Perandori

0
213

 Ryszard Kapuscinki

ryszardFragment nga libri “Perandori” të gazetarit Ryszard Kapuscinki, përktheu Astrit Beqiraj, botimet “Papirus”

 T. L. (inicialet e shërbëtorit e perandorit i cili rrëfën për ndodhitë në pallat)

My dear brother, ora e emërimeve i kallte të dridhura gjithë pallatit! Për disa këto ishin të dridhura ngazëllimi dhe kënaqësie të thellë epshore, për të tjerë, eh, drithma llahtarie dhe katastrofe, sepse në atë orë mbreti i mbretërve jo vetëm dekoronte, shpërblente dhe emëronte, por edhe dënonte, shkarkonte dhe çgradonte. Çfarë them dhe unë! Në fakt nuk kishte ndarje në të gëzuar e të tmerruar; euforia dhe llahtaria mbushnin njëkohësisht zemrën e çdonjërit të thirrur në Sallën e Audiencave, sepse askush nuk e dinte ç’e priste në të vërtetë. Këtu qëndron edhe mençuria e thellë e sovranit tonë, kurrkush nuk njihte ditën e tij, fatin e tij. Kjo pasiguri plus palexueshmëria e qëllimit të monarkut bënin që pallati të merrej pa pushim me thashetheme dhe të humbiste në hamendësime. Pallati ishte i ndarë në fraksione dhe grupe që haheshin me njëri-tjetrin, duke u dobësuar dhe shkatërruar reciprokisht. Pikërisht këtu rrihte sovrani i respektuar. Në këtë ekuilibër që i siguronte atij qetësinë absolute. Në rast se ndonjëri nga grupet krijonte epërsi, sovrani shpejt e shpejt i jepte dorë grupit kundërshtar, duke kthyer kështu gjendjen e drejtpeshimit, gjë që i paralizonte uzurpatorët. Sovrani godiste në tastierë njëherë tastin e bardhë, herën tjetër të ziun- duke marrë nga pianoja një melodi harmonike çlodhëse për veshin e tij. Të gjithë i nënshtroheshin kësaj loje, sepse e vetmja arsye e ekzistencës së tyre ishte aprovimi nga ana e perandorit.

Sikur perandori t’i jepte fund asaj loje, qysh atë ditë ata do të zhdukeshin nga pallati pa lënë asnjë gjurmë. Thellë-thellë ata ishin një hiç. Ishin njerëz publikë për aq kohë sa i ndriçonte shkëlqimi i kurorës së monarkut. Hajle Selasje ishte i zgjedhuri i Perëndisë dhe nga kjo lartësi nuk mund të bashkohej me asnjërin nga fraksionet, edhe pse herë bëhej më shumë me njërin, herë me tjetrin më shumë. Në qoftë se ndonjëri nga grupet e përkrahur do të kalonte në zell të tepruar, atëherë perandori e godiste, mundet edhe ta dënonte formalisht. Kjo kishte të bënte veçanërisht me fraksionet e rrepta, të cilave sovrani u kishte vënë për detyrë të vendosnin rendin. Sepse vetë fjalimet e perandorit ishin të buta, plot mëshirë, ngushëlluese për vulgun, i cili kurrë nuk kishte dëgjuar nga goja e sovranit fjalë të urrejtshme. Mirëpo është e pamundur të drejtosh perandorinë me altruizëm, dikush duhet ta zdrugasë opozitën dhe të kujdeset për interesin sublim të perandorit, pallatit dhe shtetit. Pikërisht këtë bënin grupimet e ashpra.

Pa i kuptuar fare synimet e holla të perandorit, kridheshin në gabime-thënë më saktë- gabonin në pantografi. Të yshtur nga dëshira për të fituar mirënjohjen e mbretit të mbretërve, me një zell të shfrenuar, rrekeshin të vendosnin një rend absolut, në një kohë kur vetë sovrani mendonte vetëm për nje rend bazë, do të thotë rregull, por edhe një mungesë e vogël rregulli, ku të mund të manifestohej butësia dhe mirëkuptimi prej monarku. Ndaj kur grupimi i ashpër hynte në këtë fushë të mosrregullit, haste në qëndrimet ndëshkuese të sundimtarit. Në pallat ekzistonin tre klane kryesore-aristokratët, burokratët dhe të ashtuquajturit të zgjedhurit personalë. Klani i aristokratëve, ekstremist konservator dhe i përbërë nga çifligarë të mëdhenj, grupohej kryesisht në Këshillin Suprem. Për kryetar kishin princin e pushkatuar Kassa. Klani i burokratëve, më i priruri për ndryshime dhe më i lëçituri, me një pjesë të përfaqësuesve të vet me arsim të lartë, mbushte ministritë dhe kancelaritë imperiale. Dhe në fund klani i njerëzve të zgjedhur, që ishte edhe veçantia e pushtetit tonë, e sajuar nga perandori dora vetë. Sovrani i nderuar, partizan i shtetit të fortë dhe pushtetit të përqendruar, duhej të zhvillonte një luftë të rafinuar dhe të shkathët me grupin e aristokratëve që mëtonin të qeverisnin provincat dhe të kishin një perandor të dobët, të plogët. Mirëpo kështu nuk mund të luftonte aristokracinë me duart e veta, prandaj vazhdimisht afronte në qerthullin e tij, si të emëruar dhe të zgjedhur nga ai vetë, njerëz nga populli, të rinj e të mprehtë, që vinin nga shtresat më të ulëta, mundësisht diku nga vulgu i vërtetë. Qëllonte shpesh të zgjidhte mësëkoti nga turma e llumtë në rastet kur takohej me popullin.

Këta lloj njerëzish, të hedhur drejtpërsëdrejti nga provinca dëshpëruese dhe e mjerë në sallonet e oborrit më të lartë, ndeshen aty me urrejtjen e natyrshme dhe armiqësinë e aristokratëve dhe, pasi kanë ndjerë shpejt shijen llamburitëse të pallatit dhe bukurinë e dukshme të pushtetit, i shërbejnë perandorit me një zell të papërshkrueshëm dhe vetëmohim, të bindur se janë atje dhe kryejnë funksionet më të larta të shtetit kryekëput me vullnetin e sovranit të respektuar. Pikërisht atyre perandori u besonte poste që kërkonin besimin më të madh. Ministria e penës, policia politike e perandorisë, kancelaria e pallatit ishin të mbushura me të tillë. Ata zbulonin të gjitha kurthet dhe komplotet, dënonin opozitën fodulle dhe keqbërëse. Llogarit, zoti gazetar, perandori jo vetëm që vendoste vetë për çdo emërim, por edhe deri kohë më parë ua komunikonte njerëzve personalisht. Ai dhe vetëm ai! Mbushte shtresat e larta të hierarkisë, edhe nivelet e saja të mesme dhe të ulëta, caktonte drejtues postash, drejtorë shkollash, shefa policie, gjithë zyrtarët e rëndomtë, ekonomatë, drejtorë fabrikash birre, drejtorë spitalesh, hotelesh, do ta përsëris edhe një herë- të gjithë i caktonte ai vetë, me dorën e tij. Thirreshin në Sallën e Audiencave, në orën e emërimeve, dhe atje, të vendosur në një radhë pa fund, sepse ishte një masë, një masë e tërë njerëzish që prisnin ardhjen e perandorit. Pastaj sekush afrohej me radhë tek froni, atje dëgjonte i tendosur dhe i përthyer më dysh çfarë emërimi i jepte perandori, i puthte dorën mishërëplotit dhe zbythej, me përkulje derisa dilte. Aty edhe emërimi më i parëndësishëm kishte autorësinë e perandorit dhe kjo për arsye se burim i çdo pushteti nuk ishte shteti, asnjë institucion tjetër veç i të vetmit, më të veçantit sovran të respektuar.

Ç’e drejtë tmerrësisht e rëndësishme që ishte! Sepse, qysh nga çasti i kaluar me perandorin, kur ai jepte emërimet dhe bënte bekimin, lindte një lidhje e veçantë ndërnjerëzore, ç’është e vërteta brenda rregullave të hierarkisë, por, prapëseprapë, lidhje ishte dhe nga ajo buronte një parim që udhëhiqte sovranin tonë në gradimin dhe groposjen e njerëzve-ky ishte parimi i luajalitetit. Dëgjo miku im, mund të shkruhet një bibliotekë e tërë me spiunllëqet që mbërrinin në vite në veshin e perandorit kundër personit më të afërt të tij, ministrit të penës, Uajld Giorgis-it.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency