Call Center, a është ky modeli i punësimit për të rinjtë shqiptarë?

0
179

Ervin Kaduku

call center –  Dritëhijet e një sektori që po u ofrohet të shkolluarve të shumtë me moshë të re si alternativë ndaj një tregu gjithnjë e më pak ofrues për punë serioze

 Ndonëse numri i tyre është shtuar, janë katër kompani që zotërojnë thuajse gjysmën e tregut në Shqipëri. Fjala është për “Call Center”, që kohët e fundit po kthehet në një “modë” të biznesit të huaj, kryesisht atij Italian, për të investuar në një vend me krahë të lirë pune dhe ku e njohin edhe gjuhën italiane masivisht. Etja e vërejtur një vit më parë për të hapur një biznes të tillë është bërë edhe më e theksuar muajt e fundit, e kjo nuk shihet aspak si pozitive nga këndvështrimi i sipërmarrësve. Nëse në pamje të parë mund të mendojmë për një xhelozi që vjen për shkak të forcimit të konkurrencës, argumenti i tyre ka brenda disa të vërteta. “Shqipëria është bërë tërheqëse për këto lloj investimesh, – thonë ata, por theksojnë se në këto kushte, rreziku i mbingopjes është “shumë pranë”.

 

Tregu

Kompanitë kryesore regjistruan një rritje të xhiros me 60-70% në 2013-n dhe norma fitimi mbi 20%. Kostoja ende e ulët e punës në Shqipëri dhe kriza ekonomike në Itali, po bëjnë që bizneset call center të zhvillohen me hapa të shpejtë. Numri i ndërmarrjeve ka arritur në 233 në fund të qershorit 2014, duke u dyfishuar në vetëm një vit. Kjo ka bërë që edhe qeveria Rama, sidomos ministri Erion Veliaj, ta trumbetojnë me të madhe leverdinë e përhapjes së tyre në vendin tonë, si gjeneratorë të punësimit. Por, rreziku për të dështuar fillon të rritet.

Të dhënat e bilanceve të vitit 2013, të dorëzuara në Tatime, për dy kompanitë kryesore, Intercom Data Service dhe Albacall flasin për një zgjerim të qarkullimit vjetor me ritme dyshifrore, mbi 50%.

Për Intercom Data Service (IDS), kompania më e madhe call center në vend, 2013-a ka qenë një vit i mbarë. Qarkullimi vjetor i kompanisë, sipas bilanceve të dorëzuara tek tatimet ishte 2.56 miliardë lekë (rreth 18 milionë euro), me një zgjerim vjetor prej 71%. Fitimi u dyfishua, nga 322 milionë lekë në 2012, në 690 milionë lekë (para tatimit). Norma e fitimit të kompanisë është rritur në 27% në 2013, nga 21.5% një vit më parë (para taksave). Kosto e punës (paga+sigurime shoqërore) zinin 70% të totalit të shpenzimeve në 2013-ën.

Edhe Albacall realizoi një xhiro prej 2.25 miliardë lekësh (rreth 16 milionë euro) në 2013-n, me një rritje prej 60% në raport me një vit më parë. Fitimi u dyfishua nga 318 milionë lekë në 2012-n, në 605 milionë lekë në 2013-n, sipas bilancit të dorëzuar te tatimet. Kosto e forcës punëtore përbënte 76% të totalit të shpenzimeve të Albacall. Edhe kjo sipërmarrje call center pa një rritje të normës së fitimit (para taksave) në rreth 27% në 2013-n, nga 22.6% një vit më parë.

Albania Marketing Service (Teleperformance) kishte një xhiro rreth 10 milionë euro në 2012-n, ndërsa shifrat për 2013-n nuk janë ende të disponueshme, por që nga 2009 kur filloi aktivitetin, deri në 2012-, zgjerimi ka qenë tepër i shpejtë, nga rreth 500 milionë lekë, në 2009-n, në rreth 1.4 miliardë lekë në 2012-n.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, subjektet aktive në sipërmarrje call center janë 233. Nga këto, 110 biznese janë regjistruar që nga shtatori i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i bizneseve të regjistruara është rritur me 39%, sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Mes këtij fluksi sipërmarrjesh, 4 biznese janë çregjistruar, ndërsa kanë pezulluar aktivitetin 29. Nuk ka të dhëna për numrin e saktë të të punësuarve në këtë sektor, por vlerësohet që ai i ka kaluar 10 mijë vetë.

 

Të shkolluarit me rroga minimale

Zgjerimi masiv i universiteteve vitet e fundit është parë si një mundësi për të zënë “me punë” të rinjtë shqiptarë. Një vend si Shqipëria, të cilit i mungojnë industritë e mëdha prodhuese, ndërsa fshati vazhdon të mos shihet me simpati nga të rinjtë, mundësinë për të punësuar të rinjtë e ka të kufizuar. Por, një zhvillimi mbase jo të qëllimshëm për të qëndruar sa më shumë në bankat e shkollës, po i kundërpërgjigjet më së miri, nisma private e biznesit call center.

Sipërmarrje të tilla kanë njohur dhjetë vite më parë potencialin e të rinjve shqiptarë për të komunikuar në gjuhë të huaja. Ritëm që është përshpejtuar kohët e fundit, për shkak të forcimit të krizës ekonomike në Italinë fqinje.

Por pagat e të rinjve që punojnë në këtë lloj biznesi janë të ulëta krahasuar me standardet e Evropës Perëndimore (rreth 300 euro në muaj për një punë të plotë). Këtë pagesë qeveria ua ofron si “parajsë” të rinjve shqiptarë, por ajo nuk është aspak e mjaftueshme, ndërkohë që ka edhe punonjës të këtyre kompanive që e shtyjnë muajin me 100 euro. Sidomos, pa dyshim, ky nivel page nuk do të kishte të njëjtën vlerë edhe për një familjar, që i duhet të paguajë kredinë apo të rrisë fëmijët.

Të punësuarit janë të rinj të diplomuar ose që vazhdojnë studimet. Italishtja e tyre vlerësohet shumë e mirë, ndaj as drejtuesit e kompanive italiane dhe as personat privatë, nuk e dallojnë që personi që po u shet fshesa elektrike, hapësira publicitare, kontrata për furnizim me energji elektrike, nuk është i kombësisë së tyre.

Një fenomen që ka filluar pas vitit 2000, por që ka njohur një bum të vërtetë në dy vitet e fundit. Media italiane i përshkruan si aktivitete ekonomike që nisën në të njëjtën mënyrë: një apartament me qira, tavolina e kompjuterë të ngjeshur me njëri-tjetrin, një linjë interneti dhe mjaft të rinj që flasin italisht dhe që paguhen pak.

Sipas operatorëve, kostoja e punës është deri në tre herë më e ulët në krahasim me koston në Itali, duke përfshirë edhe kostot e infrastrukturave të tjera (kryesisht të shërbimit të internetit). Në Shqipëri, paga mesatare shkon 280-350 euro në muaj, krahasuar me 900-1000 euro në muaj në Itali.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency