Kuvend/ Deputetët e PS-së, kritika Ministrisë së Financave, Ligjet kthejnë për të dytën herë Kodin Doganor

0
142

Florenc Drizari

 Komisioni i Ligjeve pa opoziten - 25.6.2014Xhafaj: Kodi Doganor duhet të jetë më i qartë për t’u interpretuar nga gjykatat

 Komisioni i Ligjeve shtyu miratimin e projektligjit për “Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë”, duke kërkuar nga Ministria e Financave të rishikojë disa nene që sipas deputetëve të mazhorancës, u vlerësuan si të paqarta.

Në mbledhjen e djeshme deputetët e shumicës parlamentare nisën shqyrtimin nen për nen të draftit të qeverisë, por paqartësia për të shpjeguar disa terma në ligj e bën të domosdoshëm rishqyrtimin sipas tyre. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj theksoi se ligji për Kodin Doganor duhet të jetë shumë i qartë për tu interpretuar nga gjykatat shqiptare pasi sipas tij, ky mund të jetë drafti që mund të shkojë më shpesh në dyert e gjyqësorit.

“Ose të vijë BE-ja këtu dhe të na shpjegojë sipas direktivës së BE-së se ky është një ligj që ndoshta do shkojë më shumë se çdo ligj tjetër në gjykatat shqiptare dhe është shumë e rëndësishme se si do ta lexojë gjykata. Duhet të dimë se si ta bëjmë sa më praktike”, – deklaroi Xhafaj. Në përgjigjen e dhënë nga zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, u theksua se kërkesat e deputetëve janë rregullime specifike se si listohen në draft dhe se ato duhet të qëndrojnë ashtu siç janë paraqitur në projektligj. Kjo çështje solli diskutimeve mes përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe deputetëve të mazhorancës në komision. “Termi zbarkim, ma shpjegoni edhe mua se mos më bie halli në doganë si qytetar ndonjëherë, por ta dimë si zbarkojmë”, – tha Xhafaj.

Më herët kreu i këtij komisioni ka kërkuar prej përfaqësuesve të qeverisë thjeshtëzimin e gjuhës së përdorur në hartimin e kësaj nisme, ndërsa zëvendësministri i Financave, Ervin Mete deklaroi në mbledhjen e javës së shkuar se gjuha e komplikuar për draftimin e këtij ligji vjen nga aktet e BE-së, ndërsa theksoi se një variant i tillë përdoret edhe në të gjithë vendet e tjera të BE-së.

“S’kam asnjë kundërshtim që këtu të reflektohen direktivat dhe praktikat më të përparuara që ka BE-ja derisa ne duam që të integrohemi në BE, por kjo nuk do të thotë që direktivën e BE-së ta përkthejmë në një gjuhë shumë të ndërlikuar për operatorët shqiptarë”, – ka thënë pak ditë më parë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Sipas qeverisë Kodi Doganor vendos rregullat dhe procedurat e përgjithshme të zbatueshme për mallrat që hyjnë ose që dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, si dhe statusin, kompetencat e organizimin e personelit të administratës doganore.

Nisma sipas ekzekutivit synon lehtësimin dhe thjeshtëzimin e procedurave doganore si dhe rritjen e luftës kundër mashtrimit për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregtisë ndërkombëtare si dhe nevojave të operatorëve ekonomikë. Ndryshimet sipas përfaqësuesve të ministrisë së Financave pritet të sjellin përmirësim të një numri rregullash dhe praktikash të rëndësishme që përfshijnë masa të cilat çojnë në kalimin në një mjedis doganor elektronik pa letër si dhe dispozita për të futur procedurat doganore për operatorët ekonomikë të autorizuar (“AEO”), përfshirë zhdoganimin e centralizuar.

Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme munguan sërish deputetët e opozitës. bojkoti sipas opozitës bëhet për shkak të vendimit të marrë nga Byroja e Kuvendit një javë më parë, ish-kryeministri Berisha u pezullua me 10 ditë nga pjesëmarrjet në aktivitetet e Kuvendit të Shqipërisë.

 

 Shqipëria kryeson SEECP, Presidenti Nishani: Fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal

 Politika e jashtme e Shqipërisë, sipas kreut të shtetit Bujar Nishani, është e orientuar qartësisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Duke folur në një konferencë të përbashkët për mediat me homologun e tij rumun Băsescu, në përfundim të punimeve të Samitit të Krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku Shqipëria mori zyrtarisht nga Rumania kryesinë e radhës së organizatës, Nishani tha se vetëm dialogu dhe përpjekjet institucionale janë mekanizma për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe problemet ndërmjet fqinjëve.

“Republika e Shqipërisë mbetet e përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Roli i Shqipërisë në rajon është aktiv dhe konstruktiv, sepse ne besojmë se edhe interesave kombëtare shqiptare u shërbehet më së miri me një rajon në paqe e stabilitet të qëndrueshëm, të integruar në institucionet euroatlantike. Presidenca shqiptare do të synojë rezultate të prekshme për pjesëmarrësit në SEECP dhe rajonin, si të tërë, duke e fokusuar aktivitetin e saj në forcimin e rolit rajonal, promovimin e dialogut ndërmjet anëtarëve të SEECP-it dhe konsolidimin e rëndësisë sektoriale të organizatës, të cilat do të përbëjnë edhe shtyllat kryesore të aktivitetit tone”-tha Nishani.

 

OSBE: Konsensus për strukturat AMA-s dhe RTSH-s, qeveria të garantojë konkurrencë për mediat

OSBE nxit deputetët e Parlamentit shqiptar që të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjidhur ngërcin në AMA-s dhe RTSH-s. Ambasadori i OSBE-së Florian Raunig e ka bërë këtë thirrje në tryezën e organizuar për tenderat dhe reklamat në media, ku sipas tij vendet vakante në këto dy isntitucione duhet të plotësohen nga persona me integritet dhe pa ndikim partiak. “Po përfitoj nga rasti për të nxitur parlamentarët shqiptarë që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të zgjedhin e emërojnë anëtarët e strukturave qeverisëse të AMA-s dhe RTSH-së. Në këtë proces, duhet të mbizotërojë interesi publik mbi interesat e ngushtë partiakë. Këto vende vakante duhet të plotësohen me persona të cilët karakterizohen nga integriteti, aftësia, dhe bashkëpunimi”, tha në fjalën e tij Raunig. Ndërkaq ai bëri të ditur se media shqiptare është e rrezikur nga kapja politike për shkak të paqendrueshmërisë ekonomike.. “Janë shumë media për një treg të vogël dhe të pakonsoliduar mirë. Sektori tregëtar që po zhvillohet ndjeshëm duhet të konsolidohet. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes proçesit të filtrimit të tregut. Ashtu si dhe për bizneset e tjera i takon qeverisë të sigurojë një kuadër për konkurim të drejtë në treg” tha ai. Gjithashtu ambasadori Rauning, foli për një trekëndësh problematik të biznesit, politikës dhe pronarëve të mediave, ku sipas tij reklamat shtetërore përdoren si mjet për klientelizimin e medias.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency