Kuvend/ 23-vjetori i krijimit të PS-së, Berisha: Urime socialistëve, por asnjë prej tyre në qeveri

0
122

Florenc Drizari

Berisha ne Parlament Meta: Urime të gjithëve, t’ia kaloni sa më mirë në festë

Dita e themelimit të Partisë Socialiste është uruar edhe nga deputetët e opozitës. Gjatë seancës së djeshme plenare, ish-kryeministri Sali Berisha uroi të gjithë socialistët për 23-vjetorin e krijimit të partisë së tyre, ndërsa nuk ngurroi të kritikonte edhe Kryeministrin Edi Rama për përbërjen e kabinetit të tij qeverisës. Duke thënë se 23 vjet më parë, PPSH, e mbledhur në një kongres në Pallatin e Kongreseve, vendosi solemnisht të ndërronte emrin e saj nga Parti Pune në Parti Socialiste, duke ruajtur të gjithë trashëgiminë e mëparshme të Partisë së Punës, Berisha theksoi se në këto 23 vite do të ishte absurde të mohohej përpjekja e madhe e socialistëve shqiptarë për të kontribuar në vlerat, pluralizmin e në reformimin e tyre. Gjithashtu, kreu i qeverisjes së djathtë për tetë vitet e shkuara tha PS feston edhe si anëtare në gjirin e PSE dhe Internacionales Socialiste, ku merita të padiskutueshme, sipas tij, kanë të gjithë socialistët. Por ish-kreu i qeverisjes së djathtë nuk la pa përmendur edhe përbërjen e kabinetit qeverisës ku, sipas tij, nuk ka asnjë socialist të vërtetë.

 

Berisha

“Të dashur socialistë dhe socialist të thjeshtë, duke formuluar për ju urimet më të përzemërta këtë ditë, nuk mund të them se kjo ditë është ajo që ju prisni. Jo. Hidhni pak sytë këtu mbrapa. Nëse gjeni gjurmë socialisti në këtë ekip që kam këtu mbas shpine ju kërkoj ndjesë socialist të dashur. Hidhni pak sytë, secili prej tyre është i lidhur dhjetëra herë më shumë me një parti tjetër, cilëndo, sesa me PS, për të mos cituar këtu, se në këtë ditë nuk i lejoj vetes zhargonin banal të kryetarit tuaj aktual ndaj PS dhe eksponentëve të saj. Por kjo është forma dhe forma ka aq sa ka vlerë. Le të ndalemi pak se kush ka mbërthyer sot kokën e PS”, – tha Berisha. Gjithashtu ish-kryeministri theksoi edhe premtimet e pambajtura të kreut të qeverisjes ku sipas tij, asnjë nga ato që u thanë para dhe gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit, nuk janë mbajtur në këto muaj qeverisjeje.

“Më thoni të dashur socialistë, a nuk ju premtuan këta zotërinj shërbim shëndetësor falas, legalizime falas dhe kanë dyfishuar çmimet, a nuk ju premtuan ulje të çmimit të energjisë dhe e kanë bërë faturat afrofe katër herë më shumë seç paguan kreu i juaj? A nuk premtuan ulje të çmimit të ushqimeve ndërkohë që ato po rriten çdo ditë? A nuk premtuan heqjen e taksës së qarkullimit dhe e rritën me 100 lekë të reja? A nuk premtuan punësim ndërkohë që kanë punësuar vetëm sorollopin e tyre? Më thoni socialistë të ndershëm cili është i punësuar nga ju? Doni t’jua bëj këtu me fletore të gjithë farefisin e tyre kanë punësuar nga më i pari që ka future katër kushërinjtë tek më i fundit që s’ka lënë njëri pa futur në punë. Kurse ju ku jeni sot socialistë? As guxoni të flisni”, – tha Berisha, duke theksuar më tej se në krye të PS-së nuk ka një udhëheqje socialiste por një mafie të vërtetë. Gjithashtu, një tjetër urim për 23-vjetorin e Partisë Socialiste u bë edhe nga Kryeparlamentari Ilir Meta, i cili në mbyllje të seancës së djeshme uroi deputetët dhe socialistët t’ia kalonin sa më mirë pasditen e së enjtes.

 

Balla, opozitës: Gëzuar 40-vjetorin e Bashës

 Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës së djeshme plenare uroi kreun e opozitës për 40-vjetorin e lindjes. Urimi i tij u bë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që socialisti nuk ngurroi të kritikonte edhe ish-kryeministrin Berisha për deklaratat se në kabinetin qeverisës nuk ka socialistë të vërtetë.

“Meqë e nise me festa, edhe ju keni sot një festë. Me lejoni t’ju uroj në emër të grupit parlamentar të PS-së për 40-vjetorin e kryetarit de facto, Lulzim Basha, i cili mbush sot 40 vjeç dhe ju kërkojmë ndjesë se “de facto”-ja iku të marrë ilaçin qetësues dhe sigurisht në festën e ditëlindjes së PSs-ë ne kemi shumë çfarë t’u themi socialistëve dhe demokratëve, sepse kjo nuk është qeveri si ajo që punonte vetëm për vete”, – deklaroi Balla, ndërkohë që Berisha gjatë fjalës së deputetit socialist, u largua nga salla e Kuvendit.

 

Berisha, Ramës: Sikur të kishe pasur 1 të 100-ën e performacës së Çiljetës, s’do ishe piktor mjeran

 Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur për çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërisë, akuzoi Kryeministrin Rama për bllokimin që, sipas tij, i ka bërë këtij procesi përgjatë dy viteve të fundit, ndërkohë që nuk harroi të përmendte edhe emrin e këngëtares Çiljeta Xhilaga që pas këngës së kënduar me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Edi Rama ka thënë që s’do mund të këndojë në koncert për çështjen e statusit të vendit kandidat. “Kryetari juaj o socialist, njoftoi se nuk do të festojmë për marrjen e statusit. A e dini pse? Sepse është njeriu i vetëm në Evropë që ka penguar statusin dhe tani po të festojë do të dalë të nxijë dhe pastaj merret e sulmon këngëtaren dhe artisten e nderuar Çiljetën, sepse këndoi në rastin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këndoi, në një kohë kur kryetari juaj nxinte me portrete të Enver Hoxhës, në momentet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe të kishte pasur 1 të 100-ën e performancës artistike të Çiljetës, nuk do të ishte një piktor mjeran i dështuar siç është, që nuk ka shitur dot një tablo në jetën e tij”, – tha Berisha, ndërkohë që pas kësaj deklarate nuk munguan edhe të qeshurat në sallën e Kuvendit nga Kryeministri, ministrat si dhe deputetët e PS-së e PD-së.

 

Ish-kryeministri i përgjigjet Ambasadës Amerikane: Do t’ju faktoj përfshirjen për Syrja Gjokën

 Gjatë debateve në Kuvend për ligjin e Forcave të Armatosura, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi sërish akuza ndaj motrës së ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për ndërhyrje me qëllim dënimin e gjeneralit Syrja Gjoka. Motra e ministres Kodheli është punonjëse e OPDAT, pjesë e Ambasadës Amerikane. Për këtë Berisha u shpreh, se do i faktojë Ambasadës përfshirjen e saj në këtë çështje.

“Turpi i turpit u bë me Syrja Gjokën. Unë do të të them ty ndrikull një gjë. Ajo motra jote, unë i dhashë përgjigje zyrtare ambasadës së SHBA-së për reagimin, por ajo ka ndjekur si shtrigë çështjen e Syrja Gjokës, dhe përveç përgjigjes sime zyrtare, miqësisht dua tu them secilit, mos e vër dorën kurrë në zjarr për Mimin dhe Albën se “emni i Zotit” do të digjen duart dhe buzët. Kjo është e vërteta. Unë do ja faktoj qeverisë amerikane. Unë nuk ngutem”, – tha Berisha. Më herët Berisha ka deklaruar se Kodheli ka përdorur motrën e saj, për të arrestuar Gjokën. “Po e dini ju si është arrestuar Syrja Gjoka. Ka nisur motrën e saj si korbë të zezë në emër të OPDAT, duke folur në emër të misionit, që aty është thjesht punonjëse, duke iu bërë presionin më të jashtëzakonshëm prokurorëve, jo një po dy prokurorëve, që ose Syrja Gjoka në litar ose ju do humbisni sepse kështu është vendosur. Kjo është e vërteta, nëse ka njëri të ndershëm mes jush shkoni pyesni në Prokurorinë e Tiranës se jeni deputetë”, – është shprehur Berisha disa ditë më parë, ndërkohë që për këtë çështje po atë ditë reagoi edhe Ambasada Amerikane, e cila është shprehur e skandalizuar me pretendimet e ish-kryeministrit Berisha për punonjësen e tyre.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency