Konferenca me gazetarët/ Berisha: Kryebajlozi pengues i integrimit është krimi në majat më të larta të politikës

0
146

Gëzim Saliu

Berisha ne konference Reforma në drejtësi nuk mund të kryhet nga klani i drogës. Parlamenti shqiptar ka vrasës dhe persona që kanë bërë burg për drogë dhe trafik prostitucioni

 Statusi kandidat, pasaportë besimi, s’është një pilulë antidepresive. Teza e ekstremistëve, gjethe fiku

 Një ditë pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka zgjedhur komunikimin me gazetarët për të përcjellë qëndrimin e tij lidhur me këtë ngjarje. Duke bërë të ditur në nisje të konferencës se pamundësia për të kryer lidhjen “live” nga zyra e tij e detyroi ta zhvillonte konferencën në selinë e PD-së për të dytën herë radhazi, pas asaj kur u mor vendimi për përjashtimin nga Kuvendi, Berisha e cilësoi dhënien e statusit si një pasaportë besimi për shqiptarët. “Kjo është një pasaportë e re besimi për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për Shqipërinë. Që sot e tutje ata konsiderohen qytetarë të një vendi me statusin e kandidatit për vend anëtar me Bashkimin Evropian. Ky është një nivel i ri, nga i cili nis stadi përfundimtar i integrimit të Shqipërisë në BE, stad që dihet se kalon në disa faza, por e vërteta është se nga ky nivel nis rruga e stadit përfundimtar të integrimit. Pra, është larg së qenit një pilulë antidepresive, qoftë edhe për ata që vuajnë nga depresioni”, – deklaroi Berisha. Po ashtu, sipas tij, edhe teza e qeverisë se ishin ekstremistët ata të cilët nuk mundësuan dhënien e statusit në dhjetor është e pasaktë. “Unë nuk them se nuk ndikojnë, por e vërteta është se ato ndikojnë më shumë në politikat e brendshme të këtyre vendeve sesa në politikën evropiane. Teza e Edi Ramës, për forcat e djathta se penguan statusin, ishte thjesht një gjethe fiku që ai deshi t’i vendoste vetes së tij”.

 

Pengesat e integrimit

Duke u mbështetur në konferencën e Kryeministrit Rama pas marrjes së statusit, Berisha theksoi se deklaratat e tij përbënin një revansh primitiv ndaj drejtësisë. Sipas ish-kreut të qeverisë, drejtësia, edhe pse në përbërje të saj ka gjykatës që bashkëpunojnë me krimin, të cilët duhen ndëshkuar, nuk mund të konsiderohet si bajlozi i zi i integrimit të vendit në BE. “Ai bëri fjalë këtu për gjykatës që bashkëpunojnë me trafikantët, me vrasësit dhe duhet t’u them qytetarëve se ai këtu nuk shpiku dhe se kjo është e vërtetë, se ata janë dhe duhen ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit. Por duhet t’u them shqiptarëve se kryebajlozë në rrugën e tyre të integrimit janë politikanët e inkriminuar dhe krimi në majat më të larta të politikës, janë lidhjet e Edi Ramës polivalente me krimin, janë sjellja e krimit në zyrat e shtetit në kuadër të “aleancës së qelbësirave”, janë lidhjet e tmerrshme me trafikun të qeveritarëve aktualë. Ky është kryebajlozi i zi në rrugën tonë drejt Evropës”, – theksoi Berisha, duke shtuar se universalisht dihet se Parlamenti shqiptar ka vrasës dhe persona që kanë bërë vite të tëra burg për drogë dhe trafik prostitucioni. Ndërkaq, sipas deputetit demokrat, edhe citimi i Kryeministrit për Kancelaren Merkel nuk ishte i drejtë, pasi, siç nënvizoi Berisha, thelbi i deklaratës së saj kishte të bënte me sigurinë ligjore. “Mirëpo ai nuk e di që armiku numër një i sigurisë ligjore është pushteti personal. Por, në një xhungël të politikës dhe krimit gjykatësi nuk bëhet dot kurrë qeveri”. I pyetur nga gazetarët për reformën në drejtësi, të cilin Kryeministri Rama e ka cilësuar si një prioritet të mazhorancës për sesionin e ri parlamentar, ish-kreu i qeverisë pohoi se nuk do të mungojë mbështetja e opozitës, por që gjithsesi sipas tij, ajo nuk mund të kryhet nga klani i drogës. “Keni parë ju një draft të vetëm kund, qoftë edhe një fjali të vetme! Nuk ekziston. Ia kërkoj komisioneri Füle. Zoti Füle i kërkoi Ramës se ku është drafti dhe në fund të fundit doli se nuk është. A mund të besojnë qytetarët se një nga përfaqësuesit e njërit prej klaneve me të fuqishme të drogës në Shqipëri të bëjë reformën në drejtësi? Po pse zgjidhet ai dhe nuk lihet Ministria e Drejtësisë? Ai nuk pyet as për normë, as për standard, as për pavarësi, ai është Xhafa. Gjeniu i Ramës është Fatmir Xhafa”.

 

 Territorialja dhe çështja e drogës/ S’pranojmë variantin “Enver Hoxha plus”, nuk kemi hequr dorë nga kauza e narkotrafikut

 Në konferencën me gazetarët, Berisha u pyet lidhur me reformën territoriale, për të cilën tha se varianti i mazhorancës është një reminishencë e së kaluarës komuniste. “Këta po kthehen tek Enver Hoxha. Ç’po bën ky? Ky po bën 38 njësi, fiks aq sa ç’kishte Enver Hoxha në kohën e diktaturës, rrethe, se edhe atëherë qarqet nganjëherë i kthenin, nganjëherë i hiqnin fare. Tani meqenëse u demaskuan, se ky është modeli hoxhist, shtoi disa rrethe dhe e bëri Hoxha plus. Si mund të bashkohemi ne me Hoxha plus? PD po punon me një projekt serioz për t’u paraqitur shqiptarëve projektin më të mirë”, – tha ai. Ndërkaq pyetjes së gazetës “Standard” se përse prej më shumë se dy javësh, PD duket sikur është tërhequr nga kauza e narkotrafikut dhe se cila do të jetë vendimi i ardhshëm për këtë çështje, ai iu përgjigj duke pohuar: “Kjo kauzë do të vazhdojë në mënyrën më të fuqishme. Ne nuk tërhiqemi kurrë. Qeveria kurrë nuk do të mund të përdorë aksionin e Lazaratit, e thashë edhe njëherë unë e kam mbështetur vendosjen e ligjit, luftën kundër trafiqeve dhe nuk lëkundem nga ajo. Kam kritikuar aspektet, por lëkundje nga ato parime nuk ka. Por nga ana tjetër super-Gate është në qeveri. Është super-Riformato në qeveri. E lexuat deklaratën e Ministrave të Jashtëm dje? Për herë të parë në histori i kërkohet Shqipërisë të monitorojë kufijtë. Lexojeni. Të monitorojë kufijtë e vet, sepse Riformato ka tronditur Evropën. Asnjëherë nuk është shkruar që Shqipëria të monitorojë kufijtë e saj. Shqipëria i ka monitoruar kufijtë. E kuptoni tani se ku është super-Gate?”.

 

Ftesa e Ramës për statusin/ Berisha: Më parë të kërkojë falje për dy vitet e humbura. E ka fiksimin me Çiljetën

Një tjetër çështje që u prek në bashkëbisedimin e djeshëm të deputetit Berisha me gazetarët ishte ajo lidhur me ftesën e bërë nga Kryeministri Rama për festën që do të zhvillohet për marrjen e statusit. Në këtë pjesë, ish-kreu i qeverisë shqiptare nuk kurseu as batutat. “Ajo që mund të bëjë Rama mendoj unë, është t’u kërkojë një ndjesë shqiptarëve për bllokimin e statusit dy vite me radhë. Ai është edhe kontradiktor, por të gjithë fiksimin e ka tek artistja e shquar Çiljeta. Sa mund të besohet ai që sulmon me dy dalje rresht, sepse ai ka komplekse, është i kompleksuar. Ju them unë juve dhe i kërkoj ndjesë Çiljetës për të cilën kam shumë respekt, dhe vlerësim. Ai ka fiksime. Ai një ditë sulmon Çiljetën, ditën tjetër sulmon Erlën, fut të tjerë të sulmojnë. Ai jeton në një atmosferë fiksimesh. Pra unë do t’i sugjeroja atij, por ai sigurisht që nuk e merr parasysh, që t’i kërkojë ndjesë publike për dy vite që vonoi statusin e vendit kandidat”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency