Champions League/ Rudi Garsia: Nuk jemi pretendentë. Alonso: Roma, e frikshme

0
130

Ndeshja midis romanëve dhe bavarezëve pritet të jetë edhe kryesfida, teksa të dyja kampet janë bërë gati të japim maksimumin që u siguron kreun e tabelës

rudi garsia Roma sot do të ketë drithërima. Kjo pasi në kryeqytetin italian do të zbresin kampionët e Gjermanisë, Bajerni i Mynihut. Skuadra e Pep Guardiolës gjendet në superformë dhe nuk do ta lëshojë rastin për të mposhtur Romën që e ka rivale direkte në grup. Nga ana tjetër, edhe Rudi Garcia është rikthyer në majën e futbollit kontinental, duke tërhequr vëmendjen, për shkak të stilit agresiv dhe fitues që imponon në fushën e lojës. Por tashmë ka ardhur koha që verdhekuqtë të vihen përballë gjigantëve të kontinentit, sepse në “Olimpico” bavarezët rikthehen pas shumë vjetësh. Tekniku francez ka dhënë një deklaratë që është munduar që të nxisë skuadrën dhe ambientin, duke i dhënë doza morali skuadrës, por në të njëjtën kohë e ka mbajtur me këmbë në tokë. “Vazhdojmë të jemi skuadra jopretendente në këtë grup. Ndaj Bajernit do të jetë një ndeshje e madhe me stadiumin ‘Olimpico’ plot. Ne duhet të tregohemi të zotët për të shfrytëzuar rastet që do të krijojmë. Jemi një skuadër simpatike që luajmë futboll entuziast, prandaj të tillë duhet të shfaqemi edhe në këtë sfidë. Nuk kemi asgjë për të humbur”. Në lidhje me mbrojtësin Benatia, Garsia nuk preferoi të bënte komente, ndërsa u ndal te një fjali për Pep Guardiolën. “Ai pranoi një sfidë të re dhe të vështirë te Bajerni dhe tregoi se është një nga trajnerët më të mëdhenj në qarkullim, sepse Barcelona nuk fitonte vetëm për lojtarët që kishte në përbërje”. Sulmi i Romës është i frikshëm, por nga ana tjetër, Bajerni nuk pëson gol që prej dy muajsh. “I respektojmë të gjithë kundërshtarët, por nuk duhet të kemi frikë nga asnjë. Do të përballemi me një skuadër të madhe, por edhe ne kemi lojtarë që dëshirojnë të lënë shenjën e tyre, pasi do të kenë edhe mbështetjen e 70 mijë tifozëve. Objektivi ynë është që të dalim kundër parashikimeve se mund të eliminoheshim që në grup”.

 

Alonso: Duhet ta mundim Romën

Ksavi Alonso mendon se Bajerni i Mynihut duhet patjetër të fitojë sont ndaj Romës, për të qenë një hap më afër kualifikimit për në rundin e ardhshëm. “Ju mund ta shihnit sezonin e kaluar se Roma ka bërë një hap përpara, ata po luajnë ndeshje të shkëlqyeshme. Ne jemi përballur me ta në një miqësore parasezonale me Madridin, prandaj e di se si ata luajnë. Ata përfundimisht do të luftojnë për “Scudetto”-n, dhe duan të arrijnë në fazën e ardhshme të Ligës së Kampioneve. Andaj, për ne, ndeshja në Romë është një ndeshje vitale, pasi ne kemi gjashtë pikë nga dy ndeshjet e para dhe jemi në një pozitë të mirë”, – ka thënë mesfushori bavarez.

 

Manolas: Mund të dalim kokë grupi

Konstantinos Manolas thotë se Roma mund të përfundojë si fituese e grupit, përmbi Bajernin e Mynihut dhe Mançester Sitin në Ligën e Kampioneve. Italianët do të përballen sot me Bajernin e Mynihut, pasi mposhtën CSKA-në e Moskës dhe barazuan ndaj Mançester Sitit në dy javët e para. “Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj njërës prej skuadrave më të mira në Evropë. Nuk e di se si do të përfundojë takimi kundër Bajernit, por do të jetë një sfidë që nuk duhet të humbet. Nuk ka limite se ku ne mund të arrijmë në Ligën e Kampioneve, ne duam të shkojmë sa më larg që është e mundur. Ne po ashtu jemi në gjendje ta fitojmë grupin, pse jo…”, – ka thënë mbrojtësi helen.

 

Kosovë-Brazil, në mars

Miqësorja e përfolur ditëve të fundit ndërmjet përfaqësues së Kosovës dhe Brazilit, sipas të gjitha gjasave nuk do të luhet brenda këtij viti. Ditë më parë është folur që Brazili në mesin e muajt nëntor do të zbres në Kosovë, mirëpo sipas zërave që vinë nga Federata Kosovare e Futbollit mendohet se ndeshja me Brazilin do të luhet vitin tjetër. Sipas këtij burimi, Brazili i Nejmarit në muajin mars pritet ta vizitojë Kosovën. “Jo, nuk ka gjasa që Brazili të vijë në Kosovë në nëntor. Miqësorja në mes Kosovës dhe Brazilit mund të luhet në muajin mars”, – është shprehur një burim brenda Federatës.

 

Ançeloti: Xherardin e pata kërkuar te Milani

Tekniku galaktik Karlo Ançeloti, në prag të përballjes me Liverpulin, ka treguar se vite më parë kishte provuar ta transferonte Stiven Xherardin te Milani. “Nuk e mbaj mend mirë vitin, por bashkë me klubin kishim bërë një sondazh në drejtim të Xherardit për ta bindur që të vinte te Milani. Për fat të keq, lidhja e tij me Liverpulin ishte e pazgjidhshme. Është një nga futbollistët që do të kisha adhuruar ta drejtoja si trajner, do të ishte fantastike ta vendosje në mesin e fushës së bashku me Pirlon”, – ka thënë Ançeloti. Edhe sulmuesi italian i Liverpulit, Mario Baloteli, ka qenë një nga dëshirat e teknikut italian. “Nuk e kam drejtuar kurrë Super-Marion. Te Milani nuk e pata këtë rast, por te PSG menduam për të pas Evropianit të vitit 2012 dhe dygolëshit që shënoi ndaj Gjermanisë. Më pas na u prezantua mundësia për të marrë Ibrahimoviçin dhe ne preferuam këtë zgjedhje”, – ka deklaruar tekniku italian.

 

El Sharaui, i pakënaqur me lojën e tij

Një ndër të rilindurit te kuqezinjtë, Stefan el Sharaui, është shprehur i pakënaqur me paraqitjen e tij në fitoren e Milanit kundër Veronës. Në ndeshjen e të dielës kuqezinjtë arritën të fitonin me rezultatin 3-1 në udhëtim, ndërsa italiani dhuroi asist për njërin nga golat e Keisuke Hondës. “Bëra atë që më kërkoi trajneri: Kur Esien bënte presion, unë duhej të shkoja më afër Sulejit. Kur nuk luan, është normale që hidhërohesh, të gjithë duan të luajnë. Megjithatë, e rëndësishme ishte fitorja”, – ka deklaruar El Sharaui. Milani është në vend të katërt në tabelë, me 14 pikë, pesë më pak se lideri Juventus.

 

 Zabaleta: Siti nuk është në garë për Ligën e Kampioneve

Argjentinasi i Mançester Sitit, Zabaleta, ka ripërsëritur se askush në klub nuk është duke menduar për titullin e Ligës së Kampioneve këtë sezon. Me skuadrën e shtrenjtë që ka Siti, shumë analistë mendojnë se ekipi i Manuel Pelegrinit duhet të ketë ndikim të madh në këtë garë. Gjithsesi, me vetëm një pikë nga gjashtë të mundshmet deri tani në Ligën e Kampioneve, Zabaleta ka treguar se ngritja e këtij trofeu nuk është në mendjen e skuadrës. “Nuk jemi duke menduar për të fituar Ligën e Kampioneve. E dimë që jemi skuadër që është përmirësuar shumë viteve të fundit, por për Ligën e Kampioneve duhet shumë kohë. Po përmirësohemi vit pas viti, por është vështirë ta fitojmë këtë garë”, – ka thënë mbrojtësi argjentinas.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency