka po ashtu ndikon pozitivisht në rritjen e PBB-së, rrjedhimisht për të rritur punësimin dhe mirëqenien e njerëzve.
  • PBB nominal i vendit rritet me rreth 80 miliardë lekë ose rreth 800 milionë $ nga viti 2014 në 2015, nga të cilat rreth 46 miliardë lekë ose rreth 460 milionë $ thithen nga shteti në arkën e përbashkët në formën e tatimeve e taksave të reja dhe ekzistuese. Pra, më shumë se gjysma e rritjes nominale të ekonomisë së vendit do të duhet të kanalizohet në formën e parave ekstra që shqiptarët duhet të paguajnë për makutërinë e qeverisë së tyre.

 

Si mund të përkufizohet paketa fiskale 2015 

  1. Paketa e taksimit më të rëndë dhe rrjedhimisht e varfërimit të mëtejshëm të të gjithë shqiptarëve dhe,
  2. Paketa e ndryshimeve, amendimeve, përjashtimeve dhe favoreve klienteliste për një grusht miqsh të qeverisë.

 

Çfarë do të sjellë taksa kombëtare

– Ndërsa qeveria e demokratëve në 8 vite vetëm sa prezantoi një taksë prej 7 lekë/lt karburant, mjaftoi një vit qeverisje e socialistëve që të kemi dy rritje me nga 12 lekë/lt të kësaj takse duke e çuar atë në mbi 30 lekë/lt. Argumenti i qeverisë se nuk do të ketë rritje çmimi është banal. Qeveria thotë se taksa po u rritka meqë ndodhemi në një trend ulës të koniunkturës ndërkombëtare të çmimeve të karburanteve. Qëllimi është një dhe vetëm një: të merren nga xhepat e popullit mbi 7 miliardë lekë ose 70 milionë dollarë për t’i përdorur për luksin e shfrenuar qeveritar dhe për makijazhe me livadhe e peme të mbjella anës autostradave, dekor, show, shfaqje, bar dekorativ etj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency