Mushkonjat

0
244

 Srđan Srdić

photo-kultura-licnosti-srdic_srdjan-Srdic_01_u_260195859Tregimi “Mushkonjat” botohet ekskluzivisht, për herë të parë në shqip. Shkrimtari serb është fitues i tretë i bursës në Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë, si pjesë e projektit “Tirana between”, organizuar nga “Poeteka”

 

I Had a Dad

He Was Big And Strong

Perry Farell

 

203: Asgjë raid. Asgjë autan. Asgjë nuk ndihmon. Asgjë.

201: Tinguj të butë. Deti. Shtrojë harmonike për diellin e ënjtur. Hoxha vajton i dalldisur. Unë e dëgjoj në atë mënyrë, si trenodi. Sony Ericsson T230 thotë se ora është 05:01. Mizëri mushkonjash janë ngritur nga një cektinë e ndotur dhe ngulen në barkun tim gjatë gjithë natës. As që jam munduar t’i vras. Asgjë nuk vlen. Asgjë.

203: Qysh nga dita e parë më kanë ardhur në majë të hundës. Ata turinjtë e tyre buzagaz, mirësjellja e bezdisshme, çdo gjë është e panatyrshme. Kutërbojnë, unë pohoj se kutërbojnë, ndërsa askund në forume interneti nuk e kam gjetur atë informatë, e çka tash? Çka tash? Dy javë në erë të keqe. Bërtasin, i gjuajnë fjalë njëri-tjetrit, my friend, ta qifsha nanën, unë nuk jam miku yt.

201: Njeriu nga dhoma ngjitur duket i pocaqisur. Qysh në rrugë e kam vërejtur se si nuk e shikon gruan e vet kur i flet. Në mëngjes, derisa çonte fëmijët në plazh, e rrahu mizorisht djalin e tij. E shkelmonte dhe i mëshonte me pantofël. Djali dëshironte një krokodil prej gome, që, i mbuluar me pluhur, përtypej para një dyqani të vogël pranë të cilës ishin duke kaluar; u përpoqa ta ngre, ashtu të tkurrur e të mbërthyer me telin me të cilin i kishin ndarë mysafirët e apartamenteve ekskluzive në bregdet. Më kafshoi, më pështyu dhe vazhdoi tutje vetë. E shikoja çupëlinën se si e turpëruar, ngrinte torbën e rëndë me peshqirë dhe ushqim dhe shkonte pas tij. Do të doja të quhej Anxhela. Ia bëra me dorë dhe e thirra në atë emër në atë vapë topitëse. Nuk ia qëllova.

Në reklamën e dëmtuar të pafilltë para dyqanit shkruan Mert Market. Mert, Mort…Kërkoja rrënjën e përbashkët. Ndoshta është dyqan i vdekjes, treg i vdekjes, vdekja… Epo a ekzistojnë atëherë edhe vdekje të cilësisë së ndryshme? Cili është çmimi i vdekjes? Me çka e blejmë për vete? Sigurisht kjo Mert gërvin derisa ata e shqiptojnë. Nëpër pisha rrezet e diellit të tërbuar fërkojnë shpinën lakuriqe të çupëlinës së kërrusur. Do të doja që të gjitha ato të quhen Anxhela. Bash të gjitha.

203: Në plazh është për bukuri. Dallgët, bari, bërlloku nga anijet, një tip që tërheq pas vetes një devë dhe kërkon pesë lira po qe se ndokush fotografohet me të, devja që kutërbon dhe shkon pas tipit që ia ka vënë një torbë përfundi bythës që të mos dhjesë e pëshurrë nëpër plazh, kopukët që vjedhin misër, e pjekin dhe e ziejnë në njëfarë tenxhere shejtani dhe pastaj e shesin e shesin për dy lira të hamamta, turku me plagëza skajeve të gojës shiste gjevrek të guruar tri herë më shtrenjtë se sa në dyqan, zuzari i trashë që ulëron turbullt dhe mban diçka në kokë, ma merr mendja se në të ka midhje, pederuci këmbërruar që për ditë m’i merr nga pesë euro për karriget e labërguara për t’u shtrirë me çadra të prishura, vazhdimisht i buzëqesh Verës dhe e bezdis me historira mbi Marmarisin, ku, gjoja, kishte punuar nja pesë vjet, po më ha kari edhe nëse ka punuar, në majë hunde më kanë ardhur magjypllëqet dhe mençurakët e rrugëve, aty janë edhe do maloke nga jugu i Serbisë, secila më e shëmtuar se shoqja, kërkojnë partner për ndërzim, të lumët prindërit e tyre të vonuar, dy-tri turke të dehura që rrinë shtrirë gjatë gjithë kohës, porosisin birra të lira turke dhe gllabërojnë dofarë mutsihanesh me domate, njëra prej tyre ka vjellë në det, u la dhe doli në breg plot hare thua se gjë nuk kishte ndodhur, një rrospi beogradase dhe bytha e saj e shpalosur para syve të një debili të majmë plot para dhe miqve të tij antipatikë, të cilët tundin e shkundin kokëzhabat e tyre në ritmin e muzikës për pederastinë mondane, anëtarët e Al-Kaidës me gratë e tyre të mumifikuara në zhele pashije, të cilat vetë Allahu ua ka dërguar që të lahen me to në këtë moçal të vetin. Bash super është. Po kënaqem. Jeta është e bukur. Dhe dielli po na rrezon. Edhe për ditë jargavanët po çelin.

201: Kam ëndërruar se si i prekja lulet pas shiut. Ëndrrës i vinte era.

203: Tullaci i dyshimtë në mënyrë konspirative m’u afrua mbrëmë dhe ma shpjegoi se në restorantin e tij çmimet për serbë janë shumë më të ulëta se për ata Irish people. E pyeta se cilat janë çmimet për qen. Me vëmendje na shikoi dhe tha Ama, zotëri, ku është qeni Juaj?

201: Çuni që merrte paratë për karriget e labërguara për çdo mëngjes më informonte se unë isha myshteriu i tij i parë dhe se prej meje varej se a do të kishte ai ditë të lumtur pune.

203: Vera thotë, po shkojmë në Long Beach. Thuajse jemi në Majami, bre nënën.

201: Pastruesi i trentë i plazhit ka një ritual. Futet në det deri në shpatulla dhe me duar i mëshon sipërfaqes së ujit. Herë pas here zhyt fytyrën në ujë për një grimëkohë. Pa ndërprerë këndon të njëjtën këngë. Vetëm aaaaaaaaaaa, pikërisht këtë e dëgjoj. Simulon. Dëshiron të na bindë se di të notojë. Bën vaki se të gjithë sillemi ashtu. Veç se simulimi i tij është i realizuar më artistikisht.

203: Në jastëkët e trashë plot rërë rrinte shtrirë një plakë angleze. E palëvizshme. Me orë të tëra. Kujtoja se ka vdekur dhe se sall unë isha i vetëdijshëm për këtë gjë. Me kënaqësi buzëqeshja. Në fund, megjithatë, u ngrit.

201: Kapa një top lara-lara dhe ia ktheva një gruaje të re të shëmtuar. Është nga Serbia. Disi si me zor flisja për shkak të heshtjes disaditëshe. Përmes chat-it kishte njohtuar një brazilian të punësuar në hotelin Fantasia. Ka ardhur sall për të dhe thotë se e do.

203: Të gjithë njerëzit normalë ua kanë paguar pushimet verore gruas dhe fëmijëve. Për t’i befasuar. Unë nuk mundem kësaj vere, ti e di, është me rëndësi që fëmijët të jenë në det, për shkak të shëndetit, e di ti, kaloni sa më mirë.

201: Unë shoh. Vajza me një katereri në këmbë. Plaka me fytyrë të brejtur, me fije të qepjes në kafkën tullace, e cila i rrezitë gjinjtë e gjymtuara nga alergjitë. Barkun e rruar të trupshkurtrit e trashaluqit skocez në të cilin e kishte shtypur fytyrën e buzëqeshur e të riut turk. Unë po frikësohem. Sëmundje është.

203: Do t’i them. Vera! Vera! Vera! Emri im kalon ndërmjet dhëmbëve të nxirë. E bluan me ta. Mbrëmë diku është zhdukur ndërsa unë kam vjellë. Do t’i them, tash e di. Tash jam e sigurt.

203: Goxha keq jam dehur nga kjo birrë e këtyre tek Omeri. Kur e quaj kësisoj ai zgërdheshet si hajvan dhe e mbulon gojën me dorë. Njeriu kalon më mirë në jerevinë e tij me osmanë se pranë pishinës së hotelit me gruan e vet dhe me fëmijë. Omeri më përcolli, e unë shkova te deti dhe i hoqa të gjitha që i kisha veshur. Notoja. Doja të dilja nga pjesa e rrethuar. Mbylla sytë ndërsa ndërmjet këmbëve më shtrëngonte diçka e akullt dhe e këndshme në të njëjtën kohë.

201: Mbeta i fundit në plazh. Atje, nga perëndimi, tërheqin diellin teposhtë me grremça të çeliktë. Mbetet diçka që nuk është natë e zakonshme. Mbetet diçka që është e përhershme.

203: Tash të gjithë janë këtu. U nisa për të hedhur bërllokun dhe para kontejnerit takova një grup aborixhinësh. Fëmijëve u thashë t’ua mbathin me të katra po qe se duan t’i ruajnë bythët. Bukur ua shpjegova se përse janë aq shumë ngase me kohë do ta hanë njëri-tjetrin, më saktë, se këta të rinjtë janë ushqim për të moshuarit. Vera më shikonte e trishtuar. Sikur donte të thoshte diçka. Për fat të mirë për të, kjo nuk ndodhi. Ndërsa pasdite arritën pasardhësit e Drakulës, drejtpërdrejti nga Unioni Europian. Një hordhi e tinejxherëve të kequshqyer, të cilët kurrë deri më tash nuk e kishin parë detin dhe njashtu edhe silleshin, arsimtaret e tyre, të cilat thuajse i kishin thyer aty për aty arkivolet e veta të vdekjes, si dhe udhëheqësi i këtij ekskursioni, foto-robot i shumicës së vrasësve serikë. Ndërsa nëpër korridoret e hotelit vazhdimisht sillet e pështillet një pis i dhomës fqinje, flokëverdhë, i gjatë, qos, të gjithëve na ndjek anash, duarve e sjellë njëfarë blloku dhe librin që titullohet Vdekja në Venedik. Edhe kjo vaki ka ardhur nga Serbia…Ky njeri fillikat ka ardhur në det. Po shkruan diçka. Mendime. Kur isha në moshën e tij unë vetë veroja nëpër shtëpi publike…Kemi shoqëri të mrekullueshme, në tre pidha të s’amës.

201: Janë të pazakontë. Jashtëzakonisht këmbëngulës. Të sulmojnë edhe po qe se vetë vriten. Athua aq shumë mund të kënaqen me gjakun tonë? Aq shumë sa të ketë vlerë sa jeta e tyre?

203: Bajraktari aborigjen më kujton Sadam Huseinin. Dhe Stalinin. Pak edhe Vajtën. Njashtu është disi, he nanën ia qifsha.

201: Janë nja njëzet veta dhe i kanë vendosur në dy dhoma. Recepsionisti u fliste diçka, ndërsa ata ia kthenin me një anglishte të vizatuar. Aty ka fëmijë të moshës pesë vjeçare, çuna të moshave të ndryshme, një vajzë, ai dhe gruaja e tij.

203: Mbytja e pandërprerë e mushkonjave më çoi në nevojtore. Atje e kanë qendrën. Mushkonjat. Nuk e di se nga futen. I kam kontrolluar rrjetat në dritare dhe nuk kam gjetur kurrfarë vrime në to. Vera është mbështjellë me një mbulesë lëkure dhe gërhat. Fëmijët tashmë veç janë duke ëndërruar dofarë ëndrrash të tyre të mutsihanta. Nuk mund t’i numëroj të ënjturat e pickimeve të tyre. I urrej. Nuk do t’ia fus gjumë derisa nuk e lë shehit në mur edhe mushkonjën e fundit. Nuk do të më marrë gjumi edhe pa to, duke qenë se aborixhinët e çuar peshë kanë filluar t’i kryejnë disa rite të tyre poshtë korridorit. Tmerësisht po djersitem qe disa ditë. Sikur ethe…

201: Janë të bukura derisa futen në det. Atëherë aspak nuk janë të vetëdijshme për veten. Aspak, atë që unë e shoh në to ato kurrë nuk do ta shohin. Askush kurrë s’ka për ta parë. Për shkak të kësaj krejt këto të dridhura. Këtij mëngjesi komshiu e sulmoi arsimtarin e tyre; e kapi për fyti dhe ia shau nënën rumune në korridor. E ky mezi ia dilte të thoshte diçka si nu, ose nuj, nuk jam bash i sigurt. M’u duk se sytë do të më dalin nga zgavrat për shkak të shtypjes së fortë, se do të rrjedhin nën xhamat e përlyer të syzeve. Rumuni sall ka dashur t’i zgjojë nga gjumi, por u ngut me ato trokitje. Do të doja që unë ta bëja në vend të tij. Butësisht. Diçka më pak se prekje. Si puhi.

205: I thashë se unë i kuptoj njerëzit kur verojnë, relaksimi, alkooli, ama nuk mund t’ia lejoj askujt që për tri net radhazi të më abuzojë. I përplasin dyert, e thërrasin njëri-tjetrin me zë të lartë, vrapojnë nëpër korridor, nxjerrin klithma shtazësh. Ai memeci nga recepsioni sall tundte kokën i tronditur dhe thoshte this Turk people? I thashë se bash ata janë, veç i tha menaxherit të hotelit se po ka problem në dhomat 211-212. Mua ata nuk më ngjajnë në turq. Se kujt do t’ia tërheq vërejtjen nesër, unë nuk e di. Nëse e bën fare ndonjë gjë të tillë.

211: Ne pritëm që të zgjohet ai. Askush nuk guxonte, ashtu që e vura dorën në flokët e tij dhe thashë, Papa

203: Në çdo mëngjes dua ta bëj kakën, bash në çdo mëngjes! Dhe nuk guxoj as të të them, babi, nuk guxoj dhe nuk guxoj! Ti do të hidhërohesh, do të më bërtasësh dhe do të më rrahësh në sytë e të gjithëve. Mami sall po fle dhe po i pi ilaçet e veta. Dhe po qan, kur ti nuk je këtu. Ndërsa unë dua ta bëj kakën. Do të fshehem pas asaj shtëpize në plazh derisa ta çosh Ivanën në ujë e unë atje do ta bëj kakën. Pa çka? Askush s’ka për të më parë.

203: Shoh se paska ardhur një kontigjent katundarësh nga Serbia. Veç edhe nëntë ditë më duhet të duroj. Secili prej tyre mban nga dymbëdhjetë torba. Ndoshta kanë marrë me vete gatimet e gatshme të Karneksit. Direkt nga Ostruzhnica, damllaja u raftë!

201: Gruaja nga dhoma numër 205 ishte ankuar te recepsionisti për shkak të atyre njerëzve nga fundi i korridorit. Nuk më ka parë derisa e shikoja nga tarraca e përbashkët. U lëshua teposhtë këmbëzbathur në këmishë të shkurtër dhe të tejdukshme nate dhe unë pashë se ajo kishte këmbë zanash mali. Grua e salltanetshme dhe e pafrenueshme.

211: Të dielën mbrëma, ai tha, se të gjithë ne duhet të jemi gati, të veshur me rrobat më të bukura që kemi, të marrim me vete flamurin që kemi blerë në qytet dhe të shkojmë në qendër. Tha se vetëm për këtë arsye kemi ardhur, që të shohim se si do të na kthejnë tokën tonë.

203: Spërkatnin mushkonjat, ndërsa këto shumoheshin edhe më shumë. Vajta kacagjelohej në një fanellë të një përfaqësuseje të futbollit, për mua të panjohur dhe ulërinte thua se po e ngulfasnin tre tumorë. Vera çartej dhe bënte dush në çdo pesë minuta, e unë desh plasa gazit. Por kur ia nisën të dehur, rumuni vëngërosh, të cilin për pak e pata ngulfatur dhe recepsionisti, në mesnatë, pranë pishinës ia krisën një kënge hit në rumunisht-turqisht ki, ki, ki, ki, kii, kii – o, o, o, o, oo, oo, bash u pata entuziazmuar. Sa keq që gjërat e tilla nuk të pëlqejnë nga fillimi.

201: Më në fund ia dola të ikja nga aty, më kushtoi, recepsionisti thirrej në diskrecionin e mysafirëve, ama më është dashur ta dija më parë. Berkan Boblanli, ashtu quhet. Turku nga Holanda. Atje e kishte njohtuar dhe martuar gruan me prejardhje nga Surinami dhe kishte shkuar pas saj atje. Ai thotë se është kthyer për të ndihmuar.

211: Doja të shkoja vetë në plazh, ama ai nuk më la. Ma futi shpullë, më kapi për flokë dhe më çoi te pasqyra. Ma afroi fytyrën te xhami dhe bërtiste Ti të shkosh vetë! Ti të shkosh vetë! Shiko si dukesh! Që të të shikojnë të vetme atje? A kujton se jam i çmendur?

201: Imazhi është i shtangët në errësirën e thellë. Po e kalojnë lëndinën ndërmjet kontejnerit dhe rrugës së Trëndafilave. Pluhuri përvëlues ua mbulon noçkat e këmbëve të zbathura. Të veshur si për ndonjë festë, meshkujt me këmisha të lehta me ngjyra të ndezura, të shpërthekuar dhe të fortë, shumica me mjekra qimedendur ngjyrë qymyrguri ose me mustaqe majucesh të mprehta. Fëmijët flokëshprishur që qeshin bezdisshëm dhe zënë në thua në kaçubat e ulëta. Gratë mbajnë qëndrim të drejtë derisa ecin me fytyra krenare. Përgjithmonë nëna memece me ombrellë të hapur të zezë në dorën e saj të vogël, me shikim të zymtë në hijen përvëluese. Në anën e majtë është ajo. Nuk mundem ta ndiej mirë. Jam i përshkuar nga ajo, ama është e pamjaftueshme. Unë jam i mangët. Në sytë e saj të mëdhenj unë nuk mund të jem. As i keq e i mbrapshtë nuk mund të bëhem. Asgjë nuk mundem. I ka lyer me mallëngjim gjinjtë pak të zbuluar, është spërkatur me të dhe ia dorëzoi diellit. Një nga djemtë e saj më të moshuar tërheq zvarrë valixhen ku i mban peshqirët. Berkani është një metër para të gjithëve. Damarët e tij. Pështyma e flakëve të pista nga sytë e tij të trentë, të sëmurë. Berkani është luan. Luan i tmerrshëm.

205: Natën hoteli gjëmon si shtëpi e nëmur. Ai më i moshuari sokëllinte: Edgar, Rud, Jimmy, Frank. Sall Zoti i madh e di se çfarë kanë bërë.

203: Ua fërkoja Verës dhe fëmijëve, qumështin për rrezitje, në shpinë. Send i mirë, faktori Sun Block, sall e lyen shpinën e dielli bile as nuk të afrohet. Prodhues i besueshëm, kompania e famshme amerikane Fruit of the Earth, çmimi cikërrimë e rrastë, pesë lira, përndryshe kushtojnë diku rreth pesëmbëdhjetë lira. Vera pak u pat rebeluar kur e pata blerë, e unë i thosha, çka ka lidhje, këtë edhe ushtarët amerikanë e rrasin në bythë atje poshtë në Irak, dhe send s’u mungon? Derrat amerikanë. Përbindshat amerikanë. Juve ka për t’ju ardhur hakësh aidsi.

201: Zor është t’i detyrosh të flasin për politikë. Nuk duan ta pranojnë se edhe ata kanë ardhur në situatën tonë. Të dielën edhe ata do të votojnë kundër ndonjë gjëje. Do vërtetojnë pohimin se nuk besojnë në asgjë. E qysh nga e sotmja po i kap tmerri nga ajo njohje.

211: Papa të gjithëve na ka tubuar në një dhomë dhe bërtiste. Ç’prej se kemi ardhur këtu, po sillet si predikues. E di se askush këtu nuk na do. Të gjithëve u pengojmë. Ankohen shkaku ynë. E ai duhet patjetër, sall unë e di se duhet pajtetër. Ai duhet patjetër të jetë aty kur të ndodhë ajo. Atë e kanë ofenduar, aq shumë gjëra të pahijshme ia kanë thënë. Atje, në Holandë. I kanë thënë se është qen dhe terrorist. Se fëmijët e tij janë minj gjirizi. Edhe atje askush neve nuk na ka dashur. Edhe atje të gjithëve u kemi penguar. Edhe atje janë ankuar në ne. Dhe na e prishën strehën, në fund, mbetëm pa shtëpi. E ai aq shumë ka punuar. Dhe asgjë nuk ia vlejti. Ishim duke fjetur në bodrum kur ai hyri me gazetë. Ishte mëngjes, ama kjo në bodrum nuk kishte kurrfarë kuptimi. Bash kurrfarë kuptimi, gjatë të jetuarit tonë në bodrum pak gjëra kanë pasur ndonjë rëndësi. Me zë solemn na është drejtuar dhe na tha se do të na kthente tokën. Që të bëhemi gati, t’i marrim të gjitha paratë, e të nisemi për të pritur tokën tonë njashtu siç i ka hije. Unë e di, derisa e dëgjoj atë, se ai është i çmendur. I çmendur nga lumturia. Nga të shpresuarit në lumturi. Të dielën, tha, do të festojmë ditëlindjen. Ditëlindjen e madhe të përbashkët. Atë po e pres. Kur e gjithë kjo të kalojë, do të largohem. Do të jem me të derisa ai të vallëzojë nga gëzimi, këtë kënaqësi nuk do t’ia zezoj. Dhe kur errësira të jetë futë e zezë, kur do të më shtypë e të më shtrijë në rërën e njelmët, do të iki. Po qebesa.

205: Surinam (Wikipedia)

203: Një apo njëqind, njësoj është. Ngase ajo njëra më nervozon më shumë, është e vetme, dinake, e pabesë, nuk mund ta gjej ndërsa fillon të zëzëllijë menjëherë pasi që shuaj dritën. Ua kam gjetur folenë, nënën ua qifsha. Atje, në drejtim të plazhit, pak përpara apartamenteve borgjeze, është një kanal. Nëpër kallam shalakaten rosat e zgjebosura, në të cilat vazhdimisht leh qenëria e përjargur. Krejt kanali kutërbon në vetë zemrën e kanalizimit dhe bart ortekun e mutit në drejtim të panjohur. Guxoj të vë bast se po i njëjti mut derdhet në det. Herët a vonë, gjithçka përfundon në det. Nesër do të dërgoj një kartolinë: Përshëndetje nga puseta! Nënë e dashur, po kalojmë për bukuri në Hale… Aty shumohen, u bën mirë kundërmimi. Mut njeriu apo gjak, krejt është njësoj.

209: Duhet të më kuptoni zotëri, kjo kurrë nuk do të ndodhte në Ukrainë. Natyrisht se edhe të tjetër ankohen. Tash merreni me mend se në çka po kalojmë ne të dyja, po ne jemi shumë afër, dhomat i kemi ngjitur. Ne do t’ju denoncojmë, po, po, do ta bëjmë këtë, kjo kopje e keqe prej hoteli ku barbarëve u lejohet të maltretojnë mysafirët e ndershëm. Qysh the se kam thënë? Jo, white people, wild people. Wild people, a jeni të shurdhër?

203: Si kam mundur të jem kaq budalla? Mua të ma kurdis ai i bezdisshmi Bekir nga agjencia e udhëtimit? Mua? Turku të më mashtroj? O i madhi Zot… Tri orë deri te pishinat gëlqerore të boshatisura aty ku vëllazëria ruse gjysmë e dehur rri shtrirë dhe pshurrë. Dhe e gjithë kjo me një taliban nga Anglia dhe me gruan e tij të maskuar si Betmen. Me allamanin që në të vërtetë është italian, i cili qesh dhe vazhdimisht flet mbi sistemin edukativ gjerman dhe për video kamera. Aty është edhe irlandezi i gatshëm për salifikim, i cili e ka kapur për dore gjyshen e vet, secili prej tyre ka ipod e vet dhe me mish e shpirt i përjetojnë fjalët që i shqiptojnë interpretuesit e budallallëqeve të popullarizuara. Ama, ky nuk është fundi, ka ardhur një dosë e laramuar me tatuazhe, e cila me një anglishte të çalë dhe me nervozë komentonte se si është i stërngarkuar autobusi me serbë dhe me nazistë gjermanë. Dhe, po, edhe një shoqërues energjik, i cili disa herë të gjithëve ua shtriu dorën e djersitur dhe njohtohej, Hello, my friend, I am Masun, how are you? Tash jam mirë, jam shumë më mirë ç’prej se të pashë ty. Dhe thotë, baltë shëruese, rrokullisuni në të të gjithë ju idiotë, pastaj banja e Kleopatrës, e në të myshku autentik dhe amviset leshatake nga blloku lindor. Stefanin e plandosa përdhe, sillej e pështillej rreth e rrotull dhe i kishte rënë nga dora akullorja, të cilët ia pata blerë dy euro, epo nga ia ke mësyer biro, ose do të jesh njeri normal, ose do të të vras. Unë të kam bërë, unë do të të vras. Vera rrinte e heshtur. Kam grua memece, bre nënën e nënës, a jam unë njeriu më i lumtur në botë? Nuk ka lidhje, kaloi edhe e premtja. Të martën mbrëma do të jem në Zheleznik, do të pi birra me komshinjtë në stol dhe do të qi. Nuk ka më sehir merkezi, nuk ka më indi bindi, nuk ka më sahil sitelleri, nuk ka më. Kurrë më.

201: Era e mori ditën, si dhe disa tjera të mëparshme. Për shkak të erës nuk e dimë se po kallemi. Më ka marrë gjumi në plazh dhe i kam parë në ëndërr ata që s’dinë të notojnë. Kur jam zgjuar, ata ishin aty. Që të gjithë. Në ëndërr, megjithatë, kam mundur të shoh edhe veten.

211: U përvodha nga dhoma rreth orës tre pasmesnate. Pranë pishinës rrinte një i ri nga dhoma numër 201. Flinte. I pastër. Sikur i porsalindur. Ia largova mushkonjat nga duart dhe ia ngrita librin nga toka. Do të doja të dija gjuhën e tij. Atij i dhemb. E putha në ballë. Kur të zgjohet do ta ndiejë se kishte pasur diçka.

201: Nimfa. Deti është plot me to. Sot e kam pasur goxha zor. Që t’i shikoj disa nga ato se si fërkohen me djem kockor. Se si i ujdisin buzëqeshjet e tyre, se si i prishin për ta, i ngashnjejnë, i thërrasin, largohen nga bregu i detit, bile edhe ata që nuk dinë mjaft mirë të notojnë. Neveria është ajo që mbetet. Dua t’i prek ama kam frikë nga balta nën lëkurë. Ata më të guximshmit i tërheqin, nuk ua lejojnë të largohen, duke e ditur se edhe ato nuk e duan një gjë të tillë. Duke pritur natën për t’i hequr papuçet e tyre dhe të nisen tinëzisht rruginave të hotelit të shtruara me qilima të lirë, në kërkim të njëri-tjetrit, duke u mbështetur mureve korridorit të veshura me tapiceri, me ngathtësi i kryqëzojnë gjuhët vajtuese. Të nesërmen në mëngjes do të kenë shije të pështymës dhe gjakut të thithur nga buzët e huaja të kafshuara. Si mushkonja.

Dhe nuk e di se ku do të mbërrij kur të nisem të hënën nga këtu. Athua mund të mbërrij ndokund? A ekziston ndonjë vend ku dua të mbërrij? Apo më duhet medoemos të shkruaj emrin e tij. Njashtu siç i shkruaj të gjitha. Krejt jetën time. A dua ende të ngritem nga fjalët e mia, që të thërras me zë të lartë me to, që të tumirem me to? Që të dua me to, që të vdes me to?

Angjella me tendosje e kujton horizontit. Buzëve e tërheq një gjel sheqeri të kuq.

205: Ai nga dhoma numër dyqind e tre i bërtiste djalit të vet: Mos e prek atë mi gjirizi, o qorr, a e sheh se është i coftë, mos e prek atë coftinë!

211: Papa ka blerë daulle. Thotë se sonte do të këndojmë për shkak se nesër është e diel, të cilën e kemi pritur të gjitha atyre të dielave që më vonë do t’i përjetojmë.

203: Për një orë shfrytëzimi të internetit u kam paguar dy euro atyre hajnave të hotelit. Situata nuk është bash e mirë, bile kështu thonë okupatorët nga radio B92. Temperatura në Serbi rreth 50 gradë, zjarre të përhershme, është e mundur të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Vrasje, Kosova, turlifarë vakish të mutsihanta. Nesër janë zgjedhjet në Turqi. CHP, AK, DP, frika nga ekstremizmi dhe islamizimi në rritje. Mirë, mirë. Sall përpara vëllezër turq, të gjithë në xhihad, aty afër është Bagdadi. Ustashët e UEFA e përjashtuan Partizanin për një vit. Bash keq.

205: Do të thotë se i paskan siguruar edhe instrumentet. Bre nënën e nënës.

211: Papa, psssssssssssssttt! Please papa, don’t be that loud. Please…

201: Qante dhe doli në tarracë. Dëgjova babain e saj se si i binte me tërbim njërës nga daullet e vogla që shiten gjithkah në qytet.

203: Nesër, nesër do t’i them.

203: Gjithnjë shoh ëndërr se si babai na bërtet. Unë nuk kam qejf të shoh ëndrra. Do të doja të ëndërroja diçka tjetër. Do të doja të shihja në ëndërr një lepur të bardhë.

203: Romania is shit! You are shit! Omer! Omer! A beer for my friend from Romania!

211: Desha të zhvishja fustanin, atje në tarracë, para tij. Dhe t’i them se jam e tij. Që të më marrë sepse është i mirë. Dhe të më çbendë. Të kurorëzohemi në breg bash tash, sepse valët janë plot dritëhëne. Të më puthë. Dhe të shkojmë. Desha.

206: But, sir, we are in European union. Do you understand? European union!

203: O ti qorr? Mos, bre! Paj është e pamundur, Ju jeni kopsht zoologjik i Unionit Europian, a e di qorro? Ti dhe fëmijët e tu qorra. A ke fëmijë ti? Nu? Çka deshe të thuash, jo? Aha, ti je shebek në atë kopsht zoologjik. No, no, I was telling you hoë happy I am for meeting someone from European union. I am not angry, no, no. Drink, my european friend, drink.

211: Sonte gojën e kam plot mushkonja.

203: Dëgjomë me vëmendje, o ti halabak rumun, tash do ta pimë një për Drakulën dhe për këtë trimin që e kam në fanellën time. Ore, dëgjomë, ku hamamin je duke shikuar tash he nënën ta qifsha, për Drakulën e Rumunisë dhe për këtë trimin, e ky është Drakula nga Serbia, this hero is serbian Dracula, do you understand me?

201: Njeriu nga dhoma numër 203 dhe një arsimtar nga Rumunia e kanë marrë me vete një rumune në një kafene të lënë pas dore pranë hotelit dhe e detyrojnë t’i bjerë flautit. E hipën në tavolinë, rumuni i jepte do urdhëra në mënyrë të paqartë. Fëmija duket se sapo i kishte çelur sytë nga gjumi dhe nuk e kishte të qartë se çka po ndodhte. I ati i Angjellinës ia nge lart fustanin dhe ia puth këmbët, ndërsa ajo fishkëllen nëpër gojëzën e flautit. Rumuni iu afrua te fytyra dhe me djersë ia spërtkat gishtat e saj që i dridhen.

203: Jepi, Drakula, ki, ki, ki, ki, kii, kii, o, o, o, o, oo, oo, këndo o vampiro! Jepi deri në

            kupë të qiellit! Sing, sing my friend!

211: Për mua është kjo. Kjo që del nga flauti. Për mua është.

201: Për mua është kjo. Kjo që del nga flauti. Për mua është.

203: Vajta i prishi të gjitha. E lëshoi atë të voglën dhe e çoi në hotel, nisi të na kërcënohej, bile unë kështu mendoj se ka vepruar, send nuk e merrja vesh. Drakula shkoi deri në nevojtore dhe më la vetëm me vendasin. Aty Omeri doli të ishte më i vetëpërmbajturi ndër ne dhe na solli të dyve nga një birrë dhe u zgërdhesh miqësisht duke bërtitur It’s free, it’s from me. Se nga erdhën bijtë e Vajtes një zot e di, nja njëqind, më duket, zunë vendet nëpër qoshet e kafenesë si në pritje urdhërave të mëtejshëm. Njëri nga ata, i hollë, por me shikim alla malokçe, mori daullen dhe e vuri para babait të tij. Derisa plaku shikonte lajmet e mesnatës në televizonin turk, e pyeta të voglin se mos janë nga Australia. Sadam vrullshëm u kthye nga unë, duke mos e lëshuar konservën nga dora tha, thua se donte të më pështynte në sy, We were from Surinam. We were from Holland. From this moment, dhe drejtoi gishtin drejt orës plastike në mur me mbishkrimin Kushadasi, We have our own country and we are from Turkey.

211: Shpejt e shpejt i bëra gati gjërat e mia derisa të tjerët flinin. Torbën e shtyra nën krevat. Qita dorën në dritare që të kap pak mëngjes për vete. Nesër gjithçka do të jetë e imja. Shikova detin dhe mendoja mbi fustanin e martesës.

205: Harbutërisht mbështeti bërrylin në banak dhe kërkoi kafjallin. Kur e pyetën se çfarë do të porosiste, në mënyrë cinike u përgjigj kebab. Pak më vonë shtoi se po të njëjtën gjë e do edhe për drekë dhe për darkë, sepse dëshiron të ngihet me kebaba, pasi që kjo është dita e tij e fundit në Turqi. I thashë burrit tim se nuk do të ishte keq që ta lusim vajzën në agjencinë turistike të na i rezervojë ulëset në autobus që janë në anën e kundërt prej tyre. Nuk mund ta duroj atë njeri edhe njëzet e katër orë të tjera.

201: Ajri është mpiksur rreth nesh. Nuk kemi më hapësirë të pakufizuar për veprimet të paramenduara më parë. Ajri është shkrirë në kohë. Po lëvizim në diçka që është përfundimtare, në diçka që është e definuar si fund i paevitueshëm. Ne duhet ta zgjedhim. Me sa vetëdije përcaktohemi? Me sa vullnet zgjedhim? Cila e vërtetë është e vërteta e tyre? Vdekja e kujt do të jetë vdekja ime? Kush është Zot?

203: Vera i çoi fëmijët në plazh, ndërsa unë mbeta në hotel. Koka m’u pat këputur nga dhimbjet e mahmurllëkut dhe nuk kam mundur të flija më, kështu që zbrita deri në holl. Rumunët kishin udhëtuar për në shtëpi herët në mëngjes dhe ishte jashtëzakonisht qetë.

201: Më dukej se muret masive prej mermeri shkriheshin për shkak të presionit diellor.

203: Koha. Kurrsesi nuk kalonte.

201: Rrinte shtrirë pranë pishinës. Rrotullohej, në shpinë, prapë në bark, ndërsa unë e dashuroja.

203: Ai më pëlqente. Kishte stil dhe ide. Kishte ardhur me krejt familjen nga Holanda dhe u kishte premtuar. Sikur Jezusi. Ose ai Muhamedi i tij i hamamtë. Dhe të gjithë i binden, pa kurrfarë kundërshtimi.

211: Më shikon dhe diçka shkruan. Unë e shikoj dhe e thërras.

203: Stefani më tha se do të dhjesë. I çova të dy në nevojtore. Më vonë do t’u blej akullore.

203: Që nga ora dymbëdhjetë deri në ora tetë nuk është larguar nga televizori. Gjatë gjithë kohës ka ndjekur rrjedhën e zgjedhjeve, ashtu siç ma kishte shpjeguar mbrëmë, kishte ardhur për të parë se si po ia kthejnë vendin. Priste Allahun e tij, Muhamedin e tij, Bin Ladenin e tij që të fitojë, e pastaj do të vampirohen sulltanët turq, që t’ia mësyejnë prapë Kosovës, dhe gjithë botës. Edhe Marsit. Që të ndërtojnë xhami në majë të Marsit. Ai dhe fëmijët e tij, me emra të dhelparakëve të moçëm të futbollit nga Holanda.

211: Hëngrëm darkë kur u zgjua. E fiku televizorin dhe u nis ngadalë. Për fat të mirë, torbën e nxora jashtë dhe e fsheha pas murit që ndante hollin dhe sallën e ngrënies. E pata gënjyer veten në lidhje me të sepse nuk kisha fuqi të mjaftueshme për ta pritur. Shkonte drejt ashensorit, kishte veshur fanellën që ia kishte dhuruar njeriu nga dhoma numër 203. Në të ishte fotografia e një ushtari të mrrolur përfundi të cilës shkruante serbian hero. Njeriu nga dhoma numër 203 ia kishte shpjeguar se ky ishte një trim i madh dhe shok i të gjithë miqve të Allahut.

201: E ëma e mbante për dore Anxhelën. Angjella kishte vjedhur buzëqeshjen e së ëmës. Shikova drejt tyre dhe pëshpërita, unë tash po shkoj.

203: Së pari vajzushka e Vajtës nxori valixhen nga diku, disa herë shikoi rreth e rrotull dhe u zhduk. pastaj fatziu nga dhoma numër dyqind e një harroi Vdekjen e vet në tavolinën para recepsionit. Mendova se më së miri është të nisem pas tij dhe pas Vajtës për t’i njohtuar për humbjet e pësuara. Menaxheri i hotelit buzëqeshte si i trentë dhe i përcillte rezultatet e zgjedhjeve. Bin Laden, i thashë. No, democracy. Qija bre nënën, s’ke ç’të bësh…

205: I shtrija peshqirët rreth orës nëntë. Mushkonjat më patën sakatuar fare. Në tarracën e dhomës numër 201 qëndronte ai djaloshi i tërhequr, i cili nuk shoqërohej me askë. Hyra në dhomë për të gjetur autanin, sado që këtu nuk ndihmon fare, kur filloi e tëra, nëse kjo është fjala e adekuate. Së pari mendova se e ka sulmuar ai kopuku nga dhoma ngjitur me dhomën tonë. Që të dy bërtisnin, djali tashmë e kishte njërën këmbë matanë murit të tarracës, ama ky është më i fortë, për fat të mirë. E hodhi në njërën nga ato karriget e plastikës në tarracë dhe bërtiti Ulu, ta qifsha diellin e trentë dhe me libër i mëshoi disa herë në kokë. Më pa mua dhe qeshi. Tamam kur kujtova se është duke u tallur, atëherë diçka ra nga ana e djathtë. U futa vrap në dhomë dhe i thashë burrit tim të mos e lejonte fëmijën kurrsesi të dilte në tarracë.

203: Derisa i rashë në fije, i vogli më iku. Mendova, kujt po ia ndien, njeriu është shtrirë përtokë, mbase ky për sonte është ngopur me vrasje. Si u lëshova në lëndinë përfundi tarracës, i vogli tashmë qante sipër Vajtës. Se si ka arritur atje para meje, as tash nuk e kam të qartë.

201: E di se jam përmbledhur dhe se i kam thënë ta thërrasë policinë. Poshtë, në duart e mia, Berkan Boblanli dilte nga vetja. Nga litarët në përdhesë hoqa një peshqir dhe e mbulova. Ende merrte frymë, por nuk doja t’ia lejoja asaj që ta shohë. Doja vetë t’i tregoja. Ta përqafoja dhe t’i kallëzoja.

211: Doja që edhe një herë ta përqafoja detin. U zhvesha, i palova teshat në valixhe dhe u futa.

203: Doja t’ia kallëzoja të gjitha. Rrinte ulur në krevat dhe i përqafonte fëmijët. E ndieja se më kishte pritur. Se më kishte pritur goxha gjatë.

201: E mora edhe një peshqir që t’i trembja mushkonjat nga pellgu i gjakut.

203: Unë jam shtatzënë. Fëmija është i yti. Do të divorcohemi kur të mbërrijmë në Serbi. Fëmijët do të jetojnë me mua.

211: Dëgjoj se si deti përplaset në sirenën e gurit në breg. Deti përplaset për trupin tim lakuriq. Unë jam terr.

203:

211: Det, det…

211: …nuk mund të më bësh asgjë.

 

Përktheu nga origjinale serbisht, Fadil Bajraj

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency