Tregu / Si ndryshon koniunktura e çmimeve për mallrat

0
175

url

Ervin Kaduku

Rritet importi për ilaçet, ari vijon me humbje, ndërsa gruri, në nivelin më të ulët në katër vjet

Ilaçet, rritet importi

Importet e produkteve farmaceutike kanë shënuar një rritje në gjashtë muajt e parë të këtij viti, për herë të parë që nga 2011-ta, sipas statistikave të detajuara nga INSTAT-i. Për periudhën janar qershor 2014, produktet farmaceutike të importuara arritën në 10.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje vjen pas një periudhe dy vjeçare, ku tregu i importeve të barnave kishte shënuar një periudhë staniacioni. Sipas muajve, importet e produkteve farmaceutike janë rritur me ritme të shpejta në periudhën prill-qershor, që përkon me kohën e heqjes së TVSH-së prej 10% të barnave. Bie në sy, që rritja e importit të vlerën totale ka ardhur në pjesën më të madhe nga shtrenjtimi i çmimit për njësi të barnave të importuara (vlera totale/kg) sesa nga rritja e sasisë së barnave të importuara, duke mos reflektuar ndonjë zgjerim të ndjeshëm të konsumit. Në sasi, importet për gjashtë mujorin janë rritur me vetëm 6%. Nga të dhënat e detajuara rezulton se pas muajit prill barnat e importuara kanë qenë më të shtrenjta për çdo njësi të importuar.

 

Ari vijon në humbje

Ari ra në nivelin më të ulët në shtatë muaj dhe argjendi u ‘zhyt’ në nivelin më të ulët që nga qershori i vitit 2013, në fund të javës së kaluar, si rrjedhojë e spekulimeve se kostot e huamarrjes së SHBA-së do të rriten më shpejt se sa pritej të forcohej dollari, duke reduktuar kërkesën për metalet e çmuar si investime alternative. Platini dhe paladiumi ranë. Shufra për dorëzimet e menjëhershme humbi gati 0.7 për qind në 1,232.33 dollarë një onz, shifra më e ulët që nga 23 janari dhe u tregtua në 1,236.53 dollarë të premten, sipas çmimeve gjenerike të Bloomberg. Metali ra 2.5 për qind javën e kaluar pasi u tërhoq 1.4 për qind një javë më parë. Platini ra në nivelin më të ulët në vitin 2014 pasi ‘fshiu’ fitimet e këtij viti të premten e kaluar. Ari ra 28 për qind vitin e kaluar në pritje se banka qendrore do të ulte blerjet mujore të aktiveve, të cilën e ka bërë gjashtë herë. “Çmimet e arit ka të ngjarë të bien në qoftë se Fed merr një qëndrim më agresiv ndaj perspektivës së saj të normës së interesit”, – referoi Lachlan Shaw, analist në Commonwealth Bank of Australia. “Deri tani këtë vit, çmimet e arit kanë lëvizur në masë të madhe si pasojë e kërkesës për mjete të sigurta investimi, teksa tensionet përshkallëzohen dhe ‘zbehen’”. SHBA tha të enjten e kaluar se do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian në ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë mbi Ukrainën, duke nxitur kështu që qeveria në Moskë të kërcënojë për hakmarrje. Kjo lëvizje vjen edhe pse Ukraina tha se Rusia po fillon të tërheqë trupat nga kufijtë e zonave të konfliktit.

 

Gruri, në nivelin më të ulët në katër vjet

Gruri ra për ditën e pestë radhazi të tregtisë pranë nivelit më të ulët në katër vjet në fund të javës së kaluar, pasi qeveria amerikane parashikon prodhim rekord global dhe zgjerim të rezervave. Misri dhe fara iu drejtuan humbjeve më të mëdha javore që nga korriku. Gruri për dorëzimet e dhjetorit humbi gati 0.8 për qind në 5.0525 dollarë një shinik në Bursën e Çikagos dhe ishte në 5.0825 dollarë të premten. Çmimet prekën 5.03 dollarë të enjten e kaluar, shifra më e ulët për kontratën më aktive që nga korriku 2010. Kontratat e së ardhmes u pozicionuan për një rënie prej 5 për qind javën e kaluar. Çmimet ranë 22 për qind vitin e kaluar, teksa misri ra 26 për qind dhe fara humbi 29 për qind si pasojë e perspektivës për rritje të prodhimit botëror. Rritja e furnizimeve të kulturave po ndihmon reduktimin e çmimeve të mallrave ushqimore, me indeksin e Kombeve të Bashkuara që ra në nivelin më të ulët në katër vjet në gusht. Prodhimi global i grurit dhe rezervat në fund të 2014-2015 do të jenë më të madha se sa u parashikua muajin e kaluar, referon Departamenti Amerikan i Bujqësisë. Prodhimi global mund të arrijë një rekord prej 719.95 milionë tonësh metrikë nga 716.09 milionë tonë parashikuar në gusht, sipas USDA. Agjencia rriti vlerësimet e saj për prodhimin e Bashkimit Evropian në 150.97 milionë tonë nga 147.87 milionë tonë dhe rriti të korrat e Ukrainës me 2 milionë tonë në 24 milionë tonë. Rezervat botërore janë pozicionuar të arrijnë 196.38 milionë tonë, duke u rritur nga 192.96 milionë tonë të parashikuara muajin e kaluar, sipas agjencisë.

Misri për dorëzimet e dhjetorit avancoi 0.4 për qind në 3.425 dollarë një shinik, të premten, pasi kishte rënë në 3.3575 dollarë të enjten e kaluar, shifra më e ulët që nga qershori 2010. Çmimet iu drejtuan një rënie prej 3.8 për qind javën e kaluar, tkurrja më e madhe që nga periudha që u mbyll më 11 korrik. Fara për dorëzimet e nëntorit shtuan 0.6 për qind në 9.8725 dollarë një shinik pasi prekën 9.695 dollarë, shifra më e ulët që nga korriku 2010. Kontratat e së ardhmes shënuan një humbje prej 3.4 për qind javën e kaluar, me ritmet më të shpejta që nga periudha që përfundoi më 11 korrik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency