Kallëzimi/ Shpërdoroi fondet, Ministria e Brendshme padit ish-drejtorin e Emergjencave

0
173

Alma Çuka

 Ministri Saimir Tahiri akuzon katër ish-zyrtarë dhe punonjës aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për gjashtë shkelje ligjore gjatë ushtrimit të detyrës

 ministria e brendshmeMinistria e Brendshme kallëzon në Prokurorinë e Tiranës katër ish-zyrtarë dhe punonjës aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile për “Shpërdorim detyre” me fondet e emergjencave. Në krye të kallëzimit ndodhet emri i ish-drejtorit të Emergjencave Civile, Alfred Olli. Ndërkohë, akuza për shpërdorim detyre është ngritur edhe për Maksimiljan Dhimën, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit; Arben Qesarajn, specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Arben Kapo, ish-specialist në Drejtorinë e Planifikimit. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, edhe për shtetasen Drita Avdyli, ish-drejtore e Drejtorisë së Shtetësisë dhe Refugjatëve. Nga auditi i kryer ka rezultuar se Avdyli është përgjegjëse për shpërdorim detyre, në procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare si dhe keqmenaxhimin e aktiviteteve, me pasoja financiare në buxhetin e shtetit në vlerën 245 125 lekë. Kallëzimi i depozituar nga juristët e Ministrisë së Brendshme në Prokurori, është në vijim të padive të tjera, që ky institucion ka ngritur për ish-zyrtar, larguar nga detyra pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Në kallëzimin penal referuar prokurorisë, thuhet se shkeljet janë konstatuar nga Drejtoria e Auditit të Brendshëm në këtë institucion.

 

Akuzat

Në përfundim të auditit thuhet se janë vërejtur një sërë shkeljesh, për të cilat personat e lartpërmendur janë përgjegjës. Sipas Ministrisë së Brendshme, personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke abuzuar me fondet e buxhetit të shtetit. Destinacioni i këtyre fondeve sipas kallëzimit mendohet të këtë shkuar në favor të personave që kanë ushtruar një aktivitet privat. Ministria shprehet se janë dhënë fonde për pesë persona me aktivitet tregtar në shumën 1 000 000 lekë. Sipas saj përveç vlerës së dëmit ekonomik në shumën e mësipërme, është krijuar mundësia e dëmit ekonomik për detyrimin e buxhetit të shtetit edhe ndaj 31 personave me aktivitet tregtar privat në shumën 143 902 657 lekë. Janë akorduar fonde në shumën 58 000 000 lekë, për emergjencën e krijuar nga reshjet e dëborës, pa dokumentacion justifikues. Janë dhënë fonde për emergjencë, në kundërshtim me VKM nr. 80 datë 12.02.2012 për 11 njësi të qeverisjes vendore në shumën 3 000 000 lekë. Janë akorduar fonde për ndihmë në katër raste për shumën 600 000 lekë, pa asnjë dokumentacion. Nuk është kryer kontrolli dhe dokumentimi i përdorimit të fondeve të akorduara për emergjencat civile për vitet 2012-2013. Për mallrat që ka përfituar MB nga projekti “Përballimi dhe zbutja e rreziqeve nga fatkeqësitë”, është vepruar në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore për administrimin e aseteve. Mungojnë dy mjete motorike (skafe) me vlerë 1 168 494 lekë.

 

Reagimi

Pas depozitimit të kallëzimit penal nga ana e Ministrisë së Brendshme, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-drejtorit të Emergjencave Civile, Alfred Olli. Ai e cilësoi të pabazuar në prova dhe ligj akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ngritur nga ana e ministrit Saimir Tahiri. Ish-drejtori Olli u shpreh se në kallëzimin penal nuk sheh jo vetëm shkelje ligjore, por edhe administrative. Sipas tij, veprimet e ministrit të Brendshëm janë thjeshtë lëvizje për të denigruar figurën e ish – zyrtarëve tashmë të larguar.

 

Prokuroria

Kallëzimi penal ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme është marrë tashmë në dorë nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Materiali i dërguar nga ky institucion do të kalojë në disa faza. Fillimisht, Prokuroria do të verifikojë akuzat, duke kryer veprime konkrete në terren dhe duke i ballafaquar ato me dokumentacionin përkatës. Më pas do të pyeten personat, ndaj të cilëve është ngritur padia. Vetëm në rast se konstatohen elemente të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi të jenë kaluar fazat e verifikimit, mund të nisë hetimi ndaj personave të cilët do të njoftohen për marrjen ose jo në procedim penal.

 

Të akuzuarit

 Alfred Olli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile;

Maksimiljan Dhima, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;

Arben Qesaraj, specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;

Adem Kapo, ish-specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;

 

Operacioni/ Aksioni për energjinë elektrike, 21 në pranga vetëm në Tiranë

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ditën e parë të operacionit të përbashkët e finalizuan me arrestimin e 21 personave. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, 10 pronarë dhe administratorë biznesesh janë arrestuar për vjedhje dhe rilidhje të energjisë elektrike, në ditën e parë të aksionit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Policisë së Shtetit. Këta persona kanë ushtruar aktivitetin e tyre kryesisht në dy anët e autostradës Tiranë – Durrës. Në pranga sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, është vënë edhe një faturistë i njësisë numër 3 Tiranë. Ndërsa 11 persona të tjerë, vënë në pranga për të njëjtën vepër penale janë nga rrethinat e kryeqytetit. Operacioni i përbashkët nisur sot në Tiranë pritet të shtrihet edhe në fshatrat përreth, ndërsa në ditët në vijim ai do të marrë përmasa më të gjera në gjithë territorin e vendit. Specialistët e OSHE dhe efektivët e Policisë së Shtetit, thanë se arrestime për shkelësit e ligjit do të ketë edhe në ditët në vazhdim dhe se operacioni nuk do të jetë i kufizuar. Burime nga Ministria e Brendshme pohuan se çdo ditë do të ketë arrestime për kapje në flagrancë, të cilat më pas do i referohen prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale. Faza e parë e operacionit sipas burimeve do të përqendrohet vetëm tek bizneset dhe vetëm pasi të jetë pastruar çdo zonë, do të nisë kontrolli dhe ndëshkimi i konsumatorëve familjarë. Qytetarët që janë debitorë do t’ju ndërpritet energjia dhe ata që do të tentojnë ta rilidhin energjinë pa autorizimin e korporatës do të ndëshkohen për kryerjen e një krimi sepse është një ndërhyrje e paligjshme në rrjet.

 

Arrestohet një prej të dyshuarve të grabitjes së familjes Prenga në Lezhë

Policia ka arrestuar një prej të dyshuarve si autor të grabitjes së familjes Prenga në Lezhë. Bëhet fjalë për shtetasin Klaudjo Pacajn, 20 vjeç, banor i fshatit Balldren. Ndërkohë, policia e Lezhës vijon kërkimin për kapjen e dy personave të tjerë bashkëpunëtorë në ngjarjen e disa ditëve më parë. Ngjarja ndodhi  më 25 tetor ku i dyshuari Pacaj, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, të armatosur hynë brenda në banesën e Luigj Prengës duke dhunuar të zonjën e shtëpisë e cila u ka bërë rezistencë agresorëve, duke u përleshur me ta. Në momentin e ngjarjes në banesë ishin kryefamiljarja Luxhe Preka dhe nusja e shtëpisë si dhe fëmija i mitur. Grabitësit nën kërcënimin e armëve morën një sasi bizhuterish dhe sende të tjera me vlerë dhe më pas u larguan me shpejtësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency