Champions League/ Barcelona mobilizohet para Ajaksit

0
129

Katalanasit, edhe pse kanë “El Clasico”-n në fundjavë, kanë përqendruar të gjitha forcat për t’u përballur me holandezët e Ajaksit

barcelona vs ajaxBarcelona ka përpara një javë tepër të rëndësishme. Kjo, pasi përveç sfidës së sotshme ndaj Ajaksit, do të përballet me Realin e Madridit, sfidë e vlefshme për kampionat. Një përballje historike, më e ndjekura nga të gjitha, që ka brenda karakterin e saj historik dhe që i sjell të dyja ekipet të karikuara, pasi të triumfojnë në “El Clasico” është një prestigj më vete. Pavarësisht kësaj, Enrike duket se nuk e ka humbur vigjilencën dhe fillimisht ka mobilizuar skuadrën për ndeshjen ndaj Ajaksit. Në historinë e saj, skuadra spanjolle asnjëherë nuk e ka pasur të lehtë ndaj holandezëve, që luajnë një futboll të bukur. Por përtej këtij fakti tek katalanasit duket të ketë edhe një çështje “Mesi”, me 4 herë fituesin e Topit të Artë, që refuzoi në fundjavë ndaj Eibarit të zëvendësohej. Trajneri Luis Enrike analizoi kundërshtarin që është një rival direkt në garën për të kaluar grupin. “Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi kemi përballë një kundërshtar të mirë organizuar. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të neutralizojmë cilësitë e kundërshtarit, që del shpejt dhe mirë drejt sulmit. Sezonin e kaluar na komplikuan disi situatën dhe mbeten një rival i vështirë. Është ndeshje shumë e rëndësishme pasi luajmë në shtëpi dhe kërkojmë mbështetjen e publikut”. Në fundjavë Barcelona do të luajë në “El Clasico” përballë Realit të Madridit, një sfidë e rëndësishme për këdo në Katalonjë. Megjithatë, trajneri 44-vjeçar bën të ditur se për momentin “blaugranat” mendojnë vetëm për Ajaksin, duke sqaruar dhe çështjen “Mesi”, që refuzoi zëvendësimin në përballjen e kampionatit ndaj Eibarit. “E vetmja ndeshje për të cilën mendojmë është ajo ndaj Ajaksit. Seancat stërvitore i përgatisim pikërisht për këtë ndeshje. Për sa i përket çështjes së zëvendësimit të Mesit, është normale që të pyesësh futbollistin nëse ndihet mirë ose jo, pasi ai ishte zëvendësimi i tretë. Do të vazhdoj të bëj këtë që kam bërë, t’i besoj ndjenjës së futbollistëve”. Njësoj si trajneri i tij mendon edhe Nejmari, duke theksuar se ekipi nuk po mendon për “El Clasico”-n, por për përballjen e Championsit ndaj Ajaksit. Ylli brazilian që po tregohet gjithnjë e më shumë deciziv për katalanasit, analizon situatën, në të cilën gjendet skuadra në këto momente. “Ne hyjmë në fushë gjithmonë për të fituar dhe luajmë ndaj një kundërshtari të fortë. Nuk po mendojmë për Realin por të marrim tri pikët në Champions dhe më pas të kthejmë vëmendjen nga Madridi. Ndaj kampionëve të Holandës do të jetë një ndeshje e madhe”. Ylli katalanas ndalet edhe tek forma e tij e mirë, duke falënderuar të gjithë ambientin “blaugrana” për atë që ai po tregon në fushë. “Nuk është një mënyrë e re loje, por ndjehem në shtëpi, më i lumtur dhe kjo pasqyrohet në fushë. E gjithë kjo më ndihmon të jem në një nivel të lartë loje. Trajneri, shokët e skuadrës dhe të gjithë më kanë ndihmuar të jap më të mirën. Nuk e di çfarë ka ndryshuar, ndoshta edhe sjellja e ekipit, po shfrytëzoj gjithçka në maksimum”. Gjithashtu Nejmari theksoi se me Luis Suarezin në fushë sulmi i Barcelonës do të jetë edhe më i frikshëm, pasi uruguaiani do t’i bashkohet futbollistit më të mirë në botë sipas brazilianit, Leo Mesi. Uruguaiani iu bashkua Barçës gjatë verës nga Liverpuli, por nuk është paraqitur akoma për klubin e ri për shkak të përjashtimit katër mujor pas incidentit në Kampionatin Botëror kur kafshoi Kielinin. Ai do të jetë në dispozicion për t’u paraqitur ndaj Realit të Madridit të shtunën dhe ka treguar se ka qenë ëndërr e tij që të luante në fanellën e Barcelonës. “Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e këtij klubi dhe tani po realizoj ëndrrën time. Nëse do të kem rastin që të pensionohem këtu te Barça, kjo do të ishte me të vërtetë karrierë e mrekullueshme”, – ka deklaruar Suarez.

 

 Arlind Ajeti gati të vishet kuqezi

Ndeshja me Serbinë duket se ka prekur shumë lojtarë, të cilët nuk luajnë për kombëtaren kuqezi, por që janë me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Arlind Ajetin, i cili edhe pse është aktivizuar me të gjitha grupmoshat e kombëtares zvicerane të futbollit, ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare, sipas të cilave Ajeti, pasi ka parë atë çfarë ka ndodhur në Serbi-Shqipëri, ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur të luajë me kombëtaren kuqezi dhe jo me Zvicrën. Në një bisedë telefonike për të përditshmen kosovare “Koha ditore”, babai i Ajetit ka konfirmuar se djali i tij që nga ky moment është në dispozicion të trajnerit të kombëtares shqiptare Xhani de Biazi. Arlind Ajeti, edhe pse është vetëm 21 vjeç, është bërë pjesë e skuadrës së parë të Bazelit që në vitin 2011. Ai ka luajtur 11 ndeshje me kombëtaren e 19-vjeçarëve të Zvicrës dhe 11 të tjera me skuadrën e 21-vjeçare, duke shënuar nga një gol me përfaqësuesen e secilës grupmoshë. Arlind Ajeti luan në qendër të mbrojtjes, një pozicion ku Shqipëria ka vetëm dy lojtarë të afirmuar, siç janë kapiteni Cana dhe Mavraj, kështu që ai mund të jetë një opsion shumë i mirë për De Biazin në sfidat e ardhshme. Ndërkohë, për kombëtaren në javët e ardhshme pritet të kemi edhe ndonjë konfirmim tjetër nga lojtarë që luajnë për grupmoshat e kombëtareve të tjera.

 

Arda Turan: Atletikos i mungon një Ronaldo dhe Mesi

Arda Turan thotë se Atletiko Madrid jo gjithmonë bën futboll të bukur, por shton se ata nuk kanë opsione të tjera për të arritur sukses, pasi nuk kanë lojtarë si Lionel Mesi ose Kristiano Ronaldo. Kampionët e Spanjës janë kritikuar për futbollin agresiv, por Turan nuk është i mërzitur dhe e ka bërë të qartë se gjithçka që është e rëndësishme për ta është të fitojnë. “Futbolli ynë mund të mos jetë i bukur, por është një futboll që sjell fitore. Ndonjëherë ekipet që luajnë futboll të bukur nuk i fitojnë ndeshjet ose titujt. Sigurisht se ka momente kur neve na pëlqen të kënaqemi më shumë me top, por ne nuk kemi Kristiano Ronaldon ose Lionel Mesin në ekipin tonë prandaj duhet të jemi ekip i vërtetë dhe të punojmë fuqishëm. Duhet të arrijmë të mbrohemi më shumë se Madridi ose Barcelona, por ky stil na ka bërë ne kampionë. E respektoj të drejtën e çdokujt për të pasur opinion dhe kënaqem me futbollin që tregojnë Barça ose Bayerni i Mynihut. Megjithatë, unë preferoj stilin tonë më shumë”, – ka thënë një ndër protagonistët kryesorë të madrilenëve.

 

 Raporte mjekësore për lojtarët shqiptarë të dëmtuar

Ditët deri kur Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s të japë vendimin në lidhje me ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri, duket se do të jenë shumë intensive për Federatën Shqiptare të Futbollit. Institucioni po përgatit dosjen, me të cilën do të paraqitet në UEFA për të argumentuar gjithçka ndodhi atë ditë duke kërkuar në këtë mënyrë që të fitojnë ndeshjen në tavolinë. Dhe vendimi më i fundit i FSHF-së ka të bëjë me futbollistët. Federata u ka kërkuar të gjitha klubeve ku militojnë futbollistët e Kombëtares që ishin në Serbi, që ti bëjnë vizitat mjekësore lojtarëve. Dhe më pas, raportet mjekësore do ti dorëzohen FSHF-së, transmeton panorama. Në këtë mënyrë, institucioni i futbollit do të ketë mundësinë që të shtojë fakte të tjera në dosjen që do të dorëzohet në UEFA. Fakte që do të jenë “asnjanëse”, sepse raportet nuk do të jenë vetëm nga Shqipëria, por nga të gjitha klubet e huaja ku luajnë lojtarët. Dëmtimet e futbollistëve pas dhunës së ushtruar nga tifozët serb, forcat e sigurisë vendëse dhe persona të tjerë civil, janë ende më se të dukshme te disa lojtarë. Menjëherë pas ngjarjeve që ndodhën në Beograd, disa prej lojtarëve shqiptarë u fotografuan me shenja të dukshme në fytyrë. Taulant Xhaka i çarë në ballë, Lorik Cana me disa shenja në fytyrë, Lenjani i gërvishtur në qafë apo edhe Burim Kukeli i dëmtuar në hundë. Shumica e futbollistëve u dëmtuan nga dhuna e ushtruar nga huliganët serb dhe forcat e sigurisë të martën në Beograd. UEFA ka lajmëruar se gjatë kësaj jave do të hetojë Serbinë dhe Shqipërinë për akuza të ndryshme në lidhje me gjithçka ndodhi në sfidën e së martës. Vendimi do të jepet më 23 tetor nga Komisioni i Disiplinës pranë institucionit të futbollit evropian. Në bazë të rregullores, Shqipëria meriton fitoren në tavolinë, në një kohë që pritet që Serbia të marrë një dënim të rëndë.

 

 Karaxhiç akuzon Xhakën

Ofensiva serbe duket se nuk ka fund. Kjo, pasi spekulimet për skenat e ndodhura apo dhe lojtarët shqiptarë kanë ditë që po zënë faqet e para të mediave serbe. Kreu i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, ka thënë se Taulant Xhaka ka marrë urdhra nga bankina e kombëtares shqiptare për të sulmuar serbin Mitroviç, i cili e preku i pari flamurin e kombëtares sonë. Tomislav Karaxhiç ka thënë se Xhaka mori urdhra nga stoli i tij për të sulmuar lojtarin serb, i cili e preku i pari flamurin e kombëtares. “Ekziston një detaj mjaft interesant, të cilit duhet t’i kushtojmë mjaft shumë vëmendje, sidomos në raportin që do t’i dërgojmë UEFA-s. Lojtari i Shqipërisë me numrin 14 në fanellën e tij shikon një herë nga stoli i skuadrës dhe pasi merr urdhra, ai sulmon lojtarin tonë, i cili e preku i pari flamurin e tyre”, – tha Karaxhiç. Një informacion, i cili duhet të vërtetohet dhe duhet gjykuar nga UEFA nëse është i dënueshëm ose jo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency