Prezantimi në PD/ Emrat e 24 koordinatorëve kombëtarë. Basha: Vendosim vlerat përballë antivlerave në pushtet

0
134

Gëzim Saliu

kreu i pd me koordinatoret “Koordinatorët e rinj janë pasuri për PD-në dhe shqiptarët, të hapur për të gjithë. Struktura e dijes përcakton strukturën e pushtetit”

 Duke rikthyer përvojën e suksesshme të vitit 2005 me përzgjedhjen e elementëve të spikatur të shoqërisë civile, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka ardhur vetë në politikë si produkt i KOP-it, prezantoi dje 24 koordinatorët kombëtarë të forcës më të madhe opozitare. Për të vlerësuar karrierën dhe CV-të e tyre dhe angazhimin në partinë që drejton, kreu i demokratëve kishte zgjedhur dje që prezantimin e koordinatorëve ta bënte përmes një ceremonie të veçantë në selinë blu, ku krahas përfaqësuesve të lartë të PD-së, merrnin pjesë dhe drejtuesit e medias si edhe gazetarët e fushës. Në nisje të fjalës së tij, lideri i opozitës pohoi se ribashkimi, hapja dhe ripërtëritja kanë bërë që në PD të vërshojnë dhjetëra dhe qindra intelektualë. “Këta janë një pasuri e madhe për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë. Janë përfaqësues të shquar të një brezi të ri që është fytyra, shpirti dhe mendja e Shqipërisë së re, e ardhmja e saj e re, e sigurtë dhe evropiane. Me kualifikimin e tyre ata janë një fuqi e shtuar e forumeve të Partisë Demokratike, fuqi e dijes, fuqi e mendimit, fuqi e ekspertizës, e konsultimit, fuqi e aksionit tonë politik. Janë një pasuri e shtuar e burimeve njerëzore të partisë, e drejtuesve dhe të zgjedhurve, një vlerë e shtuar e alternativës sonë, për përgatitjen e së cilës këta koordinatorë do të japin kontributin e tyre të çmuar”, – theksoi Basha.

 

Hapja

Për Bashën, Partia Demokratike është e vendosur të afrojë dhe të angazhojë sa më shumë të rinj e të reja, intelektualë, ekspertë dhe specialistë të aftë e të përgatitur. “Partia Demokratike është e vendosur t’i garantojë të gjithë hapësirën dhe mbështetjen çdo qytetari, njerëzve që prodhojnë dhe propozojnë ide dhe zgjidhje, që dinë t’i vënë ato në jetë dhe në zbatim. Ne duam të sendërtojmë me veprime konkrete parimin e vyer të partive të familjes sonë, të partive popullore se mendja, ekspertiza dhe talenti janë pronë sa e individit aq edhe e shoqërisë. Pasuri sa e individit aq edhe e kombit. Duam të japim mesazhin dhe shembullin se propozimi ynë për qytetarët shqiptarë janë këto vlera, janë në radhë të parë të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që e kanë kokën plot, që dinë dhe duan të kontribuojnë për Shqipërinë e re evropiane, bashkëkohore dhe moderne”.

 

Dallimi

Në fjalën e tij, kryedemokrati nuk ngurroi të theksonte se ndërsa PD po afron njerëzit më me vlera të shoqërisë, në krahun e kundërshtarit politik nuk mungon injoranca politike, spekulantët që kanë blerë diploma për të përfituar poste drejtuese si edhe individët me rekorde kriminale. “Kjo është një nga njollat më të mëdha dhe më të errëta që kjo shumicë dhe bashkëkryetarët e saj i kanë vënë vendit me ardhjen e tyre në pushtet. Ne do ta heqim këtë njollë dhe shumë të tjera, me çdo kusht”, – tha Basha. Në këtë kontekst, përmendi edhe sentencën, sipas së cilës “struktura e dijes përcakton strukturën e pushtetit”. “Aty ku injoranca ngjitet dhe dija flaket, aty ku forcën e ideve e zëvendëson ideja e forcës, aty ku strukturën e dijes e zëvendëson struktura e krimit, pushteti nuk mund të jetë tjetër, veçse i paaftë, i trashur dhe i kriminalizuar. Bashkë me të gjithë shqiptarët ne duam të vendosim pushtetin që mbështetet pikësëpari në dije të qëndrueshme dhe bashkëkohore, në mendje të zgjuara e të kohës dhe në zemra të përkushtuara, shqiptare dhe evropiane”, – theksoi kreu i PD-së.

 

Emrat e 24 koordinatorëve të PD-së

1- Akil Kraja

2- Albana Cenollari

3- Arbi Agalliu

4- Sorina Koti

5- Lediana Fratari

6- Mateo Spaho

7- Merlinda Hoço

8- Rejla Bozdo

9- Ina Xhani

10- Julian Deda

11- Dritan Shano

12- Fabiola Bregu

13- Fatbardh Sallaku

14- Ina Zhupa

15- Ardian Isufi

16- Argyrina Jubani

17- Belind Këlliçi

18- Valbona Karapici

19- Gëzim Pani

20- Anida Gumeni

21- Henris Balliu

22- Dritan Hoti

23- Besart Kadia

24- Blerta Zihja

 

Kupola e PD-së/ Këshilli vendos javën e ardhshme, i pari zgjidhet sekretari i Përgjithshëm. Vetëm dy nënkryetarë

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, forumi më i lartë që do të vendosë për emrat e rinj të kupolës drejtuese të kësaj force, do të mblidhet javën e ardhshme. Burime pranë selisë blu bënë të ditur dje për gazetën se në këtë mbledhje, krahas krerëve të departamenteve, vendimi i parë që do të merret do të jetë ai për zgjedhjen e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Në këtë garë janë të përfshirë tre emra kandidatësh, ai i deputetëve demokratë Eduard Selami dhe Arben Ristani si edhe ai i ish-ministrit të drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Në bazë të statutit të Partisë Demokratike, është kryetari Basha ai që i paraqet Këshillit kandidaturat, por Selami, Alibeaj dhe Ristani tashmë e kanë shfaqur hapur ambicien e tyre për ta zënë atë vend. Ndërkaq, burimet në selinë e demokratëve nënvizuan gjithashtu se përtej supozimeve të hedhura, PD do të ketë vetëm dy nënkryetarë. Kështu njëri prej tyre për shkak të detyrës si kryetar i grupit parlamentar, do të jetë Edi Paloka e ndërsa për emrat e tjerë kanë shprehur dispozitën për të qenë të përfshirë në garë Tritan Shehu, Majlinda Bregu, Oerd Bylykbashi etj. Ndërkaq dy ditë më parë u mbyll procesi i aplikimit për sekretarët funksionalë, por dhe për drejtuesit e departamenteve, që do të funksionojnë në Partinë Demokratike. Drejtuesit e departamenteve zgjidhen me propozim të kryetarit nga Këshilli Kombëtar dhe detyra kryesore e tyre është sigurimi i koordinimit të veprimtarisë në fushat që mbulojnë ndërmjet partisë dhe grupit parlamentar. Me zgjedhjen e drejtuesve të rinj, PD i jepu fund procesit të analizës dhe rifreskimit të saj, duke synuar që përmes ekipit të ri të arrijë fitore në sfidat zgjedhore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency