Tragjeditë e harruara

0
155

Alba Kepi

kulle_tanku_gropeFund tetori 1944, vjeshtë si sot. Mëhallët e Tiranës mbyllnin shpejt ditën. Sapo ngrysej, shulat e hekurt dhe kanakët e drurit përplaseshin fort. Portë më portë ishte përhapur lajmi se banda “lugetnish”, kur nata bëhej e errët pus, shkallmonin dyert e nderuara të qytetit, i vidhnin e i plaçkitnin, duke i marrë me vete çunat dhe burrat e shtëpisë e, shpeshherë duke i ekzekutuar për vdekje në mes të oborrit. Evropa, Ballkani e mes tyre dhe Shqipëria ishin vatra zjarri të një lufte të përgjithshme kundër diktaturave nazifashiste që synonin të pushtonin botën. Mjaft djem tiranas u përfshinë në formacione të ndryshme politike e ushtarake me qëllimin e vetëm: Shqipërinë e lirë. Ata që kishin përqafuar luftën antifashiste, lajmëruan ku mundën tek miqtë e të afërmit e tyre se një listë me emra qarkullonte mes komandash e krerësh, me urdhër vdekjeje e dhunimi shtëpie tiranasish. Renditeshin njerëzit më të nderuar të qytetit, tregtarë, sipërmarrës, profesionistë të suksesshëm, ushtarakë, autoktonë tiranas e jo vetëm. Me terror e gjak spërkatnin çdo natë kalldrëmet. Rrugicat përcillnin të parat panikun. Hapa që zhurmonin si ulërima ujqërish të uritur ndaleshin para një porte e godisnin me bisht pushke. “Erdha erdha…”, – thërriste ija me merhamon të bardhë mbi kokë – e pasi i tërhiqte shulin portës, i uronte mirëseardhjen. Gryka e një revolveri mbi gjoks qe përgjigjja e merhamoni i bardhë përplasej në tokë, ndërsa tërbimi hakërrohej në kërkim të burrave të shtëpisë. Më pas një breshëri plumbash lëshohej o mbi pragun e portës, o sapo kishin lënë pas rrugicën. Tirana prej asaj nate kishte një patriot më pak.

Këtë fat patën Abdulla Saraçi, Muharem Liku, Hamit Greblleshi, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Surja Kokalari, Azis Blloshmi, Muharrem Lleshi, Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Hasan Dine, Bajram Cuka, Boris Boloski, Fari Dobulla, Faik Shkupi, Ismail Petrela, Jusuf Allamani, Jorgji Mema, Jakup Deliallisi, Mehmet Dado, Kapllan Deliallisi, Shefqet Daliallisi, Anton Fekeci, Rifat Tershana, Petraq Pekmezi, Selman Alikorça, Aleks Mavraqi, Selman Shqefni, Menella Kotkoci, Ndue Pali, Selim Brahja, Selim Kelmendi, Nebil Çika, Lluka Xhamari, Rakip Kelenja, Ali Panariti, Subi Topulli. Të gjithë të vrarë në atë vjeshtë terrori në Tiranë. Të gjithë të ekzekutuar me urdhër të komandantit të Përgjithshëm të forcave partizane çlirimtare shqiptare. Të gjithë njerëz të nderuar e të suksesshëm në shoqërinë shqiptare të atij mesi shekulli 20. Kësaj liste iu shtuan shumë të tjerë, vjeshtë pas vjeshte shumëfishoheshin viktimat e shumoheshin kriminelët. Krimet firmoseshin nga udhëheqësi i shtetit e praktikoheshin nga ushtarët e tij besnikë. Të gjithë duar e këmbë të lyer me gjak e të gjithë fajtorë të padënuar kurrë.

Histori e dëgjuar, histori e lexuar mund ta quajë kushdo. Mos harroni se mbi të gjitha është histori e jetuar. Sot të paktën që i kemi borxh është shkrimi i saj me të gjitha shkaqet, arsyet, pasojat dhe personazhet që e krijuan. Meriton kapitullin e, pse jo, edhe vëllimin e duhur historik të studimit, për t’i njohur fëmijët tanë, fëmijët e fëmijët e tyre me këtë të vërtetë të gjakshme të rrugënisjes së një Shqipërie të lirë. Le të shpresojmë që historiani i qeverisë së sotme shqiptare, Fisher do të mund t’i japë seriozitetin e profesionit të tij, larg emotivitetit politik të atyre që e kanë punësuar.

 

Qeveria e tragjedive të harruara

Pak ditë më parë, gjatë një konference dypalëshe Itali-Shqipëri, Kryeministri i vendit, i ngazëlluar nga prania e demokristianit italian Romano Prodi, nisi fjalimin e tij duke i perifrazuar shprehjen “se duhet mbyllur me tragjeditë e së shkuarës për të ndërtuar një të ardhme të begatë e në paqe”. Profesor Prodi është një ekonomist i nderuar e pa dashur të hyjmë në debatin se ia vlen o jo të perifrazohet si politikan, mjafton të kujtojmë se vetëm pak muaj më parë u rrëzua nga vetë Partia e tij Demokratike si kandidaturë e mundshme për President të Republikës, pa harruar edhe lakimin e emrit të tij në kronikat gjyqësore, abuzive e korruptive të politikës italiane, me një surprizë speciale që në vitin 2006 emri i Romano Prodit konsiderohej si “pika e referimit të KGB-së” në Itali, akuzë kjo e bërë nga spiuni rus Aleksandër Litvinenko, i helmuar më 23 nëntor të po atij viti nga shërbimi sekret rus.

Të harrosh tragjeditë e së shkuarës është sikur t’i vdesësh për herë të dytë njerëzit tanë, viktima të terrorit komunist në atë fund tetori, 70 vjet më parë në Tiranë. Shpesh është e thjeshtë të harrosh ngjarjet e së shkuarës, sidomos kur ato nuk të prekin drejtpërdrejt. Por ky nuk është një justifikim i pranuar, pasi nuk mund të harrosh vdekjen e dhjetëra personave që vjeshtë pas vjeshtë bëhen qindra, mijëra, qindra mijëra njerëz, burra, gra, fëmijë që u merret jeta pa asnjë faj. Si mund të harrohet ky fakt mizor? Si mund të harrohen fajtorët e këtij krimi kundër njerëzimit? Si mund të harrohen fajtorët që e provokuan? Si mund të harrohet historia?

Nuk duhet të harrohen këto fakte dramatike që janë sinjalet e para të nisjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Natyrisht thuhet në këto raste se komunizmi sot në Shqipëri ka vdekur!

Ka vdekur komunizmi historik!

Por a kanë vdekur e janë varrosur vërtet koordinatat e tij ideologjike, kulturore, sociale e, pse jo, edhe ekonomike, të cilat e ushqyen e i dhanë jetë? Kultura e dhunës, luftës, pushtetit, abuzimit me të, intolerancës, informacionit të zbukuruar apo të helmuar, besojmë vërtetë se ka vdekur?

Të mbash gjallë të vërtetën, kujtesën historike, do të thotë t’i kujtosh atij që ka harruar apo që nuk e ka pranuar apo ditur kurrë se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë qe një shtet i themeluar tek krimi, tortura, persekutimi politik e racial, tek ekzekutimi fizik i kundërshtarit, tek spiunimi e dhunimi e nuk do të mjaftojnë as 70 vjet, as 100 vjet për ta harruar gjithë këtë!

Asnjë qeveritar, asnjë politikan, asnjë historian i huaj o shqiptar nuk ka të drejtën e qytetarisë në një botë të lirë, për të harruar qindra mijëra viktima të komunizmit shqiptar, burgjet e dënimit e kampet e internimit.

Harresa sjell harresë! Kujtesa sjell vërtetësi e mësim historik për të ardhmen!

E le ta nisim nga ky 70-vjetor i çlirimit që funksionarët e lartë të qeverisë po e festojnë nga Vermoshi në Konispol me tubime revolucionare e tufa lulesh. Le të jetë ky përvjetor moment o rast studimi e diskutimi mbi të kaluarën tonë historike e që askush nga ne nuk ka të drejtë ta eliminojë, ta retushojë apo ta harrojë!

 

Evropa; për të mos harruar!

Me titullin “Evropa e shpresës, fuqia e vetme transformuese në rajon”, emërtoi Kryeministri i vendit një nga fjalimet e tij të fundit. Duke e cituar mes të tjerash thotë se “askush nuk na bën ne shqiptarët evropianë o jo evropianë, përveç vetvetes”. Për ta nisur nga vetvetja le të respektojmë rezolutën e Bashkimit Evropianë miratuar nga Asambleja Parlamentare më 25 janar 2006 (dy vjet pasi Romano Prodi kishte përfunduar mandatin e tij si President i Komisionit Evropian). Në mënyrë të veçantë qeveria e partia në pushtet të reflektojë mbi pikën 7 të saj ku thuhet: “Asambleja Parlamentare Evropiane është e bindur se koshienca e historisë është një nga parakushtet për të evituar krime të tilla të ngjashme, denoncimi e dënimi moral e krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj, pozita e qartë e komunitetit ndërkombëtar ndaj së kaluarës mund të jetë një referim për aksionet e tyre të ardhshme”, por edhe pikës 13; ku u bën thirrje “të gjitha partive komuniste e post-komuniste të vendeve anëtare e që ende se kanë bërë, të vlerësojnë historinë e re të komunizmit e të kaluarës së tyre, të distancohen qartë nga krimet e kryera nga regjimet totalitare e t’i dënojnë pa asnjë dykuptimësi”.

 

Rezoluta nr. 1481 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (25 janar 2006); “Dënim ndaj krimeve të regjimeve komuniste në Evropë”

  1. Asambleja Parlamentare i referohet Rezolutës së saj 1096 (më 1996) mbi masat për të çmontuar trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste në Evropë.

  2. Regjimet totalitare komuniste që qeverisën në Evropën Qendrore e Lindore, gjatë shekullit të kaluar, e që dhe sot janë në fuqi në mjaft vende të botës, kanë qenë pa përjashtim të karakterizuara nga dhunime masive të të drejtave njerëzore. Dhunimet kanë përfshirë vrasje e ekzekutime individuale e kolektive, viktima në kampe përqendrimi, uri, deportime, tortura, punë e skllavëruar e forma të tjera të terrorit fizik, persekutimit mbi bazë feje e etnie, dhunim të lirisë së koshiencës, mendimit e fjalës, lirisë së shtypit e mungesës së pluralizmit politik.

  3. Krimet kanë qenë tortura, skllavëria, forma të tjera të terrorit fizik në masë në emër të teorisë së luftës së klasave e principit të diktaturës së proletariatit. Interpretimi i të dy principeve kanë legjitimuar eliminimin e popullsisë së konsideruar e dëmshme në ndërtimin e një shoqërie të re e armik të regjimit totalitar komunist. Një numër i madh viktimash në këto vende kanë qenë bashkatdhetarët e tyre. Rast i veçantë qenë popujt e ish-Bashkimin Sovjetik që kanë kapërcyer popujt e tjerë në numër viktimash.

  4. Asambleja njeh se me gjithë krimet e regjimeve totalitare komuniste, disa parti komuniste evropiane kanë kontribuar në arritjen e demokracisë.

  5. Rënia e regjimeve totalitare komuniste në Evropën Qendrore e Lindore në shumë raste nuk është ndjekur nga një hetim ndërkombëtar ndaj krimeve të kryera. Autorët e këtyre krimeve nuk janë sjellë para një gjykimi të komunitetit ndërkombëtar, siç qe rasti i krimeve të tmerrshme të kryera nga nacional-socializmi.

  6. Si rrjedhim, koshienca publike ndaj krimeve të kryera nga regjimet totalitare komuniste është mjaft e varfër. Partitë Komuniste janë legale e aktive në shumë vende, edhe pse në shumë raste nuk janë distancuar nga krimet komuniste të së kaluarës.

  7. Asambleja është e bindur se koshienca e historisë është një nga parakushtet për të evituar krime të tilla të ngjashme, denoncimi e dënimi moral e krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj, pozita e qartë e komunitetit ndërkombëtar ndaj së kaluarës mund të jetë një referim për aksionet e tyre të ardhshme.

  8. Asambleja mendon se viktimat e krimeve të kryera nga regjimet totalitare komuniste meritojnë mirëkuptim, vlerësim e njohje të vuajtjes së tyre.

  9. Regjimet totalitare komuniste janë aktive deri më sot në shumë vende të botës e krimet vazhdojnë të kryhen. Asambleja dënon me forcë të gjitha dhunimet e të drejtave njerëzore.

  10. Debatet dhe dënimet e kryera në kohë e në nivel nacional në shumë vende anëtare të BE-së nuk mund të ndalojnë komunitetin ndërkombëtar për të mbajtur një qëndrim të qartë kundër krimeve të komunizmit. Është një detyrim moral që duhet kryer pa asnjë vonesë.

  11. Këshilli i Evropës është për një debat të tillë në nivel ndërkombëtar. Shteti i së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë vlerat themelore ku ai bazohet.

  12. Asambleja Parlamentare dënon me forcë dhunimet në masë të të drejtave të njeriut nga regjimet totalitare komuniste e shpreh respekt, mirënjohje e vlerësim për çdo viktimë të tyre.

  13. U bën thirrje të gjitha partive komuniste e post-komuniste të vendeve anëtare e që ende s’e kanë bërë, të vlerësojnë historinë e re të komunizmit dhe të kaluarës së tyre, të distancohen qartë nga krimet e kryera nga regjimet totalitare e t’i dënojnë pa asnjë dykuptimësi.

  14. Asambleja mendon se ky pozicion i qartë i komunitetit ndërkombëtar do t’i hapë rrugë pajtimit. Do të inkurajojë me besim të gjithë historianët në botë për të vazhduar studimet e tyre në përcaktimin dhe verifikimin me objektivitet të ngjarjeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency